Nga Zija VUKAJ
Vepra që kemi në dorë, me këtë titull mjaft impenjativ- “Shqiptar, a e kupton vetvetin?”, që është libri më i fundit i autorit Lulash Palushaj, është një zgjerim i opusit krijues të këtij shkrimtari dhe mendimtari patriot.
Nga ana tjetër ky libër është arena e një komunikimi alternativ përmes monologut dhe dialogut të autorit me botën shqiptare të sotme e të djeshme; me lashtësinë dhe kohët e reja.
Kumtet e autorit Palushaj në këtë vepër rrjedhin nga gurrat e shpirtit të vet, për t’u kombinuar me gurrat e vendlindjes, me ato të Malësisë së Madhe në telajon e përgjithshme të panoramës historiografike të skenës kombëtare.
Autori i këtij libri tashmë është i njohur në mbarë shqiptarinë qoftë për larminë e llojeve e zhanreve shkrimore e letrare që ka ushtruar gjatë një përvoje prej një jete, por sidomos për larminë e tematikave dhe motiveve që ka trajtuar.
Ndër temat e preferuara të këtij autori, kryetema është ajo patriotike. Këtë e kemi parë dhe lexuar në veprat e tij të suksesshme.
Por Lulash Palushaj ka bërë edhe vepra me karakter hulumtues e studimor për etnogjenezën e trevës së Malësisë, për etnokulturën, për leksikun, që kulmon me veprën leksikografike “Fjalë malësie”- një fjalor me mbi 3500 fjalë, që mbetet një ndihmë e madhe për shkrimtarët, poetët, mësuesit dhe shqipfolësit e të gjitha trevave shqiptare.
Megjithëse motivi i dashur e i preferuar i këtij autori mbetet atdhetaria- motiv që rimerret në libra të ndryshëm (thuajse në të gjithë) në formë pjesësh, paragrafësh, pasazhesh nëpërmes digresioneve, soditjeve, meditimeve, narrativave e kontemplacioneve të ndryshme, në çdo krijim konsekutiv ka diçka të re, të freskët, befasuese, dhe krejt origjinale.
Kjo vjen nga pasqyrimi i realiteteve të ndryshme në rrjedhat e kohës, por edhe nga procesi i natyrshëm i lëvizjeve zhvillimore që ndodhin në nënvetëdijen dhe intelektin e një autori që ndjek me vëmendje maksimale e me pasionin e një atdhetari të thekur çdo sekuencë të re zhvillimi të proceseve dinamike që kalon kombi i vet.
Dhe Lulashi ka përveç shikimit të mprehtë të patriotit shkrimtar, edhe një fosus më të gjerë se një autor i zakonshëm me aparat perceptimi në hapësira të kufizuara.
Ky autor ka në shikimin e tij dy realitete historike dhe gjeografike: ka dekadat e përvojës së tij, që fillojnë nga fëmijëria, shkollimin në nivele të ndryshme, ushtrimin e profesionit të mësimdhënësit, fazën e vështirë të emigrimit, peripecitë në vend të huaj, me vuajtje e sfida por me kurorëzimin e fitores sublime të krijimit të një familjeje të shkëlqyer me madhështinë që i jep njeriut përkushtimi dhe djersa e ndershme.
Në toposin e tij ka shumë stacione, shumë vise shqiptare e të huaja brenda të cilave janë derdhur e gdhendur nyjëza të shkëlqyera rrëfimtare, fanitje vegimesh nga udhëtimi i menduar i një shpirti të ndjeshëm që kanë ardhur e janë sublimuar bukur në krijime letrare apo eseistike.
Vendkoha në librat e Lulashit varion nga viset e bukura të vendlindjes, në tokën e Kosovës, në Prizrenin e bukur, Prishtinën apo Shkupin, që qenë edhe pjesë të formimit të tij shkollor, si dhe pjesë të Shqipërisë të vizituara në periudha të ndryshme të jetës.
Tabloja tjetër është përvoja në Amerikë, mbresat, informacionet, emocionet dhe eksplorimi i një bote të re e të panjohur. Prandaj nuk është e papritur që librat e këtij autori zgjojnë kureshtje për çdo lexues.
Konkretisht, libri që kemi në dorë, i ngjan një dekalogu urtësie që na e transmeton një shpirt i përkushtuar, një mendje e zgjuar që ka parë shumë dhe një botë e mbushur me grimca kozmike jete dhe sinteza e deduksione të sprovuara në shtresat e një laboratori krijues të pasur me vitalitet dhe fisnikëri.
Autori në këtë vepër “Shqiptar, a e kupton vetin?” shfaq mbase më fort se në veprat e tjera një shqetësim të brendshëm për pritshmëritë që ka ndaj realitetit shqiptar, shpresave dhe aspiratave për ta parë kombin e vet në majat që meriton të jetë- por edhe të zhgënjimeve që shfaqen gjithandej.
Këto shqetësime të autorit për mbarë problematikat e botës së sotme shqiprare- hera- herës kthehen në ankthe. Autori u drejtohet individëve dhe realiteteve të mangëta, të papërsosura, shpesh të padenja për përfytyrimet që kemi të gjithë ne mbi dinjitetin e një kombi që meriton të paraqitet me një fizionomi më të lartë.
Komunikimi i tij me lexuesit apo dëgjuesit virtualë bëhet përmes apelativit “shqiptar”, “shqiptare”, “vëlla”, “motër”, “zotni”, duke u bërë më prekës dhe konkret. Së këtejmi, gjithë ky libër merr formën e një traktati sociologjik, etiko- moral, qytetërues, patriotik, që i drejtohet popullit të vet për të nxitur tek vëllezërit shqiptarë pa dallim krahine, kulture, religjioni apo ideje vetitë më të larta kombëtare, dashurinë për vendin, trashëgiminë kulturore, gjuhën shqipe, emrat shqiptarë, lidhjet familjare e martesore dhe mbajtjen të fortë e të paprekur të institucionit të bekuar të familjes.
Libri është një vepër eseistike e ndërtuar me shembuj e parabola, me lëndë të gjallë jete, por edhe me digresione të shpeshta- ndërhyrje medituese mjaft të nevojshme si instrumente analizash, deduksionesh e sintezash që plazmojnë urtësinë e një shkrimtari dhe individi demiurg apo mjeshtër, përballë dishepujve të tij lexues, sidomos lexuesve të rinj. Kumtet që përcjell ky libër janë mësime të vyera për çdo situatë dhe çdo mjedis.
Autori ka preferuar si gjithmonë të shprehet në gjuhën e variantit gegë, brenda të cilit ndihet më i sigurt, më shprehës, më konkret, pse jo edhe më poetik.
Përfundimisht mendojmë se ky libër është një dritare e re dhe mjaft interesante për çdo lexues dhe një sukses në krijimtarinë e autorit Lulash Nikë Palushaj

Per 45 vjet populli shqiptar isjhte i privuar nga nacionalizmi,,Permendja e Trojeve te pushtuara nga shovinistet fqinj ishte tabu..Sikur kombi shqiptar u formua ne 1944 dhe e vetmja Lufte Heroike ishte lufta kunder kollonave te Ushtrise gjermane qe terhiqeshin ne Gjermani dhe lufta partizane kunder Malsise shqiptare dhe kunder Kosoves.
Pershendetje presidenti Begaj! Fjala juaj ne OKB nderon kombin shqiptar.Sot je i vetmi Drejtues i Republikes Shqiprise i ndershem,i paperlyer,i pergjegjshem,dhe GRATA pertej Oqeanit.