Për afro dy javë me radhë, të gjithë farmacistët e rinj që kanë shlyer detyrimet e ndjekjes së praktikës së detyrueshme tre mujore do të duhet të konfirmojnë nëpërmjet provimit të vlerësimit të aftësimit praktik (VAP) dijet e fituara mbi ushtrimin e profesionit. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve që do të japin testimin e praktikës profesionale në këtë sezon, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka bërë me dije edhe grafikun me datat se kur secili kandidat duhet që të paraqitet për të zhvilluar provimin para komisionit të ekspertëve të kësaj fushe. Konkretisht, bëhet e ditur se provimet do të nisin të hënën e datës 14 nëntor, për të përfunduar në datën 24 nëntor. Në varësi të numrit të dosjes së praktikës është përcaktuar edhe data konkrete kur secili kandidat duhet të paraqitet për të zhvilluar këtë provim. Grafikun e detajuar e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.
Krahas studentëve të farmacisë që kanë përfunduar ndjekjen e praktikës gjatë tre muajve të fundit, janë të shumë kandidatët që do të rijapin testin e praktikës në këtë sezon, duke qenë se më herët nuk kanë rritur dot që të grumbullojnë pikët minimale për të qenë kalues. Për këtë kategori, Urdhri i Farmacistëve bën me dije se provimi do të zhvillohet ndërmjet datave 21-24 nëntor. Për të mos rrezikuar hyrjen në testimin e praktikës profesionale duhet të bëni kujdes dhe të paraqiteni në kohën e duhur, si dhe të keni me vete dokumentet e përcaktuara. Për përsëritësit që edhe në këtë sezon janë të shumtë, për të hyrë në testim duhet që të kenë shlyer më parë edhe tarifën e ritestimit, e cila duhet që të faktohet nëpërmjet mandatit përkatës të pagesës së lëshuar nga bankat e nivelit të dytë.
“Provimi i Vlerësimit të Aftësimit Praktik (VAP) do të organizohet në ambientet e Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë, sipas grafikut të përcaktuar për çdo pjesëmarrës. Praktikantët që i nënshtrohen këtij testimi, duhet të paraqiten në orën 8:00 në ditën e provimit, duhet të kenë me vete kartën e identitetit, si dhe mandatin e pagesës (vetëm përsëritësit). Përsëritësve u është komunikuar data e testimit me email, apo edhe telefon”, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit. Rezultatet kaluese të këtij testimi janë vendimtare për të vijuar më tej procedurat për sigurimin e lejes së ushtrimit të profesionit si farmacist (provimi i shtetit).
Në ndihmë të kandidatëve që do të testohen në këtë sezon janë shpallur edhe pyetjet orientuese, se si do të jetë provimi i aftësimit të praktikës profesionale. Janë rreth 750 pyetje të hartuara nga ekspertët në lidhje me ndjekjen e praktikës, të cilat gjenden të detajuara online në faqen zyrtare të Urdhrit të Farmacistit. Pyetje orientuese këto, me anë të cilave çdo kandidat mund të orientohet në lidhje me përmbajtjen se si do të jetë provimi final që do të zhvillojnë duke nisur që nga java e ardhshme.
Lidhur me skemën e vlerësimit, bëhet e ditur se vlerësimi i praktikës cilësohet pozitiv në rastet kur kandidati siguron nga komisioni 50-100 pikë. Kur vlerësohet me më pak se sa 50 pikë duhet të ripërsërisë provimin, në sezonin e radhës që do të zhvillohet gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që të gjithë farmacistët që do të marrin vlerësimin pozitiv do të mund të hyjnë në provimin e shtetit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit, e cila më pas i hap udhë edhe punësimit në këtë specialitet.
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e praktikës, kandidatët e diplomuar në këtë profil mjekësor për tre muaj me radhë kanë kryer në farmacitë e rrjetit të hapur ose ato spitalore (nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vjet përvojë pune), praktikën e detyruar profesionale. Çdo praktikant ka ushtruar profesionin nën udhëheqjen e një farmacisti. Në përfundim të periudhës tre mujore, drejtuesi i praktikës ka konfirmuar edhe vlerësimin e njohurive praktike të fituara nga praktikantit, duke i evidentuar ato në “Formularin e Vlerësimit”. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i janë paguar sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti përkatës.
Autoritetet e këtij urdhri bëjnë me dije se kandidatët që marrin vlerësimin kalues në këtë provim do të zhvillojnë më pas edhe provën finale të sigurimit të lejes së ushtrimit të profesionit që është dhënia e provimit të shtetit në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Provimi i shtetit është vendimtar, pasi me rezultatet kaluese në të, çdo farmacist i ri do të mund të aplikojë për të filluar punë në strukturat publike dhe ato private të rrjetit të farmacive që veprojnë në të gjitha qarqet e vendit. Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Grafiku me datat kur do të zhvillohet testi i Aftësimit Praktik për farmacistët
- Në datën 14 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3702 – 3727
- Në datën 15 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3728 – 3754.
- Në datën 16 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3755 – 3780.
- Në datën 17 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3781 – 3805.
- Në datën 18 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3806 – 3834.
- Në datën 21 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët me numër dosje 3835 – 3846, si dhe praktikantët përsëritës.
- Në datën 22 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët përsëritës.
- Në datën 23 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët përsëritës.
- Në datën 24 nëntor do të zhvillohet provimi për praktikantët përsëritës.

Test pa paguar nuk ka per te ndodhur. E dime se si kalohen keto teste me leke nen dore dhe te fala.