Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga transmetimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit të organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel.
Kos ka theksuar se muzika e luajtur nuk përfaqëson qëndrimet e Komisionit Evropian.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.
Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën. Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, deklaroi Kos.
Kënga “Sa Kosova zora sviće” në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” – e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviç.
Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.
Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.
Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.
E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.
Ajo u krijua në kohën e ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit.
Ju rikujtojmë se sot në Bruksel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, kanë mbledhur përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian dhe liderët e vendeve kandidate për anëtarësim, në kuadër të Forumit të dytë të Zgjerimit të BE-së, me temë “Europa më e gjerë – Europë më e fortë”.
Në këtë aktivitet merr pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe përfaqësues të lartë të Ukrainës.
Forumi, i organizuar nga Ursula von der Leyen dhe Marta Kos, synon të përcaktojë drejtimet e ardhshme të procesit të zgjerimit dhe mënyrën se si Bashkimi Europian mund të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj, pa cenuar funksionimin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tij institucionale.
j.l./ dita
