Prof. Hamit Boriçi
Hyrja dhe rrugëtimi në gazetari, publicistikë
Fan S. Noli e filloi veprimtarinë e publicistike në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Hapat e parë i hodhi qëkur ishte në Egjipt me një cikël shkrimesh polemike në mbrojtje të të drejtave Shqipërisë dhe shqiptarëve, botuar në gjysmën e dytë të vitit l905 në gazetën “Drita” të Sofjes. Por ai e pat deklaruar vetë se fillimet e veprimtarisë publicistike të tij lidhen me gazetën “Kombi”. ( Fletore politike, shoqërore, kulturore e letrare në gjuhën shqipe (t), pjesërisht frëngjisht, italisht dhe anglisht, “e përjavshme është mbrojtëse e interesave kombëtare të shqiptarëve dhe i vetmi organ i tyre në Amerikë”.U botua gjatë tri vjetëve (1906-1908).Revista “Studime historike”, 1971, n3. f.167) I pari shkrim i tij në atë të përkohshme ishte një panegjerik, fjalë e mbajtur në Bufalo para shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”. Dhe që nga numri i shtatë Noli do të jetë redaktor me pseudonimin “Ali Baba Qyteza”.
Në fletoren “Kombi” të Sotir Peci punoi deri më 31 maj l907. Kështu vitet 1905-1907 përbëjnë fazën e parë ose, siç e quante Noli, “periudhën e sprovës së karrierës gazetare”.
Faza e dytë shtrihet në vitet 1909-1911. Noli është bashkëthemelues e botues i të përkohshmes “Dielli”, numri i parë së cilës qarkulloi më l5 shkurt l909. E drejtoi deri më 22 tetor 1909 për ta rimarrë sërish pas një viti, në tetor l9l0, duke u çliruar nga ajo përgjegjësi në korrik të vitit l9ll.
Faza e tretë, në qoftë se mund ta quajmë kështu, shtrihet më disa dhjetëvjeçar dhe karakterizohet me aktivizimin e tij me shkrime publicistike letrare e trajtesa studimore në gazeta e revista shqiptare dhe mbi Shqipërinë në Europë dhe tej Atlantikut.
Noli projekton, themelon e drejton edhe dy të përkohshme të tjera.. Pas dy qëndrimeve kohëshkurtër në atdhe (l9l3 -l9l4) kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë programoi, themeloi të përkohshme si revistën “The Adriatic Review” (Revista Adriatike -l9l8-l9l9), tribunë e mendimit politik, shoqëror, kulturor e letrar në anglisht, pjesërisht në gjuhën shqipe), e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.
Kështu edhe pas mërgimit politik shumëvjeçar në Europë, boton në Boston të përjavshmen “Republika” (l930-l933), gazetë me program të afërt me fletoren “Liria kombëtare”, “organ i javshëm i nacionalistëve shqiptarë” në Gjenevë (l925-l935).
E begatë trashëgimia e Nolit edhe në publicistikë
Noli,- poet, prozator, orator e publicist, ka lënë një trashëgimi të vyer në larminë gjinore të publicistikës letrare, veçanërisht në fejtonistikë dhe eseistikë.
Studimi i eseve të Nolit hap shteg për arsyetime, që lidhen me konceptimin e llojit dhe tiparet e tij. Eseistika e Nolit është e pasur. Ajo nis me ligjërimet, me introduktat, përftime publicistike, letrare, kulturore, filozofike, shkencore etj, që si lloj a gjini gjenë shprehje edhe në një varg artikujsh – kritikë letrare (“Shekspiri në rrezik”, “Shuberti harbut” etj); dhe, më tej, në artikuj kritikë-kritikë letrare, por edhe për çështje jashtëletrare: politike,filozofike, shoqërore,shkencore a kulturore.
Parë me këtë sy, edhe shkrimi “Leon Tolstoi paralajmërues i Leninit”, trajtesë me karakter të theksuar shkencor, përmban tiparet më të qenësishme të një ese-je, të cilën profesor Rexhep Qosja e vlerëson: “një vepër origjinale e shkruar prej artisti e shkencëtari”. ( R. Qosja – Fan S. Noli- Vepra të plota, Prishtinë, l969, vëll. 7, f. l3 )
Veprën e Nolit e kanë studiuar historianë e teoricienë të letërsisë shqiptare. Krijmtaria letrare, politike, shoqërore e filozofike e tij ështe rrokur, shqyrtuar e vlerësuar në rrafsh të gjerë, në tëranëshmëri. Në këtë trajtesë bëhët një sprovë për vështrimin e eseistikës së Nolit në dy pamje a drejtime: nga njëra anë si kritikë letrare dhe, nga ana tjetër, si shkrim publicistik, kritikë për çështjet shoqërore, kulturore, shkencore; dy drejtime, ku, pa teprim mund të themi se shkelqen Noli mendimtar-estet; Noli mendimtar, politik e shoqëror.
Noli – mjeshtër i penës, letrar e publicist;
mjeshtër i fjalës, i mendimit politik, shoqëror e shkencor.
Duke i parë e vlerësuar nga ky këndvështrim disa skicë-artikuj, që Noli i quante “paragrafë të shkurtër”, botuar në gazetën “Liria kombëtare” të Gjenevës, janë, më së shumti, “shënime historike” për tema e probleme të ndryshme historike, politike, ekonomike, kulturore, artistike e shkencore. Noli si historian i konceptonte dhe realizonte edhe shënimet që formulonte në rubrikën “Andej-këtej” të asaj të përkohshmeje. (Gazetë politike, shoqërore, letrare, ekonomike etj, në gjuhën shqipe, “Organ i javshëm i Nacionalistëve Shqiptarë (1925-1935). (Palok Daka – revsiat “Studime historike”, Tiranë 1972, nr. 2, f. 220 )
Nën titullin “Andej-Këtej”, me disa “paragrafë”, Noli regjistronte e intepretonte fakte e ngjarje si korrupsioni në Doganën e Durrësit, shitja e dy vaporëve të luftës, që do t’i blente Abdurrahman Krosi me një grup favoritësh të zgjedhur, që bënin kontrabandën zyrtare; denonconte shpenzimet për kurorëzimin e kreut të shtetit; stigmatizonte lutjen e një prifti që bekonte parinë e vendit; zbulonte lodrat e qeveritarëve të oborrit mbretëror me shifrat e buxhetit shtetëror; ia nxirrte bojën Eshref bej Frashërit, kryetar i këshillit bashkiak, që paratë e Beledijes (Bashkisë së Tiranës) i shpërdoronte me përfaqësuesin e mbretit, Lalë Klosin (Abdurrahman Klosin) me shokë!.
Po nën titullin-rubrikë “Andej-Këtej”, Noli ka vënë në rradhë disa shkrime, që kanë një bosht dhe përcjellin një tok ideshë dhe plotësojnë njëri tjetrin duke përftuar kështu një unitet tërësor pikëpamjesh e praktikash, të cilat Noli i pasqyroi në faqet e gazetave me ironi e sarkazmë.
Janë tetë “paragrafë”, siç i quannte Noli. “Një sihariq”, kështu e fillon skicën e parë, që sadoqë e shkurtër, është një replikë, një polemikë.
Sihariqi i dytë është për “zbulimin e madh” që ishtë bërë në doganën e Durrësit, se, gjoja, kontrabandë nuk kalonte, prandaj dy vaporët e luftës shitën në ankand (!) Noli satirizon kur shkruan: “Do t’i blerë, natyrisht, Abdurrahman Krosi që të bëjë kontrabandën zyrtare dhe ligjore për fitimin e një grupi favoritësh të zgjedhur”.
Sihariqi i tretë lidhet me shpenzimet që do të bëheshin për kurorëzimin e kreut të shtetit. Sihariqi i katërt është një replikë sarkastike, urimi i një prifti, “që i lutet perendisë të bekonjë parinë” e Shqipërisë.
Sihariqi i pestë u kushtohej lodrave të qeveritarëve të Oborrit me shifrat e buxhetit shtetëror.. Këtë ide shtjelloheshin edhe në sihariqin e i shtatë. Ndërsa sihariqi i tetë është një përshkrim i shkurtër me një stil konçiz, për përpjekjet e Eshref bej Frashërit, kryetar i këshillit bashkiak, për zbukurimin e Tiranës: “rrugët do të zgjërohen dhe shtëpitë do të prishen, por nuk do të ndreqen më, se arka e beledies do të zotohet, po nuk do të japë çpërblime, se, malum, paratë do të përdoren për qëllime më të larta prej Abdurahman Krosit me shokë”.
Skica e komente të kësaj natyre, edhe pse të vegjël për nga numri i rrjeshtave, edhe pse të shkëputur, prapseprap kanë një bosht ideor, në këtë rast, demaskimin e politikanëve.
Të marrë veçmas, ata nuk janë as komente, se nuk trajtohen në ta probleme apo aspekte problemore, duke u shkuar deri në fund, por hidhen fakte dhe ide kalimthi, ide që kanë lidhje me faktet dhe idetë e komenteve pararendës ose pasrendës në shkrim. Janë këto më shumë copëza, shënime të trajtuara në mënyrë të lirë me vlerësime e qëndrime të autorit për fakte e ngjarje të jetës së përditshme. Prandaj, të marrë së bashku dhe në tërësinë e tyre, të “8 sihariqet” përbëjnë një artikull, një trajtesë, që ka karakteristikat më të qenësishme të ese-së.
Ai ishte mjeshtër i shkrimeve letrare-publicistike , sidomos i pamfletit që, jo rastësisht kishte zgjedhur të lëvronte si zhanër. Në të shihte mundësinë për t’u “përleshur” me kundërshtarët dhe për të zhvilluar një polemikë të ashpër që t’i shpartallonte ideologjikisht e politikisht.
Shkrimet polemike të tij dallohen për ideshmëri shprehur qartë, për konçizitet dhe për argumentime bindëse. Pamfleti “Greqia në valle” (Gazeta “Dielli”- Boston SHBA, 20 janar 1916) është një nga artikujt mjeshtëror të Nolit-pamfletist, hartuar me stil lakonik, të prerë, të qartë. Ky pamflet, që është quajtur si lloj publicistik “fejton” (Piro Talo- Fan Noli në fushën politike dhe publiicistike- Tiranë. 1975, f. 79) është i shkurtër, pak më shumë se gjysëm faqeje, por autori ka ditur që përmbledhtas me fakte e ngarkesë ideore dhe emocionale të komunikojë me lexuesit. Kështu Noli arrin ta demaskojë falsitetin e Greqisë “neutrale”, t’ia zbulojë rrënjët e gënjeshtrës, duke e paraqitur Greqinë ashtu siç ishte, sherbëtore e shumë zotrinjëve, shovinistë. Greqia hynte në “valle” se “baba Inglizi e rrëmben prej krahu, baba Frëngu e kapte për këmbe”. Dhe komenton me art: “…or, do kërcejë dhe u mbarua! Italiani i bie fyllit, Rusi i fryn gajdesë, serbi troket duart, Venizellosi heq kryen e valles e dridhet e përdridhet si dhëndërr duke kënduar”. Ja, se si me pak rradhë ky mjeshtër i pamfletit, jep një tabllo të tërë, paraqet profilin, fytyren e vërtetë të Greqisë dhe të shteteve të mëdha; demaskon politikën e tyre.
Fan S. Noli i trajtonte çështjet si ideolog e politikan kombëtar, duke dalë në krah vegjëlisë te e cila kishte besim, ndaj u bënte thirrje për të vazhduar luftën për lirinë dhe të drejtat e Shqipërisë.. Këto ide shihen sidomos në shkrimet, titulluar: “Jo! Armën do mos e hedhim” dhe “Udha s’është e shtruar me trëndadilë”. Përmes tyre ai u fliste luftëtarëve me një ton të fuqishëm plot shpresë, jo se liria do të vinte si dhuratë nga zotrinjtë, nga “oxhaksia”, ose nga “jashtë”, por nga lufta e vetë popullit, e vegjëlisë, me armë, sepse rruga e çlirimit kombëtar e lirisë dhe e pavarësisë së plotë dhe të vërtetë “s’është e shtruar me trëndafilë”! Shkrimin me titull thirrës “Jo! Armën do mos e hedhim” e publikoi në maj të vitit 1924, kur Shqipëria ziente si vullkan, kur vetë Noli doli në krye të masave për të udhëhequr revolucionin e madh shoqëror.
Në arsyetime të shkrimeve-“ese” te publicistika e Nolit ndalojmë në disa syresh, që na duken më përfaqësuese e argumente në kahje të mendimit tonë. Por edhe ese-të, ashtu si llojet e shumta të larmishme të publicistikës letrare, si forma të pasqyrimit, variojnë si konceptim, ndonëse ruajnë tipare, më sakt, ligjësitë më karakteristike të përbashkëta tipologjike, siç janë: karakteri vlerësues kritik trajtimi i problemive jo në mënyrë shterruese dhe larmia e elementeve letrarë të pasqyrimit. Ka artikuj publicistikë-ese disaproblemor, si ai me titull “Limani i lirë i Serbisë në det të hapur përmes Shqipërisë veriore është më keq se çmenduri”, një trajtesë më 6 nëntituj, që për për konceptimin e trajtimin priret nga lloji i një debate filozofik.
Ka artikuj kritikë si ai me titullin “Shekspiri në rrezik”, ku autori, nisur nga kritika e Tolstojt dhe e Bernard Shout, i pari “vuri re se dramat e tij (të Shekspirit H.B.) janë të shkallmuara, por nuk gjeti as gjurmë moraliteti”( Shih Gazeta “Kombi”, 20.l2.l906 me pseud. ABQ ); ndërsa i dyti, (Bernard Shou) mohon çdo gjë të bukur me krijimtarinë e Shekspirit). Noli, me argumente e mbron Shekspirin. Kjo është një ese – kritikë letrare.
Publicistika e Nolit, sidomos ajo e pas vitit 1912, karakterizohet nga fryma e lartë patriotike, nga patosi qytetar, nga optimizmi dhe besimi për të ardhmen e Shqipërisë, e cila do të vinte, jo nga “oxhaksia”, por nga vegjëlia, nga “opinga”. Në vitin 1912 këtë e shprehte kështu në një artikull: “Nuk është larg dita kur populli shqiptar ose, më mirë, opingat, do të zgjohen nga gjumi i rëndë edhe, duke i kthyer me ndohtësi krahët parësisë, do të marën vetë udhën e përparimit e qytetërimit”.
Fenomenet retorike në publicistikën e Nolit.
Publicistika e Nolit është e pasur me më lëndë, përmbajtje e dukuri letrare, estetike, gjuhësore dhe kërkimore-shkencore, që studiesja, Doktore e Shkencave Entela Komnino i trajton në punimin shterrues emëtuar “Fenomenet retorike në publicistikën e Nolit”. Është një studimi teorik veprës publicistike të Nolit, botuar në më të shumtën e vet dhe e njohur për rrethet filolologjike dhe publicistike shqiptare. Në këtë punim është bërë objekt studimi publicistika e Nolit, përmbledhje e botimeve të ndryshme që përfshijnë shkrimet në gazeta e revista si edhe ligjërime-oratori, publikuar në masmediat. Një nga përfundimet, që ajo ka arritur, është: “Retorika është kështu një mënyrë për të vështruar Nolin, por dhe një dukuri për t’u analizuar sidomos në publicistikën e tij. Shumë tekste të përfshirë në veprën publicistike të Nolit, duke qenë veçse tekste liturgjie ose të ligjëruar në kishë, me botimin e tyre në gazetat e shqiptarëve kanë fituar nje tjetër përmasë mediatike”.
Parashtrohen e përpunohen një varg ideshë e problemesh duke nxjerrë në pah vlerat teorike e shkencore me referenca autoritare si dijetarët tanë Koço Bihiku e Nasho Jorgaqi si dhe studiuesë të huaj.
Disa tipare të publicistikës noliane
Studimi i publicistikës së Nolit na çon në dy përfundime qenësorë për kërkimet në gazetari: së pari, na tregon e vërteton se gazetaria dhe publicistika janë një mbështetje e rëndësishme për historianët dhe hirostoriografinë, burim i pashtershëm të dhënash, faktesh e ngjarjesh; së dyti, Noli na jep modelin e mjeshtrisë profesionale në terrenin praktik të procesit të historishkruarjes.
Shqyrtimi i përmbajtjes së retorikave publicistike të Nolit çon në arsyetimin e motivuar se strukturat dhe teknikat e ligjërimit të këtij mjeshtëri të fjalës mbështeten në të dhëna e fakte historike.
Një nga veçoritë me vlera historike të gojëtarisë Nolit është qendrimi i hapur i autorit ndaj fakteve, dukurive, realiteteve historiko-shoqërore. Këte e shohim në fjalen e tij, mbajtur më 8 mars 1908 në Katedralen e “Shën Gjergjit në Boston, “me atributet e “kryeorganizatorit të kishës autoqefale, të kishës kombëtare…” e shohim në kumtin dhënë audiencës, mbledhur më 28 prill 1912, në promovimin e Federatës.
Në eseistikën shqiptare, Noli, me penën e tij dritëdhënës, me mendjen e mprehtë, me intuitën e letrarit politikan e sociolog, ka vendin e njërit prej themeluesve kryesorë. Me vargun e ese-ve ai çeli hulli të reja në fushën e kritikës letrare, të kulturës dhe të sociologjisë, por, në rrafsh praktik, orientoi edhe konceptimin e llojit ese, si një formë shkrimi, artikull publicistik, letrar e shkencor, që rrok e shtjellon tema e probleme apo çështje të veçanta me vlerë letrare a kulturore shoqërore a filozofike.
Në gazetari dhe publicistikë Noli hyri si luftëtar për çështjen kombëtare shqiptare. Në funksion të këtij misioni, ai lëvroi më shumë artikullin politik e propagandistik, shënimin e shkurtër, por edhe pamfletin e fejtonin. Analiza dhe trajtimi relativisht i gjerë i disa prej shkrimeve dëshmon se Noli dha ndihmesë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë së atyre kohëve me të dhëna e fakte të argumentuar dhe të verifikueshëm. Sjellim një shembull. Fjala është për artikullin e gjatë “Përgjigje “Diellit””). Esht një artikull me 27 nëntituj, copëza të shkurta me nga 6 radhë linotipi. Çdonjëra “copëz” mund të shihet si një kronikë me informacione që dëshmojnë për zhvillime politiko-shoqërore në qarqet e emigracionit shqiptar. (Gazeta “Imigranti”, Uorçester Mass, Boston-Mass, ShBA, 26 dhjetor 1925 (me vazhdim )Profesor Aleks Buda e ka vlerësuar Nolin si “figurë universale në historiografi”…personalitet ”konseguent në veprën e tij shkencore edhe në historiografi nga “Historia e Skënderbeut” e vitit 1921”. ( A.Buda – Noli, Vepra, Tiranë 1988,, Vëll. I., f. 15-16 ; dhe gazeta “Tirana News Observer” on-line, Tiranë, 13 mars 2014)
Analiza e një vargu shkrimeve, artikuj ose pamflete qofshin, zbulon disa tipare mjeshtërore dhe metodike të Nolit në publicistikë si shpejtësia e shkathtësia dhe shpejtësia e kapjes së thelbit, të brëndisë së përmbajtjes, të problemeve objekt pasqyrimi publicistik.
