Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Përfundime e mesazhe për librin “Vendbanimet në hapësirën historike të shqiptarëve të Çamërisë” të Prof. Dr. Selman Sheme
Teksa futesha dje (17 qershor 2022) në sallën e konferencave të Hotel “Mondial” të kryeqytetit, ku do të promovohej një vepër shkencore kushtuar Çamërisë martire të Prof. Dr. Selman Sheme, më trokiti fort në mëndje një krijim i mrekullueshëm i poetit të mirënjohur durrsak, Agim Bajrami: “Ullinj të vendlindjes/ Anë e kënd shpërndarë/ Sa vite u bënë/ Që jetojmë të ndarë?”
Dhe, ca më poshtë: “Në dy harta dhimbjesh/ Prej gardhi dhe kloni/ M’u ka çarë shpirti/ Zemra, më besoni”.
E ndërsa ulesha, më dukej sikur poeti më grishte mes ngashërimit: “ Ullinj të vendlindjes/ Kronika prej gjethesh/ Çamëria jonë/ Ende djeg mes ethesh”.
Ja, pikërisht dje, më 17 qershor 2022, Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi në sallën e konferencave të Hotel “Mondial” në Tiranë promovimin e leksikonit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike – hapësinore, demografike e funksionale” të autorit Prof. Dr. Selman Sheme.
Veprimtaria shkencore filloi me një përshëndetje të ngrohtë prej rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Luan Përzhita, dhe vazhdoi edhe me një tjetër përshëndetje prej zotit Servet Mehmeti – përfaqësues Nderi i komunitetit çam.
Në vijim u mbajtën disa referate shkencore. Prof. Dr. Sabri Laçi, dekan fakulteti, foli për “Lidhjet shpirtërore të njeriut me vendin e origjinës”. Më tej Prof. Dr. Fatmira Rama mbajti referatin “Shpërnguljet e popullsisë çame në vitet ’20 – ’30 të shekullit XX”. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe u ndal te “Tipologjia e vendbanimeve në Çamëri”, ndërsa Dr. Lorenc Agalliu shtjelloi temën “Trualli i Çamërisë si gjeohapësirë kulturore dhe etnike shqiptare”.
Në vazhdim përshëndetën edhe zotrinjtë Resmi Osmani, Zenel Qeveri, Hysen Koçillari, Gaqo Tanko, Gëzim Luli, Mendu Dërguti e të tjerë.
Si zakonisht, mbas trajtesave shkencore dhe përshëndetjeve, fjalën e mori autori i veprës shkencore, Prof. Dr. Selman Sheme, i cili falënderoi përzemërsisht referuesit, pa lënë mënjanë edhe tërë të pranishmit në sallë.
Me zellin e shkencëtarit, gërmues pasionant thellësive të historisë çame
Se sa dhe si ka punuar Prof. Dr. Selman Sheme për të botuar këtë leksikon tepër interesant, këtë na e thotë shumë shkoqur dhe qart që në hyrje të këtij botimi, akademik Prof. Dr. Artan Fuga: “… ai (Selman Sheme Dh. SH.) përshkon pa u lodhur në dhjetëra e dhjetëra faqe librash të vjetër e të rinj, punime historianësh dhe shënime vizitorësh të huaj të atyre krahinave, në manuale dhe tekste të vjetra gjeografie, dokumente statistikash të bëra nga zyra shtetesh mbi demografinë e zonave që studion etj., dhe na jep një tablo të gjerë të krahinës që merr në shqyrtim”.
Dhe, ca më tej, akademik Prof. Dr. Artan Fuga shkruan: “Autori na tregon me detaje vendbanimet e krahinës, pavarësisht nëse ato ndodhen në territorin e shtetit grek, apo në atë të shtetit shqiptar. Cilido që dëshiron mund të njohë fshat pas fshati dhe qytet pas qyteti trevat e banuara nga popullsia çame. Ai e shoqëron këtë me të dhëna për pasuritë natyrore, të mbi dhe nëntokës, si edhe me të dhëna për klimën, afërsinë me detin, relievin, apo edhe me ndalesa në simbole monumentale, si i Tempullit të Dodonës, lumenjtë, malet etj.”
Prof. Dr. Selman Sheme shkruan jo me gjuhën e ndezur të politikanit, por me logjikën e ftohtë të shkencëtarit.
Fakte e statistika të shkruara me gjuhën e dhimbjes
Prof. Dr. Selman Sheme, autor i më shumë se 25 monografive shkencore dhe i mjaft teksteve shkollore, aktualisht është zëri më i fuqishëm mes shumë intelektualëve të shquar të Çamërisë martire. Realist në ato çka shkruan dhe jashtë çdo mllefi ndaj fqinjve tanë jugorë, autori i shkon lexuesit me fakte e statistika të besueshme historike.
Shpërnguljet e shqiptarëve nga trojet e tyre në Çamëri, shkruan autori në këtë libër, kanë filluar që me pushtimin osman në shekullin XV. Nga ky pushtim shumë shqiptarë u detyruan të linin trojet e tyre stërgjyshore dhe të nguleshin në Greqinë jugore, apo edhe në Italinë jugore.
Shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve të Çamërisë u bën më të shpeshta dhe më masive në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ca më e dukshme u bë kjo shpërngulje masive gjatë Luftës Ruso – Turke të viteve 1877 – 1878. Në fakt, thotë autori, kësisoj u realizua kolonizimi i krahinës së Çamërisë nën parullën e spastrimit etnik nga popullsia shqiptare e fesë islame!
Vala e parë e shpërnguljes së shqiptarëve çamë, vazhdon autori i librit, i përket viteve 80 të shekullit XIX, kur Greqia, e ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha në bazë të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878), mori nga Turqia rrethet e Artës dhe shpërnguli me forcë popullsinë shqiptare nga ato troje.
Shekulli XX fillon e vazhdon me gjakosjen në masë të shqiptarëve të Çamërisë
Në fillim të shekullit XX shpërngulja e popullsisë shqiptare nga krahina e Çamërisë bëhet më intensive dhe është e orientuar gjeografikisht në mjediset qendrore të trojeve shqiptare. Me pasoja tragjike, thekson autori i librit, qenë vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Kështu, pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe e fshatrave të Çamërisë mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë dhunshëm nën sundimin grek!
Gjatë Luftës së Parë Botërore u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore rreth 10 mijë shqiptarë të Çamërisë, të cilët u degdisën në Turqi.
Por historia vazhdoi e vazhdoi të flasë vetëm me gjuhën e dhimbjes: Në vitet 1913 – 1914, duke kaluar edhe kufijtë e porsacaktuar të Shqipërisë, ushtria greke vrau, dogji e shkatërroi mjaft vendbanime rurale e urbane në rrethet e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit e Tepelenës, duke përfshirë edhe Kurveleshin.
Masakrave të grekëve, pohon autori, iu nënshtrua në mënyrë të veçantë popullsia myslimane. Mbështetur në statistika zyrtare, u shkatërruan 190 fshatra dhe dy qytete, u dogjën 6831 shtëpi dhe mbetën pa strehë 43 296 banorë!
Një pjesë e popullsisë u vra! Vetëm në fshatin Kodër të Tepelenës më 2 maj të vitit 1914 u therën nga oficeri grek Saqillari 217 hormovitas!
Historia le mbas fakte tragjike, por koha nuk fshin asgjë
Libri “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” i Prof. Dr. Selman Sheme hedh dritë mbi shumë të vërteta, që meritojnë të mbahen shënim deri edhe nga politikanë kryesorë të këtej e të matanë kufirit shqiptaro – grekë. Se historia vërtet vazhdon të shkruajë, por koha nuk fshin asgjë.
Masat qeveritare greke ndaj shqiptarëve myslimanë iu nënshtruan shkëmbimit të popullsisë. Çeta andartësh dhe kriminelësh profesionistë grekë, thuhet në libër, e masakruan popullsinë, e grabitën dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi!
Më 24 prill të vitit 1924, shkruhet në botimin për të cilin bëjmë fjalë, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë merr një mesazh, në të cilin, veç të tjerash, thuhej: “Shqiptarët e Karbunarës në Çamëri kanë mbetur në rrugë të madhe në Selanik, sepse nuk duan të shkojnë në Turqi… Gjendja e tyre është e mjerueshme e janë për t’u dhimbsur: rrinë nëpër llamarina të lëna nga inglizët në rrugë të perëndisë; askush nuk u del zot: nga papasja lypin nëpër xhamia…”.
Jo vetëm banorët myslimanë, por edhe ata të krishterë që mbetën në viset përtej kufirit u gjendën para trysnisë së shkombëtarizimit. Atyre iu ndalohej çdo shfaqje e shpirtit kombëtar tradicional, e shprehur në doke, zakone, në gjuhë e në kulturë. Në një gjendje të tillë, të papranueshme për ta, një pjesë u dyndën në shtetin amë, ose në ndonjë vend tjetër.
Në vitet 1920 – 1926 u dërguan me forcë në Turqi 35 mijë shqiptarë, këta – banorë të 24 fshatrave të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 35 mijë shqiptarë të Çamërisë, pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe Pargës.
Ora e historisë çame lëviz ngadalë, por nuk do të mund të ngecë asnjëherë
Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta u fut në një fazë të re gjatë Luftës Italo – Greke (1940 – 1941) dhe arriti në pikën kulminante me ngjarjet e viteve 1944 – 1945.
Më 27 qershor të vitit 1944 në rajonin e Paramithisë ndodhi masakra më çnjerëzore ndaj popullsisë shqiptare myslimane të Çamërisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) të gjeneral Zervës hynë në qytete dhe vranë mbi 600 shqiptarë myslimanë; gra, burra e fëmijë, shumë prej tyre të përdhunuara dhe të torturuar para se të vriteshin!
Në këtë botim me të dhëna vërtet rrëngjethëse, autori jep një pasqyrë të plotë të vrasjeve masive në shumë qytete dhe fshatra me banorë shqiptarë. Në Paramithi vriten mbi 800 banorë, në Filat vriten 1286 banorë, në Margëlliç e në Pargë vriten 626 banorë shqiptarë e kështu me radhë. Gjithsej llogaritën të vrarë e të masakruar rreth 2 900 njerëz të pafajshëm, prej të cilëve 2214 gra dhe 128 fëmijë!
Në këto kushte terrori filloi në gusht të vitit 1944 eksodi i popullsisë çame drejt shtetit amë, Shqipërisë. Dhe vazhdoi ky eksod deri në mars të vitit 1945. Si pasojë e kushteve të këqija të jetesës, në mungesë të ushqimeve gjatë këtij eksodi biblik, vdiqën nga uria dhe sëmundje të ndryshme rreth 2755 refugjatë.
Gjithë “trimat” e Napolon Zervës u bën pronarë tokash! Tërë pasuria e shqiptarëve kaloi në duart e grekëve. Pronat e Çamërisë në Greqi u grabitën me urdhrin mbretëror U.B. 2185/152 dhe me Vendimin 2781/54 pasuria bujqësore dhe ajo blegtorale u shpërnda ndër grekët e patokë, ndërsa pasuritë e tyre nëpër qytete u ndanë me konkurs (!), duke iu dhënë banorëve që nuk kishin banesa!
Aktualisht, rreth 11 për qind e popullsisë shqiptare përbëhet nga banorë me origjinë prej Çamërie
Sipas asaj çka thuhet në botimin serioz të Prof. Dr. Selman Sheme, numri total i refugjatëve të regjistruar provizorisht në dokumente zyrtare të administratës shqiptare gjatë vitit 1945 arrinte në rreth 23 070 persona, pa marrë në konsideratë edhe mjaft të tjerë të paregjistruar.
Gjatë periudhës 1945 – 1990 popullsia çame dalëngadalë nisi e vazhdoi të integrohej në jetën sociale dhe ekonomike të vendit.
Sipas regjistrimit të vitit 1991, organizuar nga Shoqëria Patriotike “Çamëria” popullsia me origjinë çame e vendosur në Republikën e Shqipërisë arrin në 204 255 banorë. Mbështetur në teoritë demografike dhe lëvizjet migruese rezulton që numri i popullsisë me origjinë çame të jetë në ditët tona rreth 300 mijë banorë, që, e llogaritur ndryshe, do të thotë që 11 për qind e tërë popullsisë shqiptare të jetë me origjinë nga Çamëria.
Sipas regjistrimit të vitit 1991, shkruhet në libër, rezulton që në Vlorë të banonin 42 300 banorë me origjinë çame, në Fier – Patos të banonin 39 800 banorë çamë, në Durrës – Shijak – Sukth të banonin 35 000 banorë çamë, në Tiranë të banonin rreth 30 000 banorë çamë, në Lushnje, Dushk – Çermë të banonin 8 300 banorë çamë etj.
Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë ruajnë traditat, të drejtat zakonore të kultivuara në shekuj, dialektin e tyre të lashtë, këngët, vallet, folklorin, veshjet e tyre karakteristike dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për t’u kthyer në trojet e veta.
* * *
Siç e theksuam edhe diku më lart, ky botim serioz i Prof. Dr. Selman Sheme i bën jehonë gjuhës së mirëkuptimit me popullin e fqinjit tonë jugor.
Duke i lënë më shumë vend fakteve dhe statistikave, autori i drejtohet lexuesit jo me gjuhën e analistit të sëmurë politikë, por me logjikën e shkencëtarit të paanshëm, si për t’i thënë lexuesve: Këto janë të dhënat që na përcjell historia, tani gjykoni vet.
Dhe përpos të gjitha këtyre, autori na jep po atë mesazh, që, aq bukur e aq qartë, e shpreh gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare: “Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri – tjetrin”.