Përveç pranisë së Covid-19 që po qarkullon aktualisht në vend, afrimi i stinës së dimrit sjell edhe përhapjen e virusit të gripit. Përkundrejt kësaj situate, autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se procesi i vaksinimit, veçanërisht për grupet më të rrezikuara duhet të bëhet njëherësh për të dyja viruset. Vendi ynë ka siguruar tashmë dozat e para të vaksinave të gripit, të cilat nga dita e djeshme janë shpërndarë nëpër qendrat shëndetësore ku do të bëhet kryerja e tyre.
Tre janë kategoritë prioritet që duhet të mos neglizhojnë vaksinimin e njëherëshëm jo vetëm për koronavirusin, por edhe për gripin. “Kështu, për të patur mbrojtje maksimale rekomandohet kombinimi i vaksinës së gripit, me dozat përforcuese (doza e tretë dhe katërt) të vaksinës ndaj Covid-19 për tre grupe që janë të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, si dhe pacientët me sëmundje kronike. Personat e grupmoshës mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe personat me semundje kronike mund të paraqiten pranë qendrave shëndetësore për të bërë vaksinimin e njëhershëm për të dy viruset. Vaksinimi i njëkohshëm kundër gripit dhe Covid-19 është mbrojtja më e mirë për dimrin që po afron”, sqarojnë autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik. Nga qendra shëndetësore nr.8 në kryeqytet nisi dje zyrtarisht edhe vaksinimi kundër gripit, që do të jetë falas për të mbrojtur qytetarët më të rrezikuar nga viruset stinore.
Ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se dy vitet e fundit kemi pasur një influencë gripale të ulët pasi në shumë vende janë zbatuar masa shëndetësore strikte, që përfshijnë distancën, maskën, ajrimin e ambienteve, etj. Tani që këto masa janë ulur, edhe imuniteti i popullisë ndaj gripit është ulur, pasi trupi ynë nuk ka qenë shumë në kontakt me gripin. Në këto kushte, autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se është shumë e rëndësishme që të bëhet bashkë-administrimi për të pasur dy vaksinat për njerëzit vulnerabël, një dozë booster të dytë për covid-19 dhe për gripin.
Vaksinimi për gripin mund të kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e gripit qarkullojnë, kryesisht me fillimin e stinës së vjeshtës e deri në muajin mars. Marrja e vaksinës mund të bëhet nga çdo individ mbi 6 muaj. Por disa individë si, të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël si dhe individë të sëmurë për një kohë të gjatë me sëmundje kronike dhe/ose imunodeficencë kanë një risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione nga gripi, prandaj vaksinimi ndaj gripit rekomandohet më shumë për këto kategori. Gjithashtu, edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët nga profesioni kujdesen për individë të sëmurë, kanë një risk të lartë për të zhvilluar komplikacione nga gripi, teksa mund të bëhen shkak për transmetimin dhe infektimin e të tjerëve. Punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë përgjegjësi për të mbrojtur pacientët e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme që ata të vaksinohen çdo vit, ndaj gripit.Vaksinimi ndaj gripit i punonjësve të kujdesit shëndetësorë, mbron pacientët, kolegët, familjet e tyre dhe vetë ata. Ndërsa vaksinimi ndaj gripit gjatë shtatzënisë (pavarësisht trimestrit të shtatzënisë) ndihmon në mbrojtjen e gruas dhe fetusit. Gjithashtu, kundërtrupat e krijuara tek nëna kalojnë tek fëmija dhe e mbrojnë foshnjën në muajt e parë të jetës.
Si vepron vaksina e gripit
Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të gripit të cilët mendohet se do të qarkullojnë këtë sezon. Kundërtrupat krijohen në organizëm dy javë pas kryerjes së vaksinës. Kundërtrupat mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset të ngjashme, ose të njëjtë me ato me të cilat është prodhuar vaksina. Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit. Se sa mirë vepron vaksina ndaj gripit, apo aftësia e saj për të parandaluar sëmundjen e gripit, varion nga një sezon në tjetrin. Efektiviteti i vaksinës mund të ndryshojë edhe në varësi të individit që është vaksinuar. Të paktën dy faktorë luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e efektivitetit të vaksinës ndaj gripit. Ato janë: Karakteristikat e individit që është vaksinuar si; mosha, shëndeti,etj, si dhe ngjashmëria apo përputhshmëria midis viruseve të gripit me të cilat vaksina ndaj gripit është prodhuar dhe viruseve të gripit që janë përhapur (apo qarkullojnë) në komunitet.
Sëmundja e gripit shkaktohet nga viruse të gripit, të cilat mund të përhapen shumë shpejt në ambientet e mbyllura. Gripi është një sëmundje virale që mund të shkakëtojë komplikacioni të rënda dhe vdekje sidomos tek personat me semundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit megjithëse për shumicën e njerëzve është sëmundje kalimtare. Ndaj mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi ndaj tij.
Infektimi
Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Në raste më të rralla, një individ mund të infektohet duke prekur objekte të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ai i kalon në gojën apo në hundën e tij me duart e infektuara. Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm. Kjo do të thotë që mund t’a transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë. Individë të tjerë mund të jenë të infektuar me virusin e gripit por nuk kanë simptoma. Gjatë kësaj periudhe këta individë mund të transmetojnë virusin e gripit tek të tjerët. Çdokush mund të sëmuret nga gripi dhe mund t’ia transmetojë kujtdo-edhe pa pasur ndonjë simptomë.
Simptomat
Gripi gjithmonë karakterizohet nga këto shenja: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Gjithashtu gripi mund të shoqërohet edhe me shenja të tjera, si; lodhje fizike, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve dhe/ose dhimbje muskujsh. Ekspertët këshillojnë që të bëni kujdes nga vetmjekimet në kushtet e shtëpisë. Gripi nuk duhet të ngatërrohet me viroza të tjera stinore të ngjashme me të.
Rekomandim i veçantë për kryerjen e vaksinave përfshin këto grupe risku:
- Të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç.
- Gratë shtatzëna.
- Personat me sëmundje kronike dhe imunodeficience (si: sëmundje kardiovaskulare, obstruktive të mushkërive, kronike të veshkave, kronike të heparit, diabet, astma bronkiale, tumore/kancer).
- Personat obezë.
- Punonjësit shëndetësorë.
- Gjithashtu vaksina ofrohet për kategori të caktuara sic janë forcat ushtarake.
Cilat janë të mirat e vaksinimit ndaj gripit ?
- Vaksinimi ndaj gripit ju mbron nga gripi. Duke mbrojtur veten ndaj gripit ju mbroni dhe njerëzit që ju rrethojnë, të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të shkaktuara nga gripi.
- Vaksinimi ndaj gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen e individëve të cilët janë në një risk më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga gripi si; të moshuarit, gratë shtatzëna, individët me sëmundje kronike, fëmijët dhe sidomos foshnjat deri në 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar.
- Vaksina ndaj gripit nuk mund të shkaktojë gripin pasi ajo nuk përmban asnjë virus të gjallë.
- Vaksinat ndaj gripit janë të sigurta. Ajo është e mirë testuar dhe ka rezultate të shkëlqyera mbrojtëse. Probleme serioze nga vaksina e gripit janë shumë të rralla. Efektet anësore më të zakonshme nga vaksina e gripit janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit e cila kalon pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë të lehtë dhe kruarje.
- Vaksinimi ndaj gripit mund të reduktojë rrezikun për gjëndjet e rënda shëndetsore që lidhen me gripin si: shtrimet në spital dhe deri vdekjet. Vaksina funksionon. Në 10 vitet e fundit, vaksina ka dhënë mbrojtje ndaj gripit dhe ajo është akoma mënyra më e mirë për të luftuar gripin këtë dimër.
- Vaksinimi ndaj gripit ju ndihmon që t’a kaloni më lehtë atë, nëse sëmureni prej tij.
- Pavarësisht se mund të mos jeni sëmurur më parë nga gripi, viruset e gripit pësojnë mutacione, prandaj duhet të vaksinohemi çdo vit për të pasur mbrojtje.
