Mesnata e 25-26 prillit të vitit 1986 mund të konsiderohet si një nga netët më katastrofike në historinë e shekullit të 20-të! Një prej reaktorëve të centralit bërthamor që prodhonte energji në veri të Ukrainës shpërtheu papritur duke shkaktuar viktima e duke ngritur lart një re të dendur radioaktive.
Reja e dendur radioaktive nisi të shpërndahej në Rusi e Ukrainë për të vijuar më pas edhe Francë, Itali e deri në Shqipëri.
“Ashtu si shumë vende të tjera, Shqipëria e mësoi me vonesë lajmin për katastrofën që kishte ndodhur në Çernobil natën e 25-26 prillit 1986”, shprehet profesor doktor Edmond Panariti, asokohe pjesë e grupit të punës që u ngrit për përballimin e emergjencës.
Disa eksperimente bërthamore globale që ishin kryer në mesin e viteve ’70 kishin bërë që Shqipëria asokohe të ngrinte një rrjet monitorimi periodik të nivelit të radioaktivitetit.
Rrjeti përfshinte 11 pika kontrolli të ngritura nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, përmes të cilave bëhej marrja e përditshme e mostrave të ujit nga lumenjtë, sidomos të atyre që komunikonin me territore të shteteve të huaja si dhe të ujit të detit. Njëkohësisht bëhej mbledhja e depozitimeve atmosferike në dy pika në Tiranë dhe Korçë.
Veç matjeve që bënte Instituti i Fizikës Bërthamore një sistem i tërë pajisjesh dozimetrike më pak të ndjeshme ishin të shpërndara në të gjithë vendin dhe ato përdoreshin nga ushtria.
Krahas sistemit të monitorimit, Shqipëria kishte miratuar në vitin 1985, vetëm 1 vit para aksidentit teknologjik të Çernobilit edhe një plan emergjence në raste sulmi bërthamor. Ky plan emergjence do të vihej në zbatim në fillimin e majit të vitit 1986, si rrjedhojë e ndryshimit të papritur.
Prof.dr Përparim Fuga, ish drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, asokohe pjesë e grupit të punës që ishte ngritur për përballimin e emergjencës thotë:
“Shërbimi suedez dhe norvegjez dha fillimisht alarmin sepse Bashkimi Sovjetik i asaj kohe as nuk kishte ndërmend ta bënte publike dhe gjithçka ishte ruajtur në një sekret hermetik. Nuk donte që bota ta merrte vesh këtë incident të rëndë bërthamor. Por kjo ishte e pamundur, pasi pas matjeve në ajër nga shërbimet e Suedisë dhe Norvegjisë u lajmërua.
Kështu, ky sekret nuk mbahej dot më i fshehur prandaj Bashkimi Sovjetik u detyrua të lajmëronte fillimisht Agjencinë e Energjisë Atomike në Vjenë dhe të shpallte një aksident të rëndë bërthamor në centralin e Çernobilit.
Fatkeqësisht erërat ndryshuan drejtim. Pra në datën 27, 28, 29 Prill erërat lëvizën kryesisht drejt perëndimit dhe veriut dhe më pas reja radiokative nisi të lëvizë në Europën Juglindore”, tregon Pr.dr Edmond Panariti.
“Instituti që më herët, me të marrë vesh për aksidentin, kishte filluar të merrte disa masa, pavarësisht se nuk kishte ndonjë përvojë, apo eksperiencë. Kishte filluar të merrte kampione ajri. Në maj filtri shfaqi radioaktivitet”, tregon prof.dr.Përparim Fuga
Ardhja e resë radioaktive nga Çernobili në Shqipëri
Lajmi se mbi Shqipëri mbërriti reja radioaktive e Çernobilit shkaktoi jo pak ankth në popullatë, por edhe te udhëheqja e kohës. Duke ndjekur planin e emergjencës, u ngrit menjëherë Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit.
“Institucioni kishte tre rrjete monitorimi, (që nuk ishin të ngritura për aksidentin, por për qëllime të tjera), rrjetin e emergjencave që konsitonte në monitorimin e ajrin, (duke marrë kampione ajri dhe matje radioaktiviteti). Pas këtij aksidenti ky rrjet u zhvillua dhe u ndërtuan 5 stacione. Një Kukës, Shkodër, Korçë, Tiranë në Vlorë e Gjirokastër, të cilat masnin radioaktivitetin e ajrit dhe e transmetonin në kohë reale.
Kishim rrjetin e matjeve ambientale, ishin 11 pika të vendosura në reparte ushtarake buzë lumit ku merreshin kampionet dhe një herë në dy javë analizoheshin në Institutin e Fizikës Bërthamore. Ky ishte një tregues shumë i mirë sepse në mënyrë të vazhdueshme matej radioaktiviteti. Pse në ujra? Sepse gjithçka shkonte në lumenj ose në det.
Dhe rrjeti i tretë ishte rrjeti i matjeve të dozimetrisë të punonjësve që ishin të angazhuar në veprimtari në fushën e fizikës bërthamore. Këto 3 rrjete u aktivizuan menjëherë”, tregon pr.dr Përparim Fuga.
“Në atë kohë ne kemi pasur struktura të posaçme që merreshin me studimet e ndotjes radioaktive, rrezatimit jonizues në rastin e një lufte bërthamore. Kjo luftë nuk ndodhi, por ndodhi ky shpërthim që mund të themi ishte një mini luftë bërthamore, pasi metodologjia e trajtimit është e njëjtë. Kemi bashkëpunuar ngushtë me Institutin e Fizikës Bërthamore, për të cilët kam një konsideratë të veçantë për fizikantët që u morën me matjet dhe studimet e radioaktivitetit në tokë, ujë, ajër dhe ushqim pasi qartazi reja radioaktive na përfshiu”, shprehet pr.dr. Edmond Panariti.
Këshilli i Ministrave kërkoi menjëherë një raport për situatën e radioaktivitetit në Shqipëri. Ja se si e përshkruan situatën Ministri i Shëndetësisë Ajli Alushani që drejtonte Komisionin e Mbrojtjes së Mjedisit në një raport që mban datën 3 maj 1986.
“Lidhur me avarinë e centralit bërthamor sovjetik, kontrolli i filluar menjëherë nga Instituti, ka treguar se deri në orën 14 të datës 30.4.1986 nuk u ndje ngritje aktiviteti radioaktiv. Në matjet e datave 1 dhe 2 maj të këtij muaji rezulton një nivel radioaktiviteti 2 deri 3 herë më i lartë se niveli bazë”, shkruhej në dokument.
Në pasditen e datës 2 maj 1986 ky nivel arriti 10-fishin e nivelit bazë. Duke u ndodhur përpara kësaj situate Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit vendosi të merren këto masa:
1-Të informohet popullata nëpërmjet organeve të shtypit, të radios dhe televizionit për të patur njohuri më të qarta mbi këtë problem.
2-T’i rekomandohet popullatës pastrimi me ujë të rrjedhshëm i zarzavateve të freskëta, mënjanimi i përdorimit për pirje të ujit nga burimet e hapura dhe rezervuarët. Kufizimi i qëndrimeve të gjata të grave shtatzëna dhe fëmijëve të vegjël në mjediset e hapura.
3-Për disa produkte ushqimore që do të importohen nga vendet që kanë deklaruar ndotje të rëndësishme, para se t’i jepen për konsum popullatës, Instituti i Fizikës Bërthamore do të bëjë analizën për prezencën dhe nivelin e lëndëve radioaktive.
4-Në formë sondazhi do të merren analiza të ujit, tokës e bimësisë në disa rrethe për t’u analizuar në Institutin e Fizikës Bërthamore.
Krahas raportit nga Kreu i Komisionit të Mbrojtjes së Mjedisit, qeveria e kohës kërkon informacione edhe nga Instituti i Fizikës Bërthamore. Po me datën 3 maj 1986, Instituti i drejtuar asokohe nga fizikanti Skënder Koja informon Këshillin e Ministrave lidhur me lëndën radioaktive që ndodhej edhe në qiellin e Shqipërisë, duke evidentuar natyrën dhe rrezikshmërinë e tyre.
Por Instituti në këtë raport kërkonte që të tregohej maturi me reagimin pasi situata nuk ishte alarmante në atë shkallë që e mendonte Komiteti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe madje jepte edhe shembuj duke thënë se kjo nuk ishte hera e parë që Shqipëria përballej me një problematikë të tillë. Kërkesa e institutit ishte që popullata të mos alarmohej.
“Këto rritje duhen konsideruar shumë të vogla po të kemi parasysh se normat ndërkombëtare vlerësojnë si preokupante për popullatën një rritje prej 100 herësh kundrejt nivelit bazë natyrore. Madje dhe rritja prej 100 herësh mund të shkaktojë problem serioze vetëm po të vazhdojë për një kohë të gjatë prej shumë javësh.
Po të nisemi nga kjo logjikë, duhet qëndruar në mendimin se nivelet e regjistruara sot nga ne nuk përfaqësojnë asnjë rrezik. Problemi që mbetet i panjohur është ai i dinamikës që do të pësojë situata në ditët e ardhme. Për këtë mund të bëhet ky parashikim. Duke u nisur nga fakti se brumi i ndotjes radioaktive është mbyllur, situata e përgjithshme duhet të vijë duke u përmirësuar. Nëqoftëse ndonjë kombinim i disfavorshëm faktorësh meteorologjikë do të çojë në rritje, kjo e fundit duhet të jetë e vogël dhe afatshkurtër.
Prandaj mendojmë se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Lidhur me informatat e huaja mbi disa udhëzime për popullatën të cilat janë dhënë edhe nga ne, ato duhen interpretuar si më poshtë:
Ekziston teorikisht një probabilitet që rrezatimi bërthamor të shkaktojë ndryshime gjenetike. Për nivelet e përmendura më sipër, këto mundësira janë tepër të papërfillshme, por normat morale të mjekësisë siç dihet kanë për detyrë të mënjanojnë çdo faktor dëmtues që mund të shmanget. Në të vërtetë faktorët e tjerë që provokojnë ndryshime gjenetike si substancat kimike etj janë shumë më të rëndësishme se sa ky faktor i ri që u shfaq këto ditë dhe që do të jetë krejt provizor”, shkruhej në raport.
Në shkresën e Kojës kuptohet një shqetësim tjetër, ai që kishte kaluar më herët Shqipëria, në vitet 1976-1977 kur Kina kishte bërë prova bërthamore.
“Sasia e lëndëve radioaktive që është lëshuar në atmosferë nëpërmjet provave bërthamore që vazhduan deri pak vite më parë është qindra herë më e madhe se sa sasia që është lëshuar nga ky aksident. Dhe megjithatë, asnjëherë nuk janë bërë paralajmërime alarmante për popullatën.
Vetë instituti jonë ka regjistruar një rritje shumë të madhe të sasisë së radioaktivitetit në vitet 1976-1977 pas provave kineze në atmosferë megjithë largësinë e madhe të vendit të eksplozionit”, shkruhej në raportin e Kojës, ku duket qartë tendenca për të mos krijuar panik të mëtejshëm në Shqipërinë e mbërthyer nga frika, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Cilat qytete dhe zona të Shqipërisë u prekën më shumë nga radioaktiviteti i Çernobilit
“Ka përshkruar kryesisht territoret e Shqipërisë veri-lindore dhe juglindore, ndërsa më pak e prekur ishte pjesa perëndimore e vendit. Por veri-lindja dhe jug-lindja kanë qenë të prekura mjaft. Nisur edhe nga relievi kryesisht i thyer malor, reja kishte tendencën të përplasej me pllajat e larta me terrenet malore. Në atë kohë për fat të keq ka pasur edhe reshje lokale kështuqë u zhvillua ajo që quhet “Fenomeni i Njollës së Leopardit”.
Pra aty ku kishte reshje kishte ndotje të madhe dhe aty ku nuk kishte reshje nuk kishte ndotje në nivele të larta.
Niveli më i lartë regjistruar dhe i raportuar i radioaktivitetit në atë kohë ishte në Rrajcë të Librazhdit. E gjithë Zona e Librazhdit le të themi në datat 6-7 maj 1986 pati reshje dhe pati depozitime të larta të jodit radioaktiv, që ishte dhe elementi kryesor i zbërthimit radioaktiv që mbërriti në Shqipëri, por në nivele të ulta pati edhe element si ceziumi 134, ceziumi 137, stroncium 189, por 90% të ndotjes kemi pasur jod radioaktiv”, tregon pr.dr Panariti.
“Pozitiv ishte fakti që ne patëm një mbrojtje, qoftë për shkak të distancës nga vendi i aksidentit, por në mënyrë të veçantë nga alpet, terreni malor. Radioaktiviteti u shfaq në bimë, ujë, ajër në produkte të ndryshme dhe menjëherë u morën masat e mundshme që mund të merreshin në atë kohë”, tregon pr.dr Përparim Fuga.
Fenomeni i ndotjes së qumështit
Data 5 maj shënon një pikë kthese në impaktin që reja radioaktive pati në Shqipëri. Situata bëhet alarmante për faktin se për herë të parë në Librazhd reshjet e shiut kishin bërë që grimcat radioaktive të zbrisnin poshtë dhe përmes barit të kalonin te bagëtitë e më pas të qumështi që ato prodhonin, duke përbërë rrezik për popullatën.
Ja si përshkruhet situata në informacionin numër 3 të Komisionit Qendror të Mbrojtjes së Mjedisit.
Informacion numër 3
Komisioni qendror i mbrojtjes së mjedisit u mblodh me datë 5 maj ora 18:00 për të shqyrtuar ecurinë dinamike të ndotjes së mjedisit deri në orën 16:00 të datës 5 maj dhe arriti në këto përfundime.
Matjet e kryerja nga Instituti i Fizikës Bërthamore në orë 16:00 të datës 5 maj, tregojnë një rritje të radioaktivitetit të depozituar në sipërfaqen e tokës. Matjet absolute në mostrat e qumështit të marra në tregun e Tiranës dhe në fermën e Selitës treguan vlera prej rreth 400 bekerel, të cilat kundrejt normës maksimale të lejuar 9 mijë bekerel, konsiderohet i ulët.
Mostrat e qumështit të marra nga ushtria në Rrajcë të Librazhdit dhe e matur në Institutin e Fizikë Bërthamore pas orës 16:00 të datës 5 maj treguan një nivel të lartë radioaktivitetit prej 13 mijë bekerel që është rreth 45% mbi normën maksimale të lejuar për kushte të jashtëzakonshme.
Këto dukuri të papritura mesa duket shpjegohen me shirat që kanë rënë në zonën e Rajcës gjatë dy ditëve të kaluara. Por duke patur parasysh parashikimin e motit, reja radioaktive që ka qëndruar mbi vendin tonë këto ditë pritet të largohet dhe situata e përgjithshme e atmosferës duhet të vijë duke u përmirësuar. Megjithatë për rastin e jodit në qumësht, për shkak se efekti i tij lidhet jo me gjendjen e atmosferës, por me atë të shkallës së kontaminimit të barit, mundet që niveli të vazhdojë rritjen përkohësisht.
Duke pasyur parasysh këtë situatë komisioni arriti në këto përfundime:
Të shtrihet marrja e mostrave të qumështit dhe barit në rrethet Librazhd, Pogradec, Korçë, Shkodër, Kukës, Dibër, Bajram Curr, Gjirokastër dhe Tiranë. Rezultatet e analizave do të jepen në 7 maj, pas orës 18:00.
Propozojmë që qumështi i prodhuar në ekonomitë e fshatit Rrajcë të Librazhdit të mos përdoret për konsum nga popullata, por të përpunohet në djathë e nënprodukte të tij dhe të vihet në ruajtje për t’u përdorur pas 2 muajsh.
Situata po ndiqet në vazhdimësi dhe për përfundimet do ju njoftojmë.
“Padyshim ishte njëherë ndotja e ajrit, por ishte diçka që kaloi shpejt sepse për fat nga data 4-5 pati reshje të dendura që në një mënyrë ose tjetër, aurezolet i ulën në tokë dhe ndoqën një rrugë tjetër jo nëpërmjet frymëmarrjes. Ndërkohë në produktet ushqimore u dhanë udhëzime të qarta si duhet të laheshin e pastroheshin çfarë të pihet e çfarë jo.
Për qumështin që ishte sensitiv, të dhënat e asaj kohe tregonin se 90% e qumështit vinte nga pjesa jugore dhe perëndimore e Shqipërisë dhe të gjithë e dimë se kryesisht në atë kohë kemi konsumuar qumësht pluhur që s’kishte të bënte me Çernobilin, por në ato raste kur kishte nivele të larta ndaloheshin për t’u përdorur. Ky ishte një efekt dhe u përballua dhe unë do të thosha se u përballua me sukses kur nuk kishim përvojë, por edhe me kufizime aparaturash”, tregon pr.dr Përparim Fuga.
“Ne kemi pasur një problem shumë të madh për të përcaktuar nivelin më të madh të lejuar. Kush do ishte niveli që do quhej i rrezikshëm ose jo. Ne ishim totalisht në errësirë sepse në manualet e ushqimit të asaj kohe as që ishte menduar të vendoseshin kufij të lejuar për ndotjen radioaktive.
Behej fjalë për ndotjen bakteriale, insekticide, pesticide, por për ndotjen radioaktive nuk ishte menduar ndonjëherë. Kështuqë ne duhet të përcaktonim me dakordësi brenda komitetit se kush do ishte niveli maksimal i lejuar mbi të cilat do vendosnim pragun: ç’është mbi këtë nivel, duhet shkarkuar/ asgjësuar dhe çfarë ishe poshtë mund të përdorej për konsum publik.
Ishte një debat i madh. Gjetëm një material referues provizor që e lëshoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila vetë ishte e papërgatitur për të mbajtur një qëndrim në këtë situatë.
Aty përcaktohej për jodin 131 dhe jodin 125 niveli 2000 bekerel (njësi matëse për radioaktivitetin specifik për litër qumësht). Nëse do thuhej tani që niveli maksimal i lejuar është 2000 bekerel do përbënte një skandal në kohën që jetojmë sepse agjensia amerikane e ushqimit dhe barnave ka përcaktuar si nivel të lejuar aktualisht vlerën 150 bekerel, pra përtej këtij niveli duhen marrë masa të menjëhershme.
Ndërsa ne në atë kohë i lejuam vetes luksin që të kishim këtë nivel të rekomanduar nga OBSH. Dhe këtë përdorëm si nivel për të vendosur nëse ushqimi duhet konsumuar ose jo. Por edhe pse ishte nivel i lartë, disa herë e kemi kapërcyer me matjet tona. Mesa më kujtohet në Rrajcë të Librazhdit, kemi pasur vlera të radioaktivitetit që kanë shkuar edhe në 6000 apo 7000 bekerel për litër qumësht.
Ndërsa në mish, pjesa më e rrezikuar ishte ajo e muskujve të qafës të bagëtive, sepse aty përqendrohej gjëndra tiroide, ku kishte nivele shumë të larta.
Kur çuam monstrat në spitalin e Tiranës, në laboratorin “Tetra 1” që merrej me realizimin e grafive të pacientëve me tiroide, shinografia ishte alarmante, pasi bëhej fjalë për solucione të holluara radioaktive në brendësi të mishit. Ndaj u dha urdhëresë që të hiqej dhe groposej menjëherë pjesa e qafës së të gjitha bagëtive që sakrifikoheshin për ushqim.
Kjo u zbatua padyshim në thertoren e Tiranës kjo u zbatua, ndërsa në thertoret e Shqipërisë nuk jam i sigurt nëse është zbatuar, mbetet për t’u parë. Shpresoj të jetë zbatuar, pasi nëse është konsumuar mishi në pjesën e qafës është njësoj si të jetë pirë solucion radioaktiv sepse i tillë ka qenë përqendrimi i jodit radioaktiv”, tregon Prof. Dr Edmond Panariti
Situata e problematikës me konsumin e qumështit të bagëtive të imëta do të zgjaste deri më datën 19 maj 1986, kohë kur do të shënoheshin nivele të ulëta të jodit në qumësht, duke e bërë të panevojshëm ndalimin e konsumit të tij në Shqipëri.
Në atë kohë nuk do të mungonin as përplasjet mes specialistëve për nivelin e matjeve, ku do të pranoheshin gabime me nivelin e rrezatimit në produkte, por që zyrtarisht në fund u arrit në konkluzionin se edhe pse matjet ishin bërë gabim për qumështin, sërish edhe me matjet e reja vendimi për të ndaluar konsumin e tij do të ishte i pashmangshëm.
“Në fillimet e veta vështirësia kryesore ishte paniku që u krijua, të gjitha këto ndikonin, mungesa etj, por mungesa më e madhe ishte mungesa e standardeve. Nuk kishte standard me të cilat të bëje matjet.
Për qumështin ishte më lehtë se e ndërtojë standardin me ujë, por për bimët, mishin ishte e vështirë që të ndërtoje standarde dhe të bëje matje. Kjo mund të ketë sjellë devijime nga vlera e matur te e sakta, por me kalimin e kohës u eleminuan dhe matjet u konsoliduan. Fakt është që në përfundim të gjithë kësaj që zgjati rreth 1 muaj me intensitet të lartë agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike i dha matjet standarde dhe ato u konvertuan me ato që kishim bërë ne.
Po ashtu ka botime të autorëve shqiptar dhe të huaj që tregojnë një kovergjencë midis rezultateve të arritura nga punonjësit e institutit dhe matjeve të bëra në vende fqinje si Greqia”, tregon pr.dr. Përparim Fuga.
Por ndërsa në këtë periudhë emergjenca kishte kaluar dhe reja radioaktive nuk përbënte më rrezik për të dëmtuar përmes rrugëve ajrore, por vetëm përmes grimcave që ishin depozituar në tokë pas reshjeve të shiut, vendi gjendet përballë një sfide të re; asaj të tregtisë.
Shumë vende lindore nuk po arrinin të eksportonin mallra në vendet e paprekura me argumentin se ato ishin të kontaminuara. Pjesë e ndalimeve u bë edhe Shqipëria, e për këtë qëllim organet e tregtisë kërkonin që të pajiseshin me dëshmi nga Instituti i Fizikës Bërthamore që produktet që po eksportoheshin nuk kishin lëndë radioaktive.
Eksperimenti pak i njohur shqiptar për radioaktivitetin në vitin 1987
Krahas monitorimeve të vazhdueshme të nivelit të radioaktivitetit në vend, Shqipëria nuk u ndal në marrjen e masave parandaluese dhe menazhuese për rrezatimin që kishte pasur, por i zhvilloi edhe më tej studimet. Edmond Panariti, tregon se ka udhëhequr një studim eksperimental që ka nisur në fundin e vitit 1987 dhe përfundoi në vitin 1988.
“Instituti i sigurisë ushqimore u ngarkua nga qeveria e asaj kohe që të ndërmerrej një studim eksperimental për të parë se cili ishte fati i shpërndarjes së ndotjes radioaktive në qumësht dhe në mish në rastin e një ndotjeje radioaktive. Ishte eksperimentale dhe mu ngarkua mua. Isha në krye të një grupi pune ekspertësh dhe importuam me leje lëndë radioaktive nga Centrali i Budapestit dhe punuam kryesisht me jod. Centrali atje ishte eksperimental dhe ne porositëm jod radioaktiv dhe cezium. Por punuam kryesisht me Jod. Të punosh me Jod është shumë e rrezikshme, ndaj ne kishim një sektor që kishte të gjitha masat për t’u mbrojtur dhe ne ishim të veshur si kozmonaut që shmangnim ndotjen nga rrezatimi.
Ndryshimi i sistemit politik dhe rënia e komunizmit do të shoqërohej me harresën e shpejtë të asaj që kishte shkaktuar në Shqipëri, katastrofa më e madhe teknologjike në histori. Dhe në këtë kontekst, Shqipëria nuk ka monitoruar të dhëna se cilat kanë qenë pasojat reale që shkaktoi shpërthimi i Çernobilit në Shqipëri.
“Praktikisht, ai nxori në pah domosdoshmërinë e institucioneve të kësaj natyre. Dhe në mënyrë të veçantë fuqizimin e rrjeteve të monitorimit. Këto rrjete erdhën duke u përmirësuar, deri në vitin ’96-’97, ndoshta diçka më vonë funksiononin, ndërsa aktualisht nuk e di a funksionojnë apo jo. Por për mendimin tim, duhet të jenë dhe duan kujdesin e tyre”,shprehet pr.dr. Përparim Fuga.
“Tani është vonë kanë kaluar aq vite, dhe nuk kemi të dhëna epidemiologjike për të përcaktuar, pasi nuk ka studime mbi popullatën që ishte e ekspozuar dhe çfarë ka ndodhur me të ndër vite. Sa ka qenë insidenca e keqformimeve, e patologjive, kancereve, veçanërisht ai i tiroideve, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë që nuk ishte shumë e ekspozuar. Vetëm nëse do kishim këto statistika do mundeshim ta tregonim realisht efektin e këtij shpërthimi. Për sa kohë nuk i kemi, çdo hamendje do ishte një spekulim Por ndotja ka qenë se ishte e matur!”, përfundon Ptof.Dr. Edmond Panariti.
Kreshnik Kuçaj – SCAN
Koha kur shteti ishte pergjegjes per jeten e qytetareve, ndonese ne grahmat e fundit te sistemit eshte nje model ne kete drejtim per shtetin e papergjegjshem qe jep gjithcka me PPP e me koncensione, perfshire jeten e qytetareve te tij..
Reja radioaktive ne Shqiperi ,mesoheni dhe mos degjoni se cfare thone sot , eshte zbuluar rastesishte ,nga nje efektive i FLD qe stervitej ne kushtet e infektimit radioaktiv, ne Bazen Ushtarake Detre Shengjin .Anija e trye ishte e paisur si me aparate te zbulimit te rezatimit dhe me veshje specjale per tu mbrojtur nga radioaktiviteti ne raste lufte .Ky sinjal i dhene asokohe u raportua ne Komaqnden e FLD e me pas ne M.Mbrojtjes. Kete ngjarje e mesuam nga disa kuadro te FLD .Marinari qe e zbuloj u dekorua nga Komandanti i FLD Ndue Jaku .
Kure ta mbaroje neser se lexuari kete artikull nje km te gjate,do komentoj edhe une. Hajt mirupafshim.
O idioti Edmond Panariti. Radioaktiviteti nuk eshte ashtu si genjen shkenca zyrtare mashtruese. Ky shperthim ishte i qellimshem sepse ndodhi ne daten edhe vitin me numrin e Illuminatit. Kush nga ju e kuptoi se per cilin numer behet fjale?
Edhe nje gje tjeter. Bombat atomike nuk ekzistojne fare se ky eshte nje mashtrim shume i madh. Nuk ka bombat atomike. Ato fotografite e shperthimeve imagjinare i ka bere CIA me montazh. Asgje per ato nuk eshte e vertete.
Dikur ka pas shtet e jo perralla, shtet qe i donte qytetaret e vet, i informonte per gjithçka.
So jemi 100 vjet mbrapa me sali portopapen qe shkatrroj gjithçka, qe u bane me shumë mund.
So ska ma as eksperta berthamor asgja.
Telebingo eshte mashtrim i madh. Cmimin kryesor nuk e fiton askush se gjithemone e mbajne per vete. Fitohen vetem keto cmimet me pak leke si karamele domethene edhe asgje tjeter. Telebingo eshte si te tera llotarite ne bote nje mashtrim i madh edhe vjedhje e lekeve te njerezve.
Lexojeni:
Erion Veliaj eshte nje sherbetor i Sali Berishes qe e ka futur Berisha ne PS per ta prishur PS, lexojeni:
https://pamfleti.net/kur-sali-berisha-ushqente-levizjen-nano-ik-me-mjaft-in-e-erion-veliajt-2/
Nxirreni me shqelma jashte nga PS kete bajgen Erion Veliaj !
Flakeni si nje mut perjashta nga PS Erion Veliajn !
ketu qenka emisioni me vidjo https://www.youtube.com/watch?v=MkniNhSyF20&list=PLfjdwzUbedO3PGDTj4JcFkf5UDMKf54WC&index=1