Artan Myrtaj, 44 vjeç, sapo ishte ulur për të pirë kafen e mëngjesit në qendër të Sarandës, kur u ekzekutua me armë zjarri nga dy persona me motor dhe të maskuar më skafandra. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:55 te ish-agjencia, një zonë e populluar në mes të qytetit bregdetar. Plumbat kapën edhe 73-vjeçarin Xhevdet Skëndaj, i cili po kalonte rastësisht aty. Ai po transportohet me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Mësohet se 44-vjeçari i njohur si “Tani Ruzhdiut”, sapo ka pikasur autorët ka tentuar të largohet me vrap drejt rrugës “Vangjel Pandi”, por të dy autorët kanë qëlluar me armë zjarri drejt tij duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Pamje të rënda u publikuan ku nëna e 44-vjeçarit ka shpërthyer në lot pasi ka parë të birin të pajetë në vendin e ngjarjes. Në momentet e rënda, një grua dhe një efektiv policie janë përpjekur ta mbajnë atë.
Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës për të bërë të mundur kapjen e autorëve, që sipas raportimeve të deritanishme, kanë qenë dy persona me një motor. Vrasësit, të cilët mund të jenë edhe të paguar, mësohet se kanë braktisur motorin dhe më pas kanë hipur në një makinë në përpjekje për t’i shpëtuar zbulimit nga policia.
Tani i Ruzhdiut thuhet se ka pasur precedentë të theksuar kriminalë. Më 18 korrik 2025, Artan Myrtaj rezulton i arrestuar si i përfshirë në plagosjen e 2 personave nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame, pas një sherri për tokat në bregdet. Sipas të dhënave të dosjes së hetimit, autor i dyshuar i plagosjes ishte Ramadan Zoto, ndërsa Artan Myrtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj dyshohet se e kanë ndihmuar atë gjatë ngjarjes dhe në largimin nga vendi.
Aktualisht në burg për plagosjen e Lamës dhe Hajdaraj është Ramadan Zoto, ndërsa Artan Myrtaj dhe Klaus Jacaj, të cilën u akuzuan për “përkrahje të autorit të krimit”, janë liruar para pak kohësh. Në kërkim mbetet vetëm Erjon Canaj. Tani i Ruzhdiut besohet se ishte pjesë e grupit të Ramazan Zotos allias Ramadan Canaj, i njohur si Cania i Sarandës, i konsideruar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedentë të theksuar kriminalë.
Ramadan Canaj, 44 vjeç, i cili në sistemin e policisë greke rezulton i rregjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra, u arrestua në Korçë në gusht të vitit të kaluar për plagosjen Ernest Lames dhe Gëzim Hajdarajt. Në prill të vitit 2005, Cania i Sarandës ka ekzekutuar në Athinë 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Ne 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai ka shkëmbyer zjarr me Policinë greke dhe u arrit të arrestohej në fund të shkurtit të vitit 2008. Ai rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi.
Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”. U largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. U ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia. Në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vellai tij.
Canaj, në dhjetor të vitit 2022, u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025. Në 17 korrik 2025 kreu plagosjen e dyfishtë. Policia dyshon se këtu nisi edhe goditja e grupit të Ramadan Canit, me eliminime, goditje cila nuk dihet se kur mund të përfundojë.
Një nga pistat e policisë është se goditja e grupit të Canes vjen nga Tirana. Dyshohet për një personazh me precedentë penalë, i cili është fuqizuar vitet e fundit, madje për nga fuqia ekonomike, lidhjet dhe ashpërsia goditëse, organet ligjzbatuese besojnë se ka tejkaluar edhe Vis Martinajn, i zhdukur në gusht 2022.
Disa ditë pasi kishte ndodhur plagosja në Sarandë, konkretisht më 21 korrik 2025, kur Klaus Jaçaj(pse e grupit të Canes) ishte ende në kërkim, një person i maskuar me maske silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i tij, duke e shkatërruar atë plotësisht.
Natën e 5 tetorit, në një nga rrugët e Sarandës, një makinë u përfshi nga flakët dhe brenda saj, një burrë mbeti i bllokuar. Ai ishte babai j Klaus Jaçajt, 58-vjeçari Isuf Jaçaj, i cili nuk arriti të mbijetojë. Një shpërthim me eksploziv i mori jetën në çast. Ekspertët konfirmuan se bëhej fjalë për një sasi të konsiderueshme tritoli të vendosur poshtë makinës. Një atentat i planifikuar me kujdes, që synonte eliminimin e menjëhershëm të tij.
Natën e 29 nëntorit 2025, lokali prej druri i quajtur “Bumble Bee” në Ksamil, në pronësi të Ramadan Zotos (Canes), u dogj plotësisht nga zjarri. Policia tha se po hetonte për shkaqet e zjarrit. Ka dyshime të forta se zjarri ishte i qëllimshëm dhe ishte një mesazh për Ramazan Canen, i cili tashmë ishte në burg.
