Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Kallarati u çkul me rrënjë
Kallarati është fshat i Kurveleshit të Poshtëm, pjesë e njësisë administrative Vranishtit të bashkisë Himarë. Shtrihet në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës dhe kufizohet nga veriu e verilindja me Bolenën, nga veriperëndimi me Vranishtin, nga lindja e juglindja me Kuçin dhe vargmali Bogonicë-Gjonthana e kufizon nga fshatrat e Bregut (Pilur, Himarë, Vuno). Emri i fshatit përmendet për herë të parë në defterin osman të vitit 1432 në trajtën Ka(l)lojërat e më 1507 Kiljorat, pastaj Calojerates në dy letra, njëra dërguar papës më 1581 dhe tjetra careshës së Rusisë, më 1759. Kemi të bëjmë me një fshat të fillimit të mijëvjeçarit të dytë, të një moshe me Zhulatin e Papa Zhulit apo Progonatin e Progonit. Kallarat do të thotë pasardhës i Kallojerit, që është themeluesi i fshatit.
Fshati fillimisht ka qenë i vendosur në Kunjovë, që flasin toponimet Qafa e Kallarate dhe Arat e Gjokone. Një këngë e vjetër thotë se ka qenë një fshat i madh, me dyqane e me xhami. Më vonë fshati u shpërngul në rrëzë të malit të Bogonicës, në vendin rrëza e Pelingrisë. Largimi nga vendbanimi i vjetër dhe vendosja në rrëzë të malit të Bogonicës ka ndodhur rreth viteve 1660-1720 nga rënia e kolerës. Mjaft banorë u shpërngulën në fshatra të Bregdetit. Kallarati përbëhet nga mëhallët Gjinaj, Gjokon, Gjizes, Mërtigjin, Misërgjon dhe Qesëraj, që degëzohen në vëllazëri të shumta.
Raporti i viteve 1716-1720 i misionarëve bazilianë të Himarës theson se Kallarati mbetej ende një ndër 14 fshatrat e krishtera të krahinës së Himarës. Pas vitit 1759 familje myslimane në Kallarat kanë qenë ende në pakicë. Islamizimi duhet të ketë marrë hov nga fundi i shek. XVIII dhe ka përfunduar në fillim të shek. XIX. Me ndërrimin e fesë, Kallarati ngriti xhami në qendër të Fshatit të Djegur dhe, pas djegies së fshatit, në vitin 1916 xhamia u ndërtua te burimi i Morrezës, por nuk u përdor për shërbime fetare, pasi u kthye në shkollë.
Kallarati përmendet në dokumente që nga shek. XV. Banorët e tij kanë qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtimit osman. Ata kanë marrë pjesë në të gjitha kryengritjet e mëdha, duke filluar me kryengritjen e Gjergj Arianitit më 1432, në kryengritjet e përgjakshme të viteve 1481-1537, që e bënë të njohur krahinën e Himarës në Europë. Në një dokument të 15 majit 1507 thuhet se “në defterin e haraçit janë shënuar si kryengritëse dhe kokëforta”. Kallarati ka kontribuar jo vetëm duke marrë pjesë me armë në të gjitha kryengritjet e Himarës (Labërisë), por edhe duke u përfaqësuar me pleqësinë e tij në kuvendet e krahinës të viteve 1577 e 1581, të cilat iu drejtuan për ndihmë papës së Romës, dhe në kuvendin e 1579-s, që i kërkoi ndihmë careshës Elisabeta të Rusisë. Kallarati nuk pati marrëdhënie të mira as me Ali pashë Tepelenën. Ai ishte bërë pjesë e “një marrëveshjeje midis shqiptarëve dhe grekëve për të kundërshtuar shtypjen feudale të Ali Pashës. Në kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Alikua (Kallarati), Lame Petani, Meçe Haxhiu (Meçaj) e Birbil Hasani (Toçi), nënshkrues të letrës së 15 gushtit 1847 me të cilën 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Djemtë e tij Boro Ribi e Alim Delua u bashkuan me çetën e Mehmet Hysenit nga Kuçi, Remzi Janji me çetën e Sali Vranishtit etj. Në prag të pavarësisë, Kallarati kishte çetën e tij.
Luftimet me andartët grekë 1914
Kallarati ishte fshati i parë që u gjakos rëndë në përpjekje me bandat e andartëve grekë në nëntor 1912. Kallarati, për të kundërshtuar forcat andarte greke u organizua duke krijuar një komision dhe çetën e fshatit. Luftëtarët e Kallaratit zhvilluan luftime vetëmbrojtëse kundër forcave andarte greke. Në vijim të pushtimit të vijave të fundit në Kurvelesh, deri 300 forca greke të përbëra nga ushtarë dhe andartë, të veshur të gjithë me rroba civile, të ardhura rishtas nga Korfuzi nën komandën e kapiten Leonidhës, në mëngjesin e 14 korrikut, ndërmorën një sulm të befasishëm në drejtimin Pilur-Kallarat. Forcat greke, përgjatë kreshtës së malit të Vetëtimës, në vendin ku ndahen mali i Kallaratit nga i Himarës, u ndeshën në zjarrin e befasishëm të çetës së Kallaratit. Sulmi u përsërit disa herë duke futur forca të reja. Vullnetarët kallaratas u tërhoqën më në thellësi, duke zënë vijën Lartësitë e Gjothanasit-Kodrat e Valit të Mesëm dhe pjerrësitë jugperëndimore e perëndimore të malit të Bogonicës.
Çeta e Kallaratit e gjendur nën trysninë e forcave të shumta greke, zhvilloi mbrojtje të manovruar, nga vija në vijë, organizoi prita me forca të shpërqendruara në Shalë të Prrallit, në Majë të Gjurasisë dhe në Majën e Gjondreut. Veprime më të fuqishme mbrojtëse Çeta e Kallaratit i organizoi në vijën maja e Gjimufit-maja e Gjashtës-Harcen e Ramanit dhe të Verieshtit. Ndërkohë, forcat greke kishin mundur të afroheshin nga drejtimi i Vranishtit për në Kallarat, nga shpina e çetës. Për t’i shpëtuar rrethimit, luftëtarët zunë pozicione më të përshtatshme në afërsi të fshatit. Forcat greke pësuan humbje të shumta pranë burimit të Kocevrebës. Për hakmarrje, vetë komandant Leonidha u hodh në sulm dhe u vra nga zjarri i armëve të kallaratasve nga ndërtesa e xhamisë së fshatit. Forcat andarte u tërhoqën në drejtim të Qafës së Pirres duke marrë me vete edhe trupat e të vrarëve. Këto ishin veprimet e fundit luftarake kundër grekut në këtë drejtim. Ato krijuan kushte më të përshtatshme për popullsinë e Kurveleshit për t’u futur në thellësi të lumit të Vlorës, ndërsa popullsia e Kallaratit u shpërngul për në Smokthinë të pashqetësuar nga forcat greke. Atë ditë u vranë Hyso Balil Xhaferraj, Çelo Mustafa Boshi, Dervish Sali Maçaj, Murat Avdul Demiraj, Ramadan Muhamet Hoxhaj, si dhe kanë vdekur nga torturat në Korfuz Muço B. Karabollaj, Vezir M. Ribaj dhe Sali Muçaj.
Pas luftimeve të fundit më 14-15 korrik 2014 kallaratasit, si gjithë Kurveleshi u shpërngulën nga fshati për në krahinën e Mesaplikut. Fshatarët u kthyen nga muhaxhirllëku në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1916. Përpara i priste një dimër i vështirë: fshati ishte bërë shkrumb dhe, bashkë me të, e gjithë pasuria që kishinë bagëtia ishte shfarosurë pemët frutore ishin prerë e djegur. Duke qenë se shtëpitë ishin bërë të pabanuara, fshatarët e braktisën fshatin dhe u vendosën buzë lumit e përrenjve, aty ku kishin tokat, duke ngritur kasolle e duke u marrë me bujqësi, që në këto rrethana mbetej për ta i vetmi burim i jetesës. Vështirësitë e rifillimit të jetës nga e para nuk i penguan kallaratasit të mendonin edhe për luftimin e plagëve të pushtimit shumëshekullor. Shtëpitë në “Fshatin e Djegur” ishin të ndërtuara prej guri dhe dykatëshe. Fshati i Djegur ka pamje qyteze, me shtëpi dykatëshe dhe me rrugica që zbrisnin në qendër të tij. Në kohën e socializmit muret e mbetura u prishën dhe gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive në Morrez. Sot rruhen fragmente mure dhe themele të shtëpive. Modeli i shtëpive të vjetra gjendet në shtëpinë dykatëshe të Qejvane, me portë, avlli, murin dhe rrethinat e saj. Fshati me 89 shtëpi u dogj nga grekët në vitin 1914. Banorët e braktisën fshatin. Sot ruhen rrënojat e shtëpive dhe toponimi “Fshati i Djegur”, dhe u vendos pranë arave, në të dy krahët e lumit të Shushicës. Ndoshta do të vijë një ditë që “Fshati i Djegur” të bëhet muze për të treguar ndodhitë e pushtimeve dhe të masakrave të kryera prej tyre.
Kallaratasit në Luftën e Vlorës
Kallaratasve ju desh të përballeshin edhe me pushtuesit e rinj italianë. Revolta e fshatarëve kulmoi më 28 nëntor 1919, kur ulën flamurin italian dhe ngritën flamurin kombëtar, akt për të cilin italianët arrestuan disa fshatarë, ndër ta edhe gruan trime Dudë Hodaj. Çeta e fshatit përbëhej nga 60 luftëtarë me komandant Fein Çelo Strati dhe Habip Gjoni. Mori pjesë fillimisht në sulmin mbi garnizonin italian të Gjormit. Më pas u aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse të 11 qershorit 1920. Në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës dhe të Rrëzës, ajo veproi në sektorin Uji i Ftohët-Kaninë. Më 19 qershor çeta luajti rol të rëndësishëm në thyerjen e kundërgoditjes së forcave italiane në afërsi të përroit të Kallafetit, në jug të Qishbardhës. Në këtë përleshje shkëlqeu përvoja luftarake dhe zgjuarsia e komandant Fein Çelos, i cili e futi armikun në grackë duke e rrethuar e asgjësuar atë në grykën e Kallafetit. Në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse më 22 korrik çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin Qishbardhë-Mali i Vreshtave-Mesovun. Në këto luftime u vra Xhevair Golloshi dhe u plagos i riu Veip Balili.
Kallarati u lidh ngushtësisht me LANÇ
Lajmin për pushtimin fashist të vendit Kallarati e priti me indinjatë. Shumë fshatarë shkuan në qendër të komunës në Kuç, ku kërkuan armë por që nuk iu dhanë. Në vitet e Luftës Italo-Greke fshati u ndodh në vijën e parë të frontit dhe prandaj familjet u zhvendosën në pyjet e Kuçit, ku e kaluan dimrin e 1940-1941 në kasolle. Edhe një herë grekët, që kishin hyrë si pushtues, e shkatërruan fshatin. Me largimin e ushtrive greke në prill 1941, banorët iu rikthyen dhe një herë nga e para punës për ringritjen e ekonomisë së shkatërruar. Ndërkaq urrejtja për pushtuesin, që u solli mjerim pas mjerimi, vinte duke u shtuar. Në ndërgjegjësimin e bashkëfshatarëve për luftë ndikoi dhe puna e të riut Mumin Selami, i cili për veprimtarinë e tij antifashiste në vitin 1941 u internua në vendlindje. Vrasja e Muminit nga forcat fashiste më 18 tetor 1942 në lagjen Topana të Vlorës e shtoi edhe më urrejtjen kundër fashizmit.
Në shkurt 1942 krijohet Këshilli Nacionalçlirimtar, në pranverë të vitit 1942 krijohet njësiti i parë luftarak me komandant Veip Balil Memushin e komisar Adil Petanin, i cili në nëntor 1942 u kthye në Çeta Vullnetare Territoriale të fshatit me emrin “Mumin Selami. Më 20 gusht bëhet “Besëlidhja e Kallaratit”, ngrihet celula e PKSH-së, Organizata e Rinisë Antifashiste dhe ajo e Grave Antifashiste ku u dallua Nënë Duzja, e zgjedhur edhe kryetare e organizatës së fshatit. Në organizatën e BK-së në Kallarat pati disa individë që u rreshtuan në formacione të BK-së. Kjo organizatë nuk luajti ndonjë rol në Kallarat. Në tërësi fshati mbështeti Frontin Nacionalçlirimtar. Kallarati hodhi në radhët e formacioneve partizane 120 djem e vajza, nga të cilët 27 ranë dëshmorë, ndër ta një Hero i Popullit dhe 11 u plagosën. Gjatë Luftës në Kallarat qëndruan e luftuan shumë nga figurat më të shquara të luftës Antifashiste, si Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Memo Metua, Kadri Hazbiu, Hysni Kapua etj.
Bijtë dhe bijat që dhanë një kontribut me vlera kombëtare
Pas çlirimit të krahinës më 25 qershor 1944, populli u mobilizua për ndërtimin me punë vullnetare të shtëpive të djegura nga lufta, duke filluar nga shtëpitë e familjeve të dëshmorëve. Krahas kësaj, shumë të rinj e të reja morën pjesë në aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave. Më shtator të vitit 1956 u krijua kooperativa bujqësore, me kryetar Salo Matajn, në të cilën u futën që në fillim shumica e familjeve. Në vitin 1965, kooperativa “Mumin Selami” e Kallaratit u bashkua me kooperativën e Bolenës, duke formuar kooperativën e bashkuar Bolenë-Kallarat. Kallarati kishte si drejtim kryesor bujqësinë, kryesisht kultivimin e misrit, ku u arritën rendimente të larta, po edhe grurin e perimet. Duke filluar nga viti 1960, fshati siguroi bukën në vend për herë të parë. Në vitin 1970 u bë elektrifikimi i fshatit, që solli një rritje të nivelit të jetesës në fshat, duke u futur radioja në çdo shtëpi, po edhe televizori e lavatriçja. Që pas luftës Kallarati ka pasur një infermier, por rreth viteve ’70 u ndërtua qendra shëndetësore me mjekë, ndihmësmjekë e mami.
Fshati ka pasur shtëpi kulture që nga fundi i viteve ’50. Kurse shkolla fillore e fshatit, e hapur që pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1975 u kthye në shkollë 8-vjeçare. Në to kanë mësuar dhjetëra e dhjetëra fëmijë të Kallaratit, po edhe të Kunjovës dhe të lumit të Kuçit. Në vitet e para pas çlirimit mësuesit ishin të huaj, por dalëngadalë vendin e tyre e zunë mësues vendës, ndër të cilët të parët kanë qenë Enver Golloshi, Bilal Breshani, Hamit Muharremi e Çize Xhaferi. Djem e vajza kallaratas kanë punuar në rrethe të ndryshme të vendit e në fshatra të rrethit të Vlorës si mësues e si drejtorë shkollashë shumë të tjerë si oficerë e nënoficerë në radhët e Ushtrisë Popullore e të policisë, duke arritur deri në gradën e kolonelitë të tjerë si inxhinierë, mjekë e agronomë apo si drejtues ndërmarrjesh dhe njësish të pushtetit vendor. Në Kuvendin Popullor, Kallarati është përfaqësuar nga Duze Bajrami, Sihat Tozaj, Sulltana Gjonbrataj dhe Gafur Shametaj. U shquan sidomos vëllezërit Tozaj. Sinan Tozaj drejtues i talentuar në sektorin e minierave, i dekoruar nga Presidiumi Kuvendit Popullor me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Sihat Tozaj kryetar komitetesh ekzekutive të rretheve dhe si sekretar i presidiumit të Kuvendit Popullor. Seit Jonuzaj, ushtaraku i marinës, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ish kryetar i organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it të Bashkisë Vlorë. Bijtë dhe bijat e Kallaratit kanë kontribuar edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare Prof. Dr. Rami Memushaj, gjuhëtar dhe Neshat Tozaj, shkrimtar, skenarist filmash, Sokol Ribaj, piktor në Itali, Gafur Shameti, shkrimtar, skenarist i estradës së Vlorës, kryetar i parë i Shoqatës Kallarati, Hiqmet Meçaj, poet i dëgjuar dhe Petrit Qejvani, poet, kritik letrar. Kallarati ka pasur gjithmonë rapsodë, këngëtarë e valltarë, si Veliko Murati, Elmaz Breshani, Llambro Hysi, Hyso Xhaferaj, këngëtar i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Zeqo Hoxhaj, këngëtar popullor dhe pjesëmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, Evgjeni Jonuzaj, këngëtare dhe pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe Gjergj Leskaj, këngëtar me motive popullore të jugut. Grupi polifonik i Kallaratit ka marrë pjesë në festivale kombëtare e ndërkombëtare. Në fushën e sportit janë shquar si futbollist Çlirim Hysi, qitësja “Mjeshtrja e merituar e sportit” Elisabeta Karabollaj, që është kampionia e parë shqiptare në Europë, ku në Frankfurt mbi Main (Gjermani) në vitin 1979, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Në fushën e artit është bërë shumë i njohur emri i piktorit Saimir Sinan Strati, 11 herë fitues i Çmimit “Guiness”. I njohur në Italinë e Jugut me punimet artistike prej guri është bërë Agim Mato Mataj, Ledion Memushaj, futbollist i kombëtares dhe i Pescarës, Itali, Afërdita Laçaj ish basketbolliste e shquar e Flamurtarit, Drita Shakaj, ish volibolliste e shquar e Flamurtarit.
Shoqata një vlerë e shtuar e fshatit
Shoqata Atdhetare e Kulturore “Kallarati” u krijuar më 12 janar 2003, me bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë, si dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh nga Kallarati, Fieri, Tirana etj. Shoqata është e regjistruar në gjykatë dhe ka statusin e saj. Qëllimi i shoqatës është evidentimi, ruajtja dhe popullarizimi i vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata në misionin e saj ka bashkuar kallaratasit kudo që ndodhen, ka bërë të njohur figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit, por edhe përtej kufijve. Ajo ka organizuar përkujtimin e datave historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj, po kultivon te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Kryetar i parë i shoqatës ka qenë intelektuali Gafur Shametaj, i ndarë nga jeta. Aktualisht është Kastriot Karabolli.
“Ec ngado, por Kallaratin mos e harro” është motua e Gazetës “Kallarati”, organ i shoqatës. Gazeta “Kallarati” e ka nisur rrugën e vet në mars 2003, me numrin e parë të saj. Aktualisht ka dalë nga botimi nr. 107. Afro 20 vjetë gazeta u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj. Janë me dhjetëra kallaratas dhe jo kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre, duke bërë gazetën të tërheqshme dhe të vlerësuar në krahinë e më gjerë. Gazeta e nisi rrugën e vet me një numër në muaj dhe me tetë faqe, sot del në çdo dy muaj me tetë faqe. Kryeredaktori i parë i gazetës ka qenë Gafur Shametaj, ndërsa aktualisht është Seit Jonuzaj.
Një vizitë në “fshatin e djegur” Kallarat
Ishte një ditë e veçantë që bashkë me Dr. Asllan Zemani, Flamur Daci, Besnik Rrapi, Besnik Gjonbrati që bëmë një vizitë në Kallarat. Prijta e njerëzve fantastike, njohja me tre vendbanimet ishte një bukuri më vete, takimi më njerëzit bujar dhe fisnik të fisit Gjombrati, por dhe me mjaft të tjerë të takuar krejt rastësisht ishte kënaqësi që morëm me vete… Njerëzit në Kallarat i takuam rastësisht dhe u treguan të gatshëm të na shoqëroni në “Fshatin e Djegur”, sidomos Luto Demiri, ish kuadër kryesor në fshatin Kallarat dhe kooperativën bujqësore Bolenë-Kallarat, pasardhës veterani dhe për disa vjet kryetar i Organizatës së Dëshmorëve. Vizitë në shtëpinë e Laverit, vëlla i Besnik Gjonbratit, ish brigadier bujqësie e kryetar i këshillit të fshatit para viteve 1990. Pritja nga Labika Gjonbrati, bashkëshortja e Laverit, zonja e shtëpisë dhe Elidian Gjonbrati, djali i shtëpisës.
Takimi me Zeqo Hoxhaj, këngëtar, pjesëmarrës në shumë festivale folklorike brenda e jashtë vendit, sidomos me këngën “Ç’u këput një këmbë mali”, Lili Memushaj, ish kryeplak i fshatit, Dori Demiri, si dhe me Azis Xhaferaj, një njeri i vetmuar që mezi siguron jetesën, i ndaluar nga policia para disa kohësh si i rrezikshëm në kultivimin e bimëve narkotike, por dalë i pafajshëm. Stafi i klubit të Zeqos, Mazeta, guzhinerja (arapashin dhe revaninë karakteristike të zonës), Gersi Hoxhaj, djali i Zeqos, mishpjekësi dhe shërbyesi, si dhe vajza e dhëndrri i Zeqos nga Tërbaçi me mbiemrin Kapo. Jetoj ende me atë pritje bujare dhe me dashuri njerëzore që treguan…
Burime u shfrytëzuan: websajtin www. kallarati.com, fb “Shoqata Kallarati”, gazeta “Kallarati”, libri “Historiku i Kallaratit”, me autor Enver Strati dhe “Enciklopedia e Kurveleshot” me autorë Nesip Meçaj, Xhemil Çelaj, Fatmir Toçi.
Histori te thena. Do ishte mire te sillte diçka te re, te pathene.
nje kenge e atyre viteve thote….kallarat njeqint shtepi,/ne mes te kazase rofte/kapitenin gjiritlli/ e mori plumbi ne koke/e qelluan nga xhamia/ Nasia me pese shoke/…
SHKUAT, HËNGRËT, PITË RAKI DHE IKËT…
NJË SHKRIM, SIÇ NUK E MERITONTE KALLARATI.
PO KUR BËHEN BASHKË CA MOSHATARË BEKRINJ, NUK MUND TË PRESËSH ASGJË MË SHUMË, E ASGJË MË MIRË.
PRETENDOJNË TË PËRSHKRUAJNË HISTORINË E KALLARATIT, NË NJË SHKRIM QË VJEN ERË MISH DHE RAKI.
KUSHEDI SE KUR, DO ARRIJNË KULTURËN E SHKRIMIT mender profesorët, PA LERI TË TJERËT.
GJYNAH, PËR ATA QË JU PRITËN DUKE MENDUAR, SE U KISHIN SHKUAR “KORIFENJTË E HISTORISË”.
EDHE PSE ËSHTË NJË KRIM PA DASHJE, PASI NUK DINË TË SHKRUAJNË, KALLARATASIT MIKPRITËS NUK UA KANË BORXH KËTË FARË MEDIOKRITETI!!!
NEJSE, KALLARATI KA BIJ ME KULTURË QË I NJEH ATDHEU, E NDOSHTA DO SHOHIN NDONJË SHKRIM TË HAJRIT NGA ATA.
Ne lugje te Kallaretet, kec more kec…