Nga Fatos TARIFA
Dhurata e kryeministrit shqiptarëve në fund të këtij viti është një gjë e rrallë, tepër e rrallë: qytete “smart” dhe një siguri shumë më e madhe.
Ishte lajmi i radhës pak ditë më parë, i bujshëm, në një kohë skandalesh të mëdha, ai që qeveria do të instalojë 5,000 kamera inteligjente në 20 qytete të vendit dhe 3,000 kamera trupi në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit, për t’i bërë qytetet tanë dhe jetët tona më të sigurta.
Jo më të mira, më “të sigurta”, edhe pse jetë e sigurt është ajo që është një jetë e mirë.
Dua ta them qysh në fillim se, unë do të doja të shihja më pak kamera në rrugët dhe sheshet e qyteteve tona dhe më shumë librari e biblioteka publike, më shumë parqe e kënde lojërash për fëmijë, rrugë të ndriçuara më mirë dhe trotuare më të gjerë e më mirë të shtruar, më shumë shatërvanë (i kemi harruar si janë) dhe vepra në skulpturë të artistëve tanë, një rrugë të asfaltuar që t’u mundësojë shqiptarëve të vizitojnë Frashërin, Mekën e identitetit, të patriotizmit e të kulturës sonë kombëtare dhe, sigurisht, rrugë që lidhin çdo fshat të vendit, sado i largët, me arteriet e rrugëve kombëtare.
Por jo. Kjo Shqipëri që unë them se dua është një Shqipëri “folklorike”, madje, një shoqëri kolektiviste, si ajo e para viteve 1990, që kishte kinema në çdo qytet të madh a të vogël, biblioteka lagjesh dhe pallate pionieri, më shumë monumente e buste se sa kemi sot, madje edhe më shumë shatërvanë.
Sot, kryeministri kërkon që Shqipëria të bëhet vërtet moderne, madje “post-moderne”, të thyejë një rekord të ri në rajon, duke u bërë i pari vend i Ballkanit me “smart cities”, siç janë Abu Dhabi dhe Dubai në Lindjen e Mesme, Singapori dhe Shangai, Barcelona dhe Nju Jorku. Edhe pse vendi ynë vazhdon të drejtohet nga qeveri që mund të jenë çdo gjë, veç “smart” jo.
Ne kemi nevojë për drejtues të lartë e të mesëm në krye të shtetit e të administratës publike që të jenë vërtet “smart”, për një president, një kryeministër dhe për ministra që të drejtojnë në një mënyrë vërtet “smart”, jo me metoda autoritariste apo laissez-faire. Ne kemi nevojë për më pak administratë shtetërore dhe më shumë kapitalizëm shtetëror që të administrojë më mirë pasuritë tona kombëtare.
Kryeministri na thotë se, këtej e tutje, shteti do të ketë një “sy magjik” që të identifikojë në kohë reale shkelësit e ligjit. Po ku i ka pasur dhe ku i ka sytë kryeministri për të parë shkeljet e mëdha të ligjit që janë bërë nën hundën e tij nga ata njerëz që ai i ka zgjedhur dhe emëruar si ministra e bashkëpunëtorë?
Duhej një “sy magjik” për të parë ato vjedhje e krime të shëmtuara të disa anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe drejtuesve të tjerë të lartë të administratës publike, që qytetarët e thjeshtë i kanë vënë—dhe i vënë—re me sytë e tyre çdo ditë dhe që SPAK po i provon për ditë e më shumë.
Nëse 5,000 kamerat “smart” do të rrisin kapacitet e Policisë së Shtetit “në të gjithë territorin e interesit” për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelësit e ligjit, siç premton kryeministri, a do të jenë këto kamera funksionale për t’i mbrojtur qytetarët e këtij vendi edhe nga zyrtarët e lartë që shkelin ligjin e që janë më të rrezikshmit? Apo, në “territorin e interesit” të këtyre të fundit kamera të tilla do të verbohen?
Kryeministri na thotë se ky projekt i ri i qeverisë së tij do të ndihmojë për të pasur “një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit”. Por, përsëri, a nuk është ai vetë, si kryeministër, edhe kryeinspektori i veprimtarisë së qeverisë në të gjithë territorit vendit?
Nëse me paratë tona, si qytetarë taksapagues, qeveria do të instalojë 5,000 kamera “smart” në rrugët e Tiranës e të qyteteve të tjerë “të mëdhenj” të vendit (kemi vallë qytete vërtet të mëdhenj në këtë vend që, jo si territor, por si popullsi, po bëhet përherë e më i vogël), a do të vendosë kjo qeveri kamera “smart” edhe në zyrat e ministrave të saj, në korridoret e dikastereve që ata drejtojnë, në zyrat e drejtorëve të institucioneve e të ndërmarrjeve të mëdha publike, në vilat ku banojnë apo pushojnë një pjesë e madhe e tyre, në të gjithë ata mjedise—mbi dhé e nën dhé—ku negociohen me kriminelë vjedhjet dhe grabitjet e parave publike?
Kamerat e trupit në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit mund të jenë një “mekanizëm mbikëqyrjeje për punonjësit e policisë”, por çfarë mekanizmash mbikëqyrës kemi pasur, apo do të duhet të kemi për drejtuesit e lartë e të mesëm të shtetit? Kamera trupi edhe për ta? Apo kamera ndërgjegjeje dhe besimi?
A ka vallë kamera të tilla në Emiratet e Bashkuara, nga ku mund t’i blejmë edhe ne? Si e shëndoshën administratën shtetërore në Stokholm, në Helsinki, në Kopenhagen apo në Singapor pa pasur nevojën e kamerave të tilla në veshjet e zyrtarëve të lartë në këta vende? A mundet të mësojmë edhe ne prej tyre?
Nëse kryeministri, apo dikush tjetër më thotë se, si një vend i vogël dhe i varfër, ne s’mund të krahasohemi me shembujt që solla, pyetjen për ta e kam të thjeshtë: A po pasurohemi më shumë me mënyrën si po qeverisemi, kur miliarda dollarë nga buxheti i shtetit nuk shkojnë për zhvillimin e vendit dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por VIDHEN hapur (por më shumë fshehur) pikërisht nga ata që detyrë kanë ta administrojnë këtë buxhet në të mirë të interesit publik?
Singapori, për ata që kanë pak njohuri gjeografike, ekonomike e politike, ka qenë prej shekujsh dhe deri në vitet 1960 një fshat i madh peshkatarësh, me fare pak burime natyrore, por shiheni çfarë është sot ky qytet (shtet). Një ndër më të zhvilluarit e më të pasurit në botë.
Pse? Sepse ai vend është drejtuar nga një “government with common sense”, që pragmatizmin e ka vënë mbi ideologjitë, ku në administratën publike punonjësit janë emëruar sipas meritave të tyre dhe ku toleranca ndaj korrupsionit ka qenë dhe është Zero.
Mos më thoni se ne s’mund të krahasohemi me Singaporin, as me Suedinë, Finlandën apo Danimarkën, pasi, edhe ju e dini, nuk më thoni një gjë unë nuk e di. Por, a mund të kemi edhe ne, shqiptarët, një qeveri me common sense? PO.
A mund të jenë kryeministrat dhe ministrat tanë më pak ideologjikë apo doktrinarë (nëse kanë vërtet ndonjë ideologji apo doktrinë së cilës i besojnë) dhe më shumë pragmatistë? PO.
A mundet të emërojmë edhe ne në administratën publike njerëzit më të aftë? PO.
A mundet të bëhemi seriozë e ta luftojmë korrupsionin kudo ku ai shfaqet, me një tolerancë Zero. Patjetër që mundemi.
Dhe, nëse të gjitha këto janë të mundshme t’i bëjmë, pse nuk i bëjmë? Për t’u bërë jo një Singapor i Mesdheut, por të paktën si Sllovenia, apo Estonia, vende me madhësi territori dhe popullsi të përafërt me tonat, por më pak të pasura se Shqipëria me resurse natyrore.
Nuk ka nevojë t’ua them unë pse nuk bëhemi dot si këta dy vende, që gjithashtu kanë dalë nga komunizmi. As sllovenet, as estonezët nuk janë më “smart” se shqiptarët, por kanë ditur të zgjedhin qeveri “smart” dhe qeveritarë me bon sens, apo common sense, që është e njëjta gjë, për t’i drejtuar punët e vendeve të tyre e për t’u besuar fatet dhe mirëqenien e tyre.
Në këta vende, qytetarët nuk i kanë gjykuar e vlerësuar kryeministrat e tyre nga shtatlartësia apo shtatshkurtësia, siç bëjmë ne (i ndjeri Nano dhe Meta të shkurtër; Berisha i gjatë, kryeministri aktual edhe më i gjatë), por nga cilësitë e tyre. Ndoshta duhet të kërkojmë këtej e tutje që kryeministri ynë të ketë shtat mesatar, një njeri me common sense, sepse kjo bën më shumë sens.
Të gjithë duam më shumë siguri në rrugë e në shkolla. Askush nuk do që të bëhen ndërtime pa leje, pallate apo shtëpi, që na i sjellin dritaret apo ballkonet e Tjetrit në hundët tona e na zënë frymën dhe dritën e diellit. Nëse do të kishim siguri në rrugë e në shkolla, fëmijët nuk ishte nevoja të shkonin në shkollë me prindërit apo gjyshërit e tyre, por me shokët e tyre, siç kemi bërë brezi im dhe shumë të tjerë pas nesh.
Ministrja e Brendshme na thotë se projekti “Smart City” pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë—deri në 30% rritje zbulueshmërie për ngjarjet kriminale; deri në 45% reduktim i fataliteteve në aksidente rrugore; 30% më pak kohë e shpenzuar në trafik; 25% më pak kosto për menaxhimin e trafikut; 30% më pak ngarkesë administrative për Policinë e Shtetit, pra më shumë kohë në mbrojtje të qytetarit.
Të gjitha këto, nëse bëhen të mundura, janë shumë të mira. Por, sa do të reduktohet korrupsioni në administratën e lartë të shtetit dhe në çdo nivel të saj, përfshirë edhe Policinë e Shtetit?
Sa para do i kursehen buxhetit të shtetit nga vjedhjet prej anëtarëve të qeverisë dhe vartësve të tyre për të rritur me ato para—që janë tonat, të qytetarëve—pensionet dhe pagat, për të investuar në arsim dhe shëndetësi, për të lidhur çdo fshat më rrugë dhe ura atje ku këto mungojnë, për t’u dhënë frymëmarrje për publikun plazheve në bregdetin tonë të zaptuar nga biznesmenë privatë të lidhur me zyrtarë të lartë të qeverisë kokë e këmbë të korruptuar?
Unë do të doja të shihja kamera “smart” në disa prej dyqaneve ku shitet buka që hamë çdo ditë, për të parë, siç kam parë, me sy të lirë, pensionistë që numërojnë qindarkat në duart e tyre të rrudhura nëse u dalin të blejnë një buke të tërë apo vetëm një gjysmë buke.
Unë i dua Tiranën dhe qytet e tjerë të vendit tim të jenë qytete “smart”, ku njerëzit të jenë të sigurt e të jetojnë më mirë. Por dua më shumë të kemi një qeveri “smart”, që të dijë e të punojnë për t’i bërë jetët tona më të sigurta e më të mira.
Është shumë mirë që vjedhësi i biçikletës sime apo tëndes të kapet sapo kryen vjedhjen; që një veprim vandaloz apo një sherr në një rrugë (të ndriçuar), ose në dritë të diellit të evidentohet në moment; që një shkelës i rregullave të trafikut të ndalohet menjëherë nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Këto të gjitha bëhen të mundura e gjithnjë e më të rralla me një mënyrë qeverisjeje që është “smart” dhe me qeveritarë “smart”. Në fund të fundit, Policia është e Shtetit, nuk është Shteti i Policisë dhe, si të jetë shteti, do të jetë edhe policia e tij.
Qeveritë që e kanë drejtuar këtë vend në këta 35 vite nuk kanë qenë “smart”. Berisha me qeverisjen e tij e rrënoi Shqipërinë pas 1990s dhe lejoi plaçkitjen e industrive e të pasurive të tij. Meta, si kryeministër, e institucionalizoi korrupsionin shtetëror dhe grabitjen e parave publike përmes VKM-ve. Pas tij dhe sot, korrupsioni dhe grabitja e parave publike, pra e parave të përftuara nga mendja, puna, sakrificat dhe taksat tona, u bënë mënyrë qeverisjeje.
Sado e rëndë të tingëllojë kjo, këtë po mësojmë dhe kuptojmë çdo ditë e më shumë, ndaj edhe shkruaj me kaq indinjatë.
Çfarë them më sipër dhe kritikat që kam artikuluar publikisht për vite me radhë ndaj sjelljes së kryeministrit aktual dhe mënyrës së qeverisjes prej tij, nuk kanë synim të çojnë ujë në mullirin e opozitës. Duke qenë edhe një opozitë tejet e paaftë dhe e korruptuar, ajo ka përgjegjësinë e vet në instalimin e këtij sistemi endemik korrupsioni në trupin politik të shoqërisë sonë.
Dikur, në fund të viteve 1980, një ministër i Ekonomisë Komunale, i cili realizoi ndriçimin e trotuareve buzë Lanës në pjesën qendrore të kryeqytetit, mbahet mend të ketë thënë: “Kajro kam për ta bo Tironën”.
Kohët kanë ndryshuar. Dyzet vite më vonë, kryeministri ynë synon ta bëjë Tironën si qytetet e Emirateve të Bashkuara, apo si disa prej qyteteve më global (Nju Jorku, Singapori apo Shangai), veç jo me paratë e naftës e të gazit që fsheh nëntoka e Shqipërisë dhe, nuk dihet, nëse këtë e bën me duar të pastra.
Por, a mund të kemi qytete supermodernë në një vend me politikë protomoderne? Shqipërisë i duhet jo që kamerat inteligjente të behen “commonplace”, por një qeveri me common sense.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
