Nga Vladimir Karaj
Në një deklaratë të bërë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenca përsëriti qëndrimet e kryeministrit për përgjegjësi individuale në atë që mund të konsiderohet si afera e SHISH.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mblodhi të hënën me dyer të mbyllura Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas vendosjes në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat pas përfundimit të takimit, Presidenca kërkoi që institucionet e sigurisë të mos konkurrojnë me njëri-tjetrin, duke i bërë jehonë qëndrimit të kryeministrit Edi Rama se përgjegjësia në rastin e goditjes nga SPAK është tërësisht individuale.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas takimit. Në deklaratë bëhet e qartë që Këshilli është një organ thjesht këshillimor.
Përpos Presidentit, një përfaqësuesi të Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit të SPAK, Klodian Braho dhe kreut të Shtabit të Përgjithshëm, pjesa tjetër e Këshillit të Sigurisë përbëhet nga kryeministri dhe ministra të kabinetit, përfshi edhe kreun e Kuvendit, Niko Peleshi.
Në takimin me dyer të mbyllura nuk pati përfaqësues të opozitës.
Thirrja e Këshillit të Sigurisë vjen pak ditë pasi GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-shefen e SHISH, e cila po hetohet në kuadër të dosjes së njohur si “afera e AKSHI-t”. Vlora Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete, në atë që përbën një ndër goditjet më të rënda në sektorin e inteligjencës shtetërore.
Qëndrimi i institucionit të Presidencës duket se sinkronizohet me linjën e mbrojtjes politike të zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama, i cili e shkarkoi Hysenin duke u rikthyer tek teza e “përgjegjësisë personale” për të shmangur faturën institucionale.
Me shkurtime nga Reporter
