Pas 14 orëve seancë maratonë, me 80 votat e socialistëve u miratua në parim në Kuvend buxheti për vitin 2027. Për socialistët, është rritje e investimeve publike dhe mbështetjes sociale, ndërsa nga deputetët e opozitës u cilësua “kriminal”.
U votua 24 deri 25 vota kundër për ligjet e paketës fiskale 2027, konkretisht për tatimin mbi të ardhurat i ndryshuar, me 80 vota pro dhe 25 kundër, për TVSH me 80 vota pro dhe 24 kundër, për procedurat tatimore 80 vota pro dhe 24 kundër, akcizat 80 vota pro dhe 25 kundër, si dhe ligji për strehimin social 79 vota pro, 1 abstenim (Greta Bardeli) dhe 25 kundër.
Në seancë pati edhe një incident të vogël me ndërprerjen e energjisë elektrike për disa çaste.

Për buxhetin, kritikat u vërtitën kryesisht te shpërndarja e parave, mungesa e konsultimit me bizneset dhe më shumë kosto për xhepat e qytetarëve.
Biznesi është ankuar se nuk u pyet dhe askush nuk i vuri në dijeni. Përfaqësues të tij shprehën shqetësim se ulja e pragut të TVSH në 5 mln lekë i fut afro 8 mijë biznese në një grackë të re të ngarkesës fiskale që vendoset po me VKM. Lista e ushqimeve me TVSH 6% nuk është vënë ende në dispozicion as të deputetëve.
Janë shprehur kritika edhe se çfarë vlere ka shifra 10 mld e përdorur pa fund këto ditë në deklarime, kur buxheti ekzekutohet vetëm 36%.
Pavarësisht komenteve, deputetët socialistë bënë thirrje për votimin e buxhetit, të cilin e përshkruan si “vizion të Shqipërisë europiane”.
o.p. / dita
