Shtetet e Bashkuara duhet të përjashtojnë çdo sulm të mëtejshëm ndaj Iranit nëse duan të rikthehen në tryezën e negociatave diplomatike, ka deklaruar për BBC zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi.
Ai tha se administrata Trump i ka përcjellë Teheranit përmes ndërmjetësve dëshirën për të rifilluar negociatat këtë javë, por ende nuk ka dhënë një qëndrim të qartë lidhur me “çështjen shumë të rëndësishme” të ndalimit të sulmeve gjatë zhvillimit të bisedimeve.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar sërish këtë muaj, pas një vale përshkallëzimi ushtarak. Izraeli kreu sulme ndaj objekteve bërthamore dhe infrastrukturës ushtarake të Iranit më 13 qershor, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme raketore. Konflikti zgjati 12 ditë. SHBA u përfshi drejtpërdrejt më 21 qershor, duke bombarduar tre objekte bërthamore iraniane: Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Nuk dihet ende me saktësi shkalla e dëmeve, megjithëse drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi se sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme, por jo totale. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump i quajti objektet “tërësisht të shkatërruara”.
Takht-Ravanchi theksoi se Irani do të insistojë në të drejtën për të pasuruar uranium për qëllime paqësore dhe hodhi poshtë akuzat se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. “Kemi qenë të privuar nga aksesimi i materialeve bërthamore për kërkime, ndaj jemi të detyruar të mbështetemi në burimet tona,” tha ai.
Zyrtari iranian shtoi se, ndonëse niveli i pasurimit mund të diskutohet, kërkesa që Irani të mos ketë fare pasurim është e papranueshme. “Të thuash që nuk duhet të kesh asnjë pasurim, dhe nëse nuk pranoni, do t’ju bombardojmë, kjo është ligji i xhunglës,” deklaroi ai.
Marrëdhëniet e Iranit me IAEA-n janë përkeqësuar së fundmi. Të mërkurën, Parlamenti iranian votoi për të pezulluar bashkëpunimin me këtë agjenci, duke e akuzuar se mban qëndrim të njëanshëm në favor të SHBA-së dhe Izraelit.
Në një intervistë për BBC, Takht-Ravanchi tha gjithashtu se nuk është caktuar ende një datë për rifillimin e mundshëm të bisedimeve, pavarësisht se presidenti Trump ka sugjeruar zhvillimin e tyre gjatë kësaj jave. “Aktualisht, po kërkojmë një përgjigje për pyetjen: a do të shohim përsëritje të agresionit ndërsa jemi në bisedime?” u shpreh ai.
Ai theksoi se SHBA duhet të jetë e qartë në këtë pikë dhe të shprehë qartë çfarë është e gatshme të ofrojë për të ndërtuar besimin e nevojshëm për një dialog të vërtetë.
I pyetur nëse Irani do të rishikonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve dhe investimeve të huaja, Takht-Ravanchi u përgjigj:
“Pse duhet të pranojmë një propozim të tillë?” Ai përsëriti se pasurimi i uraniumit deri në nivelin 60% bëhet për qëllime paqësore.
Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani nuk lejohej të pasuronte uranium mbi 3.67% dhe i ndalohej çdo aktivitet pasurimi në uzinën e Fordos për 15 vjet. Megjithatë, SHBA u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të Trump, duke e cilësuar të pamjaftueshme për të ndaluar ndërtimin e një arme bërthamore, dhe riktheu sanksionet. Si kundërpërgjigje, Irani filloi të shkelte gradualisht kufizimet e marrëveshjes.
IAEA ka raportuar se Irani rifilloi pasurimin në Fordo në vitin 2021 dhe arriti nivelin prej 60%, që konsiderohet vetëm një hap teknik larg nga niveli për prodhimin e armëve (90%). Agjencia theksoi se me kapacitetet aktuale, Irani mund të prodhonte mjaftueshëm uranium të pasuruar për deri në nëntë bomba bërthamore, nëse vendoste ta bënte një gjë të tillë.
I pyetur për mungesën e besimit të vendeve perëndimore ndaj Iranit, Takht-Ravanchi akuzoi disa liderë evropianë për “qëndrim qesharak” duke mbështetur sulmet e SHBA-së dhe Izraelit. “Ata që kritikojnë programin tonë bërthamor, duhet të kritikojnë mënyrën se si jemi trajtuar dhe të dënojnë SHBA-në dhe Izraelin. Nëse nuk kanë guximin ta bëjnë këtë, atëherë më mirë të heshtin,” tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se Irani kishte marrë mesazhe përmes ndërmjetësve se SHBA “nuk synon ndërrimin e regjimit” përmes goditjes ndaj liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje iranianëve të “ngrihen për liri” dhe të rrëzojnë regjimin klerikal, por Trump ka deklaruar pas arritjes së armëpushimit se nuk synon të ndjekë të njëjtën rrugë.
Takht-Ravanchi e quajti idenë e rrëzimit të regjimit “një përpjekje të kotë” dhe tha se edhe pse disa qytetarë mund të kenë kritika ndaj qeverisë, “kur përballen me agresion të huaj, do të bashkohen për ta kundërshtuar”.
I pyetur për armëpushimin me Izraelin, ai tha se nuk është e qartë nëse do të zgjasë, por Teherani do ta respektojë “për sa kohë që nuk ka sulme të reja ushtarake ndaj nesh”.
Ai shtoi se aleatët arabë të Iranit në Gjirin Persik po përpiqen të krijojnë një klimë të përshtatshme për dialog. Katari ka pasur një rol kyç në ndërmjetësimin e armëpushimit aktual.
“Nuk duam luftë. Duam dialog dhe diplomaci. Por duhet të jemi të përgatitur, të kujdesshëm, që të mos na zënë në befasi sërish,” përfundoi Takht-Ravanchi.
j.l./ dita