Kanë nisur tashmëdiskutimet mbi ndryshimet që do të shoqërojnë ligjin e arsimit parauniversitar në vend. Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka mbledhur dje në një konsultim mësues, ekspertë, përfaqësues dhe drejtues të institucioneve arsimore nga i gjithë vendi, me të cilët ka diskutuar rreth risive që propozohen në draftin e ri ligjor për organizimin dhe zhvillimin e arsimit parauniversitar në vend. Sipas autoriteteve të arsimit, ndryshimet në ligjin aktual pritet të bëhen si shkak i problematikave të hasura gjatë viteve të fundit në këtë cikël arsimi.
Një ndër pikat e rëndësishme të draftit të ri është edhe edhe përcaktimi i kufirit të moshës së lejuar për pranimet në klasë të parë. Kështu, sipas propozimit të bërë synohet që t’u jepet e drejta nxënësve që të regjistrohen në klasë të parë edhe kur ata e mbushin moshën 6 vjeç pas fillimit të vitit shkollor, por me kushtin që mbushja e moshës të jetë deri në datën 31 dhjetor të po atij viti kalendarik. Ndërkohë që me ligjin aktual nxënësit që mbushnin moshën 6 vjeç pas datës së fillimit të vitit shkollor, nuk mund të regjistroheshin të klasë të parë.
Në lidhje me propozimin e moshës minimale të hyrjes në klasë të parë, Ministrja Kushi u shpreh se kjo temë ka hapur debat pasi është keqinterpretuar, pasi fëmijët nuk detyrohen që të hyjnë në shkollë 5 vjeç. Autoritetet e arsimit sqarojnë se regjistrimi i fëmijës në shkollë nën moshën 6 vjeç nuk do të jetë i detyrueshëm, por do të jenë prindërit ata që do të vendosin, nëse do të duan ta dërgojnë fëmijën e tyre në klasë të parë edhe në rastet kur do të mbushin gjashtë vjeç deri në disa javë pas nisjes së vitit shkollor.
“Në fakt qëllimi është krejt tjetër. Nisur në radhë të parë nga zhvillimi që kanë sot fëmijët. Por nisur dhe nga arsimi parashkollor që gjithashtu është zhvilluar, sot ne kemi fëmijë që moshën 6 vjeç e mbushin në tetor apo në nëntor, të cilët kanë bërë klasën parashkollore, ndërkohë që ata janë shumë të zhvilluar, ata dinë të lexojnë, ata dinë të shkruajnë dhe prindërit e tyre po edhe ekspertët e gjykojnë humbje kohe dhe humbje të interesit të fëmijës nëse ne i lëmë edhe një vit tjetër për shkaqe që i pengon ligji. Atëherë, ne kemi menduar që të drejtën për të hyrë në klasë të parë në shtator ta kenë të gjithë ata fëmijë që mbushin 6 vjeç deri në 31 dhjetor të këtij viti kalendarik”, tha ministrja Kushi. Sipas saj, kjo është një kërkesë e ardhur nga shumë prindër që duan t’i fusin fëmijët e tyre në klasë të parë, por është pengesë ligjore mosha. Kjo është një praktikë që e kanë shumë vende të tjera, madje ka shtete që fillojnë që 5 vjeç klasën e parë.
Propozimet e bëra në këtë projektligj gjithashtu synojnë: të implementojnë edhe konceptin e shkollave të mesme të bashkuara, të sigurojnë edukimin dhe promovimin e talenteve në arsimin bazë, jo vetëm nga shkollat e drejtimit të orientuar, por edhe nga shkollat e tjera 9-vjeçare.
Ligji i ri pritet të përfshijë në institucionet arsimore parauniversitare mësuesin në dispozicion, të sigurojnë mbështetje institucionale për nxënësit me aftësi të kufizuar nëpërmjet krijimit të Qendrave Burimore, si dhe të sigurojë mbrojtje për nxënësit, duke ndaluar përfshirjen në sistemin arsimor të personave (mësuesve) të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucionet arsimore, pavarësisht rehabilitimit të tyre. Në ditët në vijim ky proces do të vijojë me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillin Kombëtar të Prindërve, Bashkitë, Parlamentin e Nxënësve, shoqërinë civile, etj.
Arsimi parashkollor
Edukimi parashkollor në vendin tonë organizohet nëpublik dhe privat. Ai përbëhet nga çerdhet dhe kopshtet. Çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës 0-3 vjeç. Kopshtet janë institucione në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës 3-6 vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar. Ka dy lloje kopshtesh, kopshte gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit. Procesi mësimor edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet mbi bazën e programeve edukative të miratuara nga MAS. Misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatit ata për në shkollë. Në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga minoritetet, procesi edukativ dhe mësimor zhvillohet në gjuhën amtare.
Arsimi i detyruar bazë
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
Arsimi i mesëm
Ndjekja e arsimit të mesëm nuk është e detyrueshme. Arsimi i mesëm në vendin tonë përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar), si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore.
Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve.Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.
MAS: Me propozimettonasynojmë
- Të implementojmë në ligj konceptin e shkollave të mesme të bashkuara.
- Të sigurojmë edukimin dhe promovimin e talenteve në arsimin bazë, jo vetëm nga shkollat e drejtimit të orientuar, por edhe nga shkollat e tjera 9-vjeçare.
- Të sigurojmë të drejtën e nxënësve që të regjistrohen në klasë të parë edhe kur ata e mbushin moshën 6 vjeç pas fillimit të vitit shkollor, por deri në 31 dhjetor të po atij viti kalendarik.
- Të përfshijmë në institucionet arsimore parauniversitare mësuesin në dispozicion.
- Të sigurojmë mbështetje institucionale për nxënësit me aftësi të kufizuar nëpërmjet krijimit të Qendrave Burimore.
- Të sigurojmë mbrojtje për nxënësit, duke ndaluar përfshirjen në sistemin arsimor të personave (mësuesve) të cilët janë dënuar për vepra penale që lidhen me të mitur, apo institucionet arsimore, pavarësisht rehabilitimit të tyre.
