Të gjithë maturantët që gjatë plotësimit të formularit A2 kanë listuar degët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës për të vijuar konkurrimin për studimet e larta, duke nisur nga dita e sotme dhe deri të enjten, duhet të bëjnë regjistrimin për testin e pranimit. Autoritetet e këtij Fakulteti sqarojnë se testi i pranimit do të zhvillohet në datën 23 gusht në sallën e Pallatit të Kongreseve, Tiranë. Ndryshe nga sa ndodh me degët e tjera të studimit në Universitetin Politeknik, për të ndjekur programet e studimit tek Arkitektura kriter pranimi është edhe konkursi (testi i pranimit) që do të zhvillohet në datën e përcaktuar.
Programet e studimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës për të cilat do të zhvillohet konkursi i pranimit në datën 23 gusht janë: programi “Master shkencor në Arkitekturë, profili Arkitekt”, si dhe programi “Master shkencor në Arkitekturë, profili Urbanist”, studimet në të cilat do të zhvillohen për 5 vite akademike (me kohë të plotë). Konkursi i pranimit do të zhvillohet edhe për programin e nivelit të parë “Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn” program i cili realizohet për 3 vite (me kohë të plotë).
Testi i pranimit do të jetë një test i vetëm për të tre programet e studimit të sipërpërmendura. Konkursi do të jetë i organizuar në një ditë dhe do të zgjasë 2 orë. Testi do të përmbaj 60 pyetje dhe përgjigjet e pyetjeve do të jenë me përzgjedhjen e alternativës së saktë, në mënyrë që të mundësojë korrigjimin elektronik.
Afatet e regjistrimit
Regjistrimi i konkurentëve për në testin e pranimit në të gjitha programet e studimeve të ofruara nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës do të vijojë për pesë ditë me radhë, duke nisur nga sot. Kështu, çdo kandidat që gjatë plotësimit të formularit A2 ka përzgjedhur për të konkurruar në degët e këtij Fakulteti, duhet që të paraqitet pranë sekretarisë mësimore për të bërë procesin e regjistrimit, duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të duhura. Afatet për regjistrimin e hyrjes në testin e pranimit janë nga data 7-11 gusht 2023.
Regjistrimi në konkurs është me pagesë. Tarifa e përcaktuar që duhet të shlyeni pranë bankës së nivelit të dytë është në vlerën e 3000 lekëve, ndërkohë që faturën mund ta shkarkoni nga faqja online e këtij institucioni të arsimit të lartë. “Kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurset e pranimit vetëm kandidatët sipas listës së dërguar nga portali U-Albania. Çka do të thotë se mund të hyjnë në testin e pranimit vetëm ata maturantë dhe kandidatë që kanë zgjedhur gjatë plotësimit të formularit A2 për të konkurruar në një nga tre programet e përmendura më lart. Për të bërë një regjistrim të suksesshëm, çdo kandidat duhet të paraqesë dosjen e dokumenteve të kërkuara në afatet e vendosura, ku duhet të përfshijë: fotokopjen e kartës së identitetit (ku të shënohet numër telefeoni dhe adresa e-mail), një kopje të noterizuar të diplomës dhe dëftesës të shkollës së mesme, dy fotografi personale, si dhe mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit.
Fituesit e rinj të 2023
Për të garuar për këto programe studimi, maturantët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare minimale të shkollës së mesme të miratuar nga qeveria. Çka do të thotë se për kuotat e reja të pranimeve, në garë do të mund të hyjnë të gjithë kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 dhe më lart.
Përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas pikëve të grumbulluara nga çdo kandidat nëpërmjet formulës së përcaktuar: 0.4*Mes VKM*K*1000+0.6*Testi*100, ku: Mesatare Vkm është nota mestare e thjeshtë e të gjitha viteve të shkollës së mesme , e llogaritur sipas vendimit përkatës të qeverisë.
Koeficenti i Shkollës, është koeficienti me të cilën vlersohet çdo shkollë e mesme për pranimet e vitit të ri akademik 2023-2024.
Ndërsa Testi është rezultati që kandidati do të marrë gjatë testit të pranimit (i cili përbëhet nga vlerësimi i katër komponentëve: Testi i arsyetimit logjik që vlerësohet me 25 pikë, testi i kulturës së përgjithëshme që vlerësohet me 25 pikë, testi i historisë dhe historisë së arkietkturës që po ashtu vlerësohet me 25 pikë, testi i vizatimit dhe prezantimt që vlerësohet po me 25 pikë”.
Sipas vendimit të marrë më herët nga Senati Akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës, pjesë e të cilit është edhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, është vendosur që për pranimet e vitit të ri akademik 25 kandidatë do të shpallen si fitues në programin e studimit të nivelit të parë “Arkitekturë interieri dhe dizajn”, 80 në programin e integruar “Master i shkencave në profilin Arkitekt”, 50 në profilin “Master i shkencave Urbanist”.
Programet e studimit në FAU për të cilat do të zhvillohet konkursi janë:
- Master Shkencor në Arkitekturë, Profili Arkitekt (5 vite, me kohë të plotë).
- Master Shkencor në Arkitekturë, Profili Urbanist (5 vite, me kohë të plotë).
- Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn (3 vite, me kohë të plotë).
Vlerësimi i pyetjeve në test:
- Për çdo përgjigje të saktë: 3 pikë
- Për çdo përgjigje të gabuar: – 1 pikë
- Pa përgjigje: 0 pikë
- Kur keni plotësuar më shumë se një alternativë: – 1 pikë
Përmbajtja e testit të pranimit për degët e Arkitekturës:
Katër janë komponentët rreth të cilave do të hartohen pyetjet e tezës finale të pranimit për programet e studimit në këtë fakultet. Maturantët do t’i nënshtrohen këtyre komponentëve: Testi i arsyetimit logjik që vlerësohet me 25 pikë, testi i kulturës së përgjithëshme që vlerësohet me 25 pikë, testi i historisë dhe historisë së arkietkturës që po ashtu vlerësohet me 25 pikë, testi i vizatimit dhe prezantimt që vlerësohet po me 25 pikë.
Test i arsyetimit logjik
Testi i arsyetimit logjik ka 25% të pytejeve të përgjithshme. Kandidati potencial, i cili do të ndjekë studimet në degët e Arkitekturës dhe Urbanistikës, duhet të reflektojnë një seri cilësish të lidhura me arsyetimin logjik të tij. Pyetjet do të merren me raste ose probleme, të cilat do të bazohen në tekste të eseve me një natyrë shkencore, apo me një natyrë abstrakte, zgjidhja e së cilës kërkon adoptimin e formave të ndryshme të arsyetimit logjik. Në fushën e arsyetimit logjik, tentohet të evidentohen ata kandidatë që shfaqin kapacitet analitik racional, si dhe intuitë në perceptimin 2-dimensional e 3-dimensional. Të dyja format e dijes (empirike apo inteligjencë natyrale) ndikojnë në performancën e kandidatëve, por një pjesë e mirë e pyetjeve fokusohen në aftësinë e tyre për të analizuar në një kohë relativisht të shkurtër. Në një hark të kufizuar kohor, kandidatët duhet të kuptojnë kërkesat e problemit të paraqitur, të analizojnë dhe të japin alternativën e duhur.
Testi i Kulturës së Përgjithëshme
Testi i kulturës së përgjithshme ka 25% të pytejeve të paraqitura. Pyetjet do të bazohen në tekste të eseve shkencore ose treguese nga autorë klasikë ose bashkëkohorë, ose në tekstet aktuale të botuara në gazeta ose në revista të përgjithshme, apo të specializuara. Në pjesën e testit të kulturës së përgjithshme do të kombinohen pyetje të ndryshme që do të arrijnë të nxjerrin në evidencë sintezën e dijeve të kulturës së përgjithshme të marrë nga kandidati, deri në atë moment. Fushat të cilat kontrollohen, lidhen ngushtë si me aktualitetin politik, social e kulturor, por edhe me koncepte e fenomene të së shkuarës.
Testi i historisë dhe historisë së arkitekturës
Testi i historisë dhe historisë së arkitekturës ka 25% të pyetjeve të paraqitura. Testi ka për qëllim përcaktimin e kritereve të përgjithshme në përputhje me orientimin kronologjik në lidhje me protagonistët dhe fenomenet me rëndësi historike (të epokës së lashtë, të Mesjetës së lartë dhe të ulët, të epokës moderne, të epokës bashkëkohore). Këto udhëzime të përgjithshme historiko-kronologjike gjithashtu do të verifikohen nëpërmjet vlerësimit të njohurive të ndërthurura me ngjarje artistike specifike arkitekturore (vepra arkitekturore ose rryma artistike). Në pjesën e testit të kulturës së historisë së përgjithshme do të kombinohen pyetje të ndryshme që do të arrijnë të nxjerrin në evidencë sintezën e dijeve të marrë nga kandidati deri në atë moment. Literatura në të cilën do të mbështetet testi do të bazohet në: 1. Tekstet shkollore të Historisë. (për shkollat e mesme) 2. Tekstet shkollore të Historisë së Artit. (për shkollat e mesme).
Testi i vizatimit dhe prezantimit
Test i vizatimit dhe prezantimit ka 25% të pyetjeve të paraqitura. Testi synon të konstatojë aftësinë për të komunikuar grafikisht, për të analizuar grafikët, vizatimet dhe kushtet e korrespondencës në lidhje me objektin e përfaqësuar nga zotërimi i nocioneve elementare, që lidhen me komunikimin grafik dhe prezantimin (objektet, bimët, lartësitë, aksonometritë etj). Për të kryer këtë test, duhet të keni mjetet e vizatimit teknik. Pyetjet do të bazohen në tekstin shkollor të teknologjisë. \DITA\
p.k\dita
