Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Sokrat Pina “përkthente” edhe blegërimat e bagëtisë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Sokrat Pina “përkthente” edhe blegërimat e bagëtisë
Kulture

Sokrat Pina “përkthente” edhe blegërimat e bagëtisë

Published: August 31, 2022
Shpërndaje

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

 

Veterinari i mirënjohur, i ndjeri Sokrat Mitër Pina nga fshati Lumth i ish rrethit të Lushnjës, i pat dhënë kuptim të plotë jetës së vet, duke ia kushtuar atë jo vetëm vetes e familjes, por edhe të tjerëve.

- Publicitet -

Vërtet nuk ka bust në ndonjë shesh të qytetit, sikundër nuk është bërë personazh në ndonjë material publik të shkruar, por ai vazhdon të mbetet shenjë e respektuar në “sheshin” e gjerë të kujtesës së atyre që e kanë pas njohur. Sepse nuk mungojnë mbresat për të, mbresa që vijnë e zgjohen sa herë që vjen rasti të flitet për Thertoren e qytetit, apo për blegtorinë e kooperativës bujqësore të Saravës në ish rrethin e Lushnjes.

Tregon Ali Haka, kuadër në ish kooperativën bujqësore të Saravës në ish rrethin e Lushnjes:

– Makina jonë ka defekt teknik, kështu që si do të nisesh tani në mbrëmje në Tiranë, ca më tepër që edhe moti është i lagësht?! – i qe drejtuar sekretari i byrosë së Partisë të kooperativës.

Sokrati e pat shikuar me dashamirësi, sepse e kuptoi që eprori i vet po tregonte  shenjë përkujdesjeje.

– Vetëm sot pasdite kanë ngordhur dhjetëra pula fushe, po gjatë natës dhe tërë ditën e nesërme?! – i qe drejtuar Sokrati me këtë pyetje, që e kishte brenda edhe  përgjigjen.

Dhe, ndërkohë, vazhdonte të bënte gati motorçikletën për t’u nisur.

– Pa merri në telefon ata të Institutit të Kërkimeve Veterinare, Sokrat, dhe tregoju se ç’po ndodh në fermën e pulave, – e këshilloi bashkëbiseduesi.

– Kanë një rregull ata të Institutit; duhet t’u çosh disa mostra pulash të ngordhura që t’i ekzaminojnë dhe vetëm pas kësaj nisin nga udhëzimet dhe veprimet.

Ishte humbje kohe ta vazhdonte bisedën më tej, prandaj në atë mbrëmje të vonë vere Sokrati u nis për në Tiranë. I “bezdisi” atë natë kuadrot e atij Instituti, por ama pat kryer punë të mirë.

Dhe Ali Haka e përfundon tregimin e tij interesant:

– Në qoftë se në disa ekonomi bujqësore dëmet në fermat e pulave llogariteshin në qindra, në mos me mijëra krerë të ngordhura, në ato të kooperativës bujqësore të Saravës ato  qenë të papërfillshme. Ngjau kështu falë interesimit të shpejtë të Sokratit. Sepse që paradreken e së nesërmes patën nisur e vazhduar masat mjekuese.

Veç se si mjek i përkushtuar veterinar, Sokrati ishte edhe një familjar i shkëlqyer. Mbrëmjeve, i veshur shik, e shihje tek lëvizte shëtitores së Lushnjës me bashkëshorten e vet të denjë, Valentinën – një mësimdhënëse e talentuar, si dhe me dy fëmijët e mrekullueshëm, Zhanin e Irenën, tashmë të rritur, aktualisht dy intelektualë të respektuar në Lushnje.

Mos i fol tjetrit për njëmijë sende, ndërkohë që ai di të numërojë deri në dhjetë!

Mbasi mbaroi studimet e larta për veterinar në Tiranë, Sokrat Pina emërohet përgjegjës i Thertores së qytetit të Lushnjës.

– Je emëruar në Thertoren e qytetit, – i patën thënë në zyrën e Kuadrit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, – prandaj shkoni menjëherë e na vendosni rregull atje. Sepse kemi shumë shqetësime nga ai sektor.

Shkoi veterinari i ri atje dhe… ç’të shikonte?! Një orar veprimesh, që më shumë e  dëmtonte punën, se sa e ndihmonte atë. Papastërti gjithandej! Gjaku i bagëtive të therura derdhej rrëke, duke krijuar një pisllëk masiv!

Atë ditë dhe të nesërmen i erdhi rrotull Thertores dhe mbajti shënime, ndërsa të pasnesërmen u paraqit në aparatin e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit.

– Ja cilat janë disa nga masat që duhen zbatuar sa më urgjent në Thertore, – i qe drejtuar njërit prej nënkryetarëve të atij Komiteti.

Tjetri përballë pat mbetur pa fjalë. Kur e pa se duhej dhënë përgjigje, i qe kthyer:

– Po ja, prandaj ju kemi dërguar përgjegjës atje; t’i merrni pa vonesë të gjitha këto masa që sugjeroni. Jeni me shkollë të lartë; nuk jeni si dokudo!

Sokrati kishte vënë buzën në gaz dhe, pa e ngritur tonin e zërit, pat vazhduar:

– Duhen investime, shoku nënkryetar, duhen fonde për një lloj ngrehine për kafshët që vijnë për t’u therur, siç duhen të tilla edhe për normalizimin e krejt mjedisit, sepse po na vjen gjaku rrëke drejt qytetit!

– Ama për këto na keni ardhur?! Sikur nuk e dimë që duhen investime! Këto na janë thënë dhjetëra herë, por ne juve ju kemi çuar atje pikërisht për të na i zgjidhur këto probleme dhe jo për të na i prurë këtu e për të na e lënë kopilin mbas dere!

Ishte e kot ta zgjaste bisedën më tej. Qe larguar, sikur dikush ta kishte këshilluar: mos i fol tjetrit për njëmijë sende, ndërkohë që ai di të numërojë vetëm deri në dhjetë!

Sidoqoftë, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit i qe drejtuar me këmbëngulje Ministrisë dhe e pat zgjidhur problemin e Thertores, kjo falë edhe interesimit të vazhdueshëm të Sokratit.

Në seksionin e Bujqësisë kontribuonin specialistët Ristan Gorreja – kryeveteriner, dhe Luto Mustafaj – kryezoteknik, një dyshe e shkëlqyer, që ze vend nderi në historikun e bujqësisë së Lushnjes.

 

Nuk lejonte që edukatën dhe sinqeritetin t’ia merrnin për dobësi

Veshur me teshat e zakonshme të punës, atë ditë Sokrati shkoi në punë më herët

se herët e tjera. Ndërsa i hedh një vështrim gjithë mjediseve të Thertores, diku shikon nja katër kafshë gërdallë dhe, pranë tyre, nja dy kooperativistë.

– Po ju këtu?! – u drejtohet atyre që kishte përpara.

– Kemi ardhur nga kooperativa bujqësore e Remasit dhe kemi sjellë dy palë qe. Nuk na bëjnë punë. Për të mos shkuar dëm, i sollëm këtu për mish…

Ndërkohë që dëgjonte ç’i thuhej, Sokrati u erdhi përqark kafshëve të gjora, që mezi mbaheshin në këmbë! Dhe me atë stilin e tij paksa komik, u drejtohet:

– Kush do ta hajë këtë mish?! E blen për ta ngrënë kryetari i kooperativës suaj?!

Dhe aty për aty, pat vazhduar:

– Nuk i pranojmë këto kafshë. Janë shumë të vjetra… Dhe… çfarë t’ju them tjetër! Merrini me vete dhe… shkoni!

Kooperativistët bën më tutje së bashku me qetë dhe njëri prej tyre shkoi e u ankua në seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit.

Sakaq nisën telefonatat:

– More Sokrat; me ty do të merremi përditë! Pranoji, more, kafshët e kooperativës aty sipas rregullit që ke dhe mos na hap avaze…, – dëgjohej të bërtiste tjetri në telefon.

– Por nuk janë për t’u pranuar. I mbajnë në kooperativë deri në prag të ngordhjes dhe na i sjellin këtu për mish!

– Dëgjon çfarë të them apo jo? – ngrinte zërin tjetri nga matanë receptorit. – Pranoji kafshët ashtu siç janë dhe mos na harxho kohën kot tani…

Nervozitetit të shefit, Sokrati duhej t’i përgjigjej me qetësi.

– Dakord, dakord, shoku shef, – por nesër shkoni e zini radhën për të blerë mishin e këtyre qeve pensionistë, – i ishte përgjigjur me shpoti.

Deshi, s’deshi, i pranoi. Të nesërmen Sokrati shkoi në Komitet dhe e ngriti fort shqetësimin.

Edukatën dhe kulturën me të cilat u përgjigjej eprorëve Sokrati nuk lejonte t’ia merrnin për dobësi. I qëndronte fort mendimit të tij. Atyre ditëve ekonomive bujqësore iu dërgua një udhëzim konkret, ku bëhej fjalë se si duhej të veprohej, sidomos me kafshët e punës dhe me ato të sëmura.

Asnjëri nuk mund të bëjë më shumë se sa di; asnjëri nuk di më shumë se sa mund të bëjë

Ndërsa ishte gjendur një çast në një prej lokaleve ku shitej mish, Sokrati rastisi të dëgjonte një goxha zënkë mes një blerësi dhe shitësit të mishit:

– Ma ke dhënë mishin gjithë kockë! Çfarë t’i ha këtij, mish i thënçin! – dëgjohej të fliste tërë nerv qytetari.

Shitësi, një goxha burrë, i respektuar nga qytetarët, qe detyruar t’i kthehej:

– Mishi shitet me gjithë kockë, more shok. Unë e kuptoj, se të gjithë kërkojnë tul, por unë nuk kam se ku ta çoj kockën! Ja, ashtu, secili këtu në radhë do të marrë edhe nga një çik kockë…

Shitësi i mishit pat qëndruar një copë herë me vështrim drejt atij që ankohej, pastaj i qe drejtuar:

– Afrohu t’ju jap një pjesë tjetër…

Qytetari qe mjaftuar me vërejtjen që kishte bërë, kish përshëndetur dhe qe larguar.

Me ta dëgjuar këtë debat, i natyrshëm në të tilla raste, Sokrati kishte menduar si specialist profesionist. I dha të drejtë kasapit, por nuk pat bërë me faj as qytetarin. Dhe aty në çast mendoi të organizonte një lloj kursi njëditor, ku të fliste për ndarjen anatomike të kafshës së therur. Bisedoi edhe me ata të seksionit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit.

– O po ty nuk të rrihet! I hap punë vetes… Sidoqoftë, bëje, – qenë shprehur ata të seksionit të Bujqësisë. – Me këtë rast le të vijnë edhe shitësit e mishit të kooperativave bujqësore.

Dhe ashtu qe vepruar. U organizua kursi, ku Sokrati pat shpjeguar ndarjen anatomike të mishit të kafshëve të therura. Dhe shitësit e mishit nuk kishin munguar ta falënderonin përgjegjësin e Thertores.

– Faleminderit doktor Sokratit, sepse ne vazhdonim të punonim si të na priste hanxhari, – qe shprehur shitësi i mishit i kooperativës bujqësore të Toshkëzit.

Kishin të drejtë shitësit e mishit. Në fakt, bënin aq sa dinin. Dhe ishte e natyrshme të ndodhte kështu: asnjëri nuk mund të bëjë më shumë se sa di, sikurse  asnjëri nuk di më shumë se sa bën.

 

“Respekti juaj ndaj meje nuk lartëson shpirtin tim, por ngre lart dinjitetin tuaj”

Një banor i qytetit të Lushnjes, aty para vitit nëntëdhjetë rriste fshehurazi një derr, mbyllur në një si bodrum. Vet punonte në spital dhe, mbrëmjeve vonë, sillte së andejmi në shtëpi mbeturinat ushqimore të atij institucioni.

Në një rast iu sëmurë kafsha që rriste jashtë syrit dhe vëmendjes së njerëzve të tjerë. U vu në vështirësi. U bën ditë që kafsha vinte duke u keqësuar.

– Kam një hall të madh, – i qe drejtuar qytetari veterinar Sokratit. – Kam një derr që e ushqej në kushte shtëpie, por këto ditë e kam të sëmurë. A mundeni të vini  sonte ta shikoni?!

Sokrati e pat shikuar me një lloj habie. Si mundej ai t’i drejtohej kaq hapur një veterinari, kur ky fare mirë mund edhe ta dekonspironte në këshillin popullor të lagjes?! Për të mos e lënë qytetarin në hallin që e kishte zënë, doktori i kafshëve kish pranuar t’i shkonte në shtëpi. Dhe kishte shkuar.

Të nesërmen, për habi të vet Sokratit, ajo çka kishte ndodhur një mbrëmje më parë në shtëpinë e qytetarit kishte shkuar në vesh të nënkryetarit të kooperativës. (Tashmë Sokrati ishte transferuar nga Thertorja në kooperativën bujqësore të Saravës)

– Doktor, ia shërove derrin ….?!

Sokrati kishte mbetur i shtangur. Informacioni ishte plotësisht i saktë.

– Me ilaçet e kooperativës ia mjekuat, apo me…

Sokrati kish vazhduar ta shikonte në sy pa ditur se si t’ia jepte përgjigjen.

– A e kuptoni, se i jeni kundërvënë një vendimi të rëndësishëm të shtetit?!

Nënkryetari fliste me gjuhën e pyetjeve, ndërsa tjetri përballë vetëm mendonte, se cili do të kishte qenë ai që e kishte parë në atë shtëpi ku rritej fshehurazi një derr.

– Po, kam qenë në një familje; kam vizituar kafshën që rriste në shtëpi; nuk kam marrë asnjë shpërblim, nuk kam përdorur asnjë ilaç, nuk…

Sokrati kishte folur hapur. Shkoqur. Sinqerisht. Të dilte, ku të dilte!

– Dakord, dakord; por s’është mirë kështu. E kam edhe për të mirën tuaj, pa për mua…

Teksa largohej, veterinari mendonte se cili do të kishte qenë ai që ia kishte ndjekur veprimet në atë shtëpi të thjeshtë qytetari. Kur dëgjoi aty, se ndaj tij nuk ishte menduar të merrej ndonjë masë e se nënkryetari ishte mjaftuar vetëm me një këshillë, iu bë sikur një zë i heshtur i fliste në vesh: respekti juaj ndaj meje, nënkryetar, nuk lartëson shpirtin tim; ai ngre lart dinjitetin tuaj.

 

Askush nuk do të mund të të hip mbi kurriz, në qoftë se nuk i përkulesh

Gjatë kohës që Sokrati ishte kryetar i degës së blegtorisë në kooperativën bujqësore të Saravës nisi të mësonte gjuhë të huaj. Në zyrën e tij gjeje libra e  revista edhe në gjuhën italiane, sigurisht me përmbajtje profesionale, të cilat vazhdoi t’i shfrytëzonte në shërbim të punës që kryente.

Por… kishte syresh që nxitonin t’i thoshnin kryetarit të kooperativës, se veterinar Sokrati nuk e ka mendjen te puna (!), por te gjuhët e huaja! Madje, shtonin ata, mban në zyrë edhe një magnetofon dhe dëgjon këngë italiane!

– Sikur ia ke varur pak punës, – i pat thënë një herë si me shaka dikush nga ata të kryesisë së kooperativës. – Neve po na zien koka për plotësimin e detyrave në bujqësi e blegtori, ndërsa ti… ti merresh me italishten!

Ashtu, gjysmë i nervozuar, Sokrati nuk ia pati përtuar:

– E kuptoj; sikundër ju, edhe unë do të kisha pasur dëshirë të mësoja kinesçen, por nuk kemi ndonjë mësues që të na ndihmojë…

Tjetri kishte bërë sikur nuk e pat dëgjuar.

Edhe një i deleguar nga rrethi, teksa kishte folur për rolin dhe kontributin që duhej të jepnin intelektualët në shërbim të prodhimit, kishte tërhequr “vëmendjen”, se ndonjë kuadër harxhon kohë së koti duke u marrë me gjuhë të huaja!!!

Mirëpo Sokratit hazërxhevap nuk i ishte ndenjur. Kishte gjetur çastin dhe ia kishte kthyer përgjigjen:

– Unë nuk besoj, se në shkollat e mesme të përgjithshme harxhohet kohë së koti duke u mësuar nxënësve rusisht, anglisht, frëngjisht…

“Mos iu drejto të deleguarit kështu, se do ta hash” e pat tërhequr dikush nga mënga. Mirëpo Sokratit i ishte shkrepur mendimi, se askush nuk do të mund të të hip mbi kurriz, në qoftë se atij nuk do t’i ulësh kurrizin.

I deleguari s’e pat pritur mirë përgjigjen që i dha Sokrati, por qe mjaftuar me kaq:

– Mirë, mirë; nuk po të thotë njeri që të mos mësosh edhe italisht, por puna, puna është kryesorja!

Me një buzëqeshje të lehtë, Sokrati pat shtuar:

– Sidoqoftë, edhe puna nuk bëhet pa dije…

 

“Unë plotësoj jo 10, por 99 cilësi të mira, por nuk plotësoj dot të 100 – dën: sepse herë – herë edhe kundërshtoj, duke mbetur vtëm te bindja ime”.

Në orarin e punës Sokrat Pina ishte rob i saj. Nuk linte ditë pa vizituar të gjitha mjediset blegtorale të kooperativës. Nuk priste t’i raportonin të tjerë, por shkonte vet në të gjitha fshatrat ku ato ndodheshin. Në qoftë se në ndonjë ekonomi tjetër binin sëmundje masive ndër dele, në atë ku punonte ky specialist nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Në qoftë se në disa ekonomi të tjera binte sëmundja masive e shpendëve, në ekonominë ku ishte ky veterinar nuk ndodhte e njëjta gjë. Se Sokrati i rrinte punës mbi kokë.

Kur vinin kuadro të blegtorisë nga ministria e Bujqësisë, Sokrati i ftonte për vizitë në kooperativën ku ishte specialist. Dhe dëgjonte udhëzime e merrte këshilla se si duhej të vepronte. Të njëjtën gjë bënte edhe kur vinin nga Tirana specialistë nga Instituti i Kërkimeve Veterinare.

Erdhi një ditë, kur sekretari i organizatës – bazë të Partisë e ftoi të bënte dokumentet për t’u pranuar kandidat për në radhët e PPSH.

– Unë të përgatisë dokumentet për t’u pranuar kandidat partie?!

– Po, – i qe kthyer sekretari i organizatës bazë të Partisë. – Përse të mos pranohesh?! Rrjedh nga një familje shumë e mirë; vjehrrin e ke Hero të Punës Socialiste dhe anëtar në forumet më të larta të Partisë e të Pushtetit në rreth… Ne ku t’i gjejmë kuadro si ti!…

Sokrati e pat shikuar në sy me dashamirësi dhe ia kishte kthyer me shumë respekt: – Ju kërkoni të kem dhjetë cilësi të komunistit dhe unë ju them se kam jo dhjetë, por nëntëdhjetë e nëntë cilësi të tilla, por… ç’e  do: nuk kam të njëqindën! Dhe ky m’i hedh poshtë të tëra!

Tjetri përballë kishte hapur sytë:

– Çfarë po thua, Sokrat?!

– Nuk them dot lepe dhe peqe! Kur do të kem bindjen time, do t’ju kundërshtoj.

– Kundërshto, Sokrat; kush të ndalon?! Pikërisht debati na duhet.

– Jam mirë kështu; punoj, sugjeroj, por edhe kundërshtoj. Edhe kështu siç punoj, unë nuk le asgjë mangut. E ç’bën në fakt më shumë se sa unë një komunist?!

– Dakord, Sokrat, dakord, por… pa mendohu njëherë.

Sokrati qe menduar, por asnjëherë nuk pat vendosur siç i patën propozuar.

Dhe vazhdoi të punojë me ndërgjegje të plotë deri ditën që u nda në mënyrë të beftë nga jeta.

 

*     *     *

 

Brenda pak viteve, mbas nëntëdhjetës, në moshë relativisht të re, mbushur pa mbushur shtatëdhjetë vjet, u ndanë nga jeta disa veterinarë të mirënjohur të ish rrethit të Lushnjes: Petro Bitri, Sokrat Shëmbari, Thoma Mile, Trifon Cauli, Laver Çako, Themi Gjika, Fatmir Sallaku, Gori Llupo e ndonjë tjetër.

Mes këtyre, nga jeta u nda fare i ri edhe personazhi i shkrimit tonë, Sokrat Pina. Sikundër e thamë edhe në krye të këtij shkrimi, ky nuk la prapa vepra madhore për t’u treguar me gisht, por la te brezi më i ri i veterinarëve një trashëgimi tepër të vyer e të veçantë: shembullin e gjallë të profesionistit idealist. Një shembull që vërtet nuk e shikon me sy dhe as nuk e prek dot me dorë, por ama nuk mund të mos e dallosh qartë me sytë e mendjes dhe të zemrës. Ai e “përkthente” në gjuhën e vet blegërimën e bagëtisë.

Ka të drejtë intelektuali Themi Zaka teksa shprehet: Njerëz si Sokrat Pina i lindi, i rriti dhe i kaliti koha që jetuan. Sot ka shumë gojë që flasin, por shumë pak kokë që mendojnë.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
5 Comments
  • Sali Onuzi says:
    August 31, 2022 at 4:01 pm

    Te lumte pena, Miku im! I ke thurur nje kurore te merituar.

    Reply
  • Agim Bardhi says:
    August 31, 2022 at 4:17 pm

    Dhimiter, te falenderoj per kete shkrim, qe me objektivitet ke ditur te shkruash bukur per Sokrat Pinen ( djalin e tezes). Kujtime e vlersime qe me bejne edhe mua krenar, pasi me Sokratin kisha e mbaja kontakte te vazhdueshme. Dhimiter duke Ju falenderuar per shkrimin, i pa harruar Sokroti jone i embel , i dashur me nivel te larte intelektual e profesipnal. Keshtu do te mbetet ne kujtesen time Sokrati.

    Reply
  • D.Didani says:
    September 1, 2022 at 4:58 am

    Sokrat Pina, Sokrat Shtembari, Gori Llupo, Petro Bitri,Fatmir Sallaku, Laver Cako Trifon Cauli,Thoma Mile,Thoma Gjika!!!! O zot te gjithe kemi punuar se bashku ne Lushnje ne ato vite,te gjithe shoket e mij, kane ikur para kohe! Ndofta puna e rende dhe stresset e puneve ne blektori ju kane shkurtuar jeten! Heronjte e heshtur te sistemit bujqesor,DOKTORAT me te keqperdorur! FLM. per kete shkrim te ndjere i dashur Dhimiter!

    Reply
  • Jorgji Davidi says:
    September 2, 2022 at 8:28 am

    Respekti e mirenjohja per personalitete te tilla, qe kane sherbyer me perkushtim e ndershmeri te larte ne detyrat e tyre, qofte edhe kur sot nuk jetojne me, eshte detyre per seicilin nga ne te gjallet, por ajo perkthehet edhe ne mirenjohje nga bashkekohesit e ata qe do te vijne me pas. Rrofsh, i mirenjohuri Dhimiter Shtembari, si gjithnje i sakt e dinjitoz ne vleresimin e figurave te tilla.

    Reply
  • PaliLlupo says:
    September 4, 2022 at 7:35 am

    Përshëndetje Dhimitër edhe si gjithmonë dhe një falënderim të veçantë për çfarë ti di të të shkruash nën respekt të vlerave edhe sakrificave të atyre njërëzve sa të thjeshtë e po aq të përkushtuar ndaj punës në çdo pozicion e profesion asaj kohe.
    Dr veterinar Sokrat Pinën e kam pas njohur asaj kohë fal edhe shoqërisë edhe miqësisë që kishte me babain tim.
    Mbaj mënd kam qënë në 8 vjeçare asaj kohe kur akoma i kishim ato bagëtitë në shtëpi edhe Vitorja lopa jonë e shtëpisë kishte një problem që dyshohej nga mjeku tjetër i shkëlqyer Thoma Mile se mund të kishte gëlltitur gjatë kullotës ndonjë tel a diçka metalike.
    Mbaj mënd që dr Thomai duke biseduar me babain i thotë :
    “Miti, do të konsultohem edhe me dr Sokrat Pinën për rastin edhe ç’a të më thojë edhe Sokrati pastaj do veprojmë deri edhe në operacion për Vitoren se është lopë e re edhe them se do t’a përballojë operacionin.”
    Të nesërmen erdhi Sokrati, Thomai plus edhe dy çuna të rinj me siguri veteriner edhe ata edhe i hynë operimit ashtu në këmbë Vitorja duke e mpirë vëndin e hapjes.
    I kontrolluan stomakun duke i nxjerrë ato telat edhe ato gozhdët kudi unë metalike që kishte gëlltitur Vitorja gjatë kullotës duke na shpëtuar lopën.
    Më vonë në mos gaboj Sokrati punoi ca kohë edhe në ish kooperativën e Gorresë dhe sa herë shihesha me atë e përshëndesja duke i thënë se jam djali i Mitër Llupos.
    Gjithmonë e mbaj mënd si njëri të qeshur, shumë dashamirës edhe mbi të gjitha shumë të thjeshtë e tip babaxhani.
    Bravo të qoftë Dhimitër Shtëmbari që nuk i le asnjiherë në harresë këta lloj njerëzish aq të thjeshtë po edhe aq madhështor në përkushtimin e tyre ndaj punës edhe shërbimit në komunitet si specialisti veterinar Sokrat Pina me shokë.
    I përjetshëm i qoftë kujtimi i tij!

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Flamingoja si metaforë e zgjimit qytetar
  • “Mos ma prek Nartën”, qindra protestues me pankarta në Zvërnec
  • Mazniku në Berat: Komisioni do të marrë në konsideratë veçoritë e çdo zone, identiteti nuk humbet nga bashkëpunimi
  • UNESCO shpall Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore
  • Rama nxjerr fotot nga ishulli në Katar i zhvilluar nga bashkëinvestitorët e “Zvërnecit”

Komentet e Fundit

  1. Ppsh on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  2. Berati on Rezulton me 1.2 milionë metra në zonën e mbrojtur, biznesmeni i lidhur me Zvërnecin fiton koncesionin Milot-Balldren
  3. habili on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  4. Ethem Lalaj on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës
  5. Qerratai on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?