Agroturizmi do të përjetonte një rritje të shpejtë, ku nga pak emra që numëroheshin me gishtat e njërës dorë, sot Shoqata e Agroturizmit e sapokrijuar, ka 71 anëtarë dhe parashikon rritje. Sektori pritet të ketë një ligj të veçantë, që do t’i përshtatet realitet shqiptar, duke vendosur standarde të unifikuara. Ecuria e këtij viti duket se ka qenë e mirë, ku pavarësisht rritjes së kostove, çmimet për klientët kanë ndryshuar pak ose aspak. Agroturizmet ia kanë dalë të amortizojnë këtë efekt, falë ciklit të prodhimit të produkteve në fermat e tyre apo pasurimit të ofertës me dimensione të reja. Edhe pse po shkon drejt konsolidimit, operatorët shprehen se ka ende shumë punë për të mbështetur një sektor, që mund të jetë shpëtimi i fshatit dhe bujqësisë, ku hemorragjia e largimit të forcës punëtore mbetet e lartë.
Modeli i “Mrizit të Zanave”, si agroturizëm, është nga të parët dhe më të konsoliduarit në treg, ku vit pas viti guximi për të provuar dimensione të reja nuk ka munguar.
Altin Prenga ka folur për Monitor dhe thotë se tashmë në fokus do të jetë vera. Investimi i fundit është bërë në kantinë në funksion të qilarit. Vera cilësohet nga Prenga si një lokomotivë e fuqishme turistike, që siguron vazhdimësi dhe qëndrueshmëri.
-Si ndikon në agroturizëm rritja e kostove e vërejtur në disa aspekte?
Kostot janë rritur dhe së pari, energjia dhe nafta. Kjo e fundit ka të bëjë më shumë me çështjen bujqësore dhe transportin. Ka një mungesë të jashtëzakonshme të prodhimit bujqësor vendas dhe për fat të mirë kjo ka sjellë rritje të çmimit për fermerët.
Mendoj se për prodhuesit, ka qenë diçka pozitive, megjithëse them se do të zgjasë shumë pak, sepse rritja e kostos së inputeve bujqësore do të rrisë kostot në vazhdim. Ka krijuar një lloj gjullurdie, sepse janë bërë ndryshime me shpejtësi dhe shpeshtësi të madhe.
-Cilat janë tendencat që keni vënë re tek agroturizmi këtë vit?
Trendi që më ka rënë në sy në raport me vjet është rezervimi paraprak nëpërmjet Booking që këtë vit është dy herë më i lartë. Sigurisht ka dhënë ndikim lirimi i qarkullimit.
Ka interes që tani për deri në shtator, që do të thotë se rezervimet janë afatgjata. Më herët ishte tendenca që njerëzit vinin në Shqipëri dhe pastaj rezervonin dhe te ne. Kjo është njësi matëse për ne kur shohim që ka premtim afatgjatë, në një kohë që kërkesa është e madhe.
-Falë rezervimeve nga platformat, ju e keni më të thjeshtë të identifikoni edhe origjinën e vizitorëve. Çfarë vini re?
Kryesorët në rezervime shohim se janë gjermanë ose anglezë.
Dua të sqaroj këtu se ata mund të jenë edhe shtetas shqiptarë që jetojnë në këto vende, por gjithmonë ne na del shteti nga ku bëhet rezervimi.
Kemi rezervime edhe nga Italia, por edhe Kosova, apo edhe vendas.
-Po ai që quhet turizëm patriotik, çfarë vendi zë tek ju?
Më shumë se turizëm patriotik, do ta quaja rajonal, pasi kemi edhe nga Mali i Zi vendas, jo shqiptarë, maqedonas nga Maqedonia e Veriut dhe jo vetëm shqiptarë të këtij vendi. Mund të them se kemi një ndërthurje të klientelës.
-Pati një zhvillim interesant të tregut të Arabisë vitin e kaluar, i cili u vu re edhe në bregdet, por edhe në turizmin kulturor. A vijon e njëjta tendencë?
Ka ende pak interes, por ka një lloj rënie. Entuziazmi që kishin më parë është disi më i ulët këtë vit. Janë një klientelë shumë specifike, ndërkohë që ne jemi një treg i cili ngjan më shumë me Europën Perëndimore edhe në mentalitet, edhe në çmime.
-Folëm pak për kostot në fillim. Po oferta juaj a ka ndryshuar, a ka reflektim të këtyre kostove?
Ne jemi prekur shumë pak në fakt dhe jemi munduar të ruajmë atë që kemi pasur. Për ne është më e thjeshtë ta bëjmë këtë, pasi jemi një sipërmarrje solide dhe prodhues të shumë produkteve.
Kjo bën të mundur amortizimin e kostove por nëse situata vijon siç është do të jetë e pashmangshme që me kalimin e kohës të qëndrosh njëlloj.
-Cili ka qenë fokusi juaj në agroturizëm, pasi herë pas here keni zgjerim apo investim?
Ne kemi përsosur kushtet e kantinës, duke bërë një qilar të posaçëm, i cili ka shumë ndikim dhe ka kompletuar turin e miqve që ne zhvillojmë kur vijnë na vizitojnë.
Kemi menduar që seriozisht të përqendrojmë më shumë energji te vera, sepse ia vlen. Kjo mund të jetë një lokomotivë shumë e fortë turistike, e cila garanton stabilitet dhe vazhdimësi
-Ju keni qenë modeli i parë që bashkëpunimin e kishit me banorët e zonës. Si ka qëndruar në kohë ky model sot, a e keni zgjeruar?
Ne jemi munduar që të mbajmë trendin e punësimit dhe bashkëpunimit me banorët e zonës ku kemi aktivitetin. Të paktën në këtë zonë nuk ka braktisje masive, sikurse e shohim në zona të tjera.
Nuk e ndalojmë dot 100 për qind këtë hemorragji, por mendoj se janë disa tregues që e matin se situata është ende e mirë. Për shembull, ne nga zona arrijmë të sigurojmë plotësisht produktin bazë si qumështi, falë bashkëpunimit të shëndoshë që kemi me banorët e zonës. Kur bashkëpunimet nuk janë të shëndosha, atëherë njëra palë apo tjetra, dorëzohet.
-A hasni probleme për të gjetur punonjës?
Për stafin jemi mirë dhe kemi gjithmonë kërkesë. Mendoj se ka diçka që duhet ta themi dhe t’i mëshojmë fort. Është një lajm i mirë që ka mungesë në treg, siç flitet, pasi mendoj se kështu, më në fund, do të nisë të vlerësohet njeriu.
Është i vetmi lajm i mirë, do të thosha, pasi nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër që të ndryshojë mentaliteti shqiptar mbi burimet njerëzore.
Ikja drastike do të bëjë që të vlerësohet krahu i punës e në gjithë këtë situatë, ndoshta do të përballemi dhe të gjejmë për herë të parë, atë që quajmë shtresë të mesme.
Nje here qe kam qene nuk me ka lene pershtypje aspak te mire. Abuziv