Nga Blerina Shalari
Çfarë është fama dhe si ndërtohet?
Që fëmijë, pothuajse të gjithë mendojnë të bëhen të famshëm, dhe kjo në një mënyrë s’është e keqe, sepse të zgjon zellin për punë, për ambicie, por në rritje e sipër kupton se fama nuk është ajo ëndra me biskota që paskishe parë fëmijë, por është një majë me kulm shumë të mprehtë, ku mund të shkosh, por vështirë të qëndrosh për shkak të mprehtësisë së kulmit, i cili duhet thënë, është tragjike.
Për habinë time unë kur kam qenë e vogël, në moshën shtatë vjeç, xhaxhait tim i cili pati fatin të shkonte në atë kohë në Hungari, i kërkova një mikrofon. I thashë se e doja për të kënduar, dhe ai ma solli, jo vetëm mikrofonin, por edhe një magnetofon ku të lidhej dhe të kumbonte me zë të lartë.
Merret me mend sa më ndezi dëshirën për të kënduar, dëshirë që s’më është larguar qysh atëherë. Po prapë për habinë time, kam ëndërruar të jem artiste por gjithë kohën e kam kuptuar, ndoshta për shkaqe objektive se ky profesion kërkon sakrifica të mëdha, vetëmohim, sublimim, talent me shumicë, punë e pagjumësi permanente.
Sa më tepër kalon koha, aq më shumë i kuptoj këto hallka për të qenë ndoshta një artiste. Ja një proces pune si muzikant i përshkruar për të kuptuar se a mund ta thuash me kaq “zell” fjalën artist, ashtu siç bëjnë këta 400 mijë artistët që kemi ne në Shqipëri? Dhe ja se si:
Në fillim të duhen disa orë për të shfletuar repertore, dhe të shohësh se cili të shkon për shtat, si temperament, si fuqi emocionale, pse jo edhe si talent në qoftë se ke.
Pastaj, pasi e ke zgjedhur repertorin do të fillojë procesi i zbërthimit fillestar. Të memorizosh me ditë të tëra, mijëra e miliona nota, dhjetëra e qindra akorde, dhjetëra e dhjetëra pasazhe, këto në të dyja duart duke i luajtur bashkë e veçmas, e shpjeguar për ata që nuk janë muzikantë, në piano luajnë të dyja duart ndryshe, por janë në funksion të njëra-tjetrës. Më pas, pasi ke harxhuar nja një muaj a më tepër me memorizimin e pjesës, fillon rritja e shpejtësisë së lojës, përmirësimi teknik, impostimi që pjesa të bëhet e jotja, fiks si ato protezat e huaja në trup.
Pasi mësohet ky proces, gjë që s’ka fund kurrë, fillon krehja emocionale, dinamike, melo-harmonike. Fillon zbërthimi në detaj i roleve të duarve, i zërave dhe nënzërave, evidentimi i linjave kryesore, ndërhyrja e nënlinjave, përplasjet dhe qetësimet emocionale, pra fillon gdhendja e vërtetë, fillon puna e vërtetë pas gjithë kësaj lodhjeje strapatuese.
Më në fund, fillon trandja filozofike, letrare, që pjesës t’i dalë një kuptim sa më i rafinuar, sa më serioz dhe sa më mjeshtëror, gati i paimitueshëm, nëse punohet profesionalisht sigurisht. Në fund, kësaj ndërtese të suvatuar, i jepet rifinitura përfundimtare. Punohet me rafinimin e melosit, që ai të mos bërtitet, por të ndjehet, fillon zhdukja e cepave ku melodia, harmonia dhe ritmi të sinkronizohen në një rreth filozofik.
Fillon kapja e lartësisë së mjeshtrit kompozitor, fillon nxitja e imagjinatës për t’ia kuptuar vërtetë mjeshtërinë, nëse ndodh. Më në fund, pas gjithë këtij stërmundimi të stërholluar, ja ku jemi pranë kufirit të mjeshtërisë së lojës në piano, ose ndoshta edhe të një mjeshtërie tjetër artistike, se një lloj është kudo në art.
Më tej, pasi këtë proces e ke përsëritur me të gjitha pjesët e repertorit që mund të jenë 5, 6 apo deri në 10, varet nga komplikimet që kanë, atëherë ti je gati për të ngjitur shkallët e provave në skenë. Nëse prova shkon mirë, ti je gati për tu paraqitur në koncert, i cili, dhëntë zoti të shkojë po kaq mirë sepse: Publiku, volumi i skenës, vetë shtati i madh i pianos që të thith po nuk i dhe, presioni i artistëve të tjerë, frymëzimi që duhet të të gjejë gati, pa llogaritur harmoninë ose disharmoninë në shtëpi, pa llogaritur nëse ke fjetur apo jo, ndoshta të ka bërë gati ky kalvar mundimesh që ti më në fund të korrësh duartrokitje, edhe këto aq sa ke dhënë, dhe aspak, për ç’ka ke hequr e vuajtur, apo për ç’ka nuk ke dhënë.
Asesi, publiku dhe të tjerët nuk duan t’ia dinë fare për këto. Ata duan vetëm bukurinë e artit tënd, po e arrite, sigurisht dhe kaq. Gjithë ky kalvar Krishti përsëritet në vit, në dekada, deri sa artisti i vërtetë bëhet mjeshtër, dhe deri në fund, ai përsos mjeshtërinë e tij duke u bërë i njohur, pas njohjes, vjen fama, që mjeshtri e ka arritur pasi u bë i tillë, mjeshtër. Dhe fama nga njohja ndryshon sepse kur je i njohur përmendesh, por jo në histori.
Kur je i famshëm, përmendesh në histori. Sot ka plot njerëz të njohur, që i bën të tillë rrjeti social, tv, ndoshta edhe ndonjë skenë a pab, por fatkeqësisht këta e ngatërrojnë artistin me njeriun që del në media, ngatërrojnë të përmendurin e ditës me të famshmin, ngatërrojnë këngëtarin profesionist me atë që merr mikrofonin dhe këndon, në shumë raste bukur, në të tjera jo, por edhe ai që nuk këndon mirë quhet këngëtar.
Edhe ai që bën ca fjalë me rimë të rrethuara nga ritmi bosh quhet kompozitor. Në botë nuk quhesh kompozitor vetëm nëse krijon vetëm këngë, quhesh këngë-shkrues, dhe kështu quhesh nëse vërtetë shkruan këngë që vlejnë, pra me vlerat s’ka kompromis. Imagjinoni për shembull ta lemë vehten në dorë të një mjeku popullor kur jemi me larg qoftë: pneomoni, merret me mend se ç’ndodh, kështu edhe puna e shkarashkruesve të këngëve pa këngë, apo të poetëve pa poezi.
Ose një njeri i cili del në një tv dhe thotë ca fjalë duke i quajtur humor, dhe direkt e quajnë aktor. Nejse, kjo nga njëra anë bën mirë sepse edhe aktorët apo këngëtarët e vërtetë e kuptojnë më mirë se cila është vlera, dhe drejt cilës antivlerë nuk duhet të shkojnë. Njëjtë edhe me poetët e vërtetë.
Të kthehemi tani tek fama:
Po përmendim disa artistë të famshëm:
Çesk Zadeja, kompozitor i famshëm jo vetëm në Shqipëri, Naim Frashëri, një nga aktorët e famshëm jo vetëm në Shqipëri, ka edhe shumë të tjerë që i njohin të gjithë.
Po përmendim tani ekstremin tjetër:
Olta Gixhari aktore, e njohur më tepër si njeri i mediatizuar apo i shoë-izuar se sa si interprete në teatër apo në film. Unë kam ndjekur vetëm dramën e Arthur Miler,
“Pamje nga ura”, ku ajo ka luajtur me Timo Fllokon. Të them të drejtën nuk mu duk keq, se mjafton të luash me Timo Fllokon, dhe do s’do, edhe unë po të luaja me të, s’ka dyshim do të ndrisja paksa. Nejse. Qysh atëherë, ndoshta mund të gaboj, nuk kam parë asnjë rol të Oltës në asnjë vend tjetër, ndoshta s’e kam ndjekur a s’e di, por është mendoj, një shembull sinjifikativ që tregon boshllëkun me të cilin ushqehet brezi i sotëm, kjo falë edhe dëmeve që ka sjellë në masë konsumizmi.
Arti i konsumit, duam s’duam është pjesë e shoqërive liberale, por problemi është se ky art, pikërisht, na serviret si mjeshtëri. Oh sa fjalë ee rrezikshme: MJESHTËRI.
Edhe ta shkruash do pak kohë. Janë në një hall të vërtetë artistët e talentuar, të cilët synojnë drejt mjeshtërisë krijuese. Unë vetë, që ndodhem gjithnjë nën presionin e procesit krijues, e shoh gjithnjë e më tepër se sa më thellë zhytem në detin krijues, aq më e vështirë është të dal që andej pa u mbytur përkohësisht.
Tani po më natyralizohen disa gjëra, sidomos në të shkruar dhe në të kompozuar të muzikës. Kam një akumulim paraprak, zbatoj këshillën e të ndjerit profesorit tim i cili më thoshte se kurrë mos u ul në piano, që muzika të dalë vetëm nga fakti se ti luan gishtat. Duhet të ulesh në të, me një mendim të qartë në kokë. Kështu më ngjet me poezinë, me kritikën etj.
Për mendimin tim, artisti duhet të synojë në radhë të parë të bëjë të njohur punën e tij, pas njohjes së punës vjen njohja e talentit, pas njohjes së talentit vjen suksesi, dhe në fund, pas suksesit vjen vetiu edhe fama. Një prej këtyre etapave të anashkalohen, nuk mund të arrihet tek fama. Fama nuk duhet synuar, por duhet lakmuar modeli i të famshmëve si sukses, si kulm.
Duhet parë si e kanë arritur, më tej, të tentosh ta arrish përmes punës vullnetit, dhe talentit i cili duhet të jetë kryesori në këtë ndërmarrje të vështirë e gati të pamundur. Gëte thotë se më i rëndësishëm se talenti është karakteri. Le ta respektojmë idealizmin e tij, por le ta pohojmë gjithashtu se edhe për karakterin duhet talent, edhe për vullnetin duhet talent.
Ka në këtë botë artistë spekullantë, të cilët imitojnë, rikrijojnë mbi emocione të provuara, shabllonizojnë, plagjiarizojnë pa frikë, dhe kanë arritur diçka me këtë spekullim, por s’ka dyshim se është afatshkurtër. Po të shohim artistët e mëdhenj, ata s’kanë imituar, ata s’kanë plagjiarizuar, ata kanë punuar, dhe kanë krijuar me mund vlerat e panteonit. Ja pra, sa e vështirë dhe e pamundur është qoftë edhe të përshkruash peripecitë e artistit, që synon, të paktën suksesin, se fama, mjeshtëria, dhe madhështia mbeten atribute për pak të bekuar me art në këtë botë.
Të jemi realistë, artisti duhet të ketë respekt për vlerat e tij, t’i çmojë ato në bazë të punës. Nuk është e tepërt të themi se ka raste kur artisti ekzaltohet me atë që bën, por kjo nuk duhet ta shpjerë në caqet e zeza të vetë-pëlqimit, krekosjes dhe delirit që krijon koracën se:
….Unë jam artist i madh, nuk jam dokudo, dhe ki kujdes kur flet me mua. Pra, të qenurit artist, me një status që ta krijon vetë arti që ti fal, dhe arti i të punuarit, është mision i vështirë, i lodhshëm, dhe gatigati i mundur në pak raste.
Rruga e artistit është e shtruar me gjemba thotë Xhevahir Spahiu, dhe disa prej këtyre gjembave sapo i përshkrova më sipër. Gjakosjet i dijnë vetë ata që mundohen përditë të notojnë me vështirësi drejt detit të madh të artit. Ti i ri, e re, që ndoshta të bije udha nga këto rreshta. Mundohu të reflektosh, të shohësh me kujdes, sa punë do, të bëhesh i vlefshëm në radhë të parë, e ca më tej, artist, e pak më tej, i suksesshëm, e vështirësisht më tej, edhe i famshëm.
Në fund, po shkruaj disa fjalë të Naimit të rilindjes, i cili cingëris vetë vehten e tij dhe mjeshtërinë krijuese kur thotë: “S’jam artist…., por as për art s’kam mëtuar”.
Kur e shkruan dhe e ndjen Naim Frashëri, engjëlli i gjuhës shqipe se
…S’jam artist…? çfarë mbetet për ne të tjerët?
—-
Botuar në DITA, nga faqja e autores në Facebook
