DR. JORGJI KOTE
Javët e fundit, në rrethet e politikës dhe medias po qarkullojnë fjalë, hamendësime dhe aludime për kandidatura të mundshme nga bashkëatdhetarë të shquar jashtë vendit për t’i kooptuar dhe katapultuar ndoshta në një të ardhme të afërt krye të qeverisë apo dhe të ndonjë partie politike. Realisht, ndryshimet në fjalë në parim janë të mirëpritura. Ca më tepër kur dihet se Berisha dhe Rama kanë përkatësisht 35 dhe 20 vite në krye të PD-së dhe PS-së dhe nga 13 vite secili, i pari si Kryetar Shteti dhe Qeverie, i dyti si Kryeministër. Ndërkohë që edhe liderë të partive të tjera më të vogla kanë rreth 3 dekada pa asnjë lloj rotacioni në lidershipin e partisë.
Kësisoj, ideja është që në vend të tyre, si në rastin e PS-së, të vijë një personalitet që jeton jashtë vendit, me emër në komunitetin e atjeshëm akademik, siç është edhe rasti më i mediatizuar i pedagoges në Shkollën e Lartë Ekonomike të Londrës ( LSE), Lea Ypi, ndonëse kjo e fundit nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Gjithsesi, pa dashur të merremi me emra por vetëm me dukurinë, le ta themi qysh në fillim se një alternativë e tillë me “import lidershipi“ ndoshta mund të justifikohej në vitin 1992 apo dhe më 1997, por jo 35 vite pas vendosjes së pluralizmit, kur kemi jo pak liderë “nga brenda“; natyrisht, pa përjashtuar edhe ata “nga jashtë“.
Ndonëse në partitë tona mungojnë hapësirat e veprimit edhe për DYSHAT, le më pastaj për të tjerët pas tyre; se gjithçka është “pushtuar“ nga NJISHAT. Sepse pavarësisht premtimeve, kështu u ndërtua sistemi ynë politik edhe pas viteve 90; me sundimin e liderëve të partive politike me dorë të fortë“, paranojës, “kultit të individit“ dhe duke e konsideruar vehten të pazëvendësueshëm. Madje, ata kanë shpenzuar gjithë kapitalin partiak, publik dhe mediatik për të krijuar një Parti, ose më saktë NJERI Shtet, pothuajse si dikur, por tani me një vello pluraliste.
Kjo nuk të habit kur sheh që shembuj “të pazëvendësueshmërisë“ ka edhe në vende të tjera perendimore, madje me liderë emblematikë. Kështu, themeluesi i Gjermanisë demokratike moderne, Konrad Adenauer, edhe pas 14 viteve si Kancelar, më 1963, ndonëse në moshën 86 vjeçare bëri çmos, edhe pse nuk ia doli, që në krye të qeverisë pas tij të mos vinte Prof. Ludwig Erhard, “ Babai i shtetit social gjerman “ dhe për 14 vite rresht si ministri legjendar i ekonomisë.
Edhe Kohl i madh nuk e bëri dot “me të mirë“ “divorcin“ me lidershipin e CDU-së. Në shtator 1998, ai i injoroi thirjet e shumta brenda Partisë për t’u tërhequr dhe kandidoi për një mandat të pestë. Siç edhe pritej, humbi përballë social – demokratit Gerhard Schrőder. Ndryshe nga të dy paraardhësit e saj, Kancelarja Merkel, pas 16 vitesh në pushtet, njoftoi largimin nga kryesimi i CDU-së dhe 2 vite përpara përfundimit të mandatit, moskandidimin për mandatin e pestë. Iku “me të mirë dhe dinjitet dhe vërtet e pamposhtuar në 5 fushë betejat e saj zgjedhore!
Vitin e kaluar, ish Kancelari më jetëshkurtër social-demokrat Olaf Scholz, edhe pse disfata e SPD-së ishte formalitet i injoroi thirjet për t’u tërhequr nga gara e për t’ia lenë vendin Ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorious, i cili vazhdon të jetë politikani më popullor në Gjermani. Aq sa për herë të parë në 35 vitet e fundit, Kancelari Merz e konfirmoi atë si Ministër të Mbrojtjes, edhe pse këtë post tradicionalisht e ka patur CDU-ja! Ndërsa Scholz pësoi katastrofën më të rëndë zgjedhore!
Gjithsesi, nëse kjo dukuri mund të mirëkuptohet për ta si udhëheqësa të kalibrit botëror, tanëve nuk u falet që nuk dorëhiqen as kur plasin sheshit skandale të rënda; e shtyjnë me demek përgjegjësinë personale dhe prezumimin e pafajësisë!
Duke iu rikthyer temës së shkrimit, në këto 35 vitet e fundit janë jo një dhe dy, por një numër shumë i madh bashkëatdhetarësh që kanë shkëlqyer në vendet ku jetojnë. Ata i gjen të zgjedhur në kryesitë e partive, në parlamentet qëndrore/ vendore, ekspertë dhe zyrtarë drejtues në institucionet Euro-Atlantike; artistë të mëdhenj në skenat e famshme botërore, talente të teknologjisë së lartë dhe IA-së.
Ja pse, kur vjen puna për të piketuar ndonjë drejtues të ardhshëm qeveritar në vendin tonë, kërkohet mendim dhe reflektim i thellë dhe jo improvizim, pompim dhe promovim i tepëruar mediatik; në vend të tyre kërkohet përzgjedhje e kujdesshme, duke analizuar pluset dhe minuset, ama pa ngritur në qiell njerin dhe tjetrin. Kryesorja, ata të mos përdoren për konvejencë, kozmetikë dhe shpëtim politik, por postin e lartë të ardhshëm në krye të një partie apo qeverie ta justifikojnë me tregues, arritje dhe përvojë në karrierë dhe në hierarkinë zyrtare.
E theksojmë këtë moment duke iu referuar edhe përvojës ndërkombëtare. Në Europë mund të ketë vetëm 3 – 4 shembuj kur në situata të jashtëzakonshme por krejt të ndryshme nga tonat, personalitete të shquara politike janë kthyer në vendet e tyre për të udhëhequr procese reformuese dhe demokratike. Në Gjermani, Kancelari i saj emblematik Willy Brandt, me emrin e mëparshëm civil Herbert Frahm, eci në gjurmët e të jatit dhe u aktivizua qysh në moshën 16 vjeçare me Partinë Social – Demokrate. Pas instalimit të Hitlerit, ai ndërroi emrin në Willy Brandt; pastaj emigroi në Danimarkë dhe u vendos në Norvegji, ku nazistët nuk e arrestuan dot gjatë një kontrolli falë shtetësisë së tij norvegjeze. U kthye në Berlin në vitin 1945 si gazetar që mbuloi edhe Procesin e Nurenbergut.
Por, megjithë përvojën e mëparshme social-demkorate edhe në Norvegji, askush nuk e kooptoi dhe as e katapultoi në parti dhe në pushtet; vetëm në vitin 1957, mbasi ishte zgjedhur deputet vendor dhe kishte ngjitur shkallët e karrierës partiake, ai u zgjodh Kryebashkiak i Berlinit Perendimor deri më 1966; pastaj Ministër i Jashtëm dhe zv.Kancelar dhe më pas fitores së tij të bujshme në zgjedhjet federale parlamentare parlamentare më 1969 u zgjodh Kancelar; po ashtu ishte Kryetari emblematik i SPD-së gjermane për 23 vite rresht dhe i Internacionales Socialiste për 16 vite deri sa ndërroi jetë më 8 Tetor 1992.
Në Greqinë fqinje, lideri historik i të majtës, Andrea Papandreu ishte shtetas amerikan, profesor i ekonomisë në Harvard dhe në disa universitete të famshme, madje edhe Këshilltar ekonomik i Presidentit Kenedi. U kthye në Athinë më 1961 dhe u përfshi aktivisht në hierarkinë politike greke. Në vitin 1967 ai u detyrua të emigronte sërish në SHBA pas vendosjes së Juntës së Kolonelëve në Greqi. U rikthye pas rënies së tyre, në vitin 1974, ku krijoi PASOKU-n e famshëm. E drejtoi atë dhe qeverinë greke mbi 2 dekada deri sa u shua më 23 Qrshor 1996.
Ratsi i tretë lidhet me ish Mbretin e Bullgarisë, Simeon Borisov Saxe Cobug- Gotha, ose Simeon II, i cili u kthye në Bullgari 52 vite pas egzilit të detyruar më 1996. Në Sofje ai krijoi “Lëvizjen Kombëtare për Përparim dhe Stabilitet“ e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 dhe shërbeu si Kryeministër deri në vitin 2005. Në vitin 2009 ai nuk siguroi asnjë vend në Parlament dhe u tërhoq nga politika aktive.
Në vendin tonë përvoja me kooptimin, pompimin dhe katapultimin e bashkëatdhetarëve të sjellë nga jashtë pothuajse mungon. Edhe pse disa bashkëatdhetarë të talentuar janë kthyer, kanë konkuruar në zgjedhjet e vendit dhe ato vendore, madje edhe për t’u zgjedhur në krye të partive; por, shumë shpejt janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë dhe rezultat të prekshëm. Ky dështim dhe zhgënjim masiv u pa qartë edhe me ish liderin e PD-së, Lulzim Basha për gati 20 vite, i cili u katapultua nga Holanda, madje me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve.
Sa për rastin e liderit socialist Edi Rama, ai vërtet u kthye nga Franca, por aty jetoi vetëm 3 – 4 vite, ku shkoi i detyruar pas përndjekjes së regjimit të atëhershëm. Vërtet që e emëruan Ministër Kulture më 1998, por ajo ishte “habitati“ i tij, si ish pedagog i artit dhe sportist. Pastaj, për gati 15 vite ai u përfshi në beteja politike dhe zgjedhore; drejtoi për tre mandate Bashkinë e Tiranës, në vitin 2006 mori frenat e PS-së dhe nga viti 2013 drejton qeverinë, me të mirat dhe gjynahet e veta.
Aspekti kryesor këtu ka të bëjë me faktin se gjendja, problemet dhe skandalet e shumta te ne janë krijuar nga aktorë dhe faktorë të brendshëm. Ndaj ato nuk mund të zgjidhen nga jashtë, ca më pak nga bashkëatdhetarë që pavarësisht talentit dhe vetive të tyre elitare kanë qenë jashtë dhe larg realiteteve politike, ekonomike dhe sociale të vendit dhe një ditë të bukur shfaqen si shpëtimtarë magjikë, por vetëm ose kryesisht falë emrit të tyre fisnik, artistik dhe akademik! Krahas mosnjohjes të sistemit tonë, ata nuk kanë besueshmërinë politike, partiake dhe publike; ndaj dhe nuk mund kursesi të hyjnë “drejt e në thelat e pushtetit“.
Pastaj, Shqipëria sot nuk ka nevojë për makiazh për të zbukuruar imazhin jashtë vendit; e ka tashmë atë me të mirat dhe të këqiat; as nuk ka nevojë për alternativa dhe vizione të sofistikuara, as për shkolla dhe akademi të mëdha. Ajo ka nevojë ulëritëse për zgjidhje të shumëpritura të problemeve të jetës së përditshme – kanalizime dhe sistemime, furnizimin me ujë të pishëm dhe energji elektrike; për paga dhe pensione normale, mjedis të pastër, kushte dhe standarde normale jetese që t’i afrohen sa më shumë atyre të Europës dhe që njerëzit të mos largohen më nga vendi.
Të kuptohemi drejt, rezervat dhe mosbesimi për njerëzit që sillen me pompë nga jashtë nuk kanë të bëjnë me persona konkretë dhe respektin për ta. Përkundrazi, atyre “u heqim kapelen“ për atë çka kanë arritur jashtë vendit. Ndaj më vjen mirë që si diplomat jashtë vendit më është dhënë mundësia të ndihmoj dhe ndikoj modestisht për promovimin e disa djemve dhe vajzave që sot na nderojnë në poste drejtuese në BE, në NATO, në Parlamentin gjerman dhe belg dhe gjetkë.
Mirëpo tani sfida kryesore për ta është të ecin përpara atje ku janë dhe në fushat e tyre, përfshirë ato akademike. Më vonë, ata mund të promovohen në grada dhe në poste të larta, duke drejtuar dekanate, rektorate jashtë vendit dhe pse jo edhe në vendin tonë deri në Akademinë e Shkencave, siç edhe ka ndodhur, dhe në institucione të tjera të larta.
Me këtë rast le ta theksojmë se qeverisja jonë çalon jo se mungojnë ekspertët dhe drejtuesit e aftë; përkundrazi, po, po, edhe përpara viteve 90 dhe në vijim, vështirë të kenë mbetur ekspertë dhe drejtues pa kaluar në kualifime, trajnime dhe punësime elitare jashtë vendit, duke grumbulluar përvojë të madhe praktike dhe ekzekutive në institucione shtetërore dhe private; por performanca e tyre brenda vendit ka vuajtur vetëm për shkak të korrupsionit, krimit, nepotizmit dhe klientelizmit. Madje, ndryshe nga shokët e tyre jashtë, ata “janë të rrahur me vaj dhe me uthull“ brenda vendit, duke kaluar natyrshëm, mes pengesash të paimagjinueshme shumë sfida dhe shkallë të hierakisë zyrtare në parti, qeveri dhe në sektorin privat. Ndaj, ata janë qartësisht të pakonkurueshëm nga shokët e tyre jashtë në aspektin menaxherial, dimensioni që në fakt na duhet edhe më shumë.
Ah, po, ndryshe qëndron puna kur personalitete të njohura shqiptare jashtë vendit vendosin vetë ose edhe me ftesë kthehen në Atdhe; ku përfshihen dhe angazhohen në kushte të barabarta me të tjerët në jetën politike të vendit, me një parti të caktuar, si dhe në beteja politike dhe zgjedhore; vetëm kështu, ato do të afirmohen si liderë/lidere të vërteta, ku gradat dhe përvoja akademike janë vlerë e shtuar, por jo përcaktuese. Ndryshe, ata do të përdoren nga ustallarët tanë të politikës si “mish për top“ dhe “gjethe fiku“, për të mbuluar dështimin e radhës, se demek “ja, edhe këta talentet tona nga jashtë nuk na dolën gjë!“
Ndaj, ka ardhur koha që duke respektuar dhe promovuar bashkëatdhetarët tanë të suksesshëm jashtë edhe brenda vendit, gjithsesi zgjidhjen e krizave dhe situatave tona të vështira ta udhëheqim vetë dhe nga brenda. Ca më tepër, kur megjithë mungesat dhe mangësitë e njohura, ekspertët dhe drejtuesit tanë kanë kaluar nëpër gjithë këto etapa strategjike – antarësimi dhe kryesimi ynë i KiE-së, OSBE-së, në NATO, në KS të OKB-së dhe në plot nisma të tjera europiane dhe rajonale. Madje, rikujtojmë se edhe në momentet e ndryshimit të sistemit në vitet 90-92 dhe sidomos krizën e piramidave më 1997, në krye të vendit dhe të qeverisë nuk zgjodhëm të huaj dhe as bashkëatdhetarë nga jashtë. Kështu, në Marsin e mbrapsht 1997, kur shteti po binte, në krye të qeverisë së Shpëtimit Kombëtar erdhi nga Gjirokastra ish Kryetari 34 vjeçar i Bashkisë, i ndjeri Bashkim Fino, i cili u tregua në lartësinë e përgjegjësisë historike, duke u afirmuar si lider dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.
Ndaj, ju lutem, kujdes; bashkëatdhetarët tanë të shquar dhe të talentuar t‘i çmojmë, nderojmë dhe t’i promovojmë PO, ama t’i pompojmë, kooptojmë dhe katapultojmë, JO!
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
