Nga Koço Broka
Pensionet janë vënë në qendër të premtimeve elektorale të 11 Majit.
Dhe kjo jo rastësisht. Numri i pensionistëve gjithsej në skemën e detyrueshme publike për vitin 2024 ishte 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensione pleqërie.
Ia vlen të mbahet parasysh se numri i pensioneve të reja për vitin 2024 në skemën publike të detyrueshme të pensioneve ishte 40.346 vetë. Kjo në një kohë kur sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2024 numri i anëtarëve në fondet private të pensioneve, me gjithë rritjen prej 15,7% më shumë krahasuar me vitin 2023 rezultoi në 44,926 vetë gjithsej. Ndërkohë nuk jepet asnjë informacion nga Autoriteti i Mbikqyrjes Shtetërore se sa prej këtyre, vazhdojnë të marrin pension.
Pjesa dërmuese e pensioneve private vullnetare pasi kanë arritur moshën e pensionit, zakonisht i kanë tërhequr menjëherë shumat e kontribuara dhe interesat e akumuluara dhe nuk ka informacion se sa nuk i kanë tërhequr dhe sa vazhdojnë të marrin pensione private çdo muaj.
Gjithsesi këto të dhëna flasin qartë për një aspekt të rëndësishëm: Se me gjithë vitalitetin e ekonomisë së tregut, të paktën në realitetin shqiptar, alternativa e pensioneve private vullnetare, nuk ka triumfuar ndaj skemës publike, e cila duke vazhduar parimin “Pay as You go” në kushtet e ecurisë së treguesve demografikë është përpara sfidave serioze. Ky aspekt nuk është objekt i alternativave të partive politike të vjetra apo i atyre që konkurojnë për herë të parë (!)
Sipas burimeve të besueshme, në kushtet kur nuk janë botuar ende Statistikat e Sigurimeve Shoqërore të vitit 2024, nga 40 mijë pensione të reja të lidhura vjet, rreth 80% e tyre ose 32 mijë pensione ishin të pjesshme, si rezultat i mungesës së viteve të punës. Kjo mangësi serioze, produkt i politikave të ndjekura sidomos gjatë dekadës së parë të tranzicionit, qëndrimit ndaj informalitetetit në pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe nivelit të lartë të papunësisë që ka shoqëruar tregun e punës në vendin tonë gjatë 35 vjetëve, ka ndikim të drejtpërdrejtë përcaktues në nivelin mesatar të pensionit, veçanërisht në pensionet e ulëta.
Gjatë vitit 2024 periudha mesatare e punës kontributive të pensioneve të vitit të kaluar ishte 27 vjet, nga 38 vite e 4 muaj që ishte detyrimi për të marrë pensionin e plotë. Në këto kushte niveli mesatar i pensioneve të reja të lidhura gjatë vitit 2024 rezultoi 160 euro, pensioni mesatar 200 euro, ndërsa pensioni mesatar me vite të plota pune rezultoi 385 euro. Vetëm nga këto të dhëna del qartë se sistemi aktual i pensioneve në vendin tonë ka probleme tepër serioze dhe rrugëzgjidhje jo të lehta të tyre.
Konkurimi dhe gjetja e zgjidhjeve më të mira ndesh në sfida reale. Universitetet dhe akademikët, apo profesorati, në vend që të prezantojnë e të evidentojnë, në tekstet apo leksionet e tyre se si t’i trajtojmë pensionet dhe sistemet e pensioneve në ekonominë e tregut, veçanërisht e konkretisht në vendin tonë, në pjesën dërrmuese kanë marrë pozicionet altruiste të babagjyshit të Vitit të Ri. Ndërsa politika në përgjithësi ka marrë rrugën e premtimeve kaba edhe në këtë fushatë zgjedhjesh. Këtë e shikon jo vetëm në partitë e vjetra por edhe në partitë e reja.
Personalisht i përmbahem sentencës se “kur nuk e kupton realitetin, varesh nga realiteti. Kur e kuptoni, realiteti varet nga ju”. Lind nevoja që si kandidatët për pension por edhe të gjithë pensionistët, e sidomos ata me pensione të ulëta, të dinë të paktën nga se varet konkretisht niveli i pensioneve, duke filluar nga viti 2015 e në vazhdim.
Konkurimi real i alternativave që japin rrugëzgjidhjet më të mira dhe jo premtimet më të larta, mbeten një kërkesë legjitime në këtë kohë zgjedhjesh. Nuk është herezi të mbahet parasysh nga zgjedhësit se “nëse ke hipur në trenin e gabuar, ja vlen të zbrisni në stacionin më të afërt. Sa më gjatë të qëndroni në trenin e gabuar, sa më shumë kohë do t’u duhet për të zbritur, aq më i shtrenjtë do të jetë udhëtimi i kthimit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me trenat…
Cilin tren do të zgjedhin 721 mijë pensionistët, të cilët më 11 Maj pritet të jenë janë mbi 725 mijë? Sa pragmatistë do të jenë ata, në këto zgjedhje?
Pa vazhduar me aspektin politik, do ndalem fillimisht në një element të thjeshtë, por jo të parëndësishëm që prek drejtpërdrejt mbi 40 mijë pensionistët e rinj por edhe gjithë të tjerët: Si llogaritet e si mund ta llogarisë aktualisht pensionin e vet secili që del në pension, në sigurimet shoqërore të detyrueshme.
II
Llogaritja e pensionit të pleqërisë nga skema e detyrueshme në vendin tonë bazohet në Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, që përfshin ndryshimet e vitit 2015 e më pas.
Si fillim, secili duhet të dijë kushtet e daljes dhe përfitimit të pensionit të pleqërisë:
– Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur burrat kanë mbushur moshën 65 vjeç dhe gratë në vitin 2025, moshën 61 vjeç e 10 muaj. Periudha e kërkuar për të marrë pension të plotë si për burrat dhe për gratë në vitin 2025 është 38 vjet e 8 muaj (shih neni 92. Këtu po ndalem vetëm në grupin e III që përbëjnë pjesën më masive të pensionistëve)
– Element tjetër i rëndësishëm është të njihet, metoda e llogaritjes të pensionit duke filluar nga viti 2015 që është e ndryshme nga ajo që ishte më parë. Llogaritja bëhet sipas Nenit 32 të Ligjit.
Neni 32: Masa e pensionit
1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.
2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së Sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e Sigurimit të kërkuar, sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social;
3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të këtij ligji;
4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Në trajtë formule kjo shprehet:
PP (Pensioni i Pleqërisë) MBP+SH=PS (Pension Social) Vjetërsi kontributive të realizuara / Vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100 vite sigurimi. BV (baza e vlerësuar). MBP=masa e pensionit bazë. SH=Shtesa e pensionit mbi pensionin bazë
Si llogaritet shuma bazë e pensionit
Për të llogaritur shumën bazë, mbështetur në pjesën e parë të formulës, duhet të njihen:
a) Sa është pensioni social, ose më saktë shuma bazë mbi të cilën bëhen llogaritjet.
b) Sa janë vitet e sigurimit që kërkohen gjatë vitit që del në pension, që si u tha më lart janë 38 vjet e 8 muaj, si për burrat dhe për grate
c) Cilat janë vitet që janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, në momentin kur bën aplikimin për pension.
d) Periudha e punës që ke punuar pas moshës 65 vjeç nëse ke vazhduar punën.
Sipas nenit 33: “Shtesë pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension”: I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie por vazhdon të punojë dhe të paguajë kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.
Kjo do të thotë se fillimisht duhet të njihet se sa është pensioni social, ose shuma bazë fillestare, mbi bazën e të cilit llogaritet shuma bazë.
Si rregull pensioni social ose më saktë shuma bazë fillestare si rregull ndryshon çdo vit. Aktualisht ajo përcaktohet nga VKM-VENDIM Nr. 582, datë 18.9.2024 PËR INDEKSIMIN E PENSIONEVE, në pikën 10 të të cilit thuhet: Masa e pensionit të plotë social, duke filluar nga data 1.10.2024 e në vazhdim, do të jetë 9.710 (nëntë mijë e shtatëqind e dhjetë) lekë.
Në fakt kjo është baza e vlerësueshme e 15 viteve kontributive të vitit 2014 të indeksuar deri në datën e fillimit të këtij vendimi. Me reformimin e skemës së pensioneve pritet të bëhet dallimi qartë midis kësaj shume bazë fillestare dhe pensionit social. Për të qënë më konkret po i referohem një shëmbulli të një personi që del në pension.
Shëmbull hipotetik i llogaritjes të një pensioni pleqërie:
Supozojmë se kandidati për të dalë në pension Hasan Hyseni me arsim të mesëm, është i datëlindjes 1 Prill 1960. Ai ka filluar punë më 1.1.1980. Më pas ai ka shkuar ushtar e cila njihet si periudhë kontributive e paguar nga shteti, pra njihet sikur të ketë paguar kontribute mbi bazën e pagës minimale. Për rrjedhojë nuk e kam përcaktuar ekzakt kohën kur ka qënë ushtar.
Ai mbushi moshën 65 vjeç për pension më 1 Prill 2025. Në këtë moment, duke patur parasysh se në dy periudha ka qënë i papunë por nuk ka marrë pagesë papunësie, ose ka qënë ne emigracion rezulton ka një periudhë kontributive të sigurimeve shoqërore prej 38 vjet e 8 muaj, së bashku me periudhën që ka qënë ushtar për një periudhë prej 2 vjet, duke paguar gjatë gjithë periudhave, si para dhe pas vitit 1994 kontribute mbi bazën e pagës minimale.
Vitet që ai ka qënë i papunë ose në emigracion pasqyrohen në tabelën e llogaritjes të bazës së vlerësueshme më poshtë bashkëlidhur.
Në kushtet kur periudha për të cilln janë paguar kontribute është 38 vjet e 8 muaj, dhe po kaq janë vitet e kërkuara për të marrë pension të plotë, ndërsa pensioni social është 9710 lekë, duke patur parasysh kërkesat e nenit 32 dhe të formulës së llogaritjes së pensionit:
– Shuma bazë e pensionistit Hasan Hyseni rezulton = 9.710 lekë (shumëzuar) me 38.666 vjet/ (pjesëtuar) me 38.666 vjet = 9710 lekë.
Nëse Hasan Hyseni do të kishte 27 vjet periudhë kontributive, shuma bazë do rezultonte = 9710 lekë *(shumëzuar) me 27 vjet / (pjesëtuar) me 38.666 vjet = 6780 lekë.
Pra në pjesën e pensionit që ka të bëjë me shumën bazë të pensionit, rezulton qartë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis viteve për të cilat janë paguar kontribute dhe rezultatit, se kur ke paguar më shumë vite kontributive përfiton pension më të lartë. Nëse psh Hasan Hyseni do të kishte paguar kontribute për 43 vjet, shuma bazë do i rezultonte 10.798 lekë.
Si llogaritet pjesa shtesë e pensionit?
Pasi është llogaritur shuma bazë e pensionit do të llogaritet pjesa shtesë e pensionit, e cila siç është evidentuar më lart në trajtë formule shprehet: – Shtesa e pensionit =1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar.
Çfarë përfaqëson ajo që quhet Baza e Vlerësuar? Sipas Nenit 59 të Ligjit, Baza e Vlerësuar për llogaritjen e përfitimeve, është:
1. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 01.01.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave bruto mbi bazën e të cilave janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore ose pagave mbi të cilat janë paguar kontributet vullnetare nga data 01.01.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.
2. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 01.01.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Si mund të shihet, nga sa më sipër llogaritja e bazës të vlerësuar llogaritet si mesatare mbi:
– a) pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore para vitit 1994 dhe
-b) nga pagat nga 1 Janari i vitit 1994 deri në datën e daljes në pension, mbi bazën e të cilave janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Duhet patur parasysh se për periudhën e sigurimit para datës 01.01.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, nuk merren drejtpërdrejt pagat e pasqyruara në librezën e punës, por mbi bazën e tyre, degët e ekonomisë, industritë, e profesionet përkatse, merren pagat referuese, të përcaktuara me VKM-së nr. 561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”.
Këto paga gjenden lehtësisht në Google në se kërkohet PAGAT REFERUESE PARA DATES 01.01.1994, por edhe duke kontaktuar me telefon apo email ISSH, në qendër apo në qarqe.
Psh për një specialist me arsim të lartë në Këshillin e Ministrave paga referuese është 4,932 lekë në muaj, për një specialist me arsim të mesëm 4,110 lekë në muaj. Ndërsa në ndërmarrje ato janë respektivisht 4,192 dhe 3,288 lekë në muaj.
Për një arsimtar me arsim të lartë paga referuese është 4110 lekë. Për një punëtor të thjeshtë si në rastin tonë hipotetik me pagë minimale është 2,685 lekë në muaj, etj
Ndërsa për pagat nga 1 Janari 1994, siç është evidentuar edhe më sipër, merren pagat bruto mbi të cilat janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore ose paga mbi të cilën janë derdhur kontributet vullnetare.
Pagat referuese të para vitit 1994 dhe pagat bruto pas 1 Janarit 1994 e deri kur dilet në pension ose pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet vullnetare në kushtet e inflacionit, do të aktualizohen duke u shumëzuar me koeficientët përkatës që ndryshojnë nga viti në vit duke u rritur.
Informacioni për to mund të gjendet në rubrikën Legjislacion i ISSH, sythi MBI KOEFICIENTËT E INDEKSIMIT TË BAZËS SË VLERËSUAR PËR LLOGARITJEN E PENSIONEVE, më konkretisht, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 515, datë 01.08.2024 “Për përcaktimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve”, përfshirë Shtojca 1, bashkëlidhur.
Sipas tij koeficentët e indeksimit për pagat referuese para vitit 1994 dhe ato të vitit 1994 është 12.257 herë. Më pas vazhdojnë koeficentët në vitet 1995 dhe deri në vitin aktual.
Duke patur parasysh pagat mujore të vërtetuara sipas librezës së punës, deri në vitin 1994 dhe vërtetimet mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet (duke filluar nga 1.1.2012 e në vazhdim ato janë edhe në E-Albania.
Si llogaritet Baza e Vlerësuar? Në ndihmë të kësaj llogaritje shërben një tabelë të cilën e gjeni bashkëlidhur, tabela e Llogaritjes të Bazës së Vlerësuar:
Zakonisht llogaritja e bazës së vlerësuar bëhet duke përdorur ekselin, se numri i muajve është shumë i madh nga 450-500 muaj, ose më pak a më shumë sipas rastit , dhe zor se bëhet llogaritja me dorë. Po kështu llogaritja zakonisht bëhet në muaj. Por për shkurtim vendi, në tabelën bashkëlidhur është marrë për bazë viti, duke shmangur ditët.
Por personat që do ta llogarisin vetë pensionin është e mira që kolonat për periudhën e punës t’i ndërtojnë në vite, detajuar në muaj e ditë. Në rastin e dhënë për periudhat e vitit 2013 dhe 2025, janë shënuar pagat mujore; janë shprehur në pagë mujore mesatare të vitit përkatës dhe muajve përkatës. Ndërsa personat që do e llogarisin vetë duhet të shënojnë pagat reale bruto për çdo muaj.
Llogaritja e bazës së vlerësuar e aktualizuar, nuk është tjetër gjë, veçse llogaritja e pagës mesatare bruto mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet e Sigurimeve Shoqërore, pasqyruar në kolonën me nr 6 shumëzuar me koeficentët e indeksimit të pagave të pasqyruar sipas viteve në kolonën nr 7.
Tabela që përdoret për llogarritjen e bazës së vlerësuar, ka këta elementë kryesorë:
a) Periudhat e punës, b) Elementët e llogaritjes.
Pjesa për periudhat e punës, në rastin tonë kolonat 2 dhe 3, tregojnë datën e fillimit në një vend pune dhe datën e mbarimit. Këtu shënohet dhe periudhat e ushtrisë për burrat, periudha e shkollës së lartë për gratë, dhe periudha e pagesës së papunësisë si për burrat dhe për grate, ose thjesht vitet dhe muajt që nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Në kushtet kur këto periudha janë me ditë, këto të fundit llogariten më tej në muaj.
Mbi bazën e të dhënave në kolonat 2 e 3, llogariten në kolonat 4 dhe 5 vitet, muajt, për çdo vend pune (për të mos rënduar tabelën nuk është vendosur kolona e ditëve)
Në rastin e sipërpërmendur hipotetik rezulton se z. Hasan Hyseni ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për 464 muaj ose për 38 vjet e 8 muaj, ose 38.66 vite.
Në pjesën e dytë, elementët e llogaritjes janë tre kolona bazë. Në kolonën 6 evidentohet paga mujore e çdo muaji, mbi bazën e të cilës janë derdhur kontributet. Në rastin tonë për lehtësi veprimesh paga mujore është marrë e njëjtë në muajt përkatës brenda vitit si ka qënë paga minimale.
Në kolonën 7 jepen koeficentet e indeksimit-aktualizimit të pagave të cilat zakonisht ndryshojnë çdo vit, por vitet e fundit kanë ndryshuar dhe në periudha të ndryshme të vitit. Në disa vite mund të ndodhë i njëjti koeficent i indeksimit te pagave.
Në kolonën 8, që është produkt i shumëzimit për çdo rresht i të dhënave të kolonës nr 6 me 7, jepet paga mesatare mujore e shumëzuar me indeksin përkatës për çdo viti. Më tej jepet shuma e pagave si për periudhën para dhe pas vitit 1994 dhe gjithsej. Duke pjesëtuar shumën e pagave gjithsej me shumën e viteve ka rezultuar paga mesatare mujore e vlerësuar e aktualizuar ose Baza e Vlerësuar.
Siç është evidentuar edhe nga tabela bashkëlidhur në rastin e dhënë, rreshti i fundit baza e vlerësuar ka rezultuar 32.762 lekë në muaj.
Llogaritja e pensionit të plotë të pleqërisë
Pasi është llogaritur baza e vlerësuar bëjmë llogaritjen e pensionit të plotë të pleqërisë.
Fillimisht Evidentojmë elementët kryesorë:
-Pensioni social = 9710 lekë
-Vitet e punës që kërkohen për të marrë pension të plotë 38 vjet e 8 muaj, ose 38.666 vjet
-Vitet e punës mbi bazën e të cilave janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore=38.666 vjet
-Baza e Vlerësuar = 32.762 lekë në muaj
-Llogaritja e shumës bazë, ose MBP-masa e pensionit bazë, =PS (Pension Social)*vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohe=9710 lekë*38.666 vjet/38.666 vjet= 9710 lekë.
-Shtesa e pensionit=1/100* vite sigurimi*BV (baza e vlerësuar)=1/100*38.666*32762 lek=0.386*32762=12668
-Pensioni i plotë=Shuma Bazë+Shtesa=9710+12668= 22.378 lekë.
Pra në rastin e dhënë kur është supozuar se një punonjës ka paguar vazhdimisht kontributet e sigurimeve shoqërore, aq vite e muaj sa kërkohen aktualisht, i rezulton një pension prej 224 Euro në muaj.
Nëse do të kishte vetëm 27 vjet periudhë kontributive të sigurimeve shoqërore me pagë minimale atëhere do i dilte një pension (6780+8846)= 15.626 lek.
Nëse do kishte paguar kontribute të sigurimeve shoqërore për 43 vjet, do i dilte një pension prej (10798+14088) =24.886 lekë.
Ndërsa për të përftuar pensionin prej 200 mijë lekë në muaj ose 200 Euro i duhet të ketë paguar rreth 34 vjet e 7 muaj kontribute të sigurimeve shoqërore.
Pra pensioni është në varësi të dy faktorëve kryesorë, a) vitet kontributive për të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe b) në varësi nga niveli i pagës mbi të cilën janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore.
Për një arsimtar me shkollë të lartë që ka punuar vazhdimisht në shkolla të mesme dhe ka kontribuar sigurimet shoqërore për 40 vjet nga të cilat dy muaj i ka mbi moshën e daljes në pension, prej 65 vjeç pensioni i tij aktualisht rezulton 40.365 lekë.
Kjo llogaritje e pensionit nga ana e autorit është orientuese. Megjithatë dua të vë në dukje se duke e orientuar dikë me metodikën e mësipërme, ai konfirmoi se pensioni i që i doli nga llogaritjet e Institutit të Sigurimeve shoqërore, i rezultoi aq sa i kishte dalë llogaritja e vet. Ai është i bindur për pensionin që i ka dalë por dhe për të reaguar në mënyrë të argumentuar për çdo pasaktësi të mundshme.
III
Është e domosdoshme që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të prezantojë udhëzimin zyrtar mbi llogaritjen e pensionit të pleqërisë, për vitin aktual, duke u mbështetur në raste të ndryshme jo vetëm për zonën urbane si më sipër por edhe për atë rurale, duke e ekpozuar atë në faqen e tij të internetit. Pra ajo që bëhet aktualisht në ndonjë television nga punonjësit e ISSH, që është një hap për t’u përshendetur dhe vlerësuar, të prezantohet si me video por edhe e shkruar, dhe me të dhënat e tjera të domosdoshme në trajtë të shkruar që çdo pensionist t’i gjejë lehtësisht pa qënë i trajnuar më parë.
Kjo do ishte një ndihmesë e madhe si për llogaritjen e pensionit nga mbi 40 mijë pensionistët e rinj, por do shërbente realisht për 720 mijë pensionistët që janë njëkohësisht edhe votues e sidomos për ata pensionistë që kanë pensionin nën 200 mijë lekë në muaj.
Ata do të gjykonin më realisht mbi premtimet e shumta në rastin më të zakonshëm premtime demagogjike, si nga partitë e vjetra por edhe nga partitë e reja. Nuk mund të mos ndjesh keqardhje kur jo vetëm kryetarë të partive të vjetra dhe të reja, por edhe pedagogë në universitete përfshirë fakultete të shkencave sociale, janë të paaftë për të bërë një llogarritje si ajo e sipërpërmendur që mund ta bëjë edhe një qytetar me arsim 9 vjeçar. E megjithatë kanë bërë të tyre llambën e Aladinit dhe bëjnë premtime kaba se sa do t’ua bëjnë pensionin pensionistëve të rinj dhe të vjetër, nëse do të marrin pushtetin.
Nga sa më sipër lind natyrshëm pyetja: Sistemi i pensioneve që do të zbatohet nëse ata marrin pushtetin, do të bazohet në këto dy kritere kryesore (pra niveli i pagës që janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe vitet kontributive) apo sipas kriterit të tasit të orizit, egalitarizmit që rezulton nga variant i llambës së tyre të Aladinit?
A janë të gatshëm ata që të mbështetesin studimin e minimumit jetik për një të punësuar dhe krahas me të për një pensionist? Apo do vazhdojnë të shmangin studimin shkencor të mimimumit jetik dhe të pretendojnë apriori për një minimum jetik të vendosur sipas oreksit të tyre?!
Votuesit e vjetër apo të rinj do të vazhdojnë të votojnë emocionalisht mbi bazën e trashëgimisë familjare, komunist, përkrahës i Luftës apo që ke aktualisht një vend pune në sektorin shtetëror, apo se je antikomunist, i shpronësuar në monizëm, i përndjekur politik? Apo do votojnë më në fund mbi bazën e interesave materiale e shpirtërore , për alternativën që i përgjigjet më mirë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik -shoqëror të vendit, reformimit të sigurimeve shoqerore, ruajtes së qëndrueshmërisë së tij, garantimit të pensioneve në një të ardhme aftmesme dhe afatgjatë? Kjo bëhet duke rritur njëkohësisht pensionet e ulëta pa hedhur poshtë kriteret e mësipërme të vendosjes së pensioneve, nivelin e pagës dhe vitet kontributive. Pra a do votojnë duke përjashtuar si alternativë ata që kanë bërë të tyren dhe të ftojnë të votosh mbi bazën e llambës së Aladinit?!
Ja pse publikimi i udhëzimit mbi llogaritjen e pensionit nga ISSH ka një vlerë të madhe jo thjesht ekonomike dhe pragmatiste për pensionistët e rinj por edhe kontribuon për demokratizimin e vendit; shërben për të.gjithë votuesit pensionistë, deri tek votuesit për herë të parë që të mos përjashtojnë arsyetimin kut votojnë për këtë ose atë alternativë.
Shih dhe pasqyrat bashkelidhur:
a) VKM nr.-515-date-01.08.2024-Per-percaktimin-e-koeficientit-te-indeksimit-te-bazes-se-vleresuar-te-vitit-2022-per-llogaritjen-e-pensioneve (3).pdf – Vetëm Shtojca
b) VKM-së nr. 561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve” – Vetëm pasqyra PAGAT REFERUESE PARA DATES 01.01.1994
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016