Nga Artan Xh. Duka
Nuk është normale që në zgjedhje të mos ketë garë. Kjo po ndodh me 14 majin dhe sa kohë të vazhdojë saga e non-gratave djathtas dhe PS e Ramës të shprehë edhe interesat e së djathtës në vënd, kjo do zgjasë ca kohë.
Me fitoren në “xhep”, PS bile më kot rreket edhe me mbështetje VIP-ash sepse vetëm sa provokon më kot përfolje pafund nga bataku mediatik. Puna flet vetë.
Punëmbari i Tiranës
Ndonëse sot kandidatët e PS po bëjnë realisht garë me veten e kohën, ata po ia arrijnë sërisht të zgjojnë interes zgjedhor dhe premtimet e planet ambicioze të tyre po “ngjisin” tek votuesi sepse deri tani koha ka folur mirë për ta.
Në Tiranë, Veliaj, duke ngritur lart “stekën” e kryebashkiakut, ka kohë që i ka bërë vënd vetes për më tej me punën e arritjet ndër vite në administrimin e metropolit shqiptar. Meritë e tij por edhe e trashëgimisë Rama si kryebashkiak (i suksesshëm edhe gjatë qeverisë së PD) dhe mbështetjes sot së qeverisë së partisë së tij.
Fakt kuptimplotë i këtij popullariteti është votëbesimi i rradhës me votë mazhoritare që, si dikur Ramën, po e faktorizon atë si figurë politike premtuese për kreun e PS një ditë.
Sot Tirana është në “hartën” e botës duke synuar të ofrojnë një profil unik me gjetjet urbanistike të saj dhe publiciteti pozitiv po bën punën e tij.
Por e mira nuk ka fund dhe në modestinë e tij, kryebashkiaku i ardhshëm duhet të reflektojë mbi shqetësimet e rradhës qytetare për të përmirësuar më tej cilësinë e banimit në qytet. Arritjet e sfidat shkojnë paralelisht dhe përpara se të jetë e turistëve, Tirana është e banorëve të saj.
Gropat e pambushura të së shkuarës
Në vitet 90 ndryshimi ishte refren edhe për Tiranën por politika e shpërfilli trashëgiminë pozitive urbane të së shkuarës dhe harmonizimin e së resë me të.
Në vënd që qyteti me largpamësi të hidhte shtat e zgjerohej që në fillim jashtë vijës së verdhë me lagje të reja moderne atje, politika “parazitare” e fitimit të shpejtë degradoi së pari jetën urbane brënda vijës së verdhë, pa hodhi sytë më tej.
Urbanizimi pafre i tre dekadave të shkuara e shndërroi qytetin në “getopol” me kosto në ndotjen mjedisore e zanore, pakësimin e hapësirave të gjelbra brënda qytetit historik, sfidat e bashkëjetesës e mirëmbajtjes së mjediseve të përbashkëta, problemet e panumërta të pronës, shërbimet problematike publike etj.
Tirana u shpërfytyrua aq shumë sa sot për një brez të caktuar, Tirana e tyre nuk ekziston më dhe retorika “Tirana ime” ndjell pak trishtim.
Tirana e Re, ndër lagjet më të bukura dhe të gjelbra të Tiranës së para viteve 90, ka trashëguar një xhungël ndërtimesh që i bëjnë karshillëk çdo kujtimi të së shkuarës dhe ambicjeje për të ardhmen.
Në vitet 90 u zhbënë parqe e lulishte, terrene sportive, u degraduan godinat ekzistuese me shtesa “lego” të përçudnuara, u ngritën kulla ku të mundej, shpërfytyruan lagje të tëra që sot kanë probleme të oborrit të përbashkët, parkimeve etj.
Kjo trashëgimi e bashkive të PD gjatë viteve 90 është ende sfidë për bashkiakët e rinj. Veliaj në Tiranë po përpiqet jo vetëm për të modernizuar e futur të renë kudo por edhe për të ndrequr çfarë mund të ndreqet nga e shkuara duke normalizuar sa më parë standartin urban në çdo cep të kryeqytetit tonë.
Lista e gjatë e punëve të mira në pritje
Tirana, si kudo në botë, ka vënd edhe për “Manhatan”-izim por dhe për ruajtje e mirëmbajtje të lagjeve dhe zonave historike të saj.
Tirana duhet të ruajë unikalitetin e saj në raport me kryeqytetet e tjera në botë. “Kullo-mania” e tepruar, “moda” dhe arkitekturat “futuristike” që mund t’u dalë boja shpejt nga koha, plastikat e veshjet ekstravagante prej xhami, “pllaka” –zimi i tepruar i hapësirave publike në kurriz të gjelbërimit real urban në kurriz edhe të përballimit të temperaturave në ngritje etj, rrezikojnë t’a transformojnë qytetin në shabllon, standart deri në monotoni edhe për turistët që vijnë.
Tirana e paraviteve 90 nuk duhet të përfundojë në muze dhe çfarë i ka shpëtuar biznesit klientelist të ndërtimeve duhet të shpallet zonë e mbrojtur sa më parë. Ruajtja e trashëgimisë urbane duhet të jetë prioritet për këdo në Bashki më tej.
Sfida e ndotjes dhe lehtësia e lëvizjes qytetare kërkon që njëkohësisht me zgjerimin e qytetit dhe përmirësimin e rrjetit rrugor, të shtohen edhe itineraret e shpeshtësia e transportit publik psh. përfundimi i Unazës së Madhe dhe nevoja për linjë urbane përgjatë saj etj.
Problem mbetet ende furnizimi me ujë qoftë si prurje në 24 orë ashtu dhe cilësi. Depozitat e pallateve dhe ato mbi tarraca me problemet higjenike rreth tyre duhet të lihen pas. Realiteti i “Tiranës sime” me konsum masiv të ujit të ambalazhuar stonon me realitetin e paraviteve 90 kur gota mbushej nga çezma.
Problem i mprehtë vazhdon të mbetet mirëmbajtja e banesave e prania e kujdesi ndaj hapësirave të përbashkëta qofshin ato në zona banimi, parqe publikë etj. Jo rrallë ndodh që edhe kur investohet në hapësira publike (parqe, shëtitore, kënde lojrash etj) nuk mirëmbahen në vijimësi duke degraduar në shëmti.
Ndërkohë në rastin e mirëmbajtjes së zonave të banimit, “zgjidhja” me administrator që “caktohen” nga banorët nuk funksion. Ky lloj “demokratizimi” i shërbimit të mirëmbajtjes (në thelb larje duarsh prej pushtetit) nxit tension e mosbesim reciprok mes qytetarëve, shfaq probleme kur vjen puna tek pagesat për punime apo mirëmbajtje rutinë etj. Vetë fakti se administratorët ndërrohen aq shpesh flet vetë.
Bashkia, përmes minibashkive, si “Komunalja” dikur, duhet të marrë përsipër shërbimin e mirëmbajtjes së godinave e terreneve të përbashkëta duke patur në organikën e saj ekipe specialistësh e teknikësh ndarë sipas zonave të banimit ku shpenzimet për rrogat, punimet, mirëmbajtjen rutinë, zgjidhja e problemit të parkimeve etj, mund të mbulohen nga pagesa fikse si pjesë e faturave mujore (sikurse taksa e gjelbërimit).
Në këtë mënyrë qytetari ka se ku të ankohet, familjariteti me administratorin e rradhës bëhet i panevojshëm, shmangen debate e tensione rreth faturave financiare etj të gjitha me ndikim në fqinjësinë e mirë në pallat.
Njëlloj si për shumë shërbime nga gjelbërimi, arsimi, rendi, mbrojtja etj, edhe jetesa urbane duhet të garantohet nga autoriteti përkatës shtetëror (në këtë rast Bashkia) përmes sistemit të taksave apo tatimeve në vënd.
Ky raport i ri, jo vetëm nxit harmoni urbane mes qytetarëve por dhe bën më të prekshëm shërbimin e Bashkisë si faktor kyç në votëbesimin për zgjedhjet e rradhës për të.
Tirana sot po ndryshon me shpejtësi dhe kjo aq sa meritë është edhe përgjegjësi shtesë për Bashkinë. Me të drejtë Veliaj e Bashkia mburren se investimet e tyre kanë rritur vlerën pronave të qytetarëve (psh. Kopështi Zoologjik, Unaza e Madhe etj) por kjo ngre edhe problematikën e strehimit për brezat e rinj, të ardhurit etj. Banesat sociale, mbështetja sociale për pagesat e qerave etj duhet të vijojnë të jenë prioritet për Bashkinë dhe në Tiranë nuk duhet të ndjehet i përjashtuar askush.
Një Tiranë gjithnjë e më e madhe, nënkupton probleme e sfida gjithnjë e më të mëdha. Një çmim “metropoli” që i’a vlen të paguhet sa kohë të mirat e tij gëzohen nga të gjithë. Vetëm kur ai bëhet shtëpi e të gjithëve, ku gjithkush gjen veten qoftë tek e reja dhe modernja apo e shkuara dhe historikja, vetëm atëhere ai me plot gojën mund të quhet “Tirana ime” ku ia vlen të votosh sepse ia vlen të jetosh!
