Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Prof. Kostaq Cipo, vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Prof. Kostaq Cipo, vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët
Kulture

Prof. Kostaq Cipo, vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët

Published: December 1, 2022
Shpërndaje

Prof. Emil LAFE

      

Në korrik 1949, kur kishte dorëzuar në Institut dorëshkrimin e veprës “Gramatika”, K. Cipoja botoi në shtyp skicën “Gjuhë dhe gramatikë”[i], në të cilën njofton lexuesit paraprakisht për përmbajtjen e veprës dhe shpreh idetë e tij për gjuhën letrare dhe për atë që quhet sot planifikim gjuhësor. Këto ide është mirë të dihen e të mbahen parasysh jo vetëm për hir të historisë së mendimit tonë gjuhësor, por edhe për të gjykuar më kthjellët edhe në diskutimet e sotme, pasi janë mendime e ide që i ka bluar e përbluar në mendje një gjuhëtar si K. Cipoja, i cili ndërtoi veprat themelore normative (ose preceptive[ii], siç e përdor ai) të gjuhës sonë në mesin e shekullit të kaluar dhe i dha një drejtim të mbarë në përgjithësi punës në këtë fushë. Le ta dëgjojmë:

- Publicitet -

“Kur thomi “gjuhë letrare” kuptojmë me këto dy fjalë gjuhën e literatyrës dhe të kulturës, një tip gjuhe që ka qenë dialekt në krye, po erth e u bë me kohë kombëtar për hir të proçesit të çkrahinarizimit dhe të përgjithësimit. Pa një proçes të tillë s’ka të folur që t’arrinjë tipin e një idiome letrare. Po a kemi ne sot një kësi dialekti të xhveshur nga krahinarizmat dhe të pajisur me tiparet fonetike dhe morfologjike të përbashkëta me tërë krahinat e mëmëdheut? …. Në valë të këtyre mendimeve isha, kur u ftuash nga Instituti i Shkencave të punoja një gramatikë (fonetik’ e morfologji)[iii] që t’ish e përshtatur për arsimtarin, për studentin e Institutit Pedagogjik, për studjozin e gjuhës … Me të pranuar ftesën, pyetjen e parë që i bëra vetes sime ka qënë kjo: “e në ç’dialekt do ta punoj unë gramatikën?” Duke shkuar në rivistë dialektet e ndryshme dhe prodhimet e tyre, m’u duk se e gjeta një, që ka qenë, në mos u gabofsha, idioma e traditës sonë kombëtare, gjuha e rilindjes sonë letrare dhe që premton të bëhet edhe e kulturës sonë popullore[iv].

S’ka kush të mohojë sot që Frashëri, i marrë me kuptim shumë të gjerë të kësaj fjale, ka qenë djep i shkrimevet letrare. Lënda e punuar n’atë dialekt sjell mblatën e një këngëtari të dashur, lëftimet e një zemre së madhe që rrahu për një Shqipëri të lirë, për një popull të xmbryer nga zgjedha, të veshur me mësime dhe të lumtur – Naimi. Po ka edhe më: librat shkollore, gazetat e revistat, botimet e Instituteve, këngët e rilindjes sonë, këngët revolucionare të luftës së popullit, fjalimet e ndezura të udhëheqësve të Luftës Nacional Çlirimtare, të gjitha këto janë shkruar toskërisht. Ahere edhe shkronjësi i këtyre radhëve vendosi ta punojë brumin në bazë t’atij dialekti që e ka sot qendrën më të madhe të zhvillimit në Tiranë, ku është udha-kryq e dialekteve të shqipes. Edhe nga pikëpamja gjuhësore po të vështrohet, toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet, do të fitojë tërë ç’i duhet për të çkrirë në njësi harmonike divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore, ajo do të bëhet instrumenti politik, shoqëror dhe artistik i mëmëdheut.”

Pra toskërishtja letrare e asaj kohe në sytë e K. Cipos i kishte të gjitha të dhënat për t’u zhvilluar më tej nëpërmjet çkrahinarizimit dhe përgjithësimit, duke arritur të fitojë cilësitë e gjuhës letrare kombëtare (atëherë termi gjuhë standarde nuk kishte dalë ende).[v] Por që kjo lëndë gjuhësore të arrinte shkallën e gjuhës letrare kombëtare nuk mjaftonin cilësitë e saj në vetvete. Toskërishtja letrare u bë baza e shqipes standarde të sotme, sepse “pushtoi” Tiranën, kryeqytetin, ku ishte dhe është qendra politike e administrative e vendit dhe qendra kryesore arsimore e kulturore. Në Tiranë kishte nisur çkrahinarizimi dhe përgjithësimi i domosdoshëm për të kaluar nga një dialekt letrar në një gjuhë letrare të përgjithshme. Për të kuptuar si ndodhi kjo le të hedhim një vështrim të shkurtër mbi Tiranën që kur u caktua kryeqytet në Kongresin e Lushnjës në janar 1920. Sipas regjistrimit të administratës austriake, më 1918 ajo kishte 10.200 banorë; sipas regjistrimit të vitit 1923 popullsia e qytetit të Tiranës kishte mbetur thuajse po aq: 10.845 banorë; më 1938 Tirana kishte 25.097 banorë, më 1945 – 59.950 banorë, më 1955 – 108.083 banorë, më 1960 – 137.664 banorë, më 1965 – 161.300 banorë, më 1970 – 171.000 banorë, më 1975 – 189.000 banorë, më 1980 – 194.000 banorë, më 1985 – 215.000 banorë, më 1990 – 243.000 banorë dhe më 2003 – 518.000 banorë. Shtimi mekanik i popullsisë së Tiranës për periudhën 1923–1938 ka qenë rreth 65%, për periudhën 1938–1945 mbi 75%, për periudhën 1945–1960 rreth 52%. Popullsia e vendosur në Tiranë deri më 1990 ka qenë përgjithësisht me prejardhje qytetare dhe e shkolluar, në pjesën më të madhe nga krahinat e jugut (në periudhën 1950–1990 u lejohej pasaportizimi në Tiranë kryesisht specialistëve dhe punëtorëve të kualifikuar); popullsia e ardhur në vitet 1992–2003 (në një masë të madhe nga krahina fshatare të pjesës verilindore të Shqipërisë) përbën rreth 47% të popullsisë së sotme të kryeqytetit.[vi] Nga këto të dhëna kuptohet se popullsia rrënjëse e Tiranës mbeti ndjeshëm në pakicë dhe e folmja vendore e Tiranës (gegërishte jugore), për më tepër duke mos pasur ndonjë traditë letrare, nuk mund të kishte ndonjë rol të dukshëm në procesin e mbrujtjes së gjuhës letrare në kryeqytet.

Në të vërtetë ndodhi ajo që kishte parashikuar Sami Frashëri më 1899, d.m.th. gjuha letrare e përgjithshme e shqiptarëve nuk do të ishte ndonjëri prej dialekteve letrare të kohës, por do të formohej në kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, ku banorët “do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët’ e Shqipërisë, edhe gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë.”[vii] Unë nuk besoj se me gjuhë të përzjerë Samiu ka parasysh një përzierje mekanike, sepse as atëherë, as tani nuk dihet ndonjë rast që një gjuhë letrare të jetë formuar në mënyrë të tillë. Përcaktori e përzjerë në formulimin e Samiut për mua ka pa dyshim kuptimin ‘jo e pastër’, d.m.th. një gjuhë që do të ketë përthithur elemente prej burimesh të ndryshme dialektore. Por këto elemente do t’i bashkohen një forme të caktuar ligjërimore që është mbizotëruese në përdorimin letrar (si e shkruar dhe e folur). Dhe kjo ishte, ta themi me fjalët e K. Cipos, ”toskërishtja që po zhvillohet në kryeqytet”. Këtë K. Cipoja e ndjeu me shqisën e tij të pagabuar të vrojtuesit të gjuhës, që më 1948, kur u ul të hartonte “Gramatikën” e tij, e cila shërbeu gjatë si gramatikë normative.

Le të përpiqemi të kuptojmë më shkoqur procesin e çkrahinarizimit e të përgjithësimit që përmend K. Cipoja. Çkrahinarizim ad litteram do të ishte “humbja e veçorive të ngushta dalluese krahinore, duke përgjithësuar format gjuhësore më të përbashkëta”, ose, po ta themi me një terminologji tjetër, krijimi i një forme gjuhësore mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e përbashkët, në fillim e gjuhës së shkruar e më pas edhe të folur të një vendi. Ndërsa me përgjithësim unë besoj se duhet kuptuar përhapja shkallë-shkallë e kësaj forme gjuhësore si te folësit e vetë kryeqytetit, ashtu edhe në qytetet e krahinat e tjera. Të dyja këto procese ndodhën këtu në Tiranë dhe unë i kam jetuar si banor i Tiranës që nga viti 1955[viii]. Këtu eci përpara ai procesi i “çkrahinarizimit” dhe i përgjithësimit të toskërishtes, që e vuri atë në themel të gjuhës standarde shqipe.[ix]

Me këto arsyetime K. Cipoja përzgjodhi toskërishten si bazë dialektore për gramatikën e tij[x]. Intuita nuk e gaboi dhe me të vërtetë sot pranohet se dhe vatra ku u farkua dhe kudhra ku u rrah standardi i sotëm ka qenë dhe mbetet Tirana. Në këtë kuptim K. Cipoja është pa dyshim një vizionar i procesit të formimit të shqipes letrare të përbashkët dhe me veprat e tij “Gramatika” dhe “Sintaksa”, si edhe me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (si kryetar i komisionit hartues) vuri bazat e punës së mëtejshme për kodifikimin e normës gramatikore të gjuhës shqipe, e cila rrodhi natyrshëm dhe mori një përcaktim më të përpiktë me “Gramatikën e gjuhës shqipe” të hartuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Pas kësaj që u parashtrua, dua të shtoj pak fjalë edhe për çështjen aq shumë të diskutuar a është shqipja e sotme standarde e imponuar nga regjimi komunist. Gjuhëtarja amerikane Janet Byron në studimin e saj të njohur për formimin e shqipes standarde[xi] ka vënë në dukje se pjesa më e madhe e klasës politike shqiptare pas luftës vinte nga krahinat e jugut dhe kjo pati rolin e vetë përcaktues në ecurinë e procesit gjuhësor. Natyrisht kjo është e vërtetë, por jo krejt e vërteta. Le të kihet parasysh se edhe në organizatën politike të Ballit Kombëtar shumica dërrmuese, madje figurat më të shquara ishin nga krahinat e jugut (Mithat Frashëri, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Koço Muka, Nuredin Vlora, Safet Butka, Skënder Muço, Thoma Orollogaj, ndërsa nga krahinat e veriut: Faik Quku, Fuat Dibra, Vasil Andoni, Xhafer Deva, Zef Pali)[xii]. Dhe kjo nuk ka qenë e rastit, por lidhet me shpërpjesëtimin e madh ndërmjet Jugut dhe Veriut të vendit në pikëpamje të gjendjes kulturore e arsimore. Më 1927 popullsia e Shqipërisë numëronte gjithsej 828.593 banorë. nga këta vetëm 62.889 ishin të shkolluar (me shkollë fillore 59.882, me shkollë të mesme 1773, me universitet 447 dhe 785 ishin për studime jashtë). Prej kësaj shume të përgjithshme 49.350 ose 78% ishin nga prefekturat e Jugut (Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë) dhe vetëm 13.539 nga prefekturat e Veriut. Nga kjo statistikë kuptohet vetiu se udhëheqja komuniste e kohës nuk kishte nevojë të ndërhynte në ecurinë e formimit të gjuhës letrare. Edhe në rast se do të vinte në pushtet Balli Kombëtar, nuk ka dyshim se do të kishte ndodhur ndryshe. Të dyja këto forca politike përdorën gjatë viteve të luftës kryesisht toskërishten letrare dhe e shpërfillën dialektin zyrtar të shtetit. E reja që solli periudha e pasluftës në fushë të gjuhës, ishte mënjanimi i vetvetishëm i gegërishtes nga veprimtaria e shtetit. Gegërishtja letrare e shkruar u përdor në letërsi e në përkthime letrare, në publicistikë dhe në botime shkencore.

[i] Zëri i popullit, 20 korrik 1949 (ribotuar në revistën “Gjuha jonë” 2000, nr. 1–2).

[ii] Ital. precettivo – “që përmban një udhëzim, një normë, një rregull”.

[iii] K. Cipoja e nënshkroi kontratën për hartimin e “Gramatikës” më 23 mars 1948 (shih Robert Cipo, vep. cit., f. 237) dhe, me sa duket, pas kësaj date ka filluar nga puna. Në shkrimin ”Gjuhë dhe gramatikë” K. Cipoja e paraqit të kryer punën e tij dhe shton se sintaksa do të punohet më vonë. Në një njoftim të botuar te “Buletin i Institutit të Shkencavet”, 1949, nr. 3, f. 112, “Gramatika” e K. Cipos renditet ndër veprat që “janë gati dhe do të jepen së shpejti në shtyp” (është fjala për muajt nëntor-dhjetor 1949); te po ky “Buletin” (1950, nr. 1-2, f. 192) njoftohet se doli në qarkullim edhe “Gramatika shqipe” e K. Cipos”. Kontratën për “Sintaksën” K. Cipoja e ka nënshkruar më 1 shtator 1949 (Robert Cipo, vep. cit., f. 236) dhe sipas saj duhet ta ketë dorëzuar dorëshkrimin pas 12 muajsh. Në këtë periudhë K. Cipoja ka pasur një ngarkesë të madhe pune për “Fjalorin e gjuhës shqipe”. Nga dy faqe ndreqje gabimesh që ka “Sintaksa”, mund të gjykojmë se nga fundi i vitit 1951 libri ishte shtypur dhe autori arriti të bënte ndreqjen e gabimeve (vdiq më 6 janar 1952).

[iv] K. Cipoja me këtë arsyetim largohet nga ideja e krijimit të një shqipeje letrare mbi bazën e gegërishtes jugore a të elbasanishtes, që të ishte e pranueshme si për gegët ashtu edhe për toskët. Ai përpiqet ta zgjidhë problemin duke vlerësuar çka ishte arritur ndërkaq në zhvillimin e shqipes letrare në tërësi. Pas veprave të K. Cipos ideja e një kompromisi për një gjuhë letrare mbi bazën e elbasanishtes nuk u rimor.

[v] Lidhur me këtë përparësi të toskërishtes letrare edhe Idriz Ajeti më 1996 ka shkruar: “Kongresi i Drejtshkrimit veproi mirë e drejt kur sanksionoi njëzëri mendimin e pjesëmarrësve, duke gjykuar kësisoj: Nga gjysma e dytë e shek. XIX gjuha e shkruar shqipe kishte arritur një shkallë të mirë bashkafrimi në ndërtimin e godinës së madhe gjuhësore nëpërmjet elementeve të ndërsjella gege-toske, por rezultantja e tyre nuk ishte e barabartë: toskërishtja e shkruar me një strukturë të qëndrueshme trajtash, pse ruante një stad më të vjetër e më të drejtë formash, kishte arritur në një shkallë të atillë zhvillimi me shfaqje shkrimi sui generis toske; gegërishtet e shkruara nuk kishin mbërritur në shfaqjen e tyre të shkrimit një afrim që do t’i bashkonte të gjitha të folmet gege. … Gjuha e përbashkët shqipe, e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, duke pasur në bazë të saj toskërishten, brenda një kohe tepër të shkurtër arriti në një shkallë stabiliteti të kënaqshëm.” (“Formimi i popullit shqiptar dhe i gjuhës së tij në rrjedhë të kohës” – në: Shekulli 21 Mendime dhe opinione. Gjonlekaj Publishing Company. New York USA, 1996, f. 116–117).

[vi] Të dhënat e mësipërme më janë kumtuar nga prof. Arqile Bërxholi.

[vii] Shqipërija ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë? Krye e tretë. VIII. Të ndarët’ e Shqipërisë. Bukuresht, 1899, f. 69-70.

[viii] Nuk duhet kuptuar sikur këto dy procese që përmend K. Cipoja nisën e u zhvilluan në Tiranën kryeqytet. Po përmend një pjesë nga paradhënia “Ortografisë” së vitit 1951, e hartuar nga A. Xhuvani, K. Cipoja dhe E. Çabej: “… që prej Rilindjes e tëhu, duke u shkruar gjuha e duke u përdorur si mjet kulture e marrëdhëniesh shoqërore, ka marrë një rrugë të mbarë në punën e zhvillimit e të unifikimit të saj, janë kristalizuar, thuajse pakuptueshëm, disa rregulla të gjuhës dhe është bërë njëfarë afrimi në mes të toskërishtes e të gegërishtes, duke e influencuar e para të dytën në punë të morfologjisë dhe e dyta të parën në punë të leksikut…. Si bazë për caktimin e rregullave drejtshkrimore është marrë fonetika e gjuhës, rryma e zhvillimit të saj në këto kohë të fundit dhe tendenca për t’i afruar sa është e mundur më shumë të dy dialektet, toskërishten e gegërishten… Është marrë parasysh edhe rryma e zhvillimit të gjuhës, e cila lëkundet ende në shumë fluktuacione … këto rregulla janë hartuar si të ngulitura për ato pika, që gjuha, duke u shkruar, i ka kristalizuar vetë në këtë gjeneratë të fundit.”

[ix] Rolin e kryeqytetit do ta shtjellonte më gjerë A. Kostallari në studimin “Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë” (Studime filologjike 1970, nr. 2, f. 21–22) dhe më tej në referatin “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, ku shprehet se Tirana, “duke lidhur e bashkërenduar në një tërësi të vetme veprimtarinë e të gjitha qendrave shoqërore e kulturore të vendit, ka kryer e po kryen rolin e përpunuesit e të rrezatuesit kryesor të normës letrare të shqipes, duke ndikuar fuqimisht si rregullues i normalizimit të gjuhës së shkruar e të folur në shkallë kombëtare”. (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972. I. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Tiranë, 1973, f. 76–77). Por në të dyja këto punime nuk përmendet ideja e S. Frashërit, as parashikimi i K. Cipos.

[x] Të njëjtën zgjedhje kishte bërë edhe K. Kristoforidhi më 1882, kur e hartoi gramatikën e gjuhës shqipe mbi bazën e dialektit toskë. Por në atë kohë lëvizja kulturore e Rilindjes Kombëtare sapo kishte nisur, lëvrimi i toskërishtes ende nuk kishte marrë hov, dhe K. Kristoforidhi për këtë zgjedhje duket se u mbështet kryesisht te “relievi dialektor” më i butë i toskërishtes në krahasim me gegërishten, çka e lehtësonte dukshëm detyrën e tij.

[xi] Byron, Janet: Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës. Rasti i shqipes. Dhe shkrime të tjera. Shtëpia botuese “Dituria”. Tiranë, 2012, f. 92–94.

[xii] Frashëri, Kristo: Mbi historinë e Ballit Kombëtar (Vështrim kritik). Botimet Dudaj. Tiranë, 2012, 155 f. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste (Labinot, 1943) përbëhej nga: Ramadan Çitaku, Naxhije Dume, Liri Gega, Tuk Jakova, Pjetër Kosta, Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Kadri Hoxha, Hysni Kapo, Gjin Marku, Dali Ndreu, Gogo Nushi, Petro Papi, Bedri Spahiu, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Koçi Xoxe (17 anëtarë, 10 nga Jugu, 7 nga Veriu).

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
1 Comment
  • Leon says:
    December 1, 2022 at 1:23 pm

    Kristoforidhi i hartoi veprat e tij gramatikore ne te dy dialektet.Edhe ne dialektin gege te Elbasanit edhe ne toskerisht.Gjuhetaret elbasanllij paskan imponuar toskerishten e Frasherit,,ne nje kohe qe ne Letersine shqipe levroheshin dy dialektet,kurse si gjuhe e Administrates perdorej elbasanishtja(qe nga koha zogut)
    elbasanllijte njihen si servilat e toskeve te Ushtrise partizane.Ky zell per te ngritur ne Nivelin e gjuhes se perbashket kombetare,,gjuhen e Birose Politike,nuk me duket shkencor,por Servil.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • “E keni kokën e mbushur plot me gënjeshtra”, Rama përplaset me gazetaren nga Rumania
  • Irani i kundërpërgjigjet Ramës: Dëgjo qytetarët që thërrasin “Rama ik” dhe mos shpik armiq imagjinarë
  • Zbardhet zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, u mor peng dhe dyshohet se është ekzekutuar
  • GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg bashkëpunëtorin e drejtësisë
  • Telat me gjemba rrethojnë edhe Baks-Rrjollin në Velipojë

Komentet e Fundit

  1. Drini on Telat me gjemba rrethojnë edhe Baks-Rrjollin në Velipojë
  2. protestuesi on Këtë herë shpirti shqiptar nuk po njeh kufij
  3. Leu aka k*r me zyle on Shqipëria e bukur është në shesh
  4. 1thundrak on Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën
  5. Qukapiku on Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?