Nga Dhimitër Shtëmbari
Kohët e fundit është botuar dhe hedhur në qarkullim libri “Lushnja, toka dhe njerëzit” me autor gazetarin e njohur Andrea Liko dhe historianin Dr. Niko Ferro. Vlen të theksohet, se ky libër me karakter të mirëfilltë studimor është përgatitur nën drejtimin shkencor të Dr, Eriselda Sefës, aktualisht kryetare e Bashkisë Lushnjë.
Ç’është e veçanta e këtij libri?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep vet zonja Sefa që në hyrje të këtij studimi: “Ky libër vjen në kohën e duhur dhe na jep një informacion të gjerë për Lushnjën shekullore dhe të re, ndaj është një vlerë intelektuale më shumë e Bashkisë sonë”.
Ca më poshtë, k
ryetarja e Bashkisë jep edhe një mesazh të ngrohtë: “Krenarë për paraardhësit tanë – punëtorët duarflori, fisnikët modestë, mikpritësit zemërbardhë, shpirtmëdhenjtë e duruar, trimat me guximin e prej të urtëve, le të japim më shumë punë e dashuri për Lushnjën e tyre, për Lushnjën që duam, për Lushnjën e brezave që vijnë”.
Nuk po ndalemi te parathënia e këtyre dy autorëve seriozë, një parathënie që vetëm në shtatë faqe thuhen aq shumë për tërë përmbajtjen interesante të librit, por po cekim disa çështje që mendojmë se ia mbajnë lartë rëndësinë dhe vlerën këtij botimi të karakterit enciklopedik, i pari i këtij lloji për Myzeqenë e Lushnjës.
Së pari, autorët janë kujdesur për strukturën e librit, duke e udhëhequr lexuesin “korridoreve” të historisë. Fillon me Këngën e Kongresit të Lushnjës, me tekst të Ferit Vokopolës, vazhdon me një përshkrim historik të qytetit të Lushnjës, i vetmi si i tillë në të cilin janë organizuar dy kongrese: Mbledhja Kombëtare, siç u quajt në atë kohë Kongresi i Lushnjës, mbajtur në janarin e vitit 1920, dhe Kongresi Arsimor, organizuar në gusht të po këtij viti.
Në një faqe të veçantë të librit janë paraqitur fotografitë e disa prej figurave më të spikatura në fushën e artit e të kulturës. Dhe konkretisht, lexuesi ka rast të shikojë portretet e Margarita Xhepës, Vaçe Zelës e Kristaq Dhamos – të tre Artistë të Popullit dhe Nderi i Kombit, si dhe portretet e shkrimtarëve të mirënjohur Vath Korreshi, Loni Papa e Faslli Haliti.
Autorët janë kujdesur, që në këtë botim të shprehen me fjalë të merituara edhe për tre firmëtarët e Aktit të Pavarësisë në Vlorë; Ferit Vokopola, Qemal Mullaj dhe Nebi Sefa.
Interesant është fakti, se për herë të parë bëhen të njohur edhe firmëtarët e parë të Komisionit që u mor me shpalljen e Pavarësisë në qytetin e Lushnjës më 27 nëntor 1912. Në listën e nënshkruesve janë emrat e Sheh Ibrahim Karbunarës, Kadri Karbunarës, Ali Vokopolës, Halid Gramshit, Shaqir Lushnjës, Papa Jovanit, Llambi Xoxit, Haxhi Imshtës, Sulejman Arapit, Sulejman Korreshit, Thanas Paftalit e Vasil Gjeçit.
Autorët janë treguar shumë të vëmendshëm për të dalluar e veçuar njërin fshat nga tjetri, dallim i bërë mbi bazën e asaj se çfarë i kanë dhënë historisë lokale, por edhe asaj kombëtare. Fshati Karbunarë, fjala vjen, ka pasur pjesëmarrës në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Ka pasur vullnetarë të shumtë në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Ka pasur pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit në gusht të vitit 1935, disa prej të cilëve edhe u dënuan nga qeveria e kohës. Ky fshat është i lavdishëm për nga numri i lartë i pjesëmarrësve në formacionet e ndryshme partizane, sikurse është edhe martir për nga dëshmorët e shumtë që i ka dhënë Atdheut.
Jo vetëm të vëmendshëm, por autorët e këtij libri dhe drejtuesja shkencore e këtij studimi janë treguar edhe shumë të ndjeshëm. Në shkrimin “Savra, gjurmë të dhimbjes së kaluar”, mes të tjerave lexojmë: “Këtu u vendosën familjarët e pesë kryeministrave shqiptarë të paraluftës dhe disa nga familjet më të njohura në Shqipëri, Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare. Në Savër jetuan familjarë të ish kryeministrave Mustafa Kruja, Koço Kotta, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri dhe Fiqri Dine. … Brenda atyre mureve prej populiti e kashte jetoi edhe përkthyesi i shkëlqyer i Dante Aligierit, Prof. Pashko Gjeçi. Në po këtë sektor jetoi edhe Hajria e Qazim Mulletit, bashkë me të birin, Reshitin”.
Libri “Lushnja, toka dhe njerëzit” jep të dhëna shumë interesante historike, gjeografike e demografike për të dhjetë njësitë administrative të Bashkisë së Lushnjës. Filluar nga ajo e Golemit dhe vazhduar me ato të Dushkut, Ballagatit, Hyzgjokajt, Karbunarës, Fier – Sheganit, Allkajt, Krutjes, Bubullimës dhe Kolonjës, autorët nisen nga historia e hershme e çdo fshati dhe zbresin në ditët sotme, duke i dhënë lexuesit fakte të qëmtuara me karakter përgjithësues. Edhe pse kalimthi, autorët na njohin me ndodhira historike, me emra njerëzish të shquar, me toponime të larmishme, me të dhëna të shkëputura prej historianëve të njohur, me statistika demografike etj. Për t’u theksuar është fakti, se lexuesi njihet me numrin e banorëve të çdo fshati në periudhën e para LANÇ dhe me ato të viteve të fundit.
Për botimin e këtij libri autorët Andrea Liko e Dr, Niko Ferro, si dhe drejtuesja shkencore, zonja Eriselda Sefa janë mbështetur në burime serioze e plotësisht të besueshme. Veç të dhënave të vjela prej Arkivit Qendror të Shtetit, ata kanë shfrytëzuar edhe arkivin e Muzeut Historik të Bashkisë së Lushnjës. Fakte me interes historik janë marrë edhe nga botimet e Bardhyl Gracenit, Petraq Dhanës, Gjoni Çukos, Gjergji Karaiskajt, Piro Thomos, Jani Kliti e Ptoleme Nushit. Loli Davidhit, Jovan Bizhytit, Jovan Janos, Vangjel Bellos, Vangjel Boçit, Virgjil Xhafës, Besnik Metës, Harun Grecës, Nesti Gjermenit, Osman Qystrit, Belul Hasanbelliut e të tjerëve. Materiale me vlerë janë shkëputur edhe nga gazeta “Shkëndija”, revista “Hylli i dritës”, si dhe nga organe të tjera shtypi.
Të gjitha vendbanimet, filluar nga qyteti i Lushnjës e vazhduar me të gjitha fshatrat janë të ilustruara me fotografi me ngjyra. Objekt i këtyre fotografive janë relike të një periudhe shumë të hershme, portrete figurash të shquara atdhetare, ndërtime karakteristike, rrugë të reja, si dhe pamje të përgjithshme fshatrash etj.
Edhe pse botim i një karakteri historik, gjeografik e demografik, përsëri autorët kanë gjetur mundësinë për të shprehur me “stil” edhe ndonjë dukuri, që, dashurpadashur, nënvleftëson aftësitë drejtuese të intelektualëve myzeqarë! “Me mbi 150 mijë banorë e me mijëra ha tokë nën kulturë, – thuhet në këtë libër, – Bashkia e Lushnjës renditet e shtata në Shqipëri për nga numri i popullsisë, ndërsa me produktin e përgjithshëm bujqësor është e para në shkallë vendi… Mirëpo, me të drejtë myzeqarët duarflori, njerëzit e palodhur të punëve të bukura, presin më shumë. Prej vitesh, asnjë lushnjar nuk është emëruar ministër apo në nivele të tjera të larta, madje as në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural!”
Modestë siç janë autorët e këtij botimi të mezipritur nga lexuesi myzeqarë e më gjerë, gjejnë vend në libër të thonë, se “Ky është botimi i parë i këtij lloji. Pavarësisht dëshirës e punës sonë, jemi të bindur që mund të ketë vend për sqarime, shtime apo saktësime të dhënash. Ndaj mirëpresim sugjerime, vërejtje e informacione shtesë, që, në rast ribotimi, libri të jetë më i plotë”.
I papolitizuar dhe me shumë vlera njohëse për nxënësit e shkollave të të gjitha cikleve dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri të gjjthanshme për vendlindjen, libri “Lushnja, toka dhe njerëzit” meriton të vendoset në bibliotekat e të gjitha shkollave dhe në ato të atyre që e dashurojnë librin.
