Sikundër ndodh me mjekët dhe infermierët, edhe procedurat e punësimit të psikologëve dhe punonjësve socialë pranë qendrave shëndetësore publike do të zhvillohen nëpërmjet portalit online “Mjekë për Shqipërinë”. Edhe për këtë kategori punonjësish përzgjedhja për vendet e lira të punës pranë këtyre strukturave shëndetësore do të zhvillohet nëpërmjet dy fazave të konkurrimit që do t’i nënshtrohet secili kandidat, që janë: së pari aplikimi në portalin online duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të duhura brenda afateve të përcaktuara, si dhe faza e dytë që do të jetë intervista pranë komisionit të ekspertëve të fushës.
Dikasteri i Shëndetësisë ka shpallur tashmë afatet dhe procedurat se si do të bëhet aplkimi për punësimin e psikologëve dhe punonjësve socialë në qendrat shëndetësore të katër njësive të mëdha të kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit, teksa ka detajuar po ashtu edhe skemën e vlerësimit dhe shpalljes së fituesve që do të punësohen pranë këtyre qendrave.
Kushtet dhe afatet e aplikimit online
Data 25 tetor është përcaktuar edhe si afati final i lënë në dispozicion të çdo kandidati për të bërë aplikimin online në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, ku fillimisht duhet që të plotësoni formularin përkatës, si dhe të ngarkoni dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Kështu, çdo i interesuar për këtë profil punësimi duhet që të hyjë në portalin online në adresën ëëë.mjeke.shendetesia.gov.al/, dhe të bëjë aplikimin në ndërfaqen që shkruan “Psikologë”. Për të qenë një aplikim i rregullt, pas plotësimit të formularit online, duhet që një kopje të dokumenteve ta dërgoni më pas edhe me anë të Postës pranë strukturës ku kërkoni që të punësoheni.
“Afati i aplikimit është deri me datën 25 tetor 2022. Aplikimi kryhet në platformën online “Mjekë për Shqipërinë”, në ndërfaqen “Psikologë” si dhe një kopje e dokumentacionit dërgohet pranë Drejtorisë Rajonale përkatëse me postë, ose dorazi”, sqarojnë autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë. Dosjen e plotë të dokumenteve që duhet t’i bashkëngjisni aplikimit tuaj e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Për secilën njësi vendore të kujdesit shëndetësor do të gjeni edhe vendet e lira të punës në këtë profil.
Për të garuar për këto vende pune, çdo aplikues duhet që të ketë minimalisht diplomë universitare të nivelit ”Bachelor” në degën Psikologji. Ndërkohë që për diplomat të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur dhe njehsuar, sipas legjislacionit në fuqi nga strukturat përkatëse.
Vlerësimi i kandidatëve
Sipas skemës së përcaktuar të vlerësimit të gjithë kandidatët do të vlerësohen për diplomën, përvojën në shëndetësi, gjuhën e huaj, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën dhe për intervistën me gojë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht: ku deri në 30 pikë do të sigurohen nga vlerësimi i dosjes, si dhe deri në 20 pikë vlerësimi i intervistës me gojë. Komisioni i Vlerësimit, brenda tre ditë pune pas përfundimit të afatit të pranimit të aplikimeve, vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe i njofton ata nëpërmjet adresës së email, për pikët që kanë marrë nga vlerësimi i dosjes si dhe për datën dhe vendin e intervistës.
Intervista me gojë do të fokusohet mbi njohuritë mbi ligjin nr.10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor”, Vendim nr.405, datë 20.5.2020 “Për miratimin e strategjisë së zhvillimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri 2020-2025”, Kodin e Etikës në administratën publikesi dhe pyetje lidhur me sjelljen dhe situata hipotetike.
Shpallja e fituesve
Në përfundim, Komisioni i Vlerësimit harton listën me pikët totale për çdo kandidat dhe i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre të emailit. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit për rezultatin brenda dy ditëve nga dita e njoftimit të tyre. Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe e dërgon atë pranë drejtorisë përkatëse të Operatorit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, e cila bën publikimin në portalin “Mjekë për Shqipërinë” në ndërfaqen “Psikologë”. Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas njësisë vendore të kujdesit shëndetësor është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në Qendrat Shëndetësore të njësisë përkatëse.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
- Kandidatët e interesuar, regjistrohen në ndërfaqen“Psikologë” në portalin “Mjek për Shqipërinë” dhe ngarkojnë në portal dokumentet si më poshtë.
- Jetëshkrimin e kandidatit (CV) (i detyrueshëm).
- Fotokopje e kartës së identitetit (e detyrueshme).
- Diplomën universitare dhe listën e notave.
- Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit; diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (e detyrueshme).
- Librezën e punës.
- Diplomën e nivelit Master.
- Lejen e ushtrimit të profesionit.
- Dëshmi të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor).
- Dëshmi të njohjes së gjuhëve të huaja.
- Certifikatat e pjesëmarrjes në aktivitetet e edukimit në vazhdim të ndjekura brenda dhe jashtë vendit.
- Një kopje e dokumenteve dërgohet pranë DROSHKSH apo Spitaleve Universitare me postë ose dorazi me protokoll.
