Artan Xh. DUKA
Trazirat në Kosovë nuk janë lajm. Serbia zyrtare është në avazin e saj; e pandjeshme ndaj mëkateve të së shkuarës dhe tërsëlluese si ngahera për t’i justifikuar, deri glorifikuar ato dhe bërë rolin e viktimës më pas.
Perëndimi duhet të bëjë të tijën për të rehatuar rajonin pakthim. Jo duke insistuar vetëm në “mballoma” politike e diplomatike aty-këtu e “karrota” ndaj Sërbisë që shtojnë oreksin për zullume shoviniste dhe nuk inkurajojnë demokratizimin e saj, por për vija të kuqe që bitisin paqen e nisur pa “lejen” e Sërbisë më 1999.
Shteti amë po ashtu duhet të bëjë të tijën. Jo thjesht jehonën e refrenit të perëndimit por një hap më tej sepse çdo ecje apo ngecje në Kosovë ndikon dhe prek Shqipërinë e mbarë shqiptarët në rajon.
Ndaj, çdo kalkulim, ndryshim e dyzim jo realist në qëndrimin perëndimor ndaj Kosovës do të kishte ndikim në kombin shqiptar të lidhur aq ngushtë me arritjet e gjeopolitikës perëndimore në rajon. Të humbur do të ishin shqiptarët e perëndimi bashkë dhe fitues Sërbia e vjetër dhe ndikimet e fuqive autokratike të mëdha pas saj.
Shteti amë ka detyrimin e lobimit dhe komunikimit akoma më efektiv me perëndimin për siqyshtek-et e realitetit në rajon. Para se të justifikohen tek perëndimi alibitë e Sërbisë për qasjen ndaj sanksioneve ndaj agresionit rus, Shqipëria duhet të ngulmojë akoma më shumë për hallin e saj në Kosovë e kudo ku ka shqiptarë në rajon. Ashtu sikurse Sërbia në B-H, Kosovë, Kroaci apo Greqia tek ne, MV, Qipro etj bën për të vetët me kohë.
Hem e vë prift e hem i rruan mjekrën!
Perëndimi është në të drejtën e tij të rreket të sjellë Sërbinë e sotme në orbitën e tij me “karrota” pafund… pastë fat me rusin pas!
Por kjo, jo në kurriz të interesave e të drejtave legjitime historike të botës shqiptare në rajon që, pavarësisht 1913, mbetet i vetmi faktor kyç i stabilitetit gjeopolitik perëndimor si kombi më pro-amerikan e perëndimor në të.
Perëndimi bën mirë që synon aleanca e të hapë faqe të reja bashkëpunimi në rajon përfshirë edhe Sërbinë (stërvitje ushtarake, pjesë e luanit në investime etj) por ndërkohë sprovë për të mbetet ruajtja e sensit të masës, e barazpeshave gjeopolitike dhe vlerësimi i merituar i aleatëve të natyrshëm të tij ku bota shqiptare është e para.
Kosova bëri zgjedhje vendore me pëlqimin e perëndimit dhe ky i fundit ishte i vetëdijshëm për bojkotin sërb. Zyrat e pushtetit vendor nuk janë të fitimtarëve të rradhës por Republikës e komunitetit pa dallim dhe çdo devijim nga rutina e qeverisjes zgjedhore nën presionin e rrugës do të ishte inkurajim i ekstremizmit dhe dhunës së rrugës në Kosovë dhe vetë statukuosë së vjetër në Sërbi.
Sikundër me bojkotin zgjedhor të opozitës tek ne vite më parë, “ilaçi” më i mirë që anormaliteti të mos bëhet udhë, është normaliteti, përfshirë këtu edhe zgjedhje të reja sa më parë. Një dakortësi e lëshim ky që nuk ka sens të mund të barazpeshohet me “lëshimin” sërb me pjesmarrje në zgjedhje apo tërheqjen e forcave nga kufiri me Kosovën ndërkohë që KFOR mbetet atje, sepse nuk mund të barazpeshohet e drejta legjitime kosovare me sebepet, pretekset e tekat e njëpasnjëshme të Sërbisë.
Zgjedhjet e reja do të ishin një mundësi për të futur sërisht komunitetin sërb në institucionet e zyrat e Kosovës por kësaj rradhe me flamurin e Kosovës në hyrje dhe foton e presidentit të shtetit kosovar në zyrë.
Por ndërkohë, zgjedhjet e reja do të shtonin edhe presionin ndaj perëndimit e botës shqiptare për të qënë akoma më largpamës në kalkulimin e parandalimit të tensioneve.
Përfshirë këtu edhe vetë idenë e Asociacionit dhe insistimin një e më dy rreth tij që në kushtet e Kushtetutës liberale e gjithpërfshirëse të Kosovë mbetet tërësisht “apendicit” dhe aq sa mund të qetësojë gjërat po aq mund të jetë edhe një tjetër sebep për më shumë tension në rajon.
“Lepuri” fle tek Asociacioni
Deri në një zgjidhje, për hir të Republikës dhe demokracisë që perëndimi sponzorizon në Kosovë, “karvani” duhet të ecë përpara dhe perëndimi duhet të jetë unanim për këtë gjë. Sepse për ironi, përtej retorikave, 5 vënde në BE ende nuk e njohin Kosovën, se integrimi i rajonit në BE merret “peng” nga Sërbia sepse BE nuk dëshiron të ketë “vrima të zeza” gjeopolitike në rajon, se ka një sens mase që stonon me “karrotat” e saj në rajon dhe një zell për të barazuar palët në tryezë pavarësisht tragjedive të shkuarës, se tentohet deri në obsesion e paimagjinueshmja (ndarja e Sërbisë nga Rusia) qoftë edhe duke trysnuar publikisht aleatin historik kosovar (lexo: mbarëshqiptar) me përsiatje publike që mund të “peshkohen” nga gjeopolitika antiperëndimore për të inkurajuar më tej zellin shovinist në rajon etj.
Është shumë e rëndësishme që askush të mos shtyhet të mendojë se Perëndimi po i bën Kosovës (lexo: botës shqiptare në rajon) atë që Rusia nuk do ja bënte kurrë Sërbisë.
Nga trysnia e hapur e njëanshme e diplomacisë, deri retorikat për heqje dorë nga fushata për njohjen e Kosovës (që izolon Albinin por ndikon edhe tek Kosova, Shqipëria e vetë Perëndimi duke inkurajuar Sërbinë e ata pas saj), vetë ideja e Asocacionit që Perëndimi nuk duhej t’a lejonte fare të shtrohej në tryezë jo vetëm sepse i bie të jetë e pavleë Kushtetuta liberale e hartuar po prej tij por dhe që në vënd qetësimit të rajonit mund të shtojnë tension në të duke shtuar një tjetër “litar” sherresh që do të ishte dhimbje koke shtesë për vetë perëndimin etj. Lëshimi ndaj tekave të shkuarës nuk e lë pas atë por e riciklon më tej së bashku me tensionin që ajo bart.
Dhe nëse Perëndimi vetë beson tek Asociacioni, e vetmja rrugë për të qetësuar edhe Kosovën e botën shqiptare në rajon do të ishte futja e Kosovës në NATO me protokoll të përshpejtuar (sikurse me Finlandën e Suedinë apo po planifikon me Ukrainën). Por kjo duke e njohur fillimisht si shtet urgjentisht nga 5-shja e mbetur në BE. Kjo do të garantonte kufirin verior pakthim dhe nuk ka pse të negociohet me Sërbinë për të cilën kufiri me NATO nuk është risi.
Tragjedia ukrainase dhe reagimi i shteteve më pas duhet të shmangë çdo iluzion perëndimor për rajonin. Kosova dhe gjithë shqiptarët i janë mirënjohës përjetë perëndimit për 1999 por puna e nisur duhet çuar në fund sa kohë Serbia është po ajo. Kosova nuk u çlirua që të kantonizohej më pas, nuk u çlirua që asaj ti varen çelsat e kashtës në përpjekjet për të bërë shtet. Kosova dhe gjithë kombi shqiptar kanë paguar një çmim të lartë për 1913 e Europës antishqiptare që ende nuk njeh keqardhje për të. Çlirimi në 1999 u vulos nga martirizimi kosovar dhe vendosmëria anglo-saksone që patën e kanë ende plot përballë në Europë që vënë interesin e Serbisë në plan të parë sikurse edhe vetë saga e Mitrovicës pas çlirimit tregon.
Kosova nuk duhet të shkurajohet në të drejtën e saj të bëjë shtet ndërkohë që indirekt inkurajohet Sërbia në agresivitetin e saj për të mbjellë tension të përhershëm në rajon që nuk po e bën vetëm në Kosovë dhe as për herë të parë.
KFOR është në një mision historik në Kosovë dhe nëse është sot mes dy zjarresh është edhe sepse diplomacia europiane po toleron e miklon Sërbinë pafund duke filluar me ndarjen e Mitrovicës më dysh. Sërbia duhet kuptojë se jo vetëm KFOR nuk është aty me pushkë druri por dhe se kosovarët krenarë që kanë shekuj që po paguajnë me sakrificën sublime ëndrrën e lirisë nuk i ndruhen avazit sërb. 1999 ndau qartë fituesin nga humbësi dhe ky i fundit nuk mundet më të diktojë kushtet e dorëzimit të tij.
Rajoni ruan paqen e demokratizohet jo duke privilegjuar por dekurajuar ata që ende vet-identifikohen e krenohen me të shkuarën e errët, jo duke stërzgjatur agoninë e së shkuarës por duke i dhënë fund e pa mëdyshje padrejtësive të trashëguara dhe ofruar shanse reale integrimi e zhvillimi ekonomik për të gjitha kombet pa dallim. Të gjithë janë në sprovë!
