Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Leonik Tomeo, një meteor shqiptar në Rilindjen europiane
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Leonik Tomeo, një meteor shqiptar në Rilindjen europiane
Kulture

Leonik Tomeo, një meteor shqiptar në Rilindjen europiane

Published: December 11, 2023
Shpërndaje

Dr. Afërdita STEFANI    

 

Në vitin 1992, qeveria e atëhershme, e pagëzuar me emrin “Meksi”, mbyllte në mënyrë arbitrare Fakultetin e Filozofisë dhe të Sociologjisë . Ky hap ndërmerrej në prag të vitit të ri shkollor. Po cili ishte shkaku apo më saktë preteksti ? Thuhej se gjithçka bëhej për hir të “ reformave” që lipseshin të bëheshin në atë fakultet , sa ” rebel ” aq dhe ” i  indoktrinuar” , sipas përcaktimeve të artikuluara nga krerë të ndryshëm demokratikas . Pa ç’ka se pedagogët e këtij fakulteti , të përgatitur prej vitesh dhe  me kulturë të gjithanshme , kishin kohë që po realizonin hap pas hapi reformën e vërtetë të institucionit të tyre . Pa harruar se nga gjiri i këtij fakulteti kishin dalë tashmë e po spikasnin shumë politikanë që ishin vënë në shërbim të proceseve demokratizuese të vendit , si nga krahu i majtë , ashtu dhe ai i djathtë . Deviza që udhëhiqte profesoratin e atij fakulteti përmblidhej në shprehjen e njohur të Ovidit: “Tempora mutantur, et nos mutamus in illis. ”- “Kohët ndryshojnë, bashkë me to ndryshojmë edhe vetë ne ”. Kjo ide qendrore përshkonte dhe deklaratën e protestës që i dërgoi qeverisë në atë kohë , në 15.09.1992 , Shoqata e Filozofisë së Shqipёrisë . Në të vërtetë, e gjithë kjo sipërmarrje “demokratike” , ndër më injorantet dhe më absurdet në rrafshin pedagogjiko-shkencor , kishte një domethënie kryekëput politike . Duheshin spastruar nga fakulteti të gjithë pedagogët me pikëpamje e bindje të majta , që përbënin pjesën dërrmuese të stafit të tij. Nismave të tilla miope dhe hakmarrëse s’vonoi që t’u jepej dhe mbështetja formalo-ligjore. Doli famëkeqi nen 24/1, që u shtri dhe u zbatua ndaj të gjithë atyre kuadrove e intelektualëve , që karakterizoheshin nga pikëpamje dhe bindje të kundërta me ato të Partisë Demokratike , që kishte marrë frenat e qeverisjes së vendit.

- Publicitet -

Në këtë kryqëzatë kishte diçka që s’duhet lënë aspak në harresë. Frymëzues dhe realizues i nismave të kësaj natyre ishte vetë presidenti i atëhershëm Sali Berisha , njëherazi dhe kryetar i PD-së. Një ndër  kuadrot e dikurshëm komunistë dhe më fanatike të Fakultetit të Mjekësisë , që ishte konvertuar në një qënie , që zor se mund t’ia vije epitetin “demokratike”. Ky politikan karakterizohej nga një natyrë e paempancipuar politike, prej nga shpërthente haptazi një frymë e tejskajshme inatçore dhe hakmarrëse. Si ndaj atyre pedagogëve, që kishin guximin ta kritikonin me fakte dhe argumente nëpër organet e ndryshme të medias, ashtu dhe ndaj gjithë fakultetit, që  ishte bërë  shumë shpesh humorprishës për të. “Ndonëse termat  “liri”, “pluralizëm” e “demokraci” ishin ndër më të përdorurat në fjalorin e tij politik, ato mbeteshin thjesht slogane, që s’arrinin të bëheshin pjesë e pandarë e vetëdijes dhe e botëkuptimit të tij. Si përfundim, duhet vënë në dukje se Fakulteti i Filozofisë dhe i Sociologjisë, pasi u përfshi në orbitën e rrufeve berishiane , do të  kuadratohej në objektivat e strategjisë asgjësuese të “nivelit zero”. Pra , do të shpërndahej e do të shkatërrohej  me një të rënë të lapsit. S’do të vononte dhe përmes hosanave e barabave, do të sajohej një fakultet i “ri” . Në të do të strehoheshin e do të vegjetonin qenie, kryesisht,  “demokratike” . Fobia ndaj filozofisë dhe misionit të saj emancipues prej krerëve ” demokratikas ” , do të shpinte në një rezultat tepër vajtues e të mjerueshëm : Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë , që privohej nga një fakultet i mirëfilltë filozofie ! Këtej e tutje , Shqipëria duhej të mjaftohej vetëm me një departament liliput të filozofisë , që duhej të ishte një apendiks i Fakultetit të Shkencave Sociale e Psikologjike.

Në ato rrethana , tejet të vështira , kur qeveria me shpirt nihilist dhe frymë “demokratike” , na hidhte si pa të keq në mes të katër udhëve , të tjera mesazhe na ofroheshin prej Evropës së kulturuar . Ajo, pa asnjë paragjykim , s’nguronte të na jepte ndihmë dhe përkrahje në drejtime nga më të ndryshmet . Na ftonte në mbledhje e konferenca , ku na dëgjonte , na vlerësonte dhe , në të njëjtën kohë , na inkurajonte . Mjafton të përmendet Konferenca Ndërkombëtare Ballkanike e Filozofisë , që u zhvillua në Delfi të Greqisë , në  5-8 qershor të vitit 1992 . Pasi ishte njohur e ballafaquar me kumtesat e kolegëve të saj shqiptarë , kryetarja e  kësaj veprimtarie , profesoresha e njohur greke Myrto Dragona-Monahu , do të rezervonte , midis të tjerash , jo thjesht për kortezi edhe këto fjalë për delegacionin tonë . “Habitemi që ju vini nga shkolla shqiptare” . Më pas , ndihma do të përvijonte dhe me hapjen e nje kursi special të kualifikimit , posaçërisht për ne shqiptarët të frontit të filozofisë . I tillë ishte kursi i ngritur pranë Universitetit të Athinës  në 1993 , dhe për të cilin i ishim mirënjohës ndihmës bujare ,  ofruar nga autoritetet shtetërore kulturore greke si dhe ndihmesës sё jashtzakonshme , dhënë nga profesori  i filozofisë Kostandin Budurisi . Por për të zgjeruar dhe thelluar përgatitjen e profesoratit tonë , në fusha të caktuara të filozofisë dhe të sociologjisë , do të na ofroheshin  bursat e para nga organizmat nderkombëtare evropiane . Me këtë rast , do të desha të falenderoj Komisionin e Komunitetit Evropian të Shkences dhe të Teknologjisë për Vendet e Evropës Qendrore e Lindore , me seli në Bruksel. Bursa e akorduar prej tij , për studime e kërkime në Itali , më krijoi mundёsinë që të realizoja disa pikësynime : specializim , kualifikim shkencor e pedagogjik pёr Historinë e Filozofisë së Mesjetës dhe të Rilindjes Evropiane . Krahas tyre , kisha dhe objektivin për të bërë qëmtime e hulumtime për disa filozofë humanistë me origjinë shqiptare . Midis tyre , një vemëndje të posaçme do t’i kushtoja jetës dhe krijimtarisë së Niccolo Leonico TOMEO -s apo nё shqip Nikollё Leonik TOMEUT-s (1556-1531) . Vepra e tij u bënte nder si  shqiptarëve , me të cilët e lidhnin rrënjët atërore , arbërore , ashtu dhe italianëve , midis të cilive kishte jetuar dhe realizuar një veprimtari krijuese shkencore e pedagogjike . Kështu do të niste dhe rrugëtimi im për të qëmtuar rreth jetës dhe krijimtarisë së një personaliteti të shquar shqiptar , vepra e të cilit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në mbarë kulturën evropiane .

***

Është mëse e natyrshme dhe e përligjur për çdo popull që të konfirmojë dhe të bëjë sa më të njohur identitetin e tij. Proceset e shumta integruese që vërehen sot në botë kërkojnë gjithsesi që çdo vend dhe çdo popull të jetë medoemos i pajisur dhe me pasaportën e vet të identitetit . Por kjo e fundit, në dallim nga pasaporta e zakonshme e çdo shtetasi, ka një status tepër të veçantë . Në aspektin sasior, ajo përbёhet prej qindra e mijëra fletësh, kurse në aspektin e përmbajtjes shpalos një larmi të dhënash , që nxjerrin në pah vlera e thesare unikale, të kultivuara, të grumbulluara e të transmetuara deri në ditët tona , përmes ballafaqimesh, luftërash e përpjekjesh të panumërta. Dëshmohen e provohen rrënjët  historike të një populli, aftësia, talenti dhe gjenia krijuese e tij , të konkretizuara shpesh në krijimtarinë e individëve të veçantë, që ndryshe quhen personalitete. Krijimtaria e tyre, pasi kapërcen sinoret e atij vendi dhe populli prej nga ata kanë  dalë, bëhet pjesë përbërese dhe e pandarë e qytetërimit botëror . Në morinë e fletëve  të kësaj pasaporte përballesh dhe me  një figure që e ngre dhe e lartëson emrin e shqiptarit.

Fjala eshtë për Leonik TOMEON. Ai ishte një meteor, qё ndriti e shkёlqeu ne qiellin plot yje e kostelacione të  Rilindjes Evropiane. Ishte dhe mbeti një urë lidhëse, afrimi e bashkëpunimi  midis popujve të të dy brigjeve të Adriatikut – shqiptarëve dhe italianëve. Këta të fundit , duke çmuar e vlerësuar marrëdhëniet e ndërsjella historike me fqinjën e tyre të përtej  detit, s’kanë munguar që  në momente e rrethana të vështira, t’u gjenden pranë , duke hapur dyert për gjithë ata shqiptarë, që do të trokisnin në trojet e tyre për shkaqe e motive nga më të ndryshmet. Italia është bërë, në këtë mёnyrё, një strehë ku jo vetëm është realizuar jetesa apo mbijetesa e shqiptarit, por dhe një vend ku është lartësuar e nderuar vepra dhe emri i tij. Si provë bindëse e kësaj mund të sillet vetë jeta , krijimtaria e trashëgimia e Leonik Tomeos, familjen e të cilit barka e fatit e kishte detyruar që të lëshonte spirancën në Republikën , që mbante emrin e qytetit të njohur të Venedikut . Ishin një varg faktorësh dhe rrethanash që ma shtuan interesin për ta qëmtuar e studiuar shumë më gjerë e më thellë figurën sa poliedrike , aq dhe simpatike të Tomeut.

Para së gjithash, befasia e këndshme dhe krenaria e ligjshme që zgjohen dhe i shtojnë përmasat tek cilido , sa herë që ndeshet me personazhe të tillë , që nderojnë dhe afirmojnë emrin e popullit prej nga kanë dalë ose prej nga  ata e kanë origjinën . Së dyti , për shtimin e interesit,  do të ndikonin dhe disa rrethana të veprimtarisë sime pedagogjike e studimore në mjediset universitare . Nga fundi i viteve 80-të të shekullit XX, që lamë pas , jo vetëm në Fakultetin e Filozofisë,  por dhe në fakultete të tjerë të Universitetit të Tiranës, nisi t’i kushtohej një vëmendje më e madhe njohjes së studentëve me traditat apo trashëgiminë tonë kulturore-filozofike . Kjo u pasqyrua dhe në zgjerimin e hapësirës së trajtimit të tyre në kuadrin e disiplinës mësimore të Historisë së Filozofisë. Si pikëmbështetje , për trajtimin e këtyre problemeve, fillimisht shërbyen një sërë hulumtimesh e punimesh shkencore , të kryera me kompetencë nga një varg studiuesish shqiptarë . Midis tyre mund të përmendën vepra të tilla si “Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare” e prof. Zija Xholit , monografia mbi jetën dhe veprën e Jani Vretos e prof. Alfred Uçit , vepra “Porosia e Madhe” e akademik Rexhep Qoses. Përsa i takon jetës dhe veprimtarisë së N.L.Tomeos e sidomos asaj që bënte fjalë për pozitat dhe pikëpamjet humanisto-filozofike të këtij të fundit ,  literatura që hasej n’atë kohë në Shqipëri ishte gjithsesi mjaft e pakët. Ajo ç’ka mund të përmendej e të mirrej në konsideratë ishte një libër me autor Mikel Prendushin ku, krahas disa personaliteteve që ishin marrë në analizë , bëhej fjalë dhe për N.L.Tomeon . Mund t’i shtohet kësaj literature ndonjë artikull i shkruar nga prof. Dhimitër Shuteriqi , që kishte gjetur pasqyrimin  e vet dhe në ” Historinë e letërsisë shqiptare”.

Figurën e N.L.Tomeos e ndeshje të skicuar me penelata e konsiderata ,  kryesisht letraro-artistike, në një libërth të shkrimtarit e studiuesit të talentuar Moikom Zeqo me titull ” Mësuesi i Kopernikut”. Së treti, dua të përmënd një rrethanë tepër fatlume që më ndihmoi të njihem më posaçërisht me jetën dhe veprën e këtij humanisti të madh shqiptar të periudhës së Rilindjes Italiane , rrethanë që më shpuri të vizitoja e të njihja së afërmi ato vënde e qytete të Italisë , ku ishte lindur dhe kishte kaluar jetën e tij të begatë N.L.Tomeo . Ajo kishte të bënte me një bursë që arrita të siguroja prej institucioneve të Bashkësisë Evropiane , me qendër në Bruksel . Pas një konkurimi , i realizuar nëpërmjet dërgimit të dokumenteve përkatëse dhe që unë i kisha të specifikuar në fushën e historisë së filozofisë mesjetare dhe asaj të Rilindjes Evropiane . Në rrethin e interesave të mija pedagogjiko-shkencore , krahas shumë autorëve dhe personaliteteve të shquar, ishin të përfshirë dhe ata që ishin me gjak shqiptari apo origjinë të mirëfilltë shqiptare. Midis tyre kisha renditur Marin Biçikemin , Gjon Gazulin, Iohanio Kotunin, Marin Barletin , duke u përqendrurar në menyrë më të posaçme tek N.L.Tomeo. Qëmtimet e nisura nё departamentin e filozofisë të Universitetit të Gjenovës  do të vazhdonin më tej në Universitetin e Padovës , në mjediset arkivore e bibliotekare të këtij qyteti , ndër më të spikaturit gjatë gjithë  periudhës mesjetare dhe asaj të Rilindjes Italiane . Do të desha të veçoja , me këtë rast , dhe ndihmën e pakursyer që m’u dha nga Biblioteka private Antoniana , me rekomandimin dashamirës të profesorit të filozofisë Antonino Poppi , nga Padova . Me interes e vlerë të veçantë kanë qënë për mua edhe qëmtimet e realizuara në bibliotekën e famshme të Venecias , që njihet ndryshe si Biblioteka Marciana, e më pas , në bibliotekën e Universitetit të Firences si dhe në bibliotekën shumë të pasur të këtij qyteti, ndër më tipikët e më të shquarit e Rilindjes Italiane . Pjesë e pandarë e këtyre vlerave ishte dhe biblioteka unikale e Institutit Kombëtar të Rilindjes së këtij qyteti  . Biblioteka e tij ishte e vendosur në mjediset e godinës muze të Palazzo Strossit. Nderimi dhe respekti ndaj figurave të shqiptarëve , që kishin spikatur dukshëm gjatë periudhës së Rilindjes Italiane , kërkonte , para së gjithash, të qëmtoje gjithçka që kishte të bёnte me emrin, jetën dhe krijimtarinë e tyre të begatë . Është diçka emocionuese që,  mjaft prej fakteve dhe të dhënave interesante të jetës e të krijimtarisë së këtyre personaliteteve,  t’i ndeshje, t’i kundroje dhe t’i studioje ashtu siç qenё trashëguar , origjinale , qysh prej shekullit XVI, prej asaj periudhe  kur zhvillimi i shkencës apo rilindja e artit dhe e kulturës arritën në përmasa e nivele të tilla cilёsore, sa me plot të drejtë është konsideruar e vlerësuar si një ndër më titaniket e më magjepset në historinë mijëravjeçare të qytetërimit botëror.

Në këto shënime hyrëse, e ritheksoj se të pushton një krenari më se legjitime sa herë që, midis personaliteteve të shquar të kësaj epoke, ndeshesh dhe me plot figura të nderuara e të respektuara , në rrembat e të cilëve ka rrjedhur gjaku i shqiptarit , gjaku i shprishur i arbërit . Dhe midis këtyre shqiptarëve të spikatur, nuk mund të mos të të bënte për vete sidomos Leonik Tomeo , që është karakterizuar si një prej njerëzve më  të ditur e më të kulturuar të kohës së vet . Veprimtaria e mirëfilltë krijuese dhe përkthyese e tij ka rrezatuar qartë erudicionin e madh dhe interesat shumёplanëshe kulturore, që nga filozofia, historia, shkencat natyrore e mjekësore, deri tek letërsia, pedagogjia, piktura, skulptura e numizmatika. Këto dhunti, virtyte dhe arritje, i kanë pohuar e vlerësuar në thëniet, shkrimet epistolare si dhe në përkushtimet që kanë bërë në adresë të tij shumë prej personaliteteve e bashkёkohësve të mëdhenj të epokës së tij . Botës së pasur shpirtërore dhe universit të gjerë kulturor të tij i janë  referuar qarqe të shumta mbretërore e princёrore, kishtare e shkencore, letrare e artistike . Emrave të tille, si ato të Pietro Bembos nga Italia, të Reginald Pole nga Anglia, të Nikolla Kopernikut nga Polonia apo të Erazmit të Roterdamit nga Hollanda, mund t’u bashkoheshin , pa më të voglën mëdyshje , dhe ato të dhjetëra të tjerëve që ia kishin njohur, çmuar e vlerësuar arritjet dhe meritat e tij të mëdha .  Por sa ç’kemi të drejtën për t’u mburrur me personalitete të tillë si Leonik Tomeo, po aq kemi dhe detyrimin për t’i nxjerrë ata nga thellësia e shekujve ,  për t’i afruar nga largësia e atyre kohërave dhe vendeve ku kanё jetuar, spikatur e shkëlqyer. U sjellim dhe u përçojmë të gjithëve, sidomos brezave të rinj, mesazhe tepër kuptimplotë. Para së gjithash , mesazhet e rrënjëve të lashta të kombit tonë , si dhe të traditave tona kulturore e qytetёruese, tё kultivuara nё rrjedhёn e shekujve e tё mijёvjeçarёve. Kёto mesazhe e tradita ,  tё ardhura deri nё ditёt tona, nuk mjafton qё  thjesht vetёm tё ruhen dhe tё njihen , por lipset tё shndёrrohen nё stimuj nxitёs e frymёzues nё punёn dhe krijimtarinё e çdo shqiptari , si brёnda dhe jashtё Shqipёrisё.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Një cirk i dështuar
  • Xhafaj kritika KLGJ: Gabim i madh zbatimi i hartës së re gjyqësore, ua thashë që në fillim
  • Çfarë do të ndodhë me protestën
  • Dështon konsensusi në Strasburg për rezolutën Shqipëri-BE, PS dhe PD përplasen për amendamentet
  • EMRAT: Krim në familje, burri vret me çifte bashkëshorten në Shkodër, bie në pranga

Komentet e Fundit

  1. O nëne, o nëne on Çfarë do të ndodhë me protestën
  2. K O R C A on Çfarë do të ndodhë me protestën
  3. Phoenix on Çfarë do të ndodhë me protestën
  4. Anonymous on Çfarë do të ndodhë me protestën
  5. Komshiu on Çfarë do të ndodhë me protestën

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?