Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Pikëllim e vlerësim për poetin e shkrimtarin Nikolla Spathari
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Pikëllim e vlerësim për poetin e shkrimtarin Nikolla Spathari
Kulture

Pikëllim e vlerësim për poetin e shkrimtarin Nikolla Spathari

Published: June 29, 2023
Shpërndaje

Akademik Gjovalin Shkurtaj

Dje në mëngjes, teksa pinim kafenë në bar Diamma me poeteshën Shpresa Kapisyzi dhe mikun Esat Rama lexuam kumtin e hidhur të ndarjes nga jeta të Nikolla Spatharit, mësuesit, gazetarit, poetit e studiuesit prodhimtar, shokut tim të fëmijërisë e mikut të dashur.

Me dy pika lot në sy, teksa gjerbja kafen e zezë e pa sheqer, shkrova disa rreshta e po ndaj pikëllimin tim me të gjithë ata që e kanë njohur Nikollën, atë djalin e gjatë dikur flokëverdhë e shtatlartë, pastaj burrin serioz në fjalët e shkrimet, si dhe me ata që pa e njohur nga afër kanë lexuar ndër vite shkrimet në gazetat e Shkodrës e ato të Tiranës, që kanë lexuar e cituar librin e tij pak të thuash të rëndësishëm “Malësia e Madhe siç e njoha unë” dhe shumë prej librave të tij: ai qe poet i ndjeshëm e që ka lënë disa vëllime që ia ëmbëlsojnë ndjenjat çdo shijuesi të fjalës shqipe që mëton të jetë mbledhës i kallëzave poetikë të një bukurie të rrallë, si “Përkohësisht e bukur”(2005), “Të shtyhet mëngjesi”(2007), që i kam dhuratë prej tij e me autografin që më ka bërë t’i lexoj e t’i rilexoj me ëndje ato poezi që, të shkruara edhe në moshë të madhe, të kujtojnë lirikat e Gëtes, që dihet se i thurte vargje dashurisë deri në të tetëdhjetat. Në vjeshtë të 2007, erdhi e më takoi bashkë me Gjergj Vlashin, regjisor e shkrimtar i njohur, e më shkroi këto fjalë: “..Fillo ta lexosh dhe në qoftë se nuk e çon deri në fund është faji im.”

- Publicitet -

Eh, shoku e miku im i mirë! Jo vetëm e lexova, por edhe e kam rilexuar shpesh, sepse aty ka aq poezi të bukura e me gjuhë të zgjedhur, të cilat, sa herë kam folur e shkruar për poezinë e sotme, edhe i kam cituar. Pardje, kur fola në telefon me të (dhe ku ta dija se ajo paska qenë e fundit) e fillova duke cituar vjershën e tij “Celulari”:

“Celulari rri heshtur, deri në çudi,

Dhe rrallë përmendet,

Pa provoni të zini një kolltuk

Dhe shiheni si çmendet…”

Përmenda vëllimet me poezi, sepse edhe i kam lexuar e rilexuar me ëndje, po Nikolla ishte edhe prozator i zoti. Ka botuar romanin “Djemtë e dikurshëm” (Tonea 2004), vëllimin me tregime “Një ditë e largët dimri” dhe shumë libra të tjerë, midis të cilëve edhe vëllime me tregime humoristike, si “Kur isha ministër” dhe “Drejt Europës në gomar të Nastradinit” etj.

Vitet e fundit, Nikolla, sikur ta dinte se ditët po i pakësoheshin, u mor me gatitjen për shtyp e botimin e një kolane shumëvëllimshe të Veprave të tij. Tre vëllimet e para m’i pat dërguar këtu e dy a tre vjet më parë, po prisnim rastin që të shiheshim kësaj vere për t’i dhuruar dhe unë “Fjalorin tim leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik të Malësisë së Madhe”, ku edhe e kam përmendur e cituar në zërin kushtuar Lahutës dhe për disa ide e shpjegime të tij për vlerat e traditave të Malësisë sonë të Madhe. Natyrisht, do të merrja dhe vëllimet e tjera që ai sapo i ka botuar, por…

Si ka thënë latini i urtë: “Ars longa, vita brevis”(Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër!”)

Nikolla, shoku i fëminisë e i shkollës së mesme, miku im fisnik e ballëlartë, ti na le papritur e pa kujtuar. Nuk do të shihemi më, por do të mbetesh aty ku ishe për gjithë jetën tënde: në zemrat e miqve e të shokëve që i deshe ashtu si dimë të duam ne malësorët, me zemër e pa shibla; do të mbetesh gjithmonë në bibliotekat publike e private.

Po e mbyll duke kujtuar një postulat të jetës sate të mbushur me mësime e jo pa pësime: “Rruga më e ngushtë e jetës është rruga e së vërtetës. Megjithatë, këtë rrugë kam zgjedhur për të ecur gjithë jetën, në gropat e saj…”

Të qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut, o biri i Malësisë sonë të Madhe, e cila, duke çmuar e vlerësuar kontributet dhe veprat tua të ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Malësia jonë duhet të krenohet edhe për bijtë e tillë që ka nxjerrë. Natyrisht që kumti i ndarjes nga jeta të Nikolla Spatharit ka prekur e pikëlluar zemrat e të gjithë malësorëve kudo që gjenden, në Gorajt ku lindi e u rrit, në Shkodrën ku punoi e kontribuoi aq shumë, në Durrësin ku mbylli sytë, po edhe deri përtej deteve e oqeaneve, kudo që lexohen fjala shqipe e veprat e vyera, natyrisht edhe në Akademinë e Shqiptarëve të Amerikës, ku qysh nga viti 2011 ishte edhe anëtar i saj.

I paharrueshëm qoftë burri e fisniku i Malësisë sonë, biri i një dere atdhetare e të përmendur për urti e bujari, poeti, shkrimtari dhe studiuesi i vyer.

Durrës, 26 qershor 2023

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Një cirk i dështuar
  • Xhafaj kritika KLGJ: Gabim i madh zbatimi i hartës së re gjyqësore, ua thashë që në fillim
  • Çfarë do të ndodhë me protestën
  • Dështon konsensusi në Strasburg për rezolutën Shqipëri-BE, PS dhe PD përplasen për amendamentet
  • EMRAT: Krim në familje, burri vret me çifte bashkëshorten në Shkodër, bie në pranga

Komentet e Fundit

  1. O nëne, o nëne on Çfarë do të ndodhë me protestën
  2. K O R C A on Çfarë do të ndodhë me protestën
  3. Phoenix on Çfarë do të ndodhë me protestën
  4. Anonymous on Çfarë do të ndodhë me protestën
  5. Komshiu on Çfarë do të ndodhë me protestën

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?