Agim Vinca
«Udhëtimi në Frashër është jo vetëm një leksion historie, por edhe një vizitë oksigjeno–terapie!».
“Ke qenë në Frashër?”
Me një kolegun tim të Fakultetit, i cili dikur ka qenë pedagog imi, sa herë bisedonim për vizitat tona në Shqipëri, i mburreshim njëri-tjetrit për vendet që kishim vizituar. Dhe, natyrisht se nuk bëhej fjalë për Tiranën, Durrësin, Krujën, Vlorën, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Butrintin, Apolloninë, e as për Shkodrën, Lezhën, Korçën, Elbasanin, Pogradecin e qytete të tjera të njohura, por për disa qyteza a fshatra ku rrallë e tek kanë shkelur shqiptarët jashtë Shqipërisë, në mos edhe ata që jetojnë brenda saj. Kështu, për shembull, kurdo që unë i thosha se kisha qenë, fjala vjen, në Konispol, në vendlindjen e Muhamet Kyçykut të “Ervehesë”, por edhe në fshatin Ninat të Çamërisë, pjesëzës së mbetur brenda territorit të Shqipërisë, që është vendlindja e Hoxhë Tahsinit dhe e Bilal Xhaferit ose në Voskopojën e Akademisë së famshme të shek. XVIII, a në fshatin e njohur turistik të Korçës, Dardhë, ai ma priste: “Ke qenë në Frashër?”.
Kaq thoshte kolegu im dhe ma “mbyllte” gojën! Krejt “arealin” tim me Konispolë, Ninat e Dardhë, pa përmendur edhe Dibrën, Tropojën, Bajram Currin e Peshkopinë, ma hidhte poshtë me një fjalë: “Frashër!”. Me të drejtë, sepse Frashëri është një dhe nuk ka të dytë! Në këtë fshat të thellë malor, dikur të populluar nga qindra e mijëra banorë, kurse tani gati të zbrazët, kanë lindur tre nga personalitetet më të mëdha të historisë shqiptare: Abdyl, Naim e Sami Frashëri.
“Tre vëllezërit Frashëri/ sa për tre Tomorrë/ në tre kontinente/ shkelin për një Vlorë”, thotë poeti Koçi Petriti. Abdyli, Naimi dhe Samiu e morën për mbiemër emrin e fshatit ku lindën dhe e bartën atë në tërë hapësirën shqiptare (dhe jo vetëm), më se dy shekuj. Jetuan në shekullin e nëntëmbëdhjetë, por e mbijetuan edhe të njëzetin dhe do t’i mbijetojnë, falë jetës dhe veprës së tyre, edhe shekujt që vijnë.
Kisha qenë shumë herë me mend në Frashër, por fizikisht shkela aty për herë të parë më 26 maj 2022 (datë e shënuar në kalendarin e jetës sime), të nesërmen e manifestimit letrar “Në gjurmët e Naimit”, që u mbajt një natë më parë në qytetin e Përmetit.
Vizita ime në Frashër ka një parahistori që më duhet (jam i detyruar) ta rrëfej. Nuk kisha qenë kurrë në Përmet dhe pa shkuar në Përmet s’ke si të shkosh as në Frashër. Ka, sigurisht, edhe njerëz që shkojnë në Përmet, por nuk marrin mundimin ta vizitojnë Frashërin, por kjo është çështje tjetër.
Dikush nuk mund të jetojë pa shkuar në Mekë, Jerusalem a Vatikan, pa e parë Londrën, Parisin, Romën e, mbase, edhe Kremlinin, por ja që ka edhe njerëz që nuk mund ta paramendojnë jetën pa e parë Krujën, Vlorën, Korçën, Shkodrën, Prizrenin e Prekazin dhe, natyrisht, edhe Frashërin.
Mik në “qytetin e trëndafilave”
Kisha dëgjuar se në “qytetin e trëndafilave”, si e quajnë Përmetin, mbahet për çdo vit, më 25 maj, në ditëlindjen e Naimit, një manifestim letrar me pjesëmarrje edhe të krijuesve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Organizatori i manifestimit, zoti Ligor Shyti, më ftoi të isha pjesë e edicionit të tij shtatë.
Mënyra si komunikoi me mua zoti Shyti, të cilin nuk e njihja, ishte jo vetëm e kulturuar, por edhe vëllazërore. Në komunikimin që kam pasur me të, pasi mori pëlqimin tim parimor për të qenë pjesë e manifestimit, kërkoi nga unë që të isha edhe anëtar i jurisë për vlerësimin e poezive të arritura në konkurs, bashkë me dy të tjerë. Meqenëse vendosa të shkoja në Përmet, gjithnjë me idenë e heqjes së pengut të Frashërit, pranova t’i hyja edhe kësaj sfide. Jo se leximi dhe vlerësimi i punimeve të arritura në adresë të organizatorit paraqiste ndonjë vështirësi për mua, por ngaqë e di se të qenit anëtar jurie në hapësirën shqiptare është një “shans” për t’u bërë objekt sharjesh e përgojimesh nga më të ndryshmet. Dhe, sa më i ulët që është niveli i konkurrimit, aq më i madh bëhet ky rrezik.
Ligori m’i nisi poezitë e nënshkruara me shifër e jo me emër. Ishin gjithsej 81 vjersha, kryesisht të dobëta (anonimiteti stimulon pseudovlerat), por nga ai brumë u desh të zgjidhja “më të mirat”.
Ia nisa Ligorit poezitë e përzgjedhura për lexim (25 nga gjithsej 81), duke e shoqëruar zgjedhjen edhe me një arsyetim të shkurtër me shkrim, pastaj nga ato 25 propozova pesë që do të mund të vinin në konsiderim për çmim dhe po bëhesha gati të nisesha edhe vetë për në Përmet. Por si dhe me kë?
Të udhëtosh nga Prishtina në Përmet nuk është punë e lehtë. Përkundrazi. Një mik imi shfaqi gatishmërinë që ta bënim bashkë këtë rrugë, por unë, për të mos ia dyfishuar shpenzimet organizatorit, vendosa ta bëja vetë rrugën Prishtinë-Përmet. Ditën kur do të mbahej manifestimi, më 25 maj, nga ora gjashtë e mëngjesit e deri rreth orës tre pasdite, kam qenë në rrugë, duke drejtuar makinën, i shoqëruar nga bashkëshortja ime.
Kur arritëm në Përmet, të lodhur e të raskapitur, ende pa u vendosur mirë në hotel, duhej të bëheshim gati për veprimtarinë që na priste. Në orën pesë (17), sipas programit, do të vinim lule te busti i Naimit, në shëtitoren që mban emrin e skulptorit Odhise Paskali, që është edhe autor i bustit të Naim Frashërit, i cili në Përmet do të duhej të kishte një monument madhështor e jo një bust të thjeshtë.
“Mora rrugën për në Frashër”
Ardhja në Përmet për mua nuk do të kishte kuptim pa shkuar në Frashër. Arrita ta përmbush këtë dëshirë falë Kryetares së Bashkisë, zonjës Alma Hoxha, që pati mirësinë të na jepte makinën dhe shoferin.
Rruga për në Frashër, e gjatë 32 km, është e paasfaltuar. Nuk mund të shkohet në Frashër me makinë të zakonshme, duhet xhip. Duhej nisur në rrugë pa rënë vapa (bënte nxehtë ato ditë). Për të gjitha u kujdes Flori, një djalë nga fshati Ogren, që ka kryer shkencat politike në Tiranë dhe ka punuar disa vjet në kryeqytet, duke qenë edhe aktivist i FRESH-it, por është kthyer në qytetin e tij, sepse në Përmet mungojnë kuadrot.
Rruga zgjat rreth katër orë vajtje-ardhje, përfshirë edhe vizitën në Shtëpinë-muze, por natyra e bukur dhe ajri i pastër bëjnë që t’i harrosh vështirësitë e rrugës. Udhëtimi në Frashër është jo vetëm një leksion historie, i historisë shqiptare, që s’mund të merret me mend pa vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, por edhe një vizitë “oksigjenoterapie”, si thuhet në Albumin e qytetit të Përmetit, në hyrje të të cilit shkruan: “Përveç detit të gjitha i kemi!”.
Derisa makina përkundet duke u ngjitur përpjetë peizazhit të gjelbër, më vijnë në mend vargje nga “Bagëti e Bujqësia” të mësuara që nga koha kur kam qenë nxënës dhe student: “Atje lint diell’ i qeshur, edhe hëna e gëzuar,/ Fat i bardh’ e mirësia në atë vënt janë mbuluar;/ Nat’ atje është tjatrë natë, edhe dita tjatrë ditë, / Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë perënditë!”. Perënditë e lashta pellazge e ilire, që i besonin De Rada e Naimi, Mjeda e Lasgushi!
Befas na del përpara një tufë e madhe dhish bardhoshe, që ngjiten pyllit përpjetë si copa resh… Kaluan shpejt, ashtu siç dinë vetëm dhitë, duke lënë pas vërritjet e tyre. Nuk e pamë “cjapin me zile”, por duhej të ishte aty, me siguri, krenar e madhështor. Flori, që është i kësaj ane dhe që e njeh pronarin, thotë se janë treqind copë, në mos më shumë. “O sa bukuri ka tufa, sa gaz bie bagëtia…”. Rrugës shihet edhe ndonjë kalë a mushkë, që kullosin bar me samar në shpinë, kurse njerëz pak, shumë pak, veç punëtorët, që punojnë aty-këtu në rrugë dhe ndonjë kalimtar i rastit.
Shtëpia-muze e Vëllezërve Frashëri, një godinë dykatëshe prej guri, e rrethuar me gjelbërim, është ngritur në vitin 1974, në themelet e shtëpisë së dikurshme familjare. Krahas kthinave me dokumente e eksponate, ajo ka edhe “odën e miqve” shtruar me shilte e qylyma kuq e zi, ku unë dhe ime shoqe ulemi pranë oxhakut si të ishim Halit beu e Emine hanëmi, që pikërisht në këtë shtëpi sollën në jetë tetë fëmijë (gjashtë djem e dy vajza), tre nga të cilët e ngritën lart, si askush tjetër, nderin e Mëmëdheut. Bëmë edhe fotografi, natyrisht, në odë dhe jashtë saj, te bustet, ku vumë lule të freskëta.
Shtëpia-muze e Vëllezërve Frashëri nuk ka punëtor të përhershëm, ciceron. Nuk e di a ka pasur më parë, por tani nuk ka, ndoshta ngaqë edhe vizitorët janë të rrallë. Çelësin e mban pronari i shtëpisë më të afërt, i cili gëzohet sa herë që vjen dikush në vizitë. Me Pandin (kështu quhet fshatari) dredhim nga një cigare duhan. Unë ia zgjas atij pakon time “Ëest” për këmbim dhe i them se cigaren e tij do ta pi në Prishtinë.
Në vitin 1900 Frashëri kishte 12 lagje. Kur Frashëri ishte qytet(Samiu e quan “qyteti im i vogël malor”), Përmeti ishte fshat. Tani kanë mbetur vetëm katër-pesë shtëpi, në mos më pak, kurse shkolla është mbyllur. Ndërtesa është, por nuk punon, sepse nuk ka nxënës!
Nga 22 lagje, sa kishte 122 vjet më parë, vendlermi i Poetit tani nuk ka as njëzet e dy banorë!
Duke shkuar në Frashër, shoferi, Flori, na fliste për bukuritë natyrore, për Bredhin e Hotovës, atë masiv pyjor, që është Park Kombëtar dhe për shumë pika të tjera të një bukurie të rrallë, ndërsa në kthim na flet për politikën shqiptare.
Kryeministri Rama ka ardhur në Frashër me helikopter dhe, pas vizitës në Shtëpinë-muze, është kthyer përsëri në Tiranë, pothuajse pa e prekur tokën me këmbë! (Poezia që mori çmimin e parë në festival titullohej “Udhët e mia qiellore”, një metaforë e shkëlqyeshme e një lirike dashurie).
Përmetari Ligor Shyti bën përpjekje të mëdha për ta mbajtur gjallë kujtimin e Naimit, por nuk gëzon mbështetjen e shtetit, që harxhon mjete për festa e spektakle nga më të ndryshmet në të katër anët e vendit.
Përmeti dhe panteoni i tij
Kam kujtuar se di mjaft për Përmetin, por ja që gjatë qëndrimit tim në këtë qytet, sado shkurt, mësova mjaft gjëra që nuk i kam ditur.
Nuk e kam ditur, fjala vjen, se ka një festë, që organizohet po në maj, “Festa e Vjosës”, lumit që kalon nëpër Përmet, që është lumi më i madh në Shqipëri, pas Drinit. (E pati marrë në mbrojtje nga rreziku i degradimit edhe vetë Leonardo DiCaprio).Një balon i madh, i kuq, bëhej gati të fluturonte nga sheshi i qytetit, nën vështrimet kureshtare të njerëzve, në mesin e të cilëve kishte edhe turistë të huaj, ndërsa ne bëheshim gati të merrnim rrugën e kthimit për në Prishtinë.
Nuk e kam ditur se në Përmet ka një fshat me emrin Kosovë, për të cilin dihet shumë pak, për të mos thënë aspak në Kosovë, edhe pse ky emërtim, sikurse edhe vendbanimi që e mban atë, është i hershëm e jo i kohës sonë.
Nuk e kam ditur se në Muzeun Historik të Qytetit ka një listë prej 12 personalitetesh të shquara të rrethit, të cilët quhen “12 apostujt e Përmetit”. Në këtë grup prijnë, sigurisht, tre vëllezërit Frashëri: Naimi, Samiu dhe Abdyli, të pasuar nga personalitete të tjera të shquara që ka dhënë kjo trevë, si: Sejfulla Malëshova, Nonda Bulka, Tefta Tashko, Odhise Paskali, Mentor Xhemali, Laver Bariu etj., pa harruar as dëshmorët e luftës antifashiste.
Duke pirë kafenë lamtumirëse me nikoqirët, Ligorin dhe historianin e kronistin e zellshëm të Përmetit, Kastriot Bezatin, mësoj se nga kjo anë është edhe këngëtarja e madhe e shek. XIX dhe fillimit të të njëzetit, Hafize Leskoviku, e njohur në tërë Toskërinë, e cila jo vetëm këndonte, por edhe i binte violinës. Mësoj se Hafizeja me të vëllain, Selimin dhe të atin, Asllanin, që përbënin “Sazet e Leskovikut”, regjistruan pllakën e parë të gramafonit në vitin 1900, me merakun e këngëtares se pasi “ta shiste zërin” nuk do të mund të këndonte më! Hafizeja vazhdoi të këndonte gjatë tërë jetës (këngët e saj mund të dëgjohen edhe në YouTube), kurse Kastrioti tregon se Hafizeja këndoi edhe në dasmën e Shahin Kolonjës (Ypit), kur ky u martua me të bijën e Naimit, Nevrezin dhe se pas vitit 1922 u largua në Stamboll, ku edhe e mbylli jetën, pa u martuar kurrë me askënd, pos me muzikën. (Sopranoja e famshme, Tefta Tashko, që ka një bust të vogël në Përmet, në një kënd të qetë, ishte, siç dihet, e shkolluar, kurse Hafizeja nuk kishte shkollë, por një talent të lindur, “burimor”).
Nga qyteti i Përmetit është edhe poeti Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta në shkurt të këtij viti. Pasi punoi rreth dhjetë vjet si mësues në fshatrat e Përmetit, e tërhoqi Dritëroi në Tiranë, si talent, për t’u bërë njëri nga poetët më të shquar të brezit të vet. Me Bardhin ishim miq. Qemë takuar shumë herë në vendlindjen time në Strugë, në “Mbrwmjet e Poezisë”, edhe në Tiranë, në Prishtinë, në Gjakovë, Tetovë e gjetkë, por jo edhe në Përmet. Në verë të vitit 1998 ishim bashkë në një festival poezie në Stamboll, me Dritëroin e të tjerë. Kur vizituam Xhaminë e Kaltër, unë ia recitova vargjet e poezisë së tij kushtuar këtij objekti monumental, vepër e një arkitekti shqiptar: “Ah, Xhamia blu, Xhamia blu!/ S’më duhet përkthyes këtu”, që tingëlluan magjishëm nën kubenë akustike, kurse ai u mahnit dhe më tha: ”Unë i kisha harruar, ti m’i kujtove… Je njohës i rrallë i poezisë shqipe!”. Edhe pse politikisht nuk pajtoheshim, e patëm ruajtur respektin për njëri-tjetrin.
Me Kastriotin bisedojmë edhe për Fehim bej Zavalanin, kryetarin e Klubit “Bashkimi” të Manastirit, që ndërmori, tok me Gjergj Qiriazin, në gusht të 1908-s, nismën për mbajtjen e Kongresit të Alfabetit, njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Fehmiu ka lindur në Zavalan të Dangëllisë, kurse i biri, historiani dhe publicisti Tajar Zavalani, në Manastir, ku qe shpërngulur familja në vitin 1896. Nuk e di a janë edhe këta të dy pjesë e “panteonit”, por nga bashkëbiseduesit mësoj se nuk mungojnë në të as dëshmorët e LNÇ-së: heroi i popullit Skënder Çaçi dhe një tjetër, që s’ia mbajta mend emrin.
Në vend të përfundimit
Në Përmet shkova dhe erdha me shpenzimet e mia, duke bërë gjithsej 1030 kilometra rrugë në të dy drejtimet. Punën e anëtarit të jurisë e bëra falas, jo pse nuk doja të shpërblehesha, por ngaqë organizatori nuk kishte mundur të siguronte mjete. Nëkthim u desh të flija një natë në Durrës, për shkak të rrugës së gjatë.
Përmetit unë i “harxhova” gjithsej 50 euro, aq sa kushtonte fjetja në hotelin në qendër të qytetit, pranë Bashkisë, që mori përsipër ta bënte pagesën. Ç’fitova? Njohjen me njerëz të mirë, të dashur e bujarë, që rrallëkund gjenden si në Përmet dhe vizitën në Frashër, që s’e ndërroj me kurrgjë në jetë!
Ende nuk e kam takuar kolegun tim të Fakultetit, i cili, sa herë që “haheshim” për Shqipërinë, më thoshte: “Ke qenë në Frashër?!”. Do ta takoj ditën që do të dalë ky shkrim, do ta qerasi me një gotë raki përmeti dhe do t’i them: “Isha në Frashër!”.
Tani mund të fle i qetë, si ai që ka bërë detyrën e vet.