Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara muajt e fundit në Shqipëri, duke theksuar se vëmendja ndërkombëtare ndaj tyre lidhet me hijen e presidentit amerikan Donald Trump. Gjatë fjalës së tij, në panelin me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, Rama u shpreh se nuk është i sigurt nëse protestat do të kishin të njëjtin jehonë ndërkombëtare nëse nuk do të ishte përfshirë emri i Trump.
Kryeministri shtoi se Shqipëria po ndryshon dhe se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë vëmendje dhe të ngrenë pikëpyetje për përfshirjen e njerëzve në këtë transformim.
“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka qenë publike. Madje, pati edhe një emër, ‘Revolucioni i Flamingove’, që tërhoqi gjithë vëmendjen e botës. Sepse ndodhi se pas kësaj është edhe hija e Donald Trump, sepse nuk jam i sigurt që, nëse nuk do të ishte Donald Trump, do të donte t’ia dinte dikush për flamingot në Shqipëri. Por mënyra si e shoh është shumë më ndryshe. Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë, dhe në fakt, është ajo që quhet ‘revolucioni i pritshmërive më të larta’. Njerëzit kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë legjitime për të kërkuar më shumë dhe për të ngritur pikëpyetje se ku janë në këtë transformim. Ky është pikërisht fakti pse jemi kaq të lidhur me BE-në dhe po punojmë aq fort me BE-në, që ka qenë shumë mbështetëse. Kjo është qasja ime”, tha Rama.
Rama ka reaguar edhe për incidentin me këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës, të interpretuar në prag të forumit të BE-së, duke e cilësuar atë një akt që nuk duhet të kalojë në heshtje. Nga paneli me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, Rama u shpreh se kënga nuk ka lënduar vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por bie ndesh edhe me frymën e bashkëpunimit dhe integrimit europian.
Ai theksoi se Serbia duhet të jetë në krah të Europës, por kjo nuk do të thotë se mund të tolerohen provokime që rikthejnë fantazitë e konflikteve të së kaluarës.
“Më lejoni që të them diçka, para se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë, për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, nuk duhet të kthehet sot një e keqe përmes heshtjes. Një këngë pa shije nacionaliste, u interpretua në prag të këtij forumi, kundër gjithçkaje që përfaqësonte. Nuk është se e lëndon vetëm ndjenjat e kombit shqiptar, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos na lënë që të kalojë në heshtje atë që kërkon të na kthejë në kohë. E di sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, që ta mbajnë Serbinë në anën tonë, të Europës, gjatë gjithë kohës dhe dua të sigurohem që ajo që po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje, por nuk duhet të lëmë hapësira për beteja mesjetare, që të kalojnë në fantazira. Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për ne. Ne nuk po kërkojmë që të vijmë këtu, po kërkojmë që të sjellim Europën atje”, tha Rama.
j.l./ dita
