Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet pas një denoncimi të bërë publik në rrjetet sociale nga Partia Demokratike, lidhur me dyshimet se disa punonjës të burgut të Peqinit janë përfshirë në mbështetje të një kandidati për deputet nga radhët e PS, në zgjedhjet e 11 majit.
Hetimet janë fokusuar në verifikimin e këtyre pretendimeve dhe për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Deri tani janë ndërmarrë disa veprime të shpejta, përfshirë marrjen në pyetje të personave me dijeni, si dhe sekuestrimin e pamjeve filmike dhe pajisjeve elektronike që mund të përmbajnë prova.
Prokuroria thekson angazhimin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe u bën thirrje qytetarëve dhe forcave politike që të raportojnë çdo shkelje të dyshuar që mund të ndikojë në procesin zgjedhor.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, regjistroi kryesisht procedimin penal nr. 457/2025, për veprën penale “Shpërdorimi i autoritetit policor”, parashikuar nga neni 332/a i Kodit Penal.
Regjistrimi u krye pas marrjes dijeni nga burime të hapura në internet për një denoncim publik në rrjetet sociale nga përfaqësuesi i një subjekti politik, lidhur me përfshirjen e mundshme të disa punonjësve të IEVP Peqin në fushatë zgjedhore në mbështetje të një kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe bazuar në urdhrin nr. 25, datë 28.03.2025 të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan “Mbi organizimin e shërbimit të gatishmërisë së përforcuar për periudhën zgjedhore nga 01.04.2025 deri më dt. 31.05.2025”, duke vlerësuar rëndësinë e posaçme të zgjedhjeve të lira e demokratike, në kuadër të qasjes proaktive të prokurorisë për identifikimin e rasteve të kryerjes së veprave penale në fushën e zgjedhjeve.
Në funksion të kryerjes së një hetimi të plotë e të gjithanshëm, u ngrit një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga prokurori i çështjes dhe tre oficerë të policisë gjyqësore pranë prokurorisë, nga të cilët po kryhen verifikimet dhe veprimet e para hetimore me karakter të ngutshëm, si pyetje të personave me dijeni për veprën penale, këqyrje pamjesh filmike, sekuestrime të provave materiale (aparate celulare, DVR) etj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
i.b./dita