Jo vetëm vlerat e larta të tensionit janë të rrezikshme për shëndetin. Ndërlikime të shumta mund të vijnë edhe nga ulja e tensionit, nën vlerat dhe normat e lejuara. Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se çdo individ duhet të jetë i kujdesshëm në marrjen e masave të duhura për t’i parandaluar rreziqe, në mënyrë të veçantë mënyra e ushqyerjes dhe stili i jetesës, të cilat janë të vlefshme edhe në rastet kur tensioni i gjakut është në vlera të ulëta. Sëmundja në gjuhën mjekësore njihet edhe si “Hypotension”.
Kur kemi të bëjmë me tension të ulët?
Sëmundja ndodh kur zemra nuk ka fuqi mjaftueshëm të punojë për të hedhur në trup sasinë e domosdoshme të gjakut që i nevojitet atij. Çdo individ ka nevojat e tij specifike për sasinë e gjakut që hidhet (pompohet, zemra është një pompë mekanike). Përgjithësisht vlerat normale të presionit arterial konsiderohen 120 me 80 mm Hg (njësia matëse është mmHg, milimetra shtyllë zhive). Por, shumë njerëz kanë një jetë normale edhe kur presioni bie nën këto shifra. Pra, nevojat janë individuale, në varësi edhe të aktivitetit që kryen individi dhe të stilit të jetesës. Kështu, çdo individ ka normat e tij të presionit të gjakut, dhe shëndeti i tij vihet në rrezik kur presioni ulet nën këto vlera dhe në mënyrë të veçantë kur këto vlera bien në mënyrë të papritur për arsye nga më të ndryshmet shëndetësore, pa paralajmërim dhe shoqërohen me shenja alarmuese.
Simptomat dalluese
Janë një sërë simptomash që mund t’ju ndihmojnë të kapni në kohë ndërlikimet që mund të vijnë si shkak i uljes së tensionit. Simptomat më të zakonshme të një tensioni të ulët mund të përfshijnë vizion të paqartë, zbehje të lëkurës, gjendje depresioni, gjendje të fikëti, vështirësi në përqendrim, marramendje, lodhje të përgjithshme, të vjella, frymëmarrje të shpeshta, apo të sipërfaqshme. Nuk është e thënë që të gjitha këto simptoma të shfaqen njëkohësisht tek pacienti. Megjithatë, është e rëndësishme që në asnjë rast të mos neglizhohet prania e tyre, pasi mund të bëhet shkak për ndërlikime të shumta.
Faktorët që ndikojnë
Listohen disa situata mjekësore, në të cilat mund të ulet presioni i gjakut, të tilla si: humbja e gjakut nga hemorragji të ndryshme, apo nga operacionet, nga sëmundje të tiroides, shtatzënia, infeksionet e ndryshme, reaksionet alergjike, anemitë, mangësitë në ushqyerje, mjekimet që kurojnë zemrën dhe presionin e lartë të gjakut, etj. Nëse tensioni juaj bie nën 30 për qind të vlerave tuaja personale normale, atëherë kjo situatë kërkon paraqitjen tek mjeku, teksa duhet të kryhen edhe ekzaminimet e domosdoshme për të evituar shkakun e vërtetë të sëmundjes. Duhet të dini se tensioni i ulët është më i mirë se tensioni i lartë i gjakut për sa i përket rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru.
Ndërlikimet që shkakton
Të gjithë e dimë rrezikun e hemorragjive cerebrale nga tensioni i lartë i gjakut. Por, pavarësisht këtij fakti, rreziqet për trurin janë shumë të mëdha edhe kur tensioni është i ulët, domethënë që truri nuk furnizohet me sasinë e gjakut që i nevojitet. Po kështu, nga mungesa e furnizimit me gjakun e duhur vuajnë edhe organet e tjera si zemra, veshkat, mëlçia, zorrët, etj. Kështu ndodhin ato që quhen ishemi, e cila nuk ndodh vetëm kur bllokohen enët e gjakut nga trombet, apo sklerotizimi i tyre, por edhe kur fluksi i gjakut nuk është në sasinë e duhur. Detyra e veshkave është të eliminojë helmet nga trupi ynë. Por, nëse fluksi i gjakut është i ulët, atëherë veshka nuk filtron si duhet dhe substancat toksike mbeten në gjak dhe shkaktojnë dëme për shëndetin. Kur sasia e gjakut është e pamjaftueshme edhe sasia e oksigjenit është e pamjaftueshme, dhe kështu do të ndeshemi me simptoma të tilla si: ndjenja e të fikëtit, marramendje ose edhe më keq, atake në tru edhe në zemër.
Këshillat për të reduktuar rreziqet nga tensioni i ulët i gjakut
- Natyrisht që kur shenjat që paraqiten janë shqetësuese, duhet të drejtohemi menjëherë te mjeku për të përcaktuar arsyen e vërtetë të kësaj gjendjeje.
- Ne mund të ndërhyjmë vetë dhe të marrin masa parandaluese kundrejt mënyrës së ushqyerjes dhe stilit të jetesës që duhet të ndjekim.
- Nëse për presionin e lartë të gjakut rekomandohet kufizimi deri edhe në ndalim i kripës kur problemet janë madhore, në rastin e hypotensionit ajo rekomandohet, por sigurisht me sasi të kufizuar, sipas përshkrimeve të rekomanduara nga mjeku. Në këto raste kripa ndihmon në ngritjen e presionit të gjakut dhe rekomandohen produkte të tilla ushqimore si djathi dhe supërat e thata ( paketat me supë të gatshme) që kanë përqendrime të larta të natriumit (kripës).
- Rekomandohet të hani shpesh dhe në porcione të vogla gjatë gjithë ditës, sepse gjatë çdo ngrënieje presioni i gjakut rritet.
- Një zgjedhje mjaft e mirë janë qumështi dhe mishrat që kanë përmbajtje të ulët yndyre (mishi i pulës, peshku, jo mishrat e kuq).
- Zgjidhni frutat që ju pëlqejnë dhe përdorini ato sa më shumë, mund t’i shoqëroni ato me qumësht, ose kos, sepse ndikojnë pozitivisht në rritjen e presionit të gjakut.
- Pini sa më shumë lëngje gjatë ditës, qoftë edhe ujë sepse rritet presioni i gjakut. Kështu parandaloni dehidratimin, i cili është një nga shkaqet kryesore të hypotensionit.
- Nëse ju merren mendtë kur ndërroni pozicion, duhet të ktheheni menjëherë në pozicionin e mëparshëm.
- Njerëzit që janë diagnostikuar me tension të ulët duhet të bëjnë shumë kujdes kur ngrihen nga shtrati. Ata nuk duhet të ngrihen menjëherë, por gradualisht. Fillimisht të ngrihen ndenjur, pastaj të qëndrojnë 10-15 minuta me këmbët e varura poshtë shtratit dhe pastaj të çohen me ngadalë dhe pa u nxituar.
- Gjithashtu mjekët mund të këshillojnë edhe barna të caktuara që ndikojnë në rritjen e presionit të gjakut. Njerëzve që vuajnë nga hypotensioni nuk u këshillohet që të qëndrojnë në diell.
- Duhet të shmanget edhe përdorimi i alkoolit, i cili po ashtu është i dëmshëm në shkaktimin e kësaj sëmundjeje. Studimet tregojnë se rreth 7 për qind e rasteve me tension të lartë janë të lidhur me përdorimin e alkoolit dhe rreth 25 për qind e rasteve me tension të ulur janë të lidhur po me përdorimin e alkoolit.
p.k\dita