Agim Vinca
(Drama e Gencit dhe Vilsonit parë me sytë e një poeti dhe intelektuali “matanë gardhit”)
(Vijon nga numri i datës 22 korrik 2022)
Saharaja: një parabolë e papërsëritshme
Për të treguar gjendjen kritike të Atdheut, poeti ka zgjedhur një figurë me karakter gjeografik: shkretëtirën e Saharasë në Afrikë. Por emri gjeografik në këtë rast shndërrohet në “topos poetik” (term i studiuesit gjerman Ernst Robert Kurcius/ Curtius). Saharaja është metaforë e atdheut të shndërruar në shkretëtirë, e Shqipërisë nën diktaturë, por Saharaja e Blloshmit është poezi me konotacione të gjera, që lejon mundësi të shumta leximi dhe interpretimi. Sadik Bejko thotë se “nëpërmjet alegorisë poeti denoncon situatën në të cilën ndodhej atdheu i tij”, kurse një autor tjetër, më pak i njohur, pohon se “Saharaja është një tekst i hapur poetik (…), që lejon këndvështrime e interpretime të ndryshme dhe të shumta”.
Poezia ka nëntë strofa katërshe me varg 11-rrokësh dhe rimë të alternuar të tipit: ABAB. (Në ndonjë botim paraqitet në formë astrofike, monokolone, por edhe si e tillë funksionon). Të nëntë strofat e saj sajojnë një tërësi homogjene artistike. Peizazhi i Saharasë jepet nëpërmjet prosedeut “minus”, duke pikasur mungesat e saj me anë të pjesëzës mohuese “nuk”: “Saharaja nuk ka miq e shokë,/ Saharaja nuk ka bijë, as bir”. Funksion të veçantë ka emri Sahara, që përsëritet 13 herë në tekstin e vjershës. Shkretëtira i ka shërbyer poetit si platformë për krijimin e një poezie dyplanëshe, që përmban, përpos aluzionit konkret, edhe një mesazh universal. Vetëm një poet i talentuar e vizionar, do të mund ta jepte në mënyrë kaq autentike vetminë dhe veçimin e vendit të vet, por edhe të çdo vendi tjetër të izoluar në botë. Në tekstin poetik aplikohet paralelizmi figurativ: Saharaja e përshkruar dhe Shqipëria e nënkuptuar. Saharaja është “një copë tokë”, që “bluan gurë në mënt’ e saj…”. Saharaja është poezi me rrezatime të gjera kuptimore: secili varg i saj, secila strofë, bart një mendim a emocion. Vjersha hapet me vargun: ”Saharaja, larg është Saharaja”, nëpërmjet të cilit poeti dëshiron ta largojë objektin e këngëtimit, shkretëtirën e Saharasë, për t’i ikur censurës, por kujdestarët e regjimit e kapën aluzionin dhe e bënë objekt ekspertize, veprim që solli, objektivisht, edhe ndëshkimin e autorit.
Saharaja është poezi e veçantë jo vetëm me kumtin artistik, por edhe me shtresën e saj tingullore, sepse, siç thotë teoricieni amerikan Rene Uellek (Wellek), secila vepër letrare artistike është një sistem tingujsh prej të cilit del përmbajtja dhe domethënia. Rol të veçantë në strukturën e kësaj poezie ka përsëritja e tingullit “sh”, me të cilin fillojnë fjalët: shkrep, shtrojë, shkret, shfryn, shkrepëtin dhe shkretëtirë, kurse fjalët: myshk, hesht dhe trishtim e kanë në brendi. Në vargun e fundit, përmbyllës: “Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë”, tingulli “sh”, përkatësisht togu zanor “shkr”, përfton aliteracionin dhe rimën e brendshme. “Saharaja, larg është Saharaja, / Saharaja shkëmb e rërë e gurë, / Që ka shok veç emrin e saja./ Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë”. Shikuar nga ky aspekt mund të thuhet se poezia e Blloshmit është në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë shqipe nga Naimi e Mjeda deri te Noli e Lasgushi. Me Nolin e afrojnë antitezat brilante: “Saharaja s’ka këngë të këndojë,/ Saharaja s’ka as lot të qajë”, kurse me Lasgushin e lidh “kujtimi që tret në pusin e harresës”: “Gjithçka e marrin vitet duke shkuar (…)/ Troket lehtë kujtimi i trishtuar”, që asocion me vargjet e poetit të Yllit të Zemrës: “Prej çdo gazi-e hidhërimi/ Mbetet pas vetëm kujtimi”.
Saharaja është kurora e poezisë së Vilson Blloshmit dhe një nga poezitë më me peshë të poezisë shqipe të kohës kur u shkrua, por ai ka edhe vjersha të tjera interesante, të krijuara me mjete e forma të tjera shprehëse.

Një përqasje e shpejtë dhe dy fjalë në fund
Poezia e Genc Lekës, ndryshe nga ajo e Vilsonit, nuk është aq e angazhuar në luftë kundër së keqes. Duke qenë bir i një babai të arratisur, Genci kujdesej të mos binte shumë në sy, ndonëse ky kujdes i karakterizonte që të dy. Ajo është një poezi lirike, intime, refleksive, që trajton tema e motive nga jeta e përditshme. Shkolla, nxënësit, mësuesit, oxhaku i vjetër, shtëpia e rrënuar dhe miqtë që vinin dikur në të, ciganët endacakë, natyra, stinët, dashuria, ëndrrat dhe përsiatjet për jetën janë motivet që trajton ky poet. Nota elegjiake e përshkon pjesën dërrmuese të vjershave të tij. “Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë,/ Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!/ Veç… në s’ju çeli kjo pranverë/ … Për jetë jeni tharë, ah… për jetë!” (vargje nga poezia Për jetë, shkruar në janar të vitit 1971). Poezia e Gencit është, siç thoshte vetë, si pardesyja me dy faqe, që mund të lexohet në dy mënyra: brenda dhe jashtë sistemit letrar të kohës. Genci si poet debutoi në vitin 1961 me tri lirika të shkurtra dhe la pas vetes rreth 30 poezi. Poet i tij i preferuar ishte Jesenini, vdekjen e të cilit e krahason me zbritjen e diellit në varr, kurse nga poetët shqiptarë në pikëpamje të ndjeshmërisë dhe shprehjes afrohet me Jorgo Bllacin dhe Bilal Xhaferrin. Shkruan vargje kryesisht të rimuara e melodike, kurse në një rast e provon edhe sonetin (Soneti i kujtimit).
Vilsoni, edhe pse më i ri në moshë, është pak më i rëndë, më i menduar, më i zymtë. Ai përsiat për zigzaget e jetës dhe shtegtimin e njeriut nga lindja deri në vdekje: “Sikur të mbeteshin e shiheshin/ Rrugët nga vjen mendimi,/ Brenga, shpresa, vegimet,/ Të dukej krej i jetës zigzagu i gjatë/ Që nga ardhja në këtë botë e gjer/ Tek varri, pikës së llahtartë”. Në vargjet e tij ka shpeshherë shmangie stilistike dhe vizione apokaliptike, gjë që është veti e poezisë moderne. Njeriu për të cilin këndon ai është i lodhur dhe mban vetveten në kurriz. Ky njeri i shpërfytyruar, “masë zhelesh mishi e shpirti”, bredh rrugëve të zbrazëta, kërkon vetveten e nuk e gjen, por edhe kur e gjen nuk e njeh dot. Si te shumë poetë tanë bashkëkohorë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, te Vilsoni gjejmë reflekse migjeniane, gati reminishenca: “E as e di ç’të dhemb,/ Veç sulesh para, shkon,/ Me zemrën e rëndë plumb/ Dhe sa më shumë kërkon,/ Ç’kërkon,/ Më tepër/ E humb”. Thyerja e vargut e bën më dinamik ritmin, që i përgjigjet emocionit. Poezia e gjatë pa titull, që fillon me vargun: “Sërish dukesh në udhë”, një nga vjershat më të gjata të Vilsonit, ka pikëpjekje me Saharanë, veçse këtu vargu është i lirë. Subjekti lirik ecën “Mbi këtë tokë shkëmb,/ Mbi këtë tokë gur,/ Mbi këtë tokë kockë e lëkurë”. Togfjalëshi “kockë e lëkurë”, që përdoret për njerëzit e uritur dhe të sëmurë, i mvishet në këtë rast tokës, duke e zgjeruar fushën asociative të poezisë. Fjalët djep, varr, brengë, llahtar, gur, pluhur, gjak janë të shpeshta në leksikun poetik të Blloshmit, ndërsa fjalët: vegim, kujtim, mall, shpirt, zjarr e të tjera si këto janë të pranishme edhe te Genci, edhe te Vilsoni. Të dy janë poetë të trishtimit, herë më të lehtë e herë më të theksuar, që binte ndesh me tonin optimist të letërsisë së realizmit socialist. “Në komunizëm nuk lejohej të ishe i dëshpëruar. Nëse ishe, nuk duhet ta shprehje. Nëse e shprehje, duhet të prisje hakmarrjen e shtetit”, thekson Sadik Bejko në studimin e tij për këta dy poetë. Në rrafshin e figurës, Genci është kryesisht poet i personifikimit (në vargjet e tij nata hesht, hëna vështron, retë dremisin) dhe apostrofës (Oj hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar?), kurse te Vilsoni mbizotërojnë kontrasti dhe paradoksi: “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,/ Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur./ Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,/ Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur”.
Kjo vjershë njëstrofëshe do të mund të shërbente si epilog jo vetëm i poezisë, por edhe i jetës së këtyre dy poetëve, që iu këput dhunshëm jeta dhe kënga 45 vjet më parë.
Si përfundim do të mund të thoshim se poezia e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit arrin të komunikojë me lexuesin edhe pas më se pesë dekadash nga koha kur është shkruar. Dhe kjo ndodh jo vetëm për shkak të fatit tragjik të autorëve, edhe pse as ky fakt nuk është pa ndikim, por para së gjithash për hir të vlerës që ka kjo krijimtari, sado e paktë si sasi. Janë harruar shumë poetë që kanë shkruar mijëra vargje, duke e vënë artin e tyre në shërbim të propagandës së kohës, por kujtohen vargjet e ndjera lirike të Genc Lekës dhe vargjet tronditëse të Vilson Blloshmit, në mënyrë të veçantë Saharaja, që është maja e relievit të tij poetik, një krijim vërtet antologjik. Po të mos u ishte shuar jeta në vitin 1977, njërit në moshën 35, kurse tjetrit 29 vjeç (u pushkatuan që të dy një natë vere në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”, 5-6 kilometra larg Librazhdit), do të kishin krijuar me siguri edhe vlera shumë më të arrira se këto që lanë kryesisht në dorëshkrim në fletët e nxira nga koha, por të pashlyera dhe të paharruara.

Migjeni eshte nje I SEMURE i llastuar,,qe sheh Zi edhe atje ku ka drite,qe sheh vdekje edhe atje ku ka jete,eshte nje kore byzantine.
Ndersa Blloshmi eshte nje lis i shendetshem,qe e gjymtojne,eshte nje dem i ffuqishem qe e kane lidhur per kurban,prandaj mos bej te tilla krahasime,.Migjeni eshte SKARSITET NATYROR,
Blloshmi eshte FUQI E NATYRES.