Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: “Pavdekësia” e të gjallëve dhe “misionarët” politikë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > “Pavdekësia” e të gjallëve dhe “misionarët” politikë
Analizaopinion

“Pavdekësia” e të gjallëve dhe “misionarët” politikë

Published: December 22, 2025
Shpërndaje

Nga Fatos TARIFA

Kryeministri në detyrë i Shqipërisë kishte mundësinë të mbahej mend për mirë në historinë e tranzicionit të këtij vendi për shkak të shumë punëve të mira që ka bërë kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe si kryeministër.

Por ai, mesa duket, zgjodhi të ishte i përjetshëm në krye të qeverisë, për të mbetur “i pavdekshëm” në historinë e këtij vendi.

- Publicitet -

Dy fjalë për “pavdekësinë” e të gjallëve…

Thënë shkurt, përjetësia nuk ekziston në botën e të gjallëve; ajo fitohet dhe ekziston vetëm në botën e amshuar. Soloni, Sokrati, Mark Aureli, Makiaveli, presidenti Wilson u bënë të famshëm e “të përjetshëm” jo në të gjallë, por pasi ishin ndarë nga kjo botë. Edhe Van Gogu, Kafka, Tesla apo Mendel, krahas shumë emrave të tjerë të shquar, u bënë të famshëm e të pavdekshëm jo sa ishin gjallë.

Solonin, qytetarët e Athinës e respektonin si ligjvënësin e qytetit të tyre, por emri i tij u bë simbol i urtësisë dhe drejtësisë dhe vetë një ndër “shtatë të urtët e Greqisë” vetëm shekuj më vonë.

Sokrati nuk ishte në kohën e tij një filozof aq i vlerësuar sa mund të mendohet sot; një pjesë e madhe e athinasve nuk e çmonin dhe nuk u besonin pikëpamjeve të tij dhe vetë Sokrati nuk la asgjë të shkruar. Atë e bënë të pavdekshëm nxënësit e tij, Platoni kryesisht, që i ruajti e zhvilloi idetë e tij duke e bërë metodën filozofike të Sokratit themelin e mendimit perëndimor.

Mark Aureli, edhe pse perandor, i mbajti Meditimet e tij shënime personale. Ato refleksione filozofike u botuan pas vdekjes së tij, duke u bërë vepra më e rëndësishme e filozofisë stoike dhe vetë autori i tyre imortal—jo si sundimtar, por si një mendimtar.

Karriera politike e Makiavelit përfundoi pa dinjitet dhe Princi i tij ishte një vepër shumë kundërthënëse në kohën e vet. Vetëm pas vdekjes idetë e tij e bënë atë një ndër teoricienët më të cituar të politikës dhe termin “makiavelist” një koncept të përhershëm në fjalorin politik.

Vizioni politik i Presidentit Wilson për krijimin e Lidhjes së Kombeve u refuzua nga Kongresi amerikan në kohën e vet, por vetëm pas vdekjes, idetë e tij mbi sigurinë kolektive dhe bashkëpunimin ndërkombëtar bënë që Amerika të luante një rol kryesor në krijimin e Kombeve të Bashkuara, në Konferencën e San Franciskos më 1945, në të cilën u nënshkrua Karta e OKB-së.

Historia ka qenë dhe është gjithnjë një gjykatës më i mirë sesa e tashmja në vlerësimin e ngjarjeve e të njerëzve. Padurimi për t’u bërë “i pavdekshëm” sa je gjallë rrallë mbetet pa ndëshkuar. Historia ofron mjaft shembuj që e provojnë këtë.

Qesari kërkoi famë të përjetshme duke u bërë diktator për jetë, por dihet fundi i tij në Senatin romak. Kaligula, pas tij, si perandor i Romës, kërkoi të fitonte një status dhe famë të përjetshme, por me pangopësinë e tij shkroi fundin e vet dhe ka mbetur në histori si një ndër sundimtarët më të këqij. Neroni, gjithashtu, donte të kujtohej për jetë si një artist dhe sundimtar i madh, por sjellja tiranike e tij, ekstravaganca dhe persekutimi prej tij i të krishterëve e bënë atë një perandor famëkeq dhe ai përfundoi i vetëvrarë kur Senati romak e shpalli armik të shtetit.

Në kohët moderne, Napoleoni kërkoi lavdi të përjetshme si perandor i Europës, por përfundoi i syrgjynosur në një ishull të largët pas humbjes së tij. Hitleri deshi të bëhej i pavdekshëm përmes një Rajhu të Tretë njëmijë vjeçar, por regjimi i tij jetoi vetëm 12 vite dhe ai vetë kujtohet si simboli i shkatërrimit dhe i së keqes. Musolini ëndërroi të bëhej i pavdekshëm duke ringjallur lavdinë e Romës perandorake, por edhe fundi i tij dihet se cili ishte.

Këta shembuj, sigurisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me rastin për të cilin shkruaj. E përsëris, nuk kanë asnjë ngjashmëri, absolutisht asnjë. Por precedentët historikë mund të rishfaqen në forma e me intensitete të ndryshëm. Personalitetet e individëve ndryshojnë, por pasioni apo mania për pushtet të pakufizuar e të përjetshëm mbetet i njëjtë, si kur pushtetin e uzurpon dhe e mban mizorisht, si kur atë e merr duke premtuar dhe e mban me demagogji, intimidim, ose forcë, ashtu edhe kur pushtetin e fiton përmes zgjedhjeve formalisht demokratike, por e mban duke e vrarë demokracinë në partinë që të ka zgjedhur në krye të saj dhe të ka bërë kryetar të qeverisë.

Që një kryeministër të thotë se, në dhjetë vite, ai ka bërë më shumë për Shqipërinë se sa kanë bërë në 100 vite të gjithë ata që e kanë drejtuar këtë vend, qysh nga koha e Ismail Qemalit, do të thotë të pretendosh në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar një vend po aq të nderuar e të pavdekshëm si ai i themeluesit të shtetit të pavarur kombëtar, edhe nëse këtë pretendim nuk e thua shkoqur.

...dhe dy fjalë për iluzionet, narcizmin dhe “misionarët” në politikë

Kryeministri në detyrë i Shqipërisë ka ushqyer iluzionin se, në katër zgjedhjet e fundit parlamentare, shumica e shqiptarëve kanë votuar atë si individ. Nga ky iluzion tragjik ai nuk u çlirua kurrë.

E vërteta, një e vërtetë gjithnjë relative, është se shumica e shqiptarëve do të votonin në vitet 2013, 2017, 2021 dhe 2025 Partinë Socialiste, edhe nëse në krye të saj do të ishte dikush tjetër, jo ky kryetar aktual, siç e kanë votuar këtë parti edhe kur ky i fundit nuk ishte kryetar i saj.

Askush, ose shumë pak, nga ata që deri më sot kanë votuar Partinë Socialiste me kryetarin aktual të saj në krye nuk do të votonte për Berishën, ose për Metën, nëse në krye të PS-së do të ishte një tjetër kryetar. Është fare e thjeshtë, edhe nëse vetë ky i fundit mund të mos dojë të besojë këtë të vërtetë, ose mund të mos e pëlqejë atë.

Narcizmi, obsesioni i madhështisë, arroganca dhe voluntarizmi mund të verbojnë këdo e të mos e lejojnë të shohë rrëpirën ku po bie dhe greminën poshtë saj. Dëshira për të qëndruar në pushtet mund të bëjë këdo një pushtetar autoritarist dhe t’ia dëmtoje edhe ato dhunti të mira që mund të ketë pasur, apo suksese që mund të ketë arritur.

Nëse e sheh veten mbi gjithë të tjerët, nëse beson se je më i afti, më gjithësisht i dituri, më moderni, më vizionari, gjithnjë i pagabueshëm dhe i paqortueshëm, mendja “të rritet”, duke mbetur po ajo, por hunda, që gjithashtu rritet, nuk të lejon të shohësh përtej asaj që je në të vërtetë, ose që mendon se je, përtej asaj që di ose mendon që di, përtej asaj që ti vetë beson se të tjerët besojnë.

Nëse një kryeministër beson se Ai është e vetmja alternativë dhe e vetmja shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nëse beson në iluzionin që ka krijuar e ushqyer ai vetë se është i vetmi kryeministër që mund t’u hapë shqiptarëve portën e rëndë të kështjellës BE dhe këtë iluzion të vetin e bën premtimin e tij solemn për t’u kërkuar shqiptarëve votën e tyre për të qëndruar edhe më gjatë—shumë gjatë—në pushtet, këtë iluzion ai fillon ta besojë edhe vetë. Ky iluzion krijon e ushqen një iluzion edhe më të madh—të mbarsurit me një mision historik.

Aleksandri i Madh besonte se historia e kishte thirrur atë me misionin për të pushtuar dhe bashkuar botën e njohur deri në atë kohë. Qesari besonte se ishte zgjedhur për ta shndërruar Romën nga një republikë, në perandori. Konstandini i Madh besonte në një mision historik të shenjtë: ta bënte krishterimin themelin e Perandorisë Romake. Presidenti Wilson besonte se historia e kish thirrur me misionin për të krijuar një rend të ri botëror, paqësor e të qëndrueshëm, që të bazohej në parimet e lirisë universale e të demokracisë—me fjalë të tjera, një rend demokratik në shkallë globale. Mahatma Gandhi, gjithashtu, besonte se misioni i saj ishte çlirimi i Indisë nga sistemi kolonial britanik jo me mjete dhune, ndërsa Martin Luther King Jr, i frymëzuar prej saj, besonte në misionin e tij për barazi dhe të drejta civile, vizion që, së bashku me të, u bënë të pavdekshëm pas vrasjes së tij.

Këta ishin të gjithë njerëz të mëdhenj—Aleksandri i Madh, Qesari, Wilson, Gandhi, MLK. Ne shqiptarët, çuditërisht, kemi nxjerrë shtetarë të vegjël me ambicie të mëdha, shpesh herë pa vizion, pa aftësi dhe pa legjitimitetin për t’i vënë në jetë ambiciet e tyre. Pas vdekjes së kryetarit Mao, Enver Hoxha pati ambicien dhe besoi në misionin për ta bërë Shqipërinë qendrën e revolucionit proletar botëror.

I ndjeri kryeministër Nano besonte se “historia i vinte pas”. Berisha e bëri anëtarësimin e Shqipërisë në NATO “mision” e vet dhe shpalli se ishte ai që “i futi shqiptarët në NATO”, edhe pse qeveria e tij kishte një rol fare, fare minimal. Kryeministri aktual na thotë se misioni i tij është ta fusë Shqipërinë në BE, edhe pse, pak ditë më parë, ndryshe nga pritshmëritë iluzore që ka ushqyer, u tha shqiptarëve se Komisioni Europian “mund të mos i qëndrojë marrëveshjes që ka bërë” (me kryeministrin) për t’i mbyllur negociatat më 2027, sepse “ju e dini si janë këta, ndonjëherë edhe u luajnë marrëveshjeve”.

Unë kuptoj diçka nga diplomacia dhe e njoh diplomacinë e stilit barok, i di avantazhet që krijojnë njohjet personale dhe përshtypjet e mira që lemë, kur të tjerët na pëlqejnë në marrëdhënie dhe në negociata me ta. Por, në Bashkimin Europian nuk anëtarësohesh thjesht duke u hedhur dorën në qafë drejtuesve të tij e duke besuar se me këtë gjest u ke “hyrë në qejf” dhe u je bërë i pëlqyer e i dashur atyre që marrin vendime.

Duke ruajtur dinjitetin tonë si popull e si vend, ne s’mund të hiqemi e të sillemi sikur jemi të barabartë me ta. Sepse, në fakt, nuk jemi. Ne kërkojmë pikërisht këtë. Barazinë me ta. Ne po trokasim të hyjmë në familjen e tyre, së cilës gjithnjë kemi thënë e themi, me të drejtë, se i përkasim, por është në dorën e tyre të na ftojnë të bëhemi pjesë e saj. Nuk janë dora në qafë apo shakatë që u themi drejtuesve të BE-së ato që do e hapin portën e saj për ne; janë provat që ne u japim atyre për të luftuar ato dukuri, që për ata, por në radhë ta parë për vetë ne shqiptarët, janë më shqetësueset—korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar.

Nga Makiavelit na vjen maksima e famshme e tij se shtetet nuk kanë aleatë të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme, të cilën, më shumë se tre shekuj më vonë, Lordi Palmerson, ende pa u bërë kryeministër i Britanisë, e formuloi në versionin e famshëm: “Kombet nuk kanë miq ose armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme”.

Çdo vend i BE-së e njeh mirë këtë parim; është koha, më në fund, ta mësojmë e ta kuptojmë edhe ne. Nuk e dinim kur u lidhëm me jugosllavët. Nuk e mësuam kur u lidhëm me rusët. Nuk arritëm të mësojmë as ku u lidhëm me kinezët. Të gjithë i menduam se ishin—dhe i shpallëm—vende e popuj vëllezër. Mund të ndodhë sërish. Vendet anëtarë të BE-së mund ta duan miqësinë me ne, mundet edhe t’i mbështesin interesat dhe aspiratat tona, por nuk i vënë këto interesa mbi interesat e tyre.

Nëse mendojmë ndryshe, jemi naivë. Shumë naivë, në një kohë dhe në një botë të mbarsur plot rreziqe, kur duhet të jemi realistë shumë më tepër se deri më sot.

Ajo për çka shqiptarët kanë nevojë sot nuk janë më shumë premtime e demagogji, nuk janë narcizmi the proselitizmi i politikanëve që drejtojnë vendin e tyre, por drejtues të mençur, vizionarë, modestë e të ndershëm, si Haveli dhe Mandela, të cilët populli i do dhe të cilëve u beson.

Po kështu, misionarë të vërtetë nuk janë ata që “misionin” e tyre “historik” e shpallin dhe përdorin për interesat e pushtetit të tyre, por ata që një misioni të vërtetë historik i ndihmojnë jo si “misionarë” demagogë, por si udhëheqës të popullit dhe në të mirë të interesave të tij.

Nëse jo kryeministri aktual, kush tjetër?

Shihni çka ngjarë e ç’po ngjet me partitë më të mëdha—dhe, nën shembullin e tyre, edhe me partitë e vogla, të vjetra e të reja—në Shqipëri. Veç krerëve të gjithëpushtetshëm të tyre, kushdo që janë “zgjedhur” në organet drejtuese janë tërësisht të varur ndaj kryetarit, vasalë të tij kokë e këmbë. Pa mendim, pa zë dhe lehtësisht, ose potencialisht të korruptueshëm.

Të tillë janë një pjesë e madhe e tyre, në mos shumica, sepse të tillë i duan dhe i zgjedhin kryetarët e partive. Njerëz pa guxim, kokulur, gojëmbyllur, të bindur për gjithçka. Këta mbahen afër dhe promovohen. Këtyre u “besohen” detyra e përgjegjësi, të cilat, në fakt, i mbajnë dhe i kryejnë vetëm siç do e siç u thotë kryetari, sidomos kur ky është edhe kryeministër i vendit.

Njerëzit mëndjehapur, kokëlartë, kurajozë, “të pabindur” e të ndershëm mbahen larg, ose jashtë. Për ta nuk ka vend në politikën e duarve të pista—sëmundja më e rëndë e këtij shteti në këto tri dekada e gjysmë pas rrëzimit të “diktaturës së proletariatit.

Më e keqja është se, për një kohë kaq gjatë, nuk kemi zënë mend. Jemi mësuar me këtë gjendje dhe e kemi toleruar. Kemi harruar, ose nuk mësuam kurrë të kërkojmë llogari—t’u kërkojmë llogari atyre që votojmë të na përfaqësojë e të na shërbejnë diturisht e ndershmërisht, duke venë interesat dhe mirëqenien tonë në plan të parë, jo interesat dhe mirëqenien e tyre.

Alibia është qesharake. Asnjëra parti nuk bën dot pa kryetarin që ka. As PD pa Berishën, as PS pa kryetarin aktual të saj. Pa këta individë do të bëhej qameti. Sepse opozitën vetëm Berisha e mban në këmbë, ndërsa PS-në dhe qeverinë e vendit vetëm kryeministri aktual di se si t’i udhëheqë nga njëra fitore elektorale në tjetrën dhe në udhëtimin drejt BE-së.

Sot për sot. Po nesër? Ndërsa partia opozitare kryesore e vendit është bërë copë-copë disa herë dhe lesheli vitet e fundit nga vetë kryetari i saj, PS ka mbetur ende formalisht një copë. Por mund të ndodhë (çka unë nuk ia uroj në asnjë mënyrë), që edhe kjo parti të shpërbëhet po aq keq—nga brenda, pra imploding, jo eksploding—nëse, në gjendjen që e ka lënë dhe vazhdon ta mbajë kryetari i saj, do të niste një garë e paprinciptë për pushtet brenda organeve drejtuese të saj.

Shkalla e lartë e korrupsionit shtetëror, për të cilin, në radhë të parë, përgjegjësi mban kreu i qeverisë, por nga e cila nuk përjashtohen as eksponentët kryesorë të partisë që drejton vendin, herët e vonë do e galvanizojë këtë proces, sepse kështu nuk mund të shkohet më tej.

Kjo është koha kur duhet të mësojmë dy gjëra fare të thjeshta, që Golda Mair, dikur kryeminstre e Israelit, në kushte e në rrethana të tjera historike, i tha për vendin e saj: Nëse duam të ndërtojmë një vend, në të cilin djemtë dhe vajzat që janë larguar të kthehen, nëse duam të ndërtojmë një vend, nga i cili njerëzi të largohen vetëm për pushime, dhe nëse duam të ndërtojmë një vend në të cilin nuk na tremb e ardhmja, duhen bërë dy gjëra: së pari, ta konsiderojmë korrupsionin si një krim po aq të madh sa edhe tradhtinë ndaj atdheut dhe zyrtarët e korruptuar si tradhtarë dhe, së dyti, ndër profesionet më të paguara të bëjmë ushtarakët, mësuesit dhe mjekët.

Unë do u shtoja fjalëve të saj: Jo ministrat dhe deputetët, siç këta të fundit, në Shqipëri, paturpësisht vendosën dy vite më parë të rrisnin pagat e tyre—jo të ushtarakëve, as të mësuesve as të mjekëve dhe të asnjë kategorie tjetër punonjësish në këtë vend.

—

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Çfarë pritet t’i ndodhë ekonomisë shqiptare nëse lufta kundër drogës dhe pastrimit të parave do shkojë më tej
  • Takimet në ishullin e famshëm kanë hedhur dritë mbi një nga dyshimet më të forta të hetimit
  • Nga Sazani në Australi: Perandoria miliardere e familjes Trump ndesh në revoltë qytetare
  • Kush është zyrtari i lartë afër kryeministrit Rama që ka marrë pjesë në takimin e Arubës?
  • Takimet në Aruba dhe Monako, vetëdorëzohet në polici Erjon Rama, i akuzuar si pjesë e grupit të Artur Shehut

Komentet e Fundit

  1. Kokpalari 21 janarit on Leksione morali me Aruba në sfond
  2. Po on Dosja e drogës Koçeku-Shehu-Hamzai: Dalin fotot e ‘samiteve’ në Aruba dhe Antwerp
  3. nje shqiptar on Iu hoq non grata? Berisha nuk ftohet në 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së në Tiranë
  4. Ilir Troplini on Leksione morali me Aruba në sfond
  5. Katiu on Leksione morali me Aruba në sfond

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?