Koliti është një ndër patologjitë që haset më shpesh në popullatën shqiptare. Mjekët vënë në dukje se kjo sëmundje nuk njeh moshë, çka tregon se nga koliti mund të preken të gjithë. Në përgjithësi fillesat e sëmundjes shfaqen rreth moshës 15 vjeçare, duke u bërë më të shpeshta me kalimin e viteve.
- Publicitet -
Koliti përfaqëson një çrregullim të zorrës, e cila ndryshe njihet si sëmundja e zorrës së trashë. Sa i takon faktorëve më të shpeshtë që ndikojnë në shfaqjen e kolitit mjekët rendisin lëkundjet e vazhdueshme emocionale, si dhe alergjitë që stomaku dhe zorrët mund të kenë ndaj përbërjes së shumë ushqimeve.
Kjo ndodh kryesisht tek produkte të tilla, si: ushqimeve të skuqura, alkoolit, qumështit, çokollatave, lëngut të domates, kafesë, etj).
Faktorë të tjerë nxitës së sëmundjes së kolitit janë edhe hormonet që ndodhen në aparatin tretës, si dhe bakteret e ndryshme që pushtojnë aparatin tretës, duke vështirësuar funksionimin e tij. Në përgjithësi shkaktari kryesor i kolitit është edhe stresi emocional. Ky i fundit njihet si një ndër shkaktarët më të shpeshtë që çon në kalimin e fazave të rënduara të sëmundjes.
Si shfaqet koliti ulceroz
Koliti ulceroz është një sëmundje që shkakton inflamacion dhe plagë të quajtura ulcera, në mukozën e rektumit dhe zorrës. Ulcerat e krijuara nga dëmtimi i mukozës bëjnë hemorragji dhe prodhojnë mukus. Gjithashtu, një shenjë tjetër e inflamacionit të mukozës së zorrës është dhe diarreja. Në varësi të dëmtimit të shkaktuar në zorrë, përcaktohet edhe emërtimi i kolitit. Shpesh herë diagnostikimi i kësaj sëmundje shfaqet i vështirë për shkak të ngatërrimit të simptomave me sëmundje të tjera që janë të ngjashme. Por, janë testet mjekësore të cilat konfirmojnë se çfarë komplikaconi ka prekur në të vërtetë zorrën. Koliti ulçeroz mund të shfaqet në të gjitha grupmoshat, si dhe gjinitë. Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se rreth 20 për qind e rasteve, në të cilat është diagnostikuar prezenca e kolitit ka pasur trashëgimi familjare në tejçimin e sëmundjes.
Simptomat dalluese
Simptomat që shoqërojnë praninë e kolitit janë nga më të ndryshmet. Por, pavarësisht këtij fakti dhimbja e barkut është një ndër simptomat më karakteristike, pasi shfaqet tek 90 për qind e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Dhimbja lokalizohet në pjesë të barkut dhe ndryshon intensitet, duke kaluar nga format e lehta, deri tek ato më të rënduarat, në varësi të forcimit të shkaktarëve që shtojnë sëmundjen. Në këtë rast, ndikimet më të shpeshta vijnë nga ushqimet që ne konsumojmë, përbërja e të cilave e acaron edhe më shumë punën e aparatit tretës. Gjithashtu, edhe emocionet e forta të krijuara si rrjedhojë e stresit fizik dhe emocional, gazrat , kapsllëku, lodhja, janë simptoma që e orientojnë mjekun drejt pranisë së kolitit.
Simptomat mund të shfaqen të veçuara, ose të gërshetuara (periudha të gjata kapsllëku ndërpriten dhe pasohen nga diarreja, që mund të zgjasë edhe për shumë ditë). Karakteristikë është shfaqja e diarresë në orët e para të mëngjesit. Në shumë raste edhe fryrja e barkut, gurgullimat e zorrëve dhe jashtëqitja e shtuar e gazrave, rëndimi i stomakut, vështirësia në tretjen e ushqimeve, si dhe hemorragjia në jashtëqitje, janë të tjera simptoma të shpeshta të kolitit.
Këto çrregullime shoqërohen edhe me shenja të përgjithshme, si dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të rrahura të shpeshta të zemrës, këputje trupore, anoreksi, prishje të gjumit dhe humorit. Një tjetër tregues është edhe rënia në peshë, lodhja e vazhdueshme, anemia si rrjedhojë e humbjes së shumë elementëve të nevojshëm nga jashtëqitja, të cilat shfaqen në rastin kur koliti është i llojit ulceroz.
Koliti ulcerativ, gjithashtu mund të shkaktojë probleme të tjera, si: artritis, inflamacion të syve, sëmundje të mëlçisë dhe osteoporozë. Shkencëtaret mendojnë se këto komplikacione ndodhin si rrjedhojë e inflamacionit të shkaktuar nga sistemi imunitar. Disa prej problemeve zhduken kur koliti mjekohet sipas terapisë së përcaktuar nga mjeku specialist.
Si mund të diagnostikohet herët sëmundja?
Për të përcaktuar praninë e sëmundjes së kolitit, pacientëve u duhet të kryejnë një sërë testesh dhe analizash mjekësore, me anë të cilave mjekët konfirmojnë edhe trajtimin që duhet të ndiqet për të kuruar kolitin. Ndër ekzaminimet më të shpeshta që kërkohen për konfirmimin e sëmundjes janë analizat e gjakut komplet, ekzaminimi i feçeve (urinës) për parazitë të ndryshëm. Verifikimi i elementëve të testuar përmes këtyre dy analizave tregon se në çfarë niveli është e pranishme sëmundja e kolitit. Më tej ekzaminime të tjera janë edhe sigmoidoskopia dhe kolonoskopia, kryeja të cilave kontribuon në vendosjen e një diagnoze të saktë trajtuese. Këto ekzaminime tregojnë se nëse mukoza e zorrës është normale dhe e pashoqëruar nga komplikacionet ulceroze, hemorragjia apo masa tumorale. Shpesh herë kryerja e këtij ekzaminimi has vështirësi të shumta për shkak të dhimbjeve që shkakton. Kjo pasi futja e aparatit në zorrë shkakton spazma, kontraktime të zorrës, e si pasojë dhimbje të forta të padurueshme për pacientin. Megjithatë, në rastet kur është i domosdoshëm duhet bërë. Bluzat e bardha thonë se një tjetër ekzaminim që ndihmon në zbulimin e kësaj sëmundje është edhe ekzaminimi radiologjik i zorrës. Përmes këtij ekzaminimi vihet në dukje i gjithë aparati i zorrës dhe ndërlikimet që e shoqërojnë në gjithë gjatësinë e saj.
Faktorët emocionalë dhe dietat
Në përcaktimin e një diagnoze të saktë duhen mbajtur parasysh edhe disa të dhëna shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me kohën e shfaqjes së shenjave të dukshme, rastet në të cilat mendohet se faktorët emocionalë mund të kenë qenë shkak për shfaqen e sëmundjes, si dhe ndryshimet në dietën ushqimore që mund të jenë bërë që nga koha e shfaqjes së simptomave. Dietat e rrepta, për të humbur peshë, si dhe ngrënia e tepërt janë ndër faktorët që shpesh herë ndihmojnë në shfaqjen dhe rishfaqjen e kolitit. Në përgjithësi trajtimi kolitit ndalet në dy tregues që kanë të bëjnë me trajtimin higjieno-dietetik të pacientit, si dhe kurimin përmes medikamenteve. Por, në çdo rast është mjeku ai që kombinon formën e trajtimit, në varësi të ecurisë së sëmundjes së evidentuar tek pacienti përmes testeve të kryera.
Trajtimi i sëmundjes
Në pjesën dërrmuese të rasteve kurimi i shqetësimeve të shkaktuara nga koliti varet nga ashpërsia dhe stadi në të cilin mund të ketë mbërritur sëmundja. Një ndër parimet që udhëheq mjekun në vendosjen e diagnozës, ka të bëjë me faktin se çdo pacient ka shfaqje të ndryshme të sëmundjes, kështu që dhe mjekimi është individual. Ndaj duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mos zbatoni këshillat e marra nga persona të tjerë që e kanë kaluar sëmundjen, në rast se më parë nuk jeni konsultuar me mjekun dhe të keni kryer testet përkatëse.
Gjithashtu, në asnjë rast nuk duhet të neglizhoni dhimbjet e barkut, apo të ndaloni pranë farmacive për të marrë qetësues momentalë, pasi në këtë formë vetëm sa e rëndoni edhe më shumë gjendjen, ndryshe nga sa mendoni se mund ta keni qetësuar.
Shumë pacientë kanë periudha qetësimi, të cilat mund të zgjasin disa muaj dhe vite, megjithatë kujdesi ndaj kësaj sëmundje duhet të jetë maksimal, pasi rrezikon në çdo rast ripërsëritjen apo rikthimin e simptomave. Sa i takon terapisë medikamnetoze në përgjithësi ajo përfshin preparate qetësuese të sistemit nervor, anksiolitikët dhe antidepresivët nëse është e nevojshme.
Duhet theksuar se nevojitet një jetë aktive dhe e qetë, shëtitjet dhe ushtrimet relaksuese ndikojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes. Për rastet kur sëmundja shoqërohet me diarre, përveç heqjes nga dieta të ushqimeve që e provokojnë atë, siç mund të jenë qumështi, domatja, të fërguarat, çokollatat, etj, rol të rëndësishëm luan edhe përdorimi i preparateve antidiaretike të lëshuara nga mjeku përmes rekomandimit përkatës. Për rastet në të cilat sëmundja shoqërohet me dhimbje abdominale përdoren preparatet antispastike dhe prokimetike.
Rastet kur nevojitet shtrimi në spital
Për rastet kur sëmundja ka kohë që ka filluar, si dhe nuk ka marrë trajtimin përkatës, kërkohet shtrimi në spital i pacientit. Në disa raste simptomat janë aq të ashpra, sa që pacienti ka nevojë për shtrim të menjëhershëm. Shtrimet kërkohen në rastet kur koliti ulceroz është ashpërsuar, çka shoqërohet me hemorragji dhe diarre të ashpër, ku si rrjedhojë e të cilave organizmi vihet përballë situatave të vështira, të cilat shkaktojnë dehidrim (humbje të lëngjeve dhe elektroliteve). Për të tilla raste gjëja e parë që bën mjeku është të menduarit mbi formën se si duhet të ndalojë diarrenë dhe humbjen e lëngjeve dhe lëndëve të tjera minerale nga organizmi. Gjithashtu, të sëmurit mund t’i nevojitet një dietë e veçantë, ushqim dhe mjekim venoz dhe në disa raste lind nevoja e kirurgjisë.
Trajtimi përmes kirurgjisë
Në raste të caktuara kur këshillat dietetike dhe medikamentet nuk japin rezultatet e duhura nevojitet edhe trajtimi përmes kirurgjisë. Sipas autoriteteve shëndetësore rreth 25-45 për qind e rasteve me kolit ulceroz e kanë të detyruar të heqin një pjesë të zorrës së tyre ose komplet për shkak të hemorragjisë së ashpër, çka ndihmon në parandalimin e riskut për kalimin e sëmundjes në formë kanceroze. Doktori mund të rekomandoj heqjen e zorrës kur trajtimi medikamentoz dështon ose kur efektet negative të mjekimit me kortikosteroid mund të vënë në rrezik jetën e pacientit.
Ushqimi, çfarë duhet të dinë pacientët me kolit
- Dieta dhe përzgjedhja e ushqimeve që duhet t’i servirim çdo ditë organizmit tonë luan një rol vendimtar në përmirësimin e simptomave të kolitit, si dhe problemeve të tjera që dëmtojnë zorrën.
- Duhet të hiqet dorë nga ideja nga kufizimet e pajustifikuara të ushqimeve të ndryshme. Kështu, pacientët duhet të rendin drejt ushqimeve të lehta dhe që nuk formojnë shumë celulozë, të cilat nuk e lodhin organizimin gjatë tretjes së tyre.
- Pacienti duhet t’i nënshtrohet një diete rigoroze, jo shumë të rreptë e të kufizuar, por e tillë që t’i japë atij të gjitha lëndët ushqyese, vitaminat dhe kripërat e nevojshme. Kështu dieta e përditshme duhet të mbizotërohet kryesisht nga ushqime të lëngshme, supëra me zarzavate.
- Duhet të eliminohen ushqime që ndikojnë në shtimin e gazrave në zorrë siç janë përdorimi i tepruar i lëngjeve të gazuara, lakrave, mollëve, kumbullave, bizeleve, fasuleve dhe qumështi.
- Ushqimet e thata janë kategorikisht të ndaluara. Ushqimi për çdo vakt duhet të jetë në sasi të paktë që të tretet lehtë e të mos shtyhet në zorrën e trashë pas tretjes së çdo vakti, pasi e dëmton atë. Ushqimet duhet të jenë të ziera ose të pjekura mirë, dhe sidomos të përtypen sa më mirë. Hani ngadalë dhe përtypini mirë ushqimet. Evitoni ushqimet e skuqura dhe me yndyrë.
- Hani 3 vakte të lehta dhe midis vakteve te hani përsëri lehtë. Kjo është e rëndësishme për të mënjanuar periudhat e urisë dhe mbingarkesën në ushqim të cilat janë që të dyja të dëmshme për stomakun.
- Relaksohuni në kohën e ngrënies. Hani darkë të paktën 3 orë përpara gjumit. Ngrëniet afër kohës së gjumit shkaktojnë sekretim të acidit gastrik gjatë natës e për pasojë shfaqje të kolitit dhe ulcerës.
- Ndërprisni pijet që përmbajnë kafeinë (çaj, kafe, kola); madje dhe kafeja dekafeinato, pasi shkaktojnë rritje te prodhimit të acidit gastrik, që mund të rëndojë dhimbjen në një ulcer ekzistuese dhe të shfaqin kolit. Në qoftë se këto pije tolerohen mirë nga i sëmuri, atëherë mund të merren ne sasi të moderuara dhe afër vaktit ushqimor.
- Alkooli dhe nikotina rrisin acidin gastrik, pasi është parë se koliti ulceroz është më i shpeshtë tek pacientë. Duhani ul mundësinë për shërimin e ulcerës dhe kontribuon në rishfaqjen e ulcerës.
Shenjat më të shpeshta të kolitit
- Dhimbje barku dhe diarre me përmbajtje hemorragjike.
- Dhimbja mund të fillojë nga format më të lehta deri tek ato më të rënduarat .
- Anemia si rrjedhojë e daljeve të shpeshta me gjak.
- Humbja në peshë (si rrjedhojë e daljeve të shpeshta).
- Lodhje e vazhdueshme si rezultat i pranisë së anemisë.
- Probleme me oreksin dhe dëshirën për të ngrënë.
- Dobësi trupore si rrjedhojë e humbjes së lëngjeve dhe mikroelementeve.
- Dhimbje të kyçeve, probleme me lëkurën.
- Gazra në aparatin tretës dhe kapsllëk.
- Dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të rrahura të shpeshta të zemrës.
- Prishje të gjumit dhe humorit etj.
p.k\dita