Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: INTERVISTË / Fatos Tarifa: Protesta, festë e demokracise! Ministra dhe deputetë, vini në punë mendjen tuaj
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > INTERVISTË / Fatos Tarifa: Protesta, festë e demokracise! Ministra dhe deputetë, vini në punë mendjen tuaj
Lajmi i funditopinion

INTERVISTË / Fatos Tarifa: Protesta, festë e demokracise! Ministra dhe deputetë, vini në punë mendjen tuaj

Published: July 7, 2026
Shpërndaje

Nga Johana Lubonja

Prej pesë javësh, kryeqyteti shqiptar është përfshirë nga një valë protestash masive antiqeveritare, të cilat tashmë janë pagëzuar në diskursin publik si “Revolucioni Flamingo”.

Në një peizazh politik të polarizuar dhe të lodhur, kjo lëvizje qytetare po dëshmon një frymë të re dhe një revoltë të thellë ndaj dështimit dhe korruptimit të klasës politike.

- Publicitet -

Prof. Fatos Tarifa është një prej intelektualëve publikë më vokalë dhe kritikë të viteve të fundit. Jo vetëm përmes pranisë fizike në shesh por edhe përmes analizës, ai nuk ka rreshtur këto ditë së analizuari krizën morale, institucionale dhe politike që po kalon vendi.

Në këtë intervistë ekskluzive, Prof. Tarifa vjen me një analizë të hapur mbi zanafillën e kësaj zëmërate popullore, arsyen pse kontrata e kryeministrit me votuesit ka rënë, përgjegjësinë e ministrave anonimë, si dhe simbolikën magjepsëse të flamingove që po i tregon Europës një Shqipëri ndryshe.

Përse një intelektual nuk mund të bëjë sehir përpara degradimit të institucioneve? Kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe ku fshihet shpresa për të ardhmen?

Ndiqni më poshtë bisedën e plotë me gazetaren e Ditës, Johana Lubonja.

Prof. Tarifa, gjatë këtyre pesë javëve nga koha kur nisën protestat antiqeveritare në Tiranë, ju keni shkruar shumë shpesh për to në këtë gazetë. Ndonjëherë edhe disa ditë radhazi. Përse?

Sepse ishte e pamundur të bëja sehir dhe do të ishte gabim të heshtja.

Keni dalë vetë në protestë?

Po. Dy herë.

Si jeni ndier mes protestuesve?

Një qytetari lirë. Si shumica e tyre. I kuptoj pse protestojnë dhe kundër kujt. Dhe i mbështes. Këtë kam bërë tërë këto javë. I kam mbështetur publikisht përmes kësaj gazete që njihet
për filozofinë e saj progresiste dhe për angazhimin e vazhdueshëm në mbrojtje të interesit publik.

Çfarë janë këto protesta sipas jush?

Një festë e demokracisë.

Cila është arsyeja më e thellë që ka nxjerre dhe nxjerr çdo ditë, për pesë javë radhazi, dhjetra mijëra qytetarë në protestë?

Nuk ka një arsye të vetme. Ka shumë, por të gjitha konvergojnë në një, që i përmban të gjitha: sistemi qeverisës dhe politikat zhvillimore të qeverisë janë korruptuar, kanë dështuar dhe duhen ndryshuar.

Si?

Në radhë të parë, duke çmontuar këtë sistem që kemi, duke ndryshuar mënyrën e qeverisjes, njerëzit që qeverisin dhe ata që drejtojnë institucionet kryesore të vendit, ndërkohë që njerëzit e ditur, mundësitë dhe mjetet nuk mungojnë.

Shqipëria ka gjithçka që i duhet për t’u bërë një vend normal e për t’u zhvilluar si çdo vend tjetër i Europës. Miku im Peter Lucas, gazetari i njohur i Boston Herald, thoshte 40 vite më parë se Shqipëria ka gjithçka që i duhet për t’u bërë “a great little country, or a little great country”.

Dhe ju e besoni këtë?

Thellësisht. Shihni Slloveninë. Shihni vendet balltike. Pse ne s’mund të bëhemi si ato? A nuk besonte të njëjtën gjë Sami Frashëri, qysh më 1899, kur e përfytyronte Shqipërinë një vend po aq të zhvilluar e të pasur sa Zvicra?

Ju keni qenë shumë kritik ndaj kryeministrit të vendit, jo vetëm këto pesë javë, por vazhdimisht gjatë këtyre katër-pesë viteve të fundit. Ndoshta më vokali në kritikat ndaj tij ndër të gjithë intelektualët e njohurtë vendit. Pse?

Sepse kjo është detyra e çdo intelektuali publik të angazhuar. Të mos pajtohet me realitetin siç është, të mos marrë për të vërteta ato që thonë autoritetet, t’ua nënshtrojë ato gjyqit të arsyes, të kritikojë publikisht çfarë nuk shkon mirë në shoqëri, sjelljen e qeverisë e të klasës pilolitike, të shprehë hapur mendimet e tij se si një gjendje jo e mirë mund të ndryshojë, si mund të dilet nga një krizë dhe ç’mund të bëhet për të mos u përsëritur një krizë e re. Me pak fjalë, të synojë transformimin e kushteve të ekzistencës sonë njerëzore.

Protesta, ose lëvizja qytetare e këtyre javëve, është pagëzuar si “Revolucioni Flamingo”. Është ky emër i përshtatshëm për të? Është ky një revolucion?

Mund të quhej edhe kështu, nëse nuk do i qëndroja strikt përcaktimit që i bëjnë revolucionit teoritë sociologjike dhe ato politike. Një lëvizje masive protestash qytetare mund të quhet revolucion kur ajo kërkon ndryshimin e sistemit dhe të elitës sunduese. Këto janë kërkesat kryesore të kësaj lëvizjeve. Ajo kërkon ndryshim të sistemit dhe të mënyrës së qeverisjes, jo rrëzimin ose ndryshimin e rendit politik, institucional, ekonomik e shoqëror. Jo ndryshimin e rendit kushtetues, por forcimin e tij.

A mendoni se do ia dalin?

Shpresoj dhe dëshiroj që po. Sidoqoftë, është ende herët të flasim. Duhet pritur. Çdo gjë do të varet nga filozofia, vendosmëria dhe energjia e kësaj lëvizjeje.

Një revolucion paqësor?

Shumë paqësor. Një risi e bukur në jetën politike të shqiptarëve; më e bukura ndoshta në tërë historinë tonë si shtet i pavarurur.

Dhe flamingot që i dhanë emrin këtij revolucioni?

Një simbol i bukur për një lëvizje si kjo. Një metaforë mjaft e gjetur. Protesta nisi habitatin e flamingove. Gjeorgjianët bënë “Revolucionin e Trëndafilave” më 2003, ukrainasit “Revolucionin Portokalli” më 2004 – 2005, në Kirgistan e quajtën “Revolucion i Tulipanëve” më 2005 dhe i Zambakëve pesë vite më vonë. Lulet dhe ngjyrat shërbyen për këta popuj si simbole estetike të protestave popullore dhe si metafora të gramatikës politike të ndryshimit në shoqëritë e tyre. Ne gjetëm një shpend, Flamingon. Një shpend shumë i bukur, me një habitat mjaft specifik, të brishtë ujor, pra ekologjikisht i rrallë.

Përveç lidhjes me Zvërnecin, vendi nga mori jetë kjo lëvizje e gjerë qytetare, vetë lëvizja, me masivitetin, rininë, dhe natyrën paqësore të saj, ka krijuar një peizash social e politik po aq të bukur sa peizazhi i jashtëzakonshëm natyror që krijojnë flamingot me elegancën e tyre rozë.

Këtë venë në dukje thuajse të gjitha mediat e mëdha botërore.

Pas marrëzisë kolektive të 1997-ës, përpjekjes për grusht shteti një vit më vonë dhe tragjedisë së Gërdecit, kjo është hera e parë që Shqipëria është bërë një lajm botëror pozitiv.

Mendoni se kryeministri duhet te japë dorëheqjen?

Zemërata popullore ndaj tij është e një magnitude të tillë, sa unë nuk kuptoj se si mundet ky kryeministër te vazhdoje të qeverisë edhe më tej. Me ç’sy e faqe mund të dalë para publikut? Duket qartë se pjesa më e madhe e popullit nuk e do. Një mikesha ime socialiste më shkruante këto ditë për kryeministrin: “Si nuk e mendon çfarë e pret me gjithë këtë urrejtje që ka ngjallur?”.

Por kryeministri vazhdon të thotë se e kanë votuar 800 mijë shqiptarë dhe kontratën për të qeverisur vendin deri në fund të mandatit e ka me ta, jo me protestuesit.

E kishte. Kjo kontratë nuk është më. E prishi ai vetë me mënyrën e tij të qeverisjes, me korrupsionin dhe skandalet e shumta të qeverisë së tij, për të cilat gjithnjë ka refuzuar e refuzon të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari. E prishi me megalomaninë dhe arrogancën e tij.

Por a nuk është fitorja në zgjedhje ajo që e legjitimon një parti të vijë në pushtet dhe qeverinë që del prej saj?

Ky është gabimi më i rëndomtë që bëjmë kur flasim për legjitimitetin e një qeverie dhe kryeministri e përsërit çdo ditë këtë refren të gabuar. Demokracia nuk është një ngjarje e një dite të vetme, dita e zgjedhjeve. Demokraci është ajo çfarë ndodh në periudhën midis dy zgjedhjeve.

Kryeministri apo edhe qeveria? Kush duhet te japë dorëheqjen?

Kryeministri është qeveria. Kjo qeveri është qeveria Rama. Në situatën e sotme, kur indinjata dhe zemërimi qytetar kanë arritur në këtë shkallë, unë do të dëshiroja të shihja–dhe pres të shoh–që një pjesë e anëtarëve të kabintetit të japin dorëheqjen. Është gjëja e duhur. Duhet ta bëjnë. Për të shpëtuar fytyrën e tyre. Për të qenë në paqe me ndërgjegjen e tyre.

A mund të ndodhë kjo? E kanë kurajën qytetare? Nuk i tremben zemërimit të kryeministrit?

Unë nuk pres të japin dorëheqjen ata ministra që karrierën e tyre politike e kanë të lidhur ngushtësisht me kryeministrin dhe të kushtëzuar prej tij. Këta i pret i njëjti fat si i tij. Një fat jo i mirë. Por ka edhe ndonjë ministër që portofolin që mban e ka marrë krejt aksidentalisht dhe, para se t’ia heqë kryeministri që ia ka dhënë në emër të “ndryshinit”, do të tregoheji mençur nëse e linte vetë. Protestat e mëdha qytetare janë një arsye e mjaftueshme për ta bërë këtë.

Për cilët ministra konkretisht e keni fjalën?

A kanë rëndësi emrat e ministrave anonimë? Dy të tretat e tyre nuk i njoh. Besoj edhe ju nuk i njihni.

Nuk i njoh. Por a është kjo krizë e qeverisë një krizë njerëzish të aftë për të qeverisur vendin?

Në asnjë mënyrë jo. Kjo është një krizë morale, institucionale, politike, një krizë sistemike, krizë e sistemit qeverisës. Shkaktarë të saj janë mënyra se si funksionojnë dhe si drejtohen institucionet shtetrore, të gjitha ato institucione që formalisht, vetëm në emër, janë demokratike, por nuk funksionojnë si të tilla.

Qeveria?

Përgjegjësja kryesore për çdo gjë që nuk shkon mirë në këtë vend. Qeveria është treguar e paaftë për të administruar punët e shtetit dhe nevojat e qytetarëve. Në shëndetësi, në arsim, në kushtet e jetesës dhe mirëqenien e tyre.

Parlamenti?

Për turpin e tij, po. Një parlament jofunksional, qesharak. Një parlament që i bindet dhe i shërben qeverisë, në vend që ta kontrollojë atë.

Një deputete e PS-së nga Vlora thoshte këto ditë se, më 4 korrik, qytetarët nuk duhej të dilnin në protestë për të mos krijuar përshtypjen se
protesta është anti-amerikane. Çfarë ju thotë ky pohim?

Është plagjiarizëm. Ka kopjuar kryeministrin. Një gjë të ngjashme u ka thënë Kryeministri Rama qytetarëve që protestuan në mënyrë paqësore para zyrës së tij kundër rritjes së çmimeme të karburanteve dhe produkteve të shportës kur nisi lufta në Ukrainë. Kryeministri u tha protestuesve në atë kohë se ishte e turpshme që në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s qytetarët protestojne kundër rritjes së çmimeve!

Deputetja në fjalë ka thënë, me fjalë të tjera, të njëjtën gjë. A nuk është kjo trushpëlarje? Pjesa dërrmuese e deputetëve socialistë të sotëm mendojnë me trurin e kryeministrit; trutë e tyre duket se nuk u hyjnë në punë në funksionin që mbajnë.

Gjykatat dhe prokuroritë?

Këto, gjithashtu. Do të duhet kohë të transformohen. Sa më parë, aq më mirë. Për të ardhmen e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

SPAK?

E vetmja garanci që shoh. Puna e tij duhet përkrahur.

Presidenti i Republikës?

Ku është? Në letër? Në Kushtetutë? Duhet të dalë prej faqevev të saj. Përse nuk ndihet në këtë kohë të mbarsur me ndryshim?

Partitë e mëdha?

Ku janë? Partisë Socialiste ia ka mbyllur gojën kryetari i saj. Në fakt, Rama e ka shkatërruar Partinë Socialiste, po njëlloj si Berisha Partinë Demokratike, ndërkohë që në shumicën e sistemeve demokratike moderne, jeta politike kanalizohet dhe organizohet kryesisht përmes partive politike. Këta dy njerëz, Berisha dhe Rama, i kanë bërë, secili në mënyrën e vet, një dëm shumë të madh demokracisë në Shqipëri dhe vetë interesave të vendit.

Ka shpresë?

Kjo kohë kërkon ndryshim dhe asnjë ndryshim nuk ndodh pa shpresuar e besuar se ai është i mundur.

Dhe kush do e bëjë këtë ndryshim?

Fryma e kësaj lëvizjeje të gjerë qytetare, gjenerata e re e këtij vendi, rinia e arsimuar e tij, njerëzit që e duan këtë vend dhe kanë vullnetin dhe dijet që nevojiten për ta transformuar shoqërinë tonë.

I shihni këta njerëz në protestë?

Edhe nëse nuk i shoh, fryma e prorestës përmban edhe zërin e tyre. Nëse nuk janë mes protestuesve, shumë prej e tyre i mbështesin ata.

Një pyetje e fundit: Nëse vërtetë Shqipëria është sot më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, a do e pengonin këtë proces protestat masive dhe dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë në një kohë si kjo?

Këtë e thotë kryeministri. Unë besoj se këto protesta i kanë dëshmuar Europës se ne jemi një popull i qytetëruar, me një rini moderne, një vend që krejt natyrshëm meritojmë të jemi pjesë e familjes europiane.

Ju falemnderit!

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Zyra e Kryeministrisë “zbulon” profilet fake që ofendojnë me komente Edi Ramën
  • INTERVISTË / Fatos Tarifa: Protesta, festë e demokracise! Ministra dhe deputetë, vini në punë mendjen tuaj
  • Deputetja që u largua nga PS: Prej ditësh po përballem me ushtrinë e patronazhistëve
  • Rama inspekton stadiumin ku do performojë Kanye West: Shteti nuk ka harxhuar dhjetëra milionë euro si thonë sorrat e bulevardit
  • Naltmadhëria Juaj, zoti Rama!

Komentet e Fundit

  1. Vilajet Qyrku on Naltmadhëria Juaj, zoti Rama!
  2. Aldrin on “Jam gangster i gangsterëve, ta mbyll gojën me ngjitëse”! Aktivisti denoncon dhunë nga person civil brenda makinës së policisë
  3. Aldrin on “Jam gangster i gangsterëve, ta mbyll gojën me ngjitëse”! Aktivisti denoncon dhunë nga person civil brenda makinës së policisë
  4. Aldrin on Gazeta italiane “Il Manifesto”: Shqipëria dhe kërcënimi nga neoliberalizmi urban
  5. Aldrin on Gazeta italiane “Il Manifesto”: Shqipëria dhe kërcënimi nga neoliberalizmi urban

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?