Nga Fatos TARIFA
Z. Rama kritikoi ditët e fundit Radio Televizionin Shqiptar për mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar ndër vite. Ai kërcënoi madje, duke e cilësuar një opsion të mundshëm, mbylljen përfundimtare të tij, ose privatizimin e tij.
Me gojën e tij, siç e dëgjova vetë, kryeministri u shpreh: “Kemi tentuar ta reformojmë dhe kemi dështuar me suksesin më të madh ta reformojmë televizionin publik. Deri tani, bilanci i televizionit është dështim i suksesshëm, që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Ne nuk e kemi një televizion publik sot në Shqipëri. Kjo është e vërteta. Kemi një kanal atje, por unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televionin publik shqiptar, dhe ju siguroj për këtë, është në vitin 1990, para përmbysjes, kur ishin ato protestat që ata ca i thoshin, ca s’i thoshin…”
Sa për të ardhur keq–dhe sa indinjuese njëherësh–është të dëgjosh kryeministrin e vendit tënd të shprehet në këtë mënyrë! Një mënyrë krejt e pa përgjegjshme!
Që z. Rama nuk e ka kthyer kurrë kanalin te televizioni publik shqiptar, kjo ka qenë dhe është e drejta e tij si individ. Mbrohet nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe nga Kushtetuta e Shqipërisë. Liri për të marë (ose jo) informacion. Që ai e pohon këtë, përsëri është e drejta e tij. Liri e fjalës dhe e shprehjes. Për më tepër, transparencë me publikun.
Por z. Rama ka qenë dikur ministër i Kulturës dhe po bëhen 13 vite që e kemi kryeministër.
Si ministër i Kulturës do të ishte dashur, së paku, të interesohej se çfarë kulture rrezatonte dhe transmetonte televizioni publik shqiptar, pra t’ia hidhte ndonjëherë sytë ekranit të TVSH-së.
Si kryeministër, ai nuk duhet ta kërkojë përgjegjësinë për mosreformimin dhe borxhet e atij televizioni tek ata që ai vetë ka zgjedhur ta drejtojnë atë institucion. Të paktën jo sot. Jo kaq vonë. Jo pas 13 vitesh si kryeministër i vendit.
Fjalët e tij “kemi tentuar ta reformojmë dhe kemi dështuar me suksesin më të madh ta reformojmë televizionin publik” pohojnë dështimin e vetë z. Rama dhe të çdo qeverie që ai ka drejtuar deri më sot për reformimin e televizionit publik shqiptar. Një “dështim i suksesshëm”, nëse i huazoj këto fjalë prej tij.
Mund të debatohet mbi përgjegjësitë, cilët individë apo instanca janë përgjegjësit e gjëndjes për të cilën është zemëruar kryeministri, të ç’natyre dhe në ç’shkallë. Por nuk besoj se mund të diskutohen vlerat dhe rëndësia kombëtare e televizionit publik shqiptar, për të cilat z. Rama duket se nuk do t’ia dijë.
Një pyetje e thjeshtë kognitive, para së cilës një fëmijë, por jo një i rritur–dhe aq më pak një njeri i kulturës dhe një kryeministër–është kjo: nëse për 35 vite me radhë nuk ke parë asnjëherë asgjë në televizionin publik shqiptar, si mund ta dish se “nuk e kemi një televizion publik sot në Shqipëri”, siç beson kryeministri?
Dhe si mund të thuash se “kjo është e vërteta”, siç shprehet ai? Cila e vërtetë? Ç’është e vërteta në fund të fundit? Pyetja arkaike e Pont Pilatit për Jesu Krishtin “What is truth?” – (John 18:38, Testamenti i Ri).
Ç’farë janë programet që shohim në kanalet RTSH 1, RTSH 2 etj. unë dhe dhjetra mijë shqiptarë si unë dhe si z. Kryeministër çdo ditë në televizor? Ose festivalet e këngëve në Radio-Televizionin Shqiptar? Haluçinacione? Janë apo s’janë? I shohim apo na duket sikur i shohim? I shohim në ëndërr apo realisht.
Dhe nuk është një kanal i vetëm; janë disa, ndoshta më shumë se ç’duhet: RTSH 1, 2 dhe 3, RTSH Sport / Shkollë / Agro / Fëmijë / 24 / Film / Shqip /Muzikë /Kuvend.
Por e lë të vërtetën ta gjejnë ata që besojnë në të, ose ata që janë të sigurt se e dinë se ç’është e vërteta. Unë jam vazhdimisht në kërkim të saj, edhe pse i bindur se, as unë dhe askush nga të gjallët, nuk do e mësojnë ndonjëherë të vërtetën të plotë, të saktë e përfundimtare.
Më e rëndësishmja gjë në narrativën e kryeministrit është kjo: Kush ia jep të drejtën atij që të kërkojë me mbylljen ose shitjen (privatizimin) e televizionit publik, sikur ky të ishte pronë private e tij?
Ai televizion është një pasuri e çmuar kombëtare, pronë e publikut, e shqiptarëve, në të cilën çdokush nga ne, çdo qytetar i kësaj republike, ka aksionet e veta. Nuk është pronë kryeministrore (e asnjë prej kryeministrave që kanë ardhur dhe ikur, as e këtij që kemi, as e atyre që do të vijnë pas tij). Prandaj, larg duart nga Radio Televizioni Shqiptar!
Ky institucion është prona jonë. Nga të paktat prona publike që qeveritë shqiptare në këta 35 vite i kanë lënë këtij populli të vuajtur e të varfër pasi i morën gjithçka–minierat, uzinat, fabrikat, fermat bujqësore, kompaninë telefonike shtetërore, transportin urban dhe interurban, Kinostudion…
A do ta bëjmë Shqipërinë vendin e parë pa një televizion kombëtar publik, siç komunizmi e bëri vendin e parë pa fe, të vetmin vend ateist në botë?! Përsëri eksperimente me këtë vend, që për shkak të politikës dhe politikanëve të tij të korruptuar nuk po e gjen dot me veten e vet?
Boll jemi bërë shembull për botën. Nuk jemi (më) “kërthiza” e saj, “fanari” që ndriçonte kontinentet. Sot duhet të mësojmë nga ata vende dhe nga ato shoqëri që dinë më shumë dhe kanë arritur një shkallë më të lartë zhvillimi.
A e di z. Kryeministër se në Europë nuk ka asnjë shtet pa televizion publik, me përjashtim të njërit, Principatës së Lihtenshtajnit, me një popullsi sa Lushnja, Berati apo Pogradeci. Banorët e atij territori të vogël shohin televizionet publikë zviceranë, austriakë dhe gjermanë.
Të gjitha vendet e tjera europiane kanë televizioniet e tyre publikë, madje edhe shtetet më të vegjël: Islanda, Malta, Mali i Zi, San Marino, Monako dhe Vatikani. Norvegjia ka televizionin e vet publik NRK, pronë e shtetit. Hollanda ka NPO, Spanja ka RTVE, Gjermania ART dhe ZDF, Franca ka France Télévisions, Italia ka RAI, Greqia ka ERT, Austria ka ORF, Mbretëria e Bashkuar ka BBC etj.
Mos vallë, tani që kryeministri na thotë, krejt papritur, se integrimi në BE nuk është aq i lehtë sa na thoshte para zgjedhjeve të fundit, kemi hequr dorë nga ëndrra jonë kombëtare postkomuniste për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa?
Kërcënimin për mbylljen apo privatizimin (kujt do ia shesë, Klanit, Topit apo një privati tjetër?) të televizionit publik kombëtar kryeministri e justifikon me inefiçencën financiare të tij si një institucion buxhetor–borxhe të prapambetura. Por, a nuk të habit fakti që, ndërkohë që shqiptarët kërcënohen nga kryeministri Rama t’ua mbyllë apo shesë televizionin e tyre publik–sepse privatizimi është shitje (për interes të kujt?), i njëjti kryeministër u fal mbi 160 miliardë lekë borxhet të pashlyera (detyrime tatimore të papaguara) më shumë se 200 mijë bizneseve privatë dhe tatimpaguesve debitorë?!
Çështë kjo dashuri për privaten dhe urrejtje për publiken! A maten vallë në vlera monetare përmbajtja, funksioni, roli dhe rëndësia kombëtare e televizionit publik sa kryeministri dritshkurtësisht të kërcënojë me mbylljen e tij? Dhe a duhet të habitemi nëse, në kokën dhe imagjinatën e dikujt, atje ku sot ndodhen godinat e Radio Televizionit Shqiptar, të shfaqen si vegim alucinant kulla të reja?
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
