Regjistrimet për vitin e ri shkollor do të jenë vetëm online. Për të gjithë prindërit që ende nuk kanë arritur të përfundojnë dot procedurat e regjistrimit online të fëmijëve që do të shkojnë në klasë të parë, si dhe në vit të parë të shkollës së mesme, bëhet e ditur se portali online i aplikimit është rihapur. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanëkonfirmuar afatet e reja, në të cilat do të vijojnë aplikimet online nëpërmjet portalit “e-albania” për regjistrimin e nxënësve të klasave të para dhe viteve të para të shkollës së mesme. Në ndihmë të prindërve që kanë hasur vështirësi në kryerjen e regjistrimit online, autoritetet e arsimit sqarojnë se nëçdo shkollë do të ketë stafe mbështetëse për t’i orientuar ata për përfundimin e regjistrimit sipas klasës në të cilën do të ndjekë për herë të parë mësimet nxënësi përgjatë vitit të ri shkollor 2022-2023.
Për pranimet në klasat e para, nxënësit lejohen të regjistrohen në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të tij, ose jashtë zonës së vendbanimit, por vetëm duke specifikuar arsyen dhe duke ngarkuar dokumentin justifikues. Harta e mbulimit të territorit, e miratuar nga njësite vendore duhet tërespektohet gjatë regjistrimit të nxënësve në klasën e parë.
“Aplikimi për regjistrim në klasën e parë mund të bëhet duke filluar nga data15 gusht deri më datë 25 gusht 2022. Procedura do të jetë e njëjtë sikundër ka ndodhur në raundin e regjistrimeve të zhvilluara gjatë muajit korrik. Për të finalizuar regjistrimin për klasën e parëdokumentet që ngarkohen nga aplikanti janë: Dokumenti i kujdestarisë ligjore që duhet vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet nga personi që ka kujdestarinë ligjore, si dhe dokumenti justifikues që duhet vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet jashtë zonës së vendbanimit.Në rast pranimi të aplikimit personi që ushtron përgjegjësinë prindërore dorëzon në sekretarinë e shkollës fizikisht Kartelën e Vaksinimit të fëmijës jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor. Vetëm në momentin e dorëzimit të Kartelës së Vaksinimit regjistrimi i fëmijës quhet i përfunduar”, bëjnë me dije autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit.
Hapi i parë që duhet të ndiqni në kryerjen e procedurës së regjistrimit për klasën e parëështë hyrja në portalin www.e-albania.al, ku pasi të jeni identifikuar si qytetar duhet të zgjidhni shërbimin e listuar “Aplikim për regjistrim në klasë të parëdhe të klikoni në butonin që shkruan “Përdor”. Pasi të kryeni këtë procedurë do të hapet edhe formulari përkatës, ku duhet të plotësoni me kujdes të gjitha të dhënat e kërkuara për fëmijën në varësi të adresës ku ju keni vendbanimin. Në përfundim të plotësimit të formularit duhet të aplikoni sërish në butonin “Dërgo” dhe brenda pak ditësh do të merrni edhe përgjigjen.
Po ashtu shërbimi elektronik online në portalin “e-albania” u vjen në ndihmë prindërve dhe personave që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore të regjistrojnë edhe fëmijën që do të regjistrohet në klasën e 10-të në gjimnaz, shkollë të mesme të orientuar me dhe pa konkurs. Kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e dhjetë të një gjimnazi vetëm nxënësit që i përkasin shkollave të arsimit bazë të zonës së gjimnazit. Nxënësit regjistrohen në gjimnaz publik sipas zonës së gjimnazit sipas planifikimit paraprak të Zyrave Vendore Arsimore ose jashtë saj duke specifikuar arsyen dhe duke ngarkuar dokumentij justifikues.
Pranimet në shkollat e arsimit të mesëm të orientuar (artistike, sportive, për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera) bëhen sipas përcaktimeve të udhëzimit përkatës të MAS. Shkollat e arsimit të mesëm të orientuar pranojnë nxënës edhe nga Bashkitë e tjera, të cilat nuk kanë shkolla të arsimit të mesëm të orientuar. “Aplikimi për regjistrim në klasën e dhjetë mund të bëhet duke filluar nga data 15 gusht deri më datë 25 gusht 2022.Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, bën aplikimin online duke plotësuar të dhënat e nevojshme të formularit dhe pret përgjigjen e miratimit ose refuzimit të aplikimit.Dokumente që ngarkohen nga aplikanti janë: Dëftesë lirimi (e skanuar nga origjinali), dokumenti i kujdestarisë ligjore në rastet kur fëmija regjistrohet nga personi që ka kujdestarinë ligjore që duhet vetëm kur aplikimi bëhet nga kujdestari ligjor i fëmijës, raport mjekësor që duhet vetëm kur aplikohet për shkollë të mesme me konkurs (sportive), dokumenti justifikues që duhet vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet jashtë zonës së mbulimit.
Data e fillimit të vitit të ri shkollor 2022-2023
Viti i ri shkollor 2022-2023 do të nisë në datën 12 shtator. Sipas ndryshimeve të bëra në strukturën e vitit të ri mësimor, Mas bën me dije se për nxënësit dhe mësuesit e arsimit 9-vjeçar do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023. Në këto ditë nxënësit do të pushojnë por edhe luajnë dhe argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë strukturën e detajuar të periudhave kur nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe gjimnazeve do të zhvillojnë mësimin, pushimet e vitit, si dhe provimet kombëtare të lirimit dhe të Maturës Shtetërore për vitin e ri shkollor 2022-2023.
Regjistrimet në klasat e para:
- Identifikohuni si qytetar në portalin qeveritar në adresën e-albania.al.
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për regjistrim në klasë të parë”.
- Klikoni butonin “Përdor”.
- Plotësoni formularin e aplikimit dhe klikoni “Dërgo”.
- Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla fillon procedurën për trajtimin e kërkesës.
- Në qoftë se çdo gjë është në rregull shkolla regjistron nxënësin.
- Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 5 ditësh nga momenti i dërgimit të aplikimit.
- Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.
- Në rast pranimi të aplikimit personi që ushtron përgjegjësinë prindërore dorëzon në sekretarinë e shkollës fizikisht Kartelën e Vaksinimit të fëmijës jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor.
- Vetëm në momentin e dorëzimit të Kartelës së Vaksinimit regjistrimi i fëmijës quhet i përfunduar.
Procedura e regjistrimit për vitet e para
- Identifikohuni si qytetar në portalin qeveritar në adresën e-albania.al.
- Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi në klasë të dhjetë”.
- Klikoni butonin “Përdor” dhe plotësoni formularin online.
- Aplikimi mbërrin në shkollën përkatës ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla bën procedurën për trajtimin e kërkesës.
- Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 5 ditëve nga momenti i dërgimit të aplikimit.
- Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.
STRUKTURA E VITIT MËSIMOR 2022-2023 PËR SHKOLLAT 9-VJEÇARE DHE GJIMNAZET
NË ARSIMIN BAZË(9-VJEÇARE)
- Mësimi fillon në datën 12 shtator të këtij viti dhe përfundon me14 qershor të 2023.
- Pushimet fillojnë me 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë në 4 janar 2023.
- Pushimet e radhës do të zhvillohen në periudhën 3 deri në datën 9 prill 2023.
- Provimet kombëtare për nxënësit e klasave të 9-ta do të zhvillohen në periudhën kohore ndërmjet datave 15-30 qershor 2023.
PËR SHKOLLAT E MESME:
- Mësimi nis në datën 12 shtator dhe përfundon në 14 qershor të 2023.
- Për maturantët mësimi do të nisë me 12 shtator 2022 dhe përfundon në 31 maj 2023.
- Pushimet fillojnë me datën 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë me 4 janar 2023.
- Provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2023 për të gjithë maturantët në vend do të zhvillohen ndërmjet datave 1-30 qershor të vitit që vjen.
PËR ARSIMIN E MESËM PROFESIONAL
- Mësimi do të fillojë në datën 12 shtator të këtij viti.
- Për nxënësit e klasave të 10-ta të të gjitha strukturave, ata të klasave të 12-ta për strukturën 2+2, si dhe nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën katër vjeçare mësimet mbarojnë në datën 14 qershor 2023.
- Për nxënësit e klasave të 11-ta, 12-ta për strukturën 2+1+1, si dhe nxënësit e klasave të 11 për strukturën 2+2 mësimi do të mbarojë në datën 31 maj 2023.
- Për të gjithë nxënësit maturantë, viti shkollor mbaron në datën 19 maj 2023.
- Pushimet fillojnë në datën 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë në datën 4 janar 2023.
- Provimet përfundimtare të Nivelit II dhe III do zhvillohen në 1 – 15 qershor 2023.
- Provimet e Maturës Shtetërore profesionale do të zhvillohen në periudhën 1-30 qershor 2023.