Nga Bardhyl Ermini (Bejo)
Botuar në DITA
– 10 milion euro një km rrugë? Shumë shtrenjtë!
– Po pse, sa duhet të ishte?
– 5 milion!
– Pse jo 12 milion?
– Sepse kaq kushtojnë rrugët në Gjermani jo më shumë se 5 milion euro…
Një bisedë e rëndësishme kjo, por tepër vulgare, e cila për çudi haset shpesh. Profesioni më lejon t’i shmangem kësaj “bisede” primitive, që për më tepër se nuk thotë gjë, të bën pesimist. Është bërë e njohur këto ditë një pjesë e prioriteteve që ka Qeveria për investimet e pas vitit 2024. Flitet për 51 projekte me studime fizibiliteti të kryera, vlera e të cilave e kalon shifrën prej 4.5 miliard euro. Ndër të tjera nis së shpejti zgjerimi me nga dy korsi në çdo krahë të autostradës Tiranë – Durrës me vlerë 300 milionë euro dhe paralel me të edhe rikonstruksion i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa me vlerë 87 milionë euro. Po ndaloj te kjo e fundit, si më e thjeshta.
Menjëherë lind pyetja, pse 87 milion euro? Sepse vlera me të cilën ajo është prezantuar vite më parë ka qenë 39 milion euro, pastaj aty rreth vitit 2015 ka ndryshuar në 54 milion euro dhe në tenderin e fundit, fondi limit është “kllaposur” 754 milion e 965 milion lekë (76 milion euro). Çfarë të besojmë tani, 39 apo 87 milion euro? Kjo diferencë kaq e madhe në fakt të bën jo të dyshosh, por të “çmendesh”. Sa kushton kjo rrugë xhanëm?
Po pse të hamendësojmë dhe të bëjmë krahasime me të pakrahasueshmen? Hapim manualin shtetëror të preventivimit (të çmimeve) dhe bëjmë një lloj vlerësimi të përafërt e shumë më normal se krahasimi me Gjermaninë apo me Honolulunë. Rruga në fjalë sot është 28 kilometra e gjatë dhe me gjërësi asfalti 7 metra. Në se gjërësia e asfaltuar e asaj rruge bëhet 9.5 metra (2.5 metra më tepër), krejt sipërfaqja që përftojmë është 266 mijë metra katror. Bazuar në profilin tërthor të projektuar të vetë rrugës, nga manuali po mar çmimet maksimale (e theksoj maksimale) të punimeve përkatëse me çakëll, stabilizant, shtresë mbajtëse bituminoze, binder dhe asfaltobeton. Krejt këto punime duke u shumëzuar me çmimet përkatëse, duke shtuar këtu edhe punimet e tjera si strukturat e betonit, tombinot, hekurin dhe gërmimet e dherave bashkë me transport, japin një shumatore prej … 19 milion e 400 mijë euro.
Bëjmë shtesat e nevojshme, në përputhje me ndryshimet e çmimeve që kanë ndodhur si dhe nga fakti i mosnjohjes ekzakte të projektit : 22 përqind rritje çmimesh për materiale dhe punëtori, 10 përqind fond për punime të paparashikuara (nga 5 përqind në projekt), 25 përqind vlerën e mundëshme të infrastrukturës (kuneta, mure, kanalizime, kufizuesa etj). Rezultati del 31 milion euro. Në fund shtojmë vlerën e tvsh prej 20 përqind dhe rezultati përfundimtar është 37.2 milion euro. Për të patur në dorë edhe një tjetër siguri, po shtoj edhe vlerën prej rreth 6 milion euro të ndërtimit (nga fillimi) të urës të Beshirit (në se bëhet e tillë) dhe totali i vlerës që po përpiqem “të ndërtoj” mbyllet me plot … 43 milion euro!
Por vlera e planifikuar është 87 milion euro! A thua kam gabuar kaq shumë?! Ku ta gjej këtë informacion? Kërkundi! Dakort, po përpiqem të korrigjoj veten. Do të shtoj vlerën e krejt prishjeve të punimeve të vjetra (a do të bëhen këto vallë?), të cilat si rregull janë maksimumi sa gjysma e vlerës të punëtorisë (shumica bëhen me makineri) dhe në këtë rast janë afërsisht 5 milion euro. Po rris edhe 2,5 metra gjërësinë e rrugës dhe po e bëj bulevard, gjë që bën të rriten volumet me 26 përqint apo me 11 milion euro. Po shtoj edhe 5 përqind shpenzime të tjera të ndryshme (“çudirat” e teknologjike), të cilat bëjnë 2.1 milionë. Vlera tashmë vajti në 62.1 milion euro. Dhe këtu do bëj “stop”, pasi pasiguria ime për mungesë informacioni, duket se më bëri si tepër “xhymert”. Shifra përfundimtare ka diferencë me vlerën e planifikuar prej 28.5 përqint ose 24.9 milion euro!
Këtu po e mbyll këtë debat gjysëm teknik. Nëse për 51 projekte prioritare të maturuara me vlerë që kapërcejnë shifrën 4.5 miliard euro dhe që presin të ndërtohen, “gabohet” kështu (me 28 përqind), ky gabim përfaqëson një … hata, 1 miliard e 260 milion! Theksoj se sa më sipër nuk kam folur me krahasime “fantazmagorike” gjermano – shqiptare, por thjesht bëra një “provokim” pozitiv për dy qëllime.
Së pari, sikur shifrat me të cilat u përpoqa të bëj “oponencë” të mos qëndrojnë, kush na jep siguri se ç’ka deklarohet zyrtarisht është e studiuar deri në fund? Nëse parlamenti ynë lufton për të “grabitur” pushtet, për të shpifur, apo për të bërë akuza deri edhe idjotizma, siç ajo e “famshmja” 430 milion euro, e cila është “vjedhur” nga Edi Rama në këto dy vite për llogari të … 30 viteve që vinë, e ne ende vazhdojmë të dëgjojmë sharje e akuza dhe asgjë tjetër, si të veprojmë, si ta kuptojmë se shteti po punon në drejtimin e duhur në zhvillimin e vendit? Me kë të flasësh se? Kujt ti thuash mjaft me palaçollëqe e abuzime? Po, fol me muret e parlamentit e me molotovet dhe gomat e djegura!
Së dyti, zoti Kryeministër duhet të ketë të qartë se asgjë nuk kalon pa lënë gjurmë. E çfarë gjurmësh se! Ai mund të jetë i qetë me administratën e vet, e cila mund t’i bindet verbërisht duke nxjer “xixa” politike nga pëllëmbët kur e duartroket. Por në politikën e investimeve mendoj se pikërisht te bindja e verbër qëndron e keqja më e madhe e sidomos ndër ndihmësit, të cilët duhet të jenë oponentët më të rreptë të tij. Çdo lloj investimi edhe mund të manifestojë të meta e shpërdorime gjatë zbatimit. Por domosdoshmëria e ndërtimit dhe vlera e projektuar e tij, duhet të jenë të padiskutueshme. E që të jetë e tillë, investimet duhet të jenë absolutisht transparente, të shoshitura deri në fund.
Por pa grupe konsulence të deklaruara, pa një institut projektimi e vlerësimi dinjitoz shtetëror, pa gjeollogji preçize e adekuate, sizmikë e hidrollogji, pa laboratore strukturorë, pa institucion serioz e të plotë oponence, me manuale preventivimi “të dala në pension” e të pa azhornuara në çdo gjashtë muaj, pa standarte shtetërore projektimi e ndërtimi, pa këshilla e organizma teknikë kopetentë pranë dikastereve qëndrore …, si mund të besosh se ato miljarda që planifikohen për të ndërtuar janë shoshitur e llogaritur deri në qindarkën e fundit? Deri më qindarkën e fundit, tamam ashtu siç paguan “mbi dorë e nën dorë” qytetari i “shkretë” për çdo blerje që bën, për çdo shërbim që kërkon, deri te taksa e gjelbërimit, apo deri te ajo pagesa për televizor që thuajse nuk i vlen fare.
Dikur, aty nga viti 1976 ish kryeinxhinieri i parë i furnaltës në Kombinatin Metalurgjik Elbasan Bashkim Fita, një profesionist i nderuar, i cili kishte studjuar për metalurgji në Kinë, na tregonte se në qytetin ku bënte praktikën, edhe pse në furnaltë giza bëhej gati për derdhje nën garancinë preçize të analizave spektrale, gryka e furnaltës nuk hapej në se “llavën” nuk e shihte edhe syri i një metalurgu të moçëm, të cilin e mernin sa herë që do bëhej derdhje. Metalurgu i moçëm vinte përpara syve xhamin e errët, i të së njëjtës “moshë” me të, dhe nëse thoshte “haj mejo xo hao”, që do të thotë “nuk është ende gati” (falje në se kam deformuar shprehjen kineze), giza nuk derdhej pa as më të voglin dyshim. Vetëm kur “analiza spektrale” e syrit të metalurgut të moçëm thoshte “tani po”, vetëm atëhere hapej gryka e furrës për të mbushur vagonat me gizë të shkrirë.
—
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016