Sefer Pasha
U bënë ditë që udhëtoj nëpër fshatra dhe në qytetin e Pukës. Kam në duar një libër për origjinën e Kabashit të Pukës për të cilin thuhet se janë nga një fshat i Ersekës. Për të mbledhur material vajta dhe në një fshat gjithashtu me emrin Kabash. Ishte rreth pesë kilometra në perëndim të qytetit. Legjendat ishin të ndryshme. Thuhej se para disa shekujsh fshati[ishin gërmadhat] qe sulmuar nga një lukuni gjarpërinjsh. Vendasit nuk i kishin shfarosur dot. Dëmet nga gjarpërinjtë kishin qenë të tmerrshme. Dhe i gjithë fshati ishte larguar. I shkela gërmadhat e fshatit tragjik. Për këtë fshat më kishte folur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe miku im, poeti Dhori Qirjazi. Gojëdhënat e mohonin që Kabashasit e Pukës të ishin “pushtuar” nga gjarpërinjtë. Tregimet që vijnë edhe sot nga Turqia thoshin se ata ishin nga Kabashi i Ersekës. Dhe arsyeja e largimit ishin gjarpërinjtë. Nuk e mësova dot se përse u larguan nga një fshat i Ersekës kabashasit e sotëm me të njëjtin emër. Ndofta nga ndonjë fatkeqësi natyrore ose gjakmarrje. Historianët më thanë se shekuj më parë emigrimet “fshatçe” nuk janë të panjohura. Të parët e Fan Nolit ikën nga Erseka dhe shkuan në Qytezë të Ibrik Tepesë të Turqisë. Kabashasit të cilët u ngulën në bjeshkët e Pukës morën me vete këngët, klarinetën, violinën, defin dhe vegla të tjera muzikore. Për jetëgjatësinë e këtij arti më duhet që të vazhdoj të gjurmoj. Kënga “Një shami me mollë të ëmbla” kishte shekuj që ishte krijuar. Deri kur u kënduan këngët dhe meloditë në Kabashin e Pukës dhe të Prizrenit. Sot në hartën e Shqipërisë janë tre Kabashë. Në Ersekë, në Pukë dhe në Prizren.
Në udhëtimin me “berqet” më shoqëron studiuesi nga Fushë – Bardha e Gjirokastrës Zaho Golemi. Më pukjanët që takohet Zahua mbedh një “çarçaf” me mbresa për kunatin e tij Pajtim Bellon. Pajtimi ka qenë drejtor i minierës së Gjegjanit në Kukës, ku kanë punuar dhe shumë pukjanë. Inxhinjeri Pajtim Bello mbetet për veriorët një hero. Zaho Golemi nuk ma prish terezinë. Përkundrazi, më vjen në ndihmë. Ma di hallin.
Unë nuk po realizoj dot një film për një nga trimat e Pukës. Quhet Bardhok Jaku. Ai ka një histori të denjë për filmat e Hollivudit. Ka qenë komandant i postës kufitare të Lumit të Gashit në Tropojë. Pritej një bandë e UDB -së në Qafën e Ali Çelës të Lumit të Gashit. Udbashve u duhej zënë prita. Komandanti Bradhok Jaku merr katër kufitarë dhe niset për në Qafën e Ali Çelës. Dëbora ishte mbi dy metra. Ishte shumë e vështirë për ta zënë Qafën e Ali Çelës. Nga cikloni vdiq kufitari i parë, i dyti, i treti dhe i katërti. Komandanti legjendar Bardhok Jaku nuk mundej t’u vinte në ndihmë. Ligjin e bënte cikloni i Lumit të Gashit. Por Bardhok Jakut i duhej që ta çonte në fund misionin për t’i zënë pritë bandës së UDB -së . Pas shumë mundimesh ai arrin ta kap Qafën e Ali Çelës, ku kishte informacion se do të kalonte banda e UDB -së. Por komandanti Bradhok Jaku nuk mundi të mbijetoj dot. U bë kallkan në mes të dëborës. Në mëngjes i gjetën të katër kufitarët dhe Bradhok Jakun të ngrirë. Kohët kanë ndryshuar. Tani nuk kujtohej më Brdhok Jaku nga fshati Shkozë i rrethit të Pukës. Një shkolle që mbante emrin Bardhok Jaku i kishin vënë vizë. Por “vuçiçët” e rinj të Beogradit janë gjallë. Situata në Mitrovicë është si një prushë zjarri.

Gjatë udhës ia tregoja Zaho Golemit historinë tragjike të Bardhok Jakut dhe të katër kufitarëve. Isha rritur me një këngë që këndohej në dasma për trimat e Lumit të Gashit:- /Katër kufitar e komandanti pesë/ Kontrolluat kufirin se mos kish kalesë/Pritej UDB -ja që ish e pabesë/. Por historia asgjë nuk harron. Mikut tim Zaho Golemit i recitoj disa nga vargjet e poemës “Dhjetë sy” të Dritëro Agollit:- Dhe heronj dyfeklarë/ Këtu çapiteshin/ Me mjegullës së dendur//Pas njëri – tjetrit/Pesë kufitarë……./Një telegram i hidhur do vinte/Dhe babës do t’i thoshte/S’ke më djalë/…./Këtu dëborë e maleve të lart/……/I mbylli dhjetë sy/.
***
Qyteti i Pukës është veshur me ngjyrën e artë të vjeshtës. Është një nga qytet më të pastra të Shqipërisë. Preferohet nga vizitorët e huaj. Fryn erë dhe bie shi. Bien gjethet e pemëve. Por fshesarët e qytetit i presin “me futa”. Në një nga kafenetë e qytetit pimë kafe me nënkryetarin e Bashkisë së Pukës zotin Mustaf Kopani. Si kudo dhe në Pukës biseda më e preferuar është ajo e shpopullimit të vendit. Edhe në Pukë nëpër qytet nuk shikon të rinj. Gjithsesi Mustaf Kopani thotë se drama e të rinjve që po largohen nga vendi nesër do të kthehet në flori. Ka pukjanë të cilët janë larguar nga Puka qysh mote të shkuara dhe po kthehen në vendlindje e po ndërtojnë vila. Investohet. Nuk do të shkretohet ky vend.
Në një promovim libri për trimin e Prizrenit Rust Kabashin ndodhej dhe pukjani Bilal Hoxha. Ai është babai i dëshmorit të Policisë së Shtetit Saimir Hoxha, të cilët e vranë në Lezhë banditët. Bilal Hoxha është i brengosur. Vetëm Puka e tij e dashur ia lehtëson dhimbjet.
Herë pas here hedh në bllok motive nga ditët në Pukë. Jam shikuar në pasqyrë dhe vërej se fytyra sikur më është rinuar. E kam nga klima e Pukës. Në një gazetë të Francës një turist kishte shkruar se në qytetin e Pukës në veri të Shqipërisë nuk kishte asnjë vizitë në spitalin e qytetit. Në Pukë askush nuk sëmurej. Vetë natyra ishte ilaçi dhe antibiotiku. Lum ata që rrojnë në Pukë thoshte artikullshkruesi nga Franca.
Para se të ktheheshim për në Tiranë së bashku me Zaho Golemin ngjitim një bjeshkë në malin e Munellës. Zahua zgjat kokën. Po përpiqem të shoh Fushë Bardhën thotë ai. Zaho Golemi bën humor dhe unë i recitoj vargje të Dritero Agollit: –Në qytet bie shi dhe me ombrellë/Në kafe “Tirana” futesh ti/Unë jam në pyjet në Munellë/Ku rënkon një sharrë e një qysqi.

Vetem ne Puke nuk lexoj lajme te kronikes se zeze.Por ama dy vrases I ka nxjerre Puka. Ato qe vrane komisarin e policise .Vellezerit FRROKU.