Sokol Hoxha, autor i tre vrasjeve në vendin tonë, është ekstraduar nga SHBA drejt Shqipërisë dhe ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit.
Hoxha akuzohet për vrasjen e 2 vëllezërve në Patos, teksa edhe Belgjika e kërkon për të vuajtur dënimin e vrasjes së Brunilda Dervishit.
Pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë.
Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel.
Po ashtu dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.
Ndërkohë pas vrasjes në Belgjikë, ai u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas drejt SHBA-ve, ku qëndroi i fshehur për shumë vite.
Njoftimi i Policisë:
Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:
-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.
j.l./ dita
