Seanca e dytë për shqurtimin e akuzave që rëndojnë ndaj Erion Veliajt do të mbahen ditën e sotme në GJKKO. Në seancën e sotme pritet dhe që të vendoset nëse dosja e Veliajt do të kalojë për gjykim apo do të rrëzohet.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
j.l./ dita

Mesa kuptova nga lajmi!?Nese gjykata nuk i pranon akuzat e spak,sot Velija le qeline.Neser del ne pune.Nese gjykata i pranon letrat,per sa vite do te mbetet Tirana pa kryetare bashkije!?cili eshte vendimi i gjykates kyshtetuese per kete rast!?
Dëgjo humorist , SPAK-u , pasi mbaron hetimet, dërgon dosjen në gjykatën e posaçme . Gjyqtarja që është caktuar , ka tre variante : të kthejë dosjen për plotësimin hetimesh , nëqoftëse nuk I mbushet mëndja , të pushojë përfundimisht çështjen , nëqoftëse akuzat i duken të kota dhe i pandehuri del menjëherë i lirë dhe shkon në detyrë dhe varianti i tretë e më i mundëshmi , gjyqtarja t’a dërgojë për gjykim . Në këtë rast hidhet përsëri shorti në gjykatë , ku gjyqtarja e mësipërme nuk merr pjesë fare në short ( nuk i lejohet) dhe kush të fitojë shortin do të gjykojë Veliajn . Në lidhje me pezullimin e çështjes , që përmënda më sipër si kompetencë e gjyqtares , gjyqtarja ka pushuar një çështje para disa muajsh , të kryetarit të bashkisë të Devollit , dosjen e të cilit SPAK-u e dërgoi në gjykatë për gjykim , ndërsa gjyqtarja e konsideroi të pa fajshëm , çështja u pushua dhe kryetari I Devollit vazhdon detyrën . Sa për atë , që Tirana mbetet pa kryebashkiak për një kohë , kjo nuk i intereson fare drejtësisë , i takon pushteteve të tjera . Pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese më 30 tetor , Presidenti I Republikës do të caktojë një datë tjetër votimi , brenda 30 ditësh .