Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të BE për ngjarjet në Kosovë, por edhe për qëndrimin e Shqipërisë që nuk u linjëzua me atë të ndërkombëtarëve.
“Për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të BE. Ky fakt ka shkaktuar një për shtjellim të kuptueshëm kur ia kemi përcjell Brukselit si një qëndrim të Shqipërisë, por as nuk jemi përpjekur qysh pardje paradite, përpara moslinjëzimit, që deklarata të reflektonte ngjarjet e ditëve të fundit, vrasjen e policit në Kosovë dhe shpalljen e zisë kombëtare në Beograd. Miqtë në Bruksel na shpjeguan se nuk ishte e munduar diçka e tillë, pasi deklarata ishte konfirmim i qëndrimit publik të datës 20 shtator nga Borell pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Thamë se nuk kemi rezervë për deklaratën lidhur me kritikat ndaj Kosovës që sipas nesh qëndrojnë plotësisht.Ne jemi përgjigjur se nuk kemi asnjë qëndrim tjetër për deklaratën. Kosova duhet t’i reflektojë në pozicionin e saj për normalizimin e situatës. Publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht, apo të paktën të pasohej pa humbur kohë nga një deklaratë e dytë. Qëndrimi i ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli, por ne jemi të keqardhur, por qëndrimi ynë nuk ndryshon.
Nuk ka të bëjë me deklaratën e djeshme. Ne jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim, për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë. Por ky qëndrim ka të bëjë me çbalancimin total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike kur situata mund të përkeqësohet, nga ora në orë apo dita në ditë. Nuk kam dalë sot për të shpjeguar dhe një herë moslinjëzimin e deklaratës së BE, por kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz si asnjëherë më parë në këto 10 vite për rrezikshmërinë e lartë në veriun e Kosovës”, tha ai.
Rama shtroi pyetjen se çfarë hetimi pret Bashkimi Evropian, kur Serbia shpalli ditë zie për terroristët që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit.
“Kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz, si asnjëherë më parë në këto 10 vjet, për rrezikshmërinë e sigurisë në Kosovë. E dëgjuam zëdhënësin e Brukselit, se nuk mund të ketë deklaratë të dytë pa pritur hetimet. Do ishim dakord nëse Serbia do ishte distancuar nga grupi kriminal dhe do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur. Por fatkeqësisht, Republika e Serbisë zgjodhi nderimin duke shpallur 1 ditë zie kombëtare. Çfarë hetimi prej BE? Nga kush? Nga organet e drejtësisë në Kosovë? Sigurisht do ishim dakord, por nuk e dëgjuam ta thonte këtë zëdhënësi Brukselit. A mos po heton vetë BE në mënyrë të njëanshme dhe të pavarur? Por as këtë nuk e dëgjuam nga zëdhënësi.
Sikur ta dëgjonim këtë, do lehtësoheshim në këtë drejtim. Çdo hetim i mundshëm dhe i imagjinueshëm, nuk i ndryshon këto fakte të thjeshta, për t;u klasifikuar si fakte në kundërshtim ekstrem, dhe për t’u dënuar si të tilla nga BE ku jemi shpirtërisht dhe duam të jemi zyrtarisht”, theksoi ai.
“Udhëheqja e Kosovës mund të ketë të gjitha kusuret e veta në procesin e dialogut, për të cilat qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë me BE dhe SHBA dhe nuk ndryshon as sot, po asnjë nga ato kusure nuk e relativizon dot peshën e zhvillimeve të rënda. Që nuk krahason me asgjë të keqen të ndodhur mes Kosovës e Serbisë që nga 1999
Jemi para derdhjes së gjakut të pafajshëm, është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës, që nuk vrau veten se pa disa civilë serbë me cifte, por u vra nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë, për të cilët Beogradi shpalli tre ditë zie. Ky është një karshillëk sa illegal nga ana e grupit kriminal, aq edhe institucional nga ana e shtetit serb që kërkon dënim me zë të lartë dhe gjuhë të qartë. Nuk ka nevojë për hetim. Republika e Kosovës meriton të dëgjojë BE, jo për të shtatat e as të 40 e vdekjes, po sepse këtë e meriton dhe e pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtuar nga degradimet e hajvanllëkut politik në konfliktet vrastare etinike që kjo histori na ka mësuar se mund të përshkallëzohen në përplasje të armatosur etnike. E kam paraljamëruar prej kohësh, mundësinë e shtjellimit të këtij skenari tragjik e fatkeq, jo se jam më i mencur se të tjerët, as se kam dhunti të lexoj të ardhmen, po thjesht se nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë Botës, dhe aq I mbyllur brenda qerthullit të së shkuarës, sac janë udhëheqësit e sotëm të Kosovës apo Serbisë.
Ndërkohë që të tjeët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë, me thonjtë e krizave në veriun e Kosovës, thjesht i neveris. Të jeni të gjithë bindur që asgjë nga këto dhe askush nga këta as nuk ma ndryshojnë vizionin as nuk ma lëkundin bindjen dhe as më lëvizin nga pozicioni në istikamin e paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe shpëtimit nga e shkuara që e persekuton këtë rajon prej shekujsh. Mund të vazhdojnë sa të duan, sepse detyra ime është të bëj cmos për paqen dhe bashkëpunimin në rajon dhe njohjen e Kosovës si fryt i paqes”, vijoi Rama.
j.l./ dita
