Nga Dr. Jorgji Kote
Botuar në DITA
Këtë 3 Tetor, populli gjerman, miqtë dhe dashamirësit e tij të shumtë kudo në botë dhe në vendin tonë kremtojnë 34-Vjetorin e Festës Kombëtare. Dhe kjo vetëm 5 javë përpara 9 Nëntorit, jubileut të 35-të të shembjes së Murit famëkeq të Berlinit, që shënoi ribashkimin gjerman dhe atë europian. Ndaj një numër i madh njerëzish, sidomos më të rinj në moshë, në Gjermani dhe gjetkë pyesin me kurreshtje përse Festa Kombëtare gjermane nuk është 9 Nëntori. Dhe kryesorja, pse dhe si u arrit te data 3 Tetor, ndonëse ajo nuk ka lidhje as me ngritjen, as me rrëzimin e tij dhe as me ndonjë ngjarje tjetër në historinë gjermane.
Duke u kthyer mbrapa në histori, le të rikujtojmë se 3 Tetori, si Dita Kombëtare e Gjermanisë u caktua në vijim të “Traktatit mbi zgjidhjen përfundimtare lidhur me Gjermaninë” ose “Marrëveshja 2+4”siç njihet gjerësisht. Këto bisedime u zhvilluan gjatë periudhës 1 Shkurt – 12 shtator 1990, kur u nënshkrua dhe Traktati në fjalë. Ai u ratifikua nga parlamentet e tyre më 15 Mars 1991, duke e shpallur Gjermaninë e ribashkuar dhe juridikisht shtet të njehsuar federal sovran me 16 lande ( shtete).
Bisedimet për këtë çështje u zhvilluan ndërmjet ministrave të Jashtëm të dy Gjermanive të atëhershme, të SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe ish-Bashkimit Sovjetik, si 4 fuqitë e mëdha që kishin qeverisur Gjermaninë e ndarë në 4 pjesë gjatë periudhës së viteve 1945-1949 dhe si kontribuese madhore të ribashkimit epokal gjerman dhe europian.
Ai traktat u dha zgjidhje të përhershme konsensuale të gjitha çështjeve politike, ushtarake, ekonomike, financiare, territoriale dhe njerëzore pan- gjermane.
Më tej, u kalua në caktimin e datës së re të Festës Kombëtare. Siç kam përmendur hollësisht dhe në librin “Berlini pa Mure”, në fillimin e viteve ’90 kur shkoja me shërbime e sidomos si diplomat në Berlin në vitet 2001-2006 kam qenë i pranishëm dhe kam ndjekur disa debate e diskutime mbi këtë temë me ndjeshmëri të madhe publike, e cila kërkonte kujdes dhe vëmendje të veçantë. Natyrisht, sepse bëhej fjalë për një datë tejet domethënëse, e cila do të pasqyronte epokën dhe realitetet e reja historike; por ndërkohë, ajo duhej të ishte e pranueshme për të gjithë popullsinë dhe forcat politike, tanimë në lindje dhe në perëndim, e lirë nga çdo “konflikt interesi” apo kujtimi të pakëndshëm të së kaluarës totalitare gjermane. Me një fjalë, duhej një datë për të cilën gjithkush në Gjermani të thoshte me plot gojën ” JA”( PO)!
Gjëja e parë që u bë me atë rast ishte ” përjashtimi ”i butë i datës 9 Nëntor si festë zyrtare, çka krijoi dilema dhe debate jo të vogla dhe në median gjermane asaj kohe dhe deri tani vonë. Për disa ishte e pakuptueshme që 9 Nëntori si datë emblematike të mos njihej dhe zyrtarisht si Festa Kombëtare e Gjermanisë së Ribashkuar.
Ndërkohë, ekspertë, politikanë dhe historianë të shumtë dualën në media dhe në publik me shpjegimet e rastit.
Së pari, ata vlerësuan 9 Nëntorin 1989, që do të vazhdonte të përkujtohej dhe festohej si dita e madhe e ribashkimit dhe e rrëzimit të mureve. Mirëpo, duke iu referuar historisë gjermane në gati 100 vitet e fundit, 9 Nëntori kishte tri ”njolla” që do ta zbehnin shkëlqimin dhe festimin e kësaj dite.
Konkretisht, më 9 Nëntor 1918, kur Philippe Scheidemann, lideri i njohur socialdemokrat shpalli në Berlin Republikën Demokratike perendimore, lideri komunist Karl Libknecht njoftoi krijimin e Republikës Socialiste gjermane. Kjo e fundit në fakt ishte komuniste dhe nën shembullin e Revolucionit të Tetorit; ca më tepër se Lenini e kishte piketuar Gjermaninë si vendin e dytë të ardhshëm komunist e pastaj me radhë të tjerat. Ajo republikë shkaktoi një gjendje e nderë dhe kaotike, me përleshje të armatosura dhe Lufta Civile po trokiste te Portat e Brandenburgut.
Pesë vjet më vonë, në të njëjtën datë, më 9 Nëntor 1923, Adolf Hitleri i sapodalë në skenën e trazuar politike gjermane bëri “Puçin e Mynihut” për rrëzimin e qeverisë së ligjshme atje. Por puçi dështoi dhe Hitleri provoi qelitë e burgut për pak kohë. 15 vite më vonë, në mllefin e tij alergjik ndaj hebrenjve, më 9 nëntor 1938, Hitleri tashmë në pushtet organizoi të ashtuquajturën “Nata e Kristalit” që ishte shumë larg emrit të bukur. Atë nate tragjike në Berlin u dogjën dhe shkatërruan 815 butikë, 29 magazina të mëdha, 171 apartamente dhe 26 sinagoga të hebrenjve, u bënë kërcënime të shumta etj. Pogroni tragjik ishte në fakt hapi i parë nazist për shfarosjen më vonë të 6 milion hebrejve në kampet famëkeqe të përqëndrimit.
Për pasojë, 9 Nëntori i rrëzimit të Murit do të rikujtonte jo një, por tre nëntorë të zinj e të egër paraardhës, çka mund të prekte zemrat dhe ndjenjat e miliona viktimave, e sidomos të hebrenjve.
Mbasi u ra dakord për sa sipër, u muarën me radhë disa data të tjera jo rastësore, por të lidhura ngushtë me ngjarjet që i paraprijnë shembjes së Murit të Berlinit. Data 4 Nëntor, kur atë ditë në vitin 1989, në Sheshin emblematik « Alexander Platz » në qendër të Berlinit Lindor ishte zhvilluar manifestimi më i madh paqësor me gjysmë milion vetë nuk u pranua sepse i përkiste vetëm pjesës ish-lindore.
Po ashtu, nuk u pranua as 7 tetori, dita kur filluan protestat masive në Laipzig; e para sepse ajo ngjarje, me gjithë rëndësinë, i takonte vetëm pjesës lindore, dhe së dyti e më kryesorja, sepse më 7 tetor 1949 ishte krijuar RDGJ-ja!
Ndaj, duhej gjetur një datë tjetër më e përshtatshme POR detyrimisht përpara 7 Tetorit 1990, në mënyrë që ish-RDGJ-ja të mos ekzistonte më as juridikisht dhe formalisht në atë ditë, e cila përkonte me 41-vjetorin e krijimit të saj.
Më në fund, u arrit konsensusi i plotë politik dhe publik për datën 3 TETOR 1990, si një ditë dhe datë pa asnjë problem apo konflikt interesi dhe më e përshtatshme për Festën Kombëtare të popullit gjerman.
Gjithsesi, merita e madhe historike e 9 nëntorit 1989 nuk u zbeh aspak; madje, ai sfidoi dhe riparoi dëmet e pallogaritshme të atyre tri 9 nëntorëve, të zinj, antisemitistë dhe të kuq. Ai mbeti në histori si festë popullore në Gjermani e kudo.
Kësisoj, përzgjedhja e 3 Tetorit është tregues tjetër domthënës i mençurisë së liderëve dhe politikanëve të Gjermanisë moderne demokratike; me gjithë sfidat dhe problemet jo të pakta, ajo ka ditur t’i pajtojë më së miri pozicionet e të gjitha palëve, që askujt « të mos i mbetet hatri dhe qejfi » madje të ketë pjesën e vet në historinë e sotme dhe ku vjen puna te përcaktimi i një date të tillë historike.
Përfundimisht, nëse 9 Nëntori si ditë dhe festë shënon politikisht dhe simbolikisht shembjen e Murit të Berlinit dhe të ribashkimit gjerman, në aspektin zyrtar juridik këtë të fundit e ka 3 Tetori 1990. Kjo gjetje e goditur konsensuale tipike gjermane dhe europiane e popullit mik gjerman është gjithashtu një kujtesë dhe thirje e fuqishme për liderët dhe politikanët në Shqipëri; që të mos “mbyten me një lugë ujë” kur vjen puna dhe për një ose dy data të historisë së saj të sotme.