Një javë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor sistemoi në karriket e magjistratëve anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, organit të krijuar si pjesë e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut. Për vite me radhë, KPA kishte kompetencën e shkallës së fundit, me funksione të ngjashme me ato të Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur se cilët gjyqtarë dhe prokurorë meritonin të vazhdonin profesionin dhe cilët duhej të largoheshin.
Me pak fjalë, njerëzit që kishin në dorë fatin profesional, karrierën dhe jetën e kolegëve të tyre, sot janë sistemuar vetë si magjistratë dhe do të punojnë krah për krah me ata mbi të cilët dikur jepnin verdikte të pakthyeshme.
Në këtë mënyrë, Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Ina Rama dhe anëtarë të tjerë të KPA-së, që për vite vendosën mbi karrierat e të tjerëve, tashmë janë bërë pjesë e sistemit që supozohej vetëm ta pastronin. Ironia është se ata vetë nuk iu nënshtruan procesit të vetingut dhe nuk kaluan filtrat që kaluan kolegët e tyre, me të cilët do të ndajnë zyrat dhe statusin e magjistratit.
Dhe pikërisht në ditën kur këta emra u sistemuan në sistem, Strasburgu duket se ka nisur të rrëzojë njëra pas tjetrës vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Arsyetimet e vendimeve të fundit sinjalizojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Thelbi i motivimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhet me moszbatimin e ligjit nga KPA dhe me faktin se subjektet janë vlerësuar kryesisht për kriterin e pasurisë. Kjo lë të kuptohet se mund të kemi përballë një valë rrëzimesh, pasi thelbi i arsyetimit të Strasburgut është se vlerësimi nuk është bërë mbi të tre kriteret e përcaktuara nga ligji.
Anëtarët e KPA-së pothuajse asnjëherë dhe pothuajse për asnjë magjistrat nuk kanë bërë një vlerësim të plotë të kriterit profesional, ndërsa në shumicën e rasteve nuk kanë vlerësuar as kriterin e pastërtisë së figurës. Nuk ka nevojë të hyhet në analizën e rasteve kur vettingun e kalonin subjekte që nuk plotësonin asnjërin prej kritereve.
Tashmë mbetet e shkruar në vendimet e Strasburgut se KPA, pra këta magjistratë të saposistemuar në sistem, ose nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të zbatojnë ligjin, duke vlerësuar për çdo subjekt të tre kriteret që parashikonte reforma.
Dhe tani, Strasburgu po kthen mbrapsht vendimmarrjet e tyre. Çdo vendim që rrëzohet vjen me një faturë. Një faturë që nuk do ta paguajnë ata që kanë firmosur vendimet, as ata që sot janë rehatuar në sistem me statusin e magjistratit. Faturën do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre.
Edhe ata që kanë merakun e flamingove, meqë ra fjala.
Nga kjo faturë shpëtojnë emigrantët që erdhën, protestuan dhe u larguan. Po aq lehtë duket se do t’i shpëtojë debatit edhe një prej anëtareve të KPA-së, Rezarta Gaba-Schuetz. Edhe ajo erdhi nga jashtë për të “pastruar” sistemin, gëzoi pagat shumëmilionëshe të reformës dhe u kthye sërish jashtë për ta shijuar Shqipërinë nga larg.
Ndërsa shqiptarëve që mbetën këtu u takon të paguajnë faturën. Sepse në Shqipëri, përgjegjësia duket se ka mbetur pa autor. Ata që gabojnë sistemohen në poste të reja, ndërsa ata që paguajnë janë gjithmonë të njëjtët: taksapaguesit. Reforma që premtoi përgjegjësi individuale rrezikon të lërë pas vetëm një përgjegjësi kolektive: faturën. / Vna

Verifikimi i pasurise për evazion fiskal me pasoje sekuestrimin.
Prej 100 vjetësh quhet “Ligji Al Capone”. Leri pa para dhe humbasin te gjithe pushtetin.
Te tjerat jane gudulisje.
Dhelpren, qe i hante pulat, fshatari e kapi, e futi ne thes dhe e rrahu paq, deri sa u shtri e ngordhur. Por nuk qe e thene ta groposte se, duke i bere gropen, shikon qe befas dhelpra del nga thesi dhe iken. I merzitur i therriti nga mbas: “Nuk te zhduka dot, por nje dru te mire ta dheshe” Thuhet se mbas asaj dite dhelpra nuk u duk me. Ndoshta eshte e vertete.
Keta jane qe mbrojne dhe terrorizim real sot direkt kur djeshmangen denimin e terroristeve.
Faturat ti paguajn gjykatesit qe dhane vendime ne kundershtim me ligjin, taksapaguesit s’morrin detyrim ligjor per nje vendim gjygjsor qe e kane dhene ata qe pagueshin sa 60, apo 70 rroga pensionistesh apo dhe me shume.
Mjaft me cdemtime nga arka e taksapaguesve, gjykatesit pergjegjes t’paguajne faturat e vena prej Gjykates Europiane te te Drejtave te Njeriut ne Strasbourg. Se fundi, gjykatesit qe abuzuan me pushtetin, t’paguajne faturat qe vijne nga Strasbourg-u. Ky eshte Shteti i se Drejtes dhe jo riciklimi ne gjygjsor me nje barre shkeljesh mbi supe.