Po shkojnë drejt fundit edhe përgatitjet për finalizimin e tezës së provimit të dytë të detyruar të Maturës Shtetërore 2022 që do të zhvillohet ditën e shtunë në të gjitha shkollat e mesme të vendit dhe qendrat e tjera të përzgjedhura si ambiente provimesh. Ekspertët e kësaj lënde nën kushtet e sekretit të plotë kanë rivlerësuar pyetjet që do të jenë pjesë e provimit të letërsisë. Në këtë provim nxënësit do të zhvillojnë një test të përbashkët për të dyja lëndët: Gjuhë shqipe dhe letërsi bërthamë.
Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se provimi i detyruar i letërsisë dhe gjuhës shqipe do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do të ketë në përmbajtje një tekst jo letrar të llojit (përshkrues, rrëfyes, informues paraqitës apo dhe argumentues), i cili do të jetë i panjohur për nxënësit. Nëpërmjet këtij teksti nxënësit do të vlerësohen rreth njohurive dhe aftësive gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit të përvetësuara gjatë tre viteve të shkollës së mesme.
Pjesa e dytë e tezës së provimit do të ketë në përmbajtje një tekst letrar. Fragmenti i këtij teksti do të merret nga lista e veprave të përcaktuara për secilin profil të shkollës së mesme. Kjo pjesë e testit do të ketë edhe një pjesë të konsiderueshme të pyetjeve që do të duhet të plotësojnë nxënësit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara se cilat janë veprat letrare nga ku do të shkëputet fragmenti që do të jetë në përmbajtje të testit të letërsisë për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, ato të llojit gjuhësor, si dhe shkollat e mesme profesionale, si dhe ato artistike e sportive.
Ndërsa pjesa e tretë e provimit të letërsisë përfshin të shkruarin e një eseje. Nëpërmjet shkrimit të saj, nxënësi duhet që të dëshmojë formimin gjuhësor dhe letrar të fituar gjatë studimeve të shkollës së mesme. Tema e esesë mund të lidhet me njërën nga pjesët e mësipërme të tezës së provimit. Ndërkohë që sa i takon peshës që do të ketë në pikët finale që do të grumbullojë maturanti nga testi, eseja vlerësohet me 20 për qind të ndikimit.
Sa i takon përmbajtjes, pyetjet në test do të jenë të këtyre llojeve: Pyetje me alternativa, pyetje me përgjigje E vërtetë/ E rreme, Po ose jo, pyetje të llojit me kombinime (me çiftim), pyetje me përgjigje të shkurtër ose me plotësim, pyetje subjektive me përgjigje të kufizuar, pyetje subjektive me përgjigje të zgjeruar. Pyetjet ose kërkesat në test do të jenë të tri niveleve të vështirësisë, kur për nivelin bazë do të jenë 40 për qind e pyetjeve të testit, për nivelin mesatar po ashtu do jenë 40 për qind e pyetjeve, ndërsa për nxënënsit e shkëlqyer do të jenë 20 për qind e pyetjeve që janë në përmbajtje të tezës së provimit.
Edhe për provimin e letërsisë, maturantët duhet të bëjnë kujdes që të respektojnë edhe rregullat e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e shpallur më herët nga MAS, maturanti dhe kandidati pasi merr testin dhe fletë-përgjigjen kontrollon dhe i nënshkruan. Gjithashtu duhet të kontrolloni me kujdes edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm, apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi ju duhet të kërkoni një test tjetër nga administruesit e provimit. Pasi të merrni testin e ri duhet që të firmosni një deklarate që konfirmon këtë veprim.
Po sipas rregullores së provimeve të maturës, përcaktohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Kopoted, si dh kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.
Vlerësimi maksimal dhe minimal
Autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë bërë më dije më herët se për secilin provim të maturës së këtij viti, vlerësimi maksimal do të jetë me 60 pikë, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti duhet të grumbullojë detyrimisht 25 për qind të totalit të këtyre pikëve (15 pikë). Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do të garojnë përgjatë raundit të dytë të pranimeve.
“Nëse për një pyetje ka mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje ka plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e ka shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Nëse për një pyetje nuk ka mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve, pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital”, sqarojnë autoritetet e arsimit në lidhje me vlerësimin që do të bëhet për testet e maturës së këtij viti.
Kushti i konkurrimit për universitetin
Në mbyllje të muajit korrik pritet të nisë edhe konkurrimi për studimet universitare. Të drejtën për të garuar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kushtet në vijim: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.
VEPRAT NGA KU DO TË MERRET FRAGMENTI LETRAR PËR MATURANTËT E SHKOLLAVE TË MESME TË PËRGJITHËSHME DHE ATYRE TË PROFILEVE GJUHËSORE
Homeri: “Iliada”, rëndësia e Homerit në letërsinë e mëvonshme.
Eskili: “Prometeu i mbërthyer”. Tiparet dalluese të krijimtarisë së Eskilit.
Dante Aligeri: “Ferri”, rëndësia e kësaj vepre.
Shekspir: “Hamleti”. Rëndësia e Shekspirit në letërsinë botërore.
Gëte: “Fausti”. Rëndësia e Gëtes në historinë shpirtërore dhe letrare të Gjermanisë dhe të Europës.
Hygo: “Katedralja e Parisit”. -Hygoi si prijës i romantizmit.
De Rada: “Këngët e Milosaos”. Roli dhe rëndësia e De Radës në letërsinë arbëreshe të Rilindjes.
Balzak: “Xha Gorio”. Rëndësia e veprës së Balzakut në epokën e prozës realiste.
Albert Kamy: “I huaji”. -Ekzistencializmi në artin e Kamysë. Absurdi i qenies njerëzore, vetmia, etj.
Lasgush Poradeci: “Ylli i zemrës”. Poeti modern i shqipes. Vendlindja dhe dashuria në jetën e Poradecit.
Migjeni: “Novelat e qytetit të veriut”, si dhe “Vargjet e lira”. Fryma e re që solli Migjeni në letërsinë shqipe (në formë dhe në përmbajtje), si përshembull shkëputja nga tradita, temat e ndaluara, vargu i lirë, shembja e kulteve politike, fetare, etj. Njeriu në letërsinë e Migjenit (jeta në situata ekzistenciale).
Dritëro Agolli: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Risitë që solli Agolli në letërsinë shqipe.
Ismail Kadare: “Pallati i ëndrrave”. Vendi që zë Kadare në letërsinë shqipe. Bota shqiptare në veprën e Kadaresë.
Azem Shkreli: “Lirikë me shi”. Risitë që solli Shkreli në letërsinë shqipe.
VEPRAT NGA KU DO TË MERRET FRAGMENTI LETRAR PËR MATURANTËT E SHKOLLAVE TË MESME PROFESINALE, SI DHE ARTISTIKE E SPORTIVE
Homeri: “Iliada”, rëndësia e Homerit në letërsinë e mëvonshme.
Dante Aligeri: “Ferri”, rëndësia e kësaj vepre.
Shekspir: “Hamleti”. Rëndësia e Shekspirit në letërsinë botërore.
Hygo: “Katedralja e Parisit”. -Hygoi si prijës i romantizmit.
Naim Frashëri: “Lulet e verës”. Naim Frashëri, figura më përfaqësuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kontributi i tij në çështjen kombëtare, si dhe në gjuhën e në letërsinë shqipe
Albert Kamy: “I huaji”. -Ekzistencializmi në artin e Kamysë. Absurdi i qenies njerëzore, vetmia, etj.
Lasgush Poradeci: “Ylli i zemrës”. Poeti modern i shqipes. Vendlindja dhe dashuria në jetën e Poradecit.
Migjeni: “Novelat e qytetit të veriut”, si dhe “Vargjet e lira”. Fryma e re që solli Migjeni në letërsinë shqipe (në formë dhe në përmbajtje), si përshembull shkëputja nga tradita, temat e ndaluara, vargu i lirë, shembja e kulteve politike, fetare, etj. Njeriu në letërsinë e Migjenit (jeta në situata ekzistenciale).
Ismail Kadare: “Pallati i ëndrrave”. Vendi që zë Kadare në letërsinë shqipe. Bota shqiptare në veprën e Kadaresë.