Ismail Dadak dhe vëllezërit e tij, që jetojnë në pllajat e Afyonkarahisarit, Turqi. Ata kanë tërhequr vëmendjen me jetën tradicionale, ditët që i kalojnë pas tufës së deleve, produktet që kultivojnë vetë dhe veshjet e veçanta..
Mënyra e veçantë e komunikimit dhe solidariteti me njëri-tjetrin në punët e përditshme janë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre tradicionale.
Me flokët e gjatë dhe mustaqet e mëdha, ata mbartun gjurmë të kulturës nomade. Në jetën shoqërore veshin pantallona të gjera, këmisha me jakë të gjerë dhe xhaketa.
Ismaili, 46-vjeç, është më i madhi i pesë vëllezërve. Ai tha në një reportazh për agjencinë Anadolu se, edhe pse jetojnë në mal, i duan shumë mysafirët.
Ai dhe vëllai i tij Ilyas e kalojnë gjithë ditën në stan. Tre vëllezërit e tjerë vijnë në mbrëmje, pasi përfundojnë punët në qytet.
Ata zotërojnë një sipërfaqe prej rreth 200 hektarësh: “Këto janë tokat që paraardhësit e mi i punonin me qe. Me kalimin e kohës, ato janë ndarë mes vëllezërve. Kemi vendosur të jetojmë në tokat e gjyshërve tanë dhe jetën e vazhdojmë me ato që ata na lanë amanet dhe trashëgimi.
Në maj ra borë dhe na u shemb streha e deleve. E patëm vështirë, por kjo është jeta jonë dhe ne e duam. Ne duam të prodhojmë bulmet. Kështu ndihemi të dobishëm për veten dhe për ata që jetojnë në qytet” – thotë Ismaili.
Ata kanë nisur ta ndajnë jetën e tyre edhe në rrjetet sociale. Kjo ka bërë që të kenë vazhdimisht vizitorë nga Turqia dhe jashtë saj: “Na duan shumë. Kur shohin këtu mënyrën tonë të jetesës, preken emocionalisht. Herë qajmë, herë qeshim”.


“Flokët tanë vijnë nga Oghuzët, mustaqet nga Gokturket”
Ilyas Dadak, 43-vjeç, thekson se janë shumë të lidhur me traditat e tyre. “Flokët tanë vijnë nga Oghuzët, mustaqet nga Gokturkët. E njohim mirë historinë tonë. Fëmijëve dhe nipërve tanë u japim emrat e paraardhësve dhe i rrisim sipas zakoneve e traditave të tyre. Nuk është kaq e lehtë sa duket në rrjete sociale. Por ne i përballojmë këto vështirësi për të mbajtur gjallë kulturën dhe thelbin tonë”.
Jeta në qytet nuk është për ta. Dadak thotë: “Zbres në qytet një herë në javë. Por dua të kthehem sa më shpejt përsëri këtu. Për miqtë që jetojnë në qytet kemi respekt të pafund. Por jemi mësuar të jetojmë të lirë dhe natyrshëm në këto male”.
d.xh. / dita
