Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Universiteti nën peshën e së shkuarës: Pse ndryshimi është kaq i vështirë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Universiteti nën peshën e së shkuarës: Pse ndryshimi është kaq i vështirë
Lajmi i fundit

Universiteti nën peshën e së shkuarës: Pse ndryshimi është kaq i vështirë

Published: August 13, 2026
Shpërndaje

Nga FATOS TARIFA

  1. Fetishizimi i ligjit

Sa shumë flasim dhe sa shumë “jemi përpjekur” e “përpiqemi” t’i reformojmë universitetet tona! Kemi hartuar disa herë ligje për arsimin e lartë, i kemi ndryshuar dhe amenduar, i kemi “plotësuar” me qindra vendime qeverie dhe, në fund, kemi arritur ta bëjmë sistemin gjithnjë e më të ndërlikuar, më burokratik, por jo edhe më efektiv.

Njëmbëdhjetë vite më parë miratuam një ligj të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Hartuam një tekst jashtëzakonisht voluminoz, rreth dy herë më të gjatë se teksti i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe 27 amendamentet e saj—një dokument që prej më shumë se dy shekujsh qeveris një nga sistemet politike më kompleksë në botë. Donim t’i tregonim botës dhe vetes sonë se e kishim seriozisht këtë punë, por, në përpjekjen për t’i vënë vetulla arsimit të lartë dhe shkencës, kam frikë se gati-gati u kemi “nxjerrë sytë”.

- Publicitet -

Gjatë një dekade, ai ligj u pasua nga dhjetëra e dhjetëra vendime të Këshillit të Ministrave—rreth 70–90 të tilla, po të përfshihen aktet bazë, ndryshimet e tyre dhe vendimet e tjera të mbështetura në të—duke krijuar një kuadër normativ që, në vend që ta bënte sistemin më të qartë dhe më funksional, e shndërroi atë thuajse në një xhungël legjislative, ku zgjidhja e problemeve reale të arsimit të lartë bëhet më e vështirë, jo më e lehtë.

Sot flasim sërish për nevojën e një ligji të ri për arsimin e lartë. Por përse u vjetrua kaq shpejt një ligj i miratuar vetëm një dekadë më parë? Dhe, mbi të gjitha, përse vazhdojmë të ushqejmë iluzionin se një ligj i ri mund t’i transformojë universitetet shqiptare dhe t’i hapë rrugën zhvillimit të një kërkimi shkencor të mirëfilltë në vendin tonë? Kemi nxjerrë vallë mësime nga përvoja e dhjetëvjeçarit të fundit? Dimë sot më shumë për problemet reale të universiteteve tona dhe për mënyrat se si ato mund të zgjidhen? Apo vazhdojmë, me naivitet, ta masim progresin me ligjet që hartojmë dhe aktet nënligjore që miratojmë, dhe jo me ndryshimet reale që arrijmë të sjellim në cilësinë e arsimit të lartë?

Mbyllja e përkohshme e dy kapitujve që lidhen me shkencën dhe arsimin në negociatat me Bashkimin Europian, siç vura në dukje në një ese timen dy ditë më parë, duket se i ka shtuar euforinë dhe dozat triumfaliste të qeverisë. Ndërkohë, prej kohësh qeveria po “punon” për hartimin e një projektligji të ri për arsimin e lartë.

Paradoksi është se për arsimin e lartë dhe reformimin e tij flasin dhe marrin përsipër të vendosin një kryeministër, një qeveri dhe ligjvënës që, në gjykimin tim, as e njohin sa duhet universitetin si institucion, as e kuptojnë kompleksitetin e tij, as u dhemb realisht gjendja e tij dhe as kanë dëshmuar deri më sot vullnetin për ta transformuar atë në themel. Këtë detyrë, nga sa jam i informuar, ia kanë besuar një grupi “ekspertësh” dhe burokratësh, një pjesë e të cilëve kanë qenë vetë të përfshirë në mekanizmat, strukturat dhe politikat që kanë ndikuar në gjendjen ku ndodhen sot arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri.

  1. Universiteti si institucion: një qasje sociologjike

Këtu nuk synoj t’u bëj një diagnozë shteruese të problemeve nga të cilat vuajnë universitetet shqiptare, as për të analizuar në hollësi nevojat e tyre më të ngutshme dhe strategjitë për t’iu përgjigjur atyre. Kjo mbetet për t’u bërë në një rast tjetër. Do të sugjeroja që një nismë të tillë ta ndërmarrë Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave dhe i ftoj kolegët e mi të nderuar, anëtarë të saj, të organizojmë një forum publik me temë “Universiteti shqiptar përballë nevojës për transformim”.

Një forum i tillë mund dhe duhet të shërbejë si pikënisje për një analizë të thelluar të gjendjes së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri dhe, mbi këtë bazë, për hartimin e një dokumenti politikash që të identifikojë jo vetëm problemet dhe nevojat, por edhe drejtimet, prioritetet dhe masat konkrete të një reforme të vërtetë.

Këtu dëshiroj vetëm të theksoj se, në një proces të tillë, nuk ka vend për mendjelehtësi, optimizëm të ekzagjeruar apo eufori. Qasja ime në këtë ese mbetet kryesisht në rrafshin teorik dhe udhëhiqet nga perspektiva e sociologjisë së organizatave, veçanërisht nga tradita institucionaliste, për të kuptuar jo aq se çfarë duhet ndryshuar në universitetin shqiptar—kjo kërkon një analizë tjetër, shumë më konkrete—por përse universiteti, si institucion, është kaq i vështirë për t’u transformuar.

Transformimi i arsimit të lartë dhe i universitetit ka qenë dhe mbetet një nga ndërmarrjet më të vështira të ndryshimit institucional, jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për shoqëri shumë më të zhvilluara se e jona. Strukturat e universitetit, kultura e tij profesionale, format e qeverisjes, ndarjet disiplinore, sistemet e stimujve dhe traditat e akumuluara përgjatë kohës krijojnë një inerci të fuqishme institucionale, e cila e bën reformimin e tij rrënjësor veçanërisht të vështirë.

Burton Clark (1983a, 1983b), sociolog i njohur amerikan dhe një ndër studiuesit më me ndikim të arsimit të lartë si institucion dhe sistem organizativ, vinte në dukje se strukturat akademike të konsoliduara nuk janë thjesht pengesa ndaj ndryshimit; ato njëherësh e kufizojnë, por edhe e mundësojnë atë. Vetë mënyra se si universiteti është organizuar krijon interesa, identitete dhe burime të ndryshme autoriteti, duke prodhuar tensione mes disiplinave, departamenteve, administratës dhe sistemit më të gjerë universitar. Transformimi i universitetit, për këtë arsye, nuk është thjesht çështje e zëvendësimit të një strukture me një tjetër.

Këtu qëndron një dallim thelbësor mes universitetit dhe një ndërmarrjeje industriale. Një uzine mund t’i zëvendësosh, brenda një kohe relativisht të shkurtër, makineritë, teknologjinë dhe një pjesë të madhe të bazës teknike të prodhimit, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ajo funksionon dhe çfarë prodhon. Historia moderne ofron shembuj spektakolarë të shpejtësisë me të cilën mund të ndodhë një transformim i tillë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara shndërruan, brenda pak vitesh, një pjesë të madhe të kapaciteteve të tyre industriale civile në kapacitete prodhuese për nevojat e luftës. Fabrika që deri atëherë prodhonin automobila dhe mallra të tjera civile u ripajisën për të prodhuar tanke, automjete ushtarake, motorë avionësh dhe pajisje të tjera luftarake; njëkohësisht, u ngritën uzina të reja që zbatuan teknologjitë dhe metodat e prodhimit masiv të industrisë automobilistike në prodhimin e avionëve. Brenda pak vitesh, baza industriale amerikane pësoi një transformim të jashtëzakonshëm, duke e kthyer në realitet atë që Presidenti Franklin D. Roosevelt e kishte quajtur “Arsenali i Demokracisë” (Hyde 2013; Garrett & Rhine 2018).

Me universitetin nuk mund të veprohet në të njëjtën mënyrë. Mund të zëvendësosh makineritë, të ripajisësh një uzinë, të ndryshosh linjën e prodhimit dhe ta orientosh kapacitetin industrial drejt një produkti krejt tjetër; por nuk mund të “ripajisësh” me të njëjtën shpejtësi një profesorat, një kulturë akademike apo një traditë të kërkimit shkencor. “Teknologjia” themelore e universitetit nuk është kryesisht fizike; ajo mishërohet te njerëzit, dijet, kompetencat, standardet, praktikat dhe kultura akademike, të formuara dhe të riprodhuara përgjatë brezave.

Një kulturë e mirëfilltë kërkimi shkencor nuk mund të instalohet si një teknologji e re; as meritokracia, integriteti akademik dhe standardet e larta nuk mund të vendosen me një akt administrativ. Ato ndërtohen, kultivohen dhe transmetohen nga një brez akademik te tjetri. Pikërisht për këtë arsye, ajo që në industri mund të realizohet brenda pak vitesh, në një universitet mund të kërkojë një brez të tërë akademik, madje edhe disa breza.

Por ritmi i ngadaltë i transformimit nuk shpjegohet vetëm me natyrën e asaj që duhet ndryshuar. Ai lidhet edhe me mënyrën e veçantë se si organizohet dhe shpërndahet autoriteti brenda universitetit. Robert Birnbaum (1988), një studiues i njohur amerikan i arsimit të lartë, organizimit dhe qeverisjes universitare, e zhvillon argumentin pikërisht në këtë drejtim. Sipas tij, universitetet nuk mund të kuptohen në mënyrë adekuate përmes modelit konvencional të një burokracie hierarkike. Ato janë organizata shumë më komplekse, brenda të cilave bashkëjetojnë forma të ndryshme autoriteti, interesa dhe mënyra vendimmarrjeje. Për këtë arsye, universitetet funksionojnë njëherësh sipas logjikave kolegjiale, burokratike, politike dhe, në rrethana të caktuara, edhe “anarkike”.

Kjo natyrë e veçantë organizative ndihmon të kuptohet përse reformimi i universitetit nuk mund të reduktohet në hartimin e një ligji të ri. Ligji mund të ndryshojë rregullat formale; shumë më e vështirë është të ndryshosh vetë institucionin, mënyrën se si ai funksionon dhe kulturën që është formuar brenda tij. Siç argumentoj më poshtë, strukturat dhe kulturat institucionale kanë një prirje të fortë konservuese: ato u rezistojnë ndryshimeve duke ruajtur dhe riprodhuar norma, interesa, rutina dhe praktika të konsoliduara. Pikërisht këtu duhet kërkuar një nga burimet kryesore të inercisë institucionale të universitetit.

  1. Forca e inercisë institucionale

Universitetet janë ndër institucionet më të vjetra që kanë mbijetuar deri në botën moderne. Perandori të fuqishme janë shembur, sisteme politike janë zëvendësuar, regjime dhe qeveri kanë ardhur e kanë ikur; teknologjitë janë vjetruar dhe ua kanë lënë vendin teknologjive të reja; profesione të tëra janë transformuar, shumë prej tyre janë harruar e janë zhdukur, ndërsa të tjera, krejt të reja, kanë lindur. Historia e shoqërisë moderne është, në një kuptim, edhe histori e lindjes, transformimit dhe zhdukjes së institucioneve, organizatave, teknologjive dhe profesioneve që, në kohën e tyre, janë dukur të qëndrueshme, madje të përhershme.

As korporatat më të fuqishme nuk i kanë shpëtuar kësaj logjike. Shumë prej tyre, që për dekada dukeshin po aq të qëndrueshme sa institucionet më solide të shoqërisë moderne, kanë falimentuar, janë shpërbërë ose kanë pushuar së ekzistuari në formën e tyre historike. Pan Am falimentoi dhe u zhduk; Enron dhe WorldCom, dikur ndër korporatat më të mëdha amerikane, u shembën; Lehman Brothers, pas më shumë se një shekulli e gjysmë veprimtarie, u shemb gjatë krizës financiare të vitit 2008; Daewoo, një nga konglomeratet më të mëdha të Koresë së Jugut, u shpërbë; Nortel, dikur një gjigant botëror i telekomunikacionit, falimentoi; ndërsa General Electric, një nga simbolet më jetëgjata të kapitalizmit industrial amerikan, u nda në tri kompani të pavarura, duke i dhënë fund GE-së në formën e konglomeratit që bota kishte njohur për më shumë se një shekull.

Universitetet, përkundrazi, kanë dëshmuar një aftësi të jashtëzakonshme për mbijetesë, përshtatje dhe vazhdimësi institucionale. Universiteti i Bolonjës u themelua në vitin 1088; në Oksford mësimdhënia kishte nisur të paktën më 1096; Universiteti i Parisit u konsolidua si një nga qendrat e mëdha të dijes europiane gjatë shekullit XII; Cambridge u themelua më 1209, Padova më 1222, Universiteti i Napolit më 1224 dhe ai i Koimbrës në Portugali më 1290. Shekuj më vonë, kjo formë institucionale kaloi Atlantikun. Harvard College u themelua më 1636, duke u bërë institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara; College of William & Mary më 1693; Yale më 1701; ndërsa University of North Carolina at Chapel Hill, i themeluar më 1789, ku unë pata fatin dhe nderin të fitoja gradën PhD, u bë universiteti i parë publik në Shtetet e Bashkuara.

Këto institucione kanë mbijetuar monarki e republika, perandori e revolucione, luftëra dhe kriza ekonomike, transformime teknologjike dhe ndryshime rrënjësore të strukturës shoqërore. Edhe pse universitetet e sotme ndryshojnë rrënjësisht nga pararendësit e tyre mesjetarë dhe të hershëm modernë, Edhe pse universitetet e sotme ndryshojnë rrënjësisht nga pararendësit e tyre mesjetarë dhe të hershëm modernë, universiteti si formë institucionale ka dëshmuar një qëndrueshmëri historike që shumë pak institucione të tjera shoqërore kanë mundur ta rivalizojnë.

Paradoksalisht, kjo jetëgjatësi dhe tradita akademike e krijuar dhe konsoliduar përgjatë shekujve—ndër arritjet më të mëdha të universitetit si institucion—përbëjnë njëherësh edhe një nga burimet kryesore të rezistencës së tij ndaj ndryshimit. Universiteti është një institucion që, intelektualisht, i përkushtohet zbulimit të së resë, por që, nga pikëpamja organizative, priret të ruajë të vjetrën. Ai prodhon dije që ndryshojnë shoqërinë, transformojnë mënyrën se si njeriu e kupton botën dhe zgjerojnë aftësinë e tij për të ndërhyrë në natyrë e për ta vënë atë në shërbim të nevojave njerëzore. E megjithatë, vetë universiteti shpesh u reziston ndryshimeve në mënyrën se si kjo dije prodhohet, organizohet dhe transmetohet.

Ky paradoks ndihmon për të kuptuar përse reformimi i arsimit të lartë është kaq i vështirë. Pengesa kryesore nuk është domosdoshmërisht mungesa e ideve të mira, madje as mungesa e dijes se çfarë duhet ndryshuar. Universitetet shpesh e dinë se çfarë nuk funksionon dhe çfarë duhet bërë ndryshe. Vështirësia qëndron në transformimin e vetë institucionit, sepse strukturat ekzistuese, interesat e konsoliduara, rutina, identitetet profesionale dhe kulturat akademike priren të riprodhojnë vetveten dhe, bashkë me to, edhe mënyrat e rrënjosura të të menduarit dhe të vepruarit. Pikërisht këtë prirje të institucioneve për të ruajtur dhe riprodhuar strukturat, normat dhe praktikat ekzistuese, edhe kur nevoja për ndryshim bëhet e dukshme, e përshkruan koncepti sociologjik i inercisë institucionale.

Inercia institucionale nuk nënkupton thjesht konservatorizëm, plogështi apo mungesë vullneti për të ndryshuar. Ajo shpreh prirjen e organizatave të konsoliduara për të vazhduar së funksionuari sipas strukturave, normave dhe praktikave të krijuara me kalimin e kohës. Këto fitojnë gradualisht legjitimitet, shndërrohen në rutinë, krijojnë pritshmëri dhe gjenerojnë interesa që grupe të caktuara kanë arsye për t’i ruajtur. Sa më gjatë të ekzistojë e të riprodhohet një mënyrë e caktuar organizimi dhe funksionimi, aq më shumë ajo priret të perceptohet jo si një zgjedhje mes alternativave të mundshme, por si mënyra e natyrshme, normale dhe e vetëkuptueshme se si institucioni duhet të funksionojë.

Analizat klasike të Peter Blau-t, profesorit tim të nderuar të teorisë sociale në UNC-Chapel Hill, ndihmojnë për të kuptuar disa nga mekanizmat organizativë që qëndrojnë në themel të një inercie të tillë. Në The Dynamics of Bureaucracy (1955), një vepër tashmë klasike e sociologjisë së organizatave, si dhe në Formal Organizations: A Comparative Approach (1962), shkruar së bashku me W. Richard Scott, Blau tregoi se organizatat nuk funksionojnë thjesht sipas strukturave dhe rregullave të përcaktuara formalisht. Brenda tyre lindin dhe konsolidohen praktika informale, interesa, marrëdhënie autoriteti dhe rutina që, me kalimin e kohës, bëhen pjesë e mënyrës reale të funksionimit të organizatës. Pikërisht ndërveprimi mes strukturave formale dhe praktikave që zhvillohen e konsolidohen brenda tyre ndihmon të shpjegohet përse organizatat, pasi kanë ndjekur për një kohë të gjatë një mënyrë të caktuar funksionimi, e kanë gjithnjë e më të vështirë ta ndryshojnë atë.

Teoria e organizatave dhe tradita institucionaliste në sociologji ofrojnë një bazë të rëndësishme teorike për të kuptuar këtë dukuri. John Meyer dhe Brian Rowan (1977), në studimin e tyre tashmë klasik mbi organizatat e institucionalizuara, treguan se organizatat përvetësojnë dhe ruajnë struktura e praktika jo vetëm sepse ato janë teknikisht efikase, por edhe sepse, me kalimin e kohës, institucionalizohen, rutinizohen dhe fitojnë legjitimitet shoqëror. Për rrjedhojë, struktura dhe praktika të caktuara mund të vazhdojnë të ekzistojnë e të riprodhohen sepse u sigurojnë organizatave legjitimitet, edhe atëherë kur efektiviteti i tyre praktik është i diskutueshëm. Ajo që institucionalizohet, me fjalë të tjera, nuk është më thjesht një mënyrë e mundshme organizimi, por fiton autoritetin e asaj që konsiderohet normale, e përshtatshme dhe e vetëkuptueshme dhe, bashkë me të, edhe një forcë konservuese të vetën.

Paul DiMaggio dhe Walter Powell (1983) e zhvilluan më tej këtë perspektivë përmes konceptit të tyre të izomorfizmit institucional. Organizatat që veprojnë brenda së njëjtës fushë institucionale priren, me kalimin e kohës, të bëhen gjithnjë e më të ngjashme me njëra-tjetrën. Universitetet imitojnë modele të institucioneve prestigjioze; shteti vendos rregulla dhe kërkesa të përbashkëta; agjencitë e akreditimit përcaktojnë standarde të njëjësuara; ndërsa komunitetet dhe profesionet akademike krijojnë e riprodhojnë norma të përbashkëta. Për pasojë, ajo që paraqitet si modernizim nuk sjell domosdoshmërisht inovacion të mirëfilltë. Përkundrazi, mund të prodhojë konformitet institucional, duke standardizuar struktura, forma dhe procedura pa ndryshuar domosdoshmërisht përmbajtjen, cilësinë dhe mënyrën reale të funksionimit të jetës akademike.

Universitetet janë veçanërisht të ndjeshme ndaj këtyre proceseve, sepse legjitimiteti është thelbësor për vetë ekzistencën dhe funksionimin e tyre si institucione akademike. Një universitet duhet të njihet dhe të pranohet si i tillë jo vetëm juridikisht, por edhe shoqërisht e profesionalisht; ai duhet të gëzojë besimin e studentëve, të komunitetit akademik, të shtetit dhe të shoqërisë dhe, njëherësh, të jetë në gjendje të tërheqë staf akademik, studentë dhe burime (He & Wilkins 2017).

Në këtë kuptim, siç argumentojnë Meyer dhe Rowan (1977), legjitimiteti institucional nuk është thjesht një atribut simbolik i organizatës, por një kusht i rëndësishëm i qëndrueshmërisë dhe mbijetesës së saj. Studime të tjera kanë treguar se, në përpjekje për ta fituar dhe ruajtur këtë legjitimitet në një mjedis akademik gjithnjë e më të globalizuar, universitetet u nënshtrohen presioneve izomorfike që i shtyjnë të përvetësojnë struktura, praktika dhe modele të institucioneve që konsiderohen si të suksesshën dhe prestigjiozë (Stensaker et al. 2019).

Pikërisht për këtë arsye, një universitet duhet t’i ngjajë, të paktën në tiparet e tij themelore, asaj që shoqëria dhe komuniteti akademik njohin dhe pranojnë si universitet. Ai duhet të ketë fakultete e departamente, profesorë, programe studimi e kurrikula, provime e diploma, komisione akademike, grada dhe tituj, procedura promovimi, si dhe mekanizma të sigurimit të cilësisë e të akreditimit.

Secili prej këtyre elementeve ka, ose supozohet të ketë, një funksion racional. Por, të marra së bashku, ato formojnë edhe një arkitekturë institucionale të ndërtuar dhe të sedimentuar historikisht. Pasi konsolidohet, legjitimohet dhe merret si e mirëqenë, kjo arkitekturë nuk perceptohet më lehtë si një ndër mënyrat e mundshme të organizimit të universitetit, por si vetë forma “normale” e tij. Dhe pikërisht për këtë arsye bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u çmontuar, riorganizuar apo transformuar rrënjësisht.

  1. Trashëgimia institucionale dhe kufijtë e ndryshimi

Një tjetër perspektivë e dobishme për këtë analizë ofrohet nga institucionalizmi historik dhe, veçanërisht, nga koncepti i varësisë nga trajektorja e ndjekur (path dependence). Institucionet formësohen nga zgjedhjet e bëra në fazat e hershme ose në periudha të mëparshme të zhvillimit të tyre. Pasi është ndjekur një drejtim i caktuar, largimi prej tij bëhet gjithnjë e më i vështirë, sepse, me kalimin e kohës, rreth tij krijohen dhe konsolidohen struktura, interesa të rrënjosura, pritshmëri dhe identitete profesionale; njëherësh, bëhen investime materiale, njerëzore dhe institucionale që e përforcojnë më tej trajektoren e zgjedhur dhe e rrisin koston e ndryshimit të saj.

Paul Pierson (2000) ka treguar se, në procese që karakterizohen nga increasing returns, hapat e ndërmarrë përgjatë një trajektoreje të caktuar mund ta përforcojnë atë, duke e bërë vazhdimin në të njëjtën rrugë gjithnjë e më të favorshëm, ndërsa largimin prej saj gjithnjë e më të kushtueshëm. E njëjta logjikë vepron fuqishëm edhe në universitete. Një departament i krijuar dekada më parë, me kalimin e kohës, fiton staf akademik, hapësira dhe buxhete, krijon lëndë e programe studimi, diplomon breza studentësh, vendos lidhje me shoqata profesionale dhe ndërton historinë, traditën dhe identitetin e vet institucional.

Edhe nëse kufijtë intelektualë dhe disiplinorë që dikur e justifikuan krijimin e tij kanë ndryshuar, janë zbehur apo kanë humbur rëndësinë e dikurshme, shkrirja e atij departamenti, bashkimi i tij me një njësi tjetër apo ristrukturimi rrënjësor bëhen politikisht, profesionalisht dhe administrativisht gjithnjë e më të vështirë.

E kaluara, në këtë mënyrë, nuk mbetet thjesht pas nesh; ajo ngulitet në strukturat e së tashmes dhe kufizon alternativat e së ardhmes. Për këtë arsye, universitetet priren më shumë të shtojnë sesa të zëvendësojnë. Krijohen programe të reja, ndërsa ato të vjetruara vazhdojnë të ekzistojnë; futen lëndë të reja, por të vjetrat mbeten në kurrikula; ngrihen zyra të reja administrative, ndërsa strukturat ekzistuese ruhen; krijohen qendra ndërdisiplinore, por kufijtë tradicionalë mes departamenteve mbeten, në pjesën më të madhe, të paprekur.

Rezultati është një proces që mund ta quajmë sedimentim institucional: çdo brez depoziton një shtresë të re organizative mbi shtresat e krijuara nga brezat paraardhës, pa i zëvendësuar domosdoshmërisht ato. Me kalimin e kohës, këto shtresa mbivendosen; disa humbasin funksionin që dikur justifikonte ekzistencën e tyre, por vazhdojnë të ruhen, të tjera fosilizohen, ndërsa struktura institucionale në tërësi bëhet gjithnjë e më e rënduar, më e ndërlikuar dhe më rezistente ndaj ndryshimit.

  1. Universiteti si organizatë me lidhje të dobëta

Një tjetër arsye përse universitetet u rezistojnë transformimeve të shpejta lidhet me vetë natyrën e tyre si organizata të pazakonta. Karl Weick (1976) i përshkruante institucionet arsimore si sisteme me lidhje të dobëta (loosely coupled systems). Njësitë që i përbëjnë ato janë të ndërvarura, por njëherësh ruajnë një shkallë të konsiderueshme autonomie dhe nuk i nënshtrohen një kontrolli të rreptë hierarkik.

Një rektor ose president universiteti mund ta drejtojë formalisht të gjithë institucionin, por fakultetet dhe departamentet gëzojnë një autonomi të konsiderueshme; brenda tyre, profesorët dhe anëtarët e tjerë të stafit akademik ushtrojnë, përgjithësisht, një shkallë të lartë pavarësie në mësimdhënie dhe kërkim. Për këtë arsye, një vendim i marrë në qendër të universitetit nuk përkthehet domosdoshmërisht, as menjëherë dhe as në mënyrë uniforme, në ndryshimin e praktikave akademike në të gjitha njësitë e tij.

Kjo veçori i dallon universitetet nga korporatat, ushtritë, ministritë dhe shumë organizata të tjera me struktura më të forta hierarkike. Drejtuesi ekzekutiv i një korporate mundet, në rrethana të caktuara, të riorganizojë sektorë të tërë, të ndërpresë linja prodhimi, të rishpërndajë burime ose të zëvendësojë drejtues relativisht shpejt. Një rektor ose president universiteti që përpiqet të ndërmarrë ndryshime të krahasueshme ndeshet me një arkitekturë shumë më të shpërndarë të autoritetit: senate akademike, borde administrimi, fakultete dhe departamente, procedura akreditimi, garancitë që ofron statusi akademik i përhershëm (tenure), aty ku ky ekziston, tradita disiplinore, komisione, norma profesionale, rregullime shtetërore dhe interpretime të ndryshme, madje konkurruese, të autonomisë universitare dhe lirisë akademike.

Pushteti në universitet nuk është, pra, thjesht hierarkik; ai është i difuzuar mes shumë aktorëve dhe niveleve të autoritetit. Kjo e bën ndryshimin jo vetëm më të vështirë për t’u imponuar nga lart, por edhe më të ngadaltë dhe më të pabarabartë në përhapjen e tij në të gjithë institucionin.

Nëse Weick na ndihmon të kuptojmë dobësinë relative të lidhjeve mes pjesëve të universitetit, Robert Birnbaum (1988), në veprën e tij të njohur How Colleges Work, e zgjeron analizën duke treguar se këto institucione funksionojnë njëkohësisht sipas disa logjikave organizative. Universitetet nuk mund të kuptohen në mënyrë adekuate vetëm përmes modelit konvencional të një burokracie hierarkike, sepse brenda tyre bashkëjetojnë forma të ndryshme autoriteti, organizimi dhe vendimmarrjeje.

Birnbaum dallon katër modele: modelin kolegjial, në të cilin autoriteti dhe vlerat ndahen brenda një komuniteti profesionistësh; modelin burokratik, të mbështetur në struktura, rregulla dhe procedura formale; modelin politik, në të cilin grupe të ndryshme konkurrojnë për pushtet, ndikim dhe burime; dhe modelin “anarkik”, të karakterizuar nga qëllime jo gjithmonë të qarta, pjesëmarrje e ndryshueshme dhe procese vendimmarrjeje që jo domosdoshmërisht janë të koordinuara.

Në praktikë, këta modele nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, elemente të tyre bashkëjetojnë dhe ndërthuren brenda të njëjtit universitet. Një vendim mund të merret përmes procedurave burokratike, të negociohet politikisht mes grupeve me interesa të ndryshme, të kërkojë legjitimitetin e komunitetit kolegjial dhe, në zbatimin e tij, të prodhojë rezultate jo plotësisht të parashikueshme. Pikërisht kjo ndërthurje e logjikave kolegjiale, burokratike, politike dhe, herë-herë, “anarkike” e bën universitetin një organizatë veçanërisht komplekse dhe reformimin e tij shumë më të vështirë nga sa mund të sugjerojë organigrama apo struktura e tij formale.

Këtij kompleksiteti i shtohet edhe një karakteristikë tjetër themelore: universiteti organizohet njëkohësisht vertikalisht, sipas niveleve të autoritetit administrativ, dhe horizontalisht, sipas disiplinave dhe fushave të dijes. Në dimensionin vertikal, autoriteti dhe përgjegjësitë shpërndahen mes niveleve të ndryshme të organizimit: rektori mendon dhe vepron në nivelin e institucionit, dekani në atë të fakultetit, ndërsa departamenti kujdeset kryesisht për interesat dhe zhvillimin e disiplinës ose të fushës që përfaqëson.

Në dimensionin horizontal, profesorët dhe studiuesit identifikohen jo vetëm me universitetin ku punojnë, por edhe—dhe ndonjëherë më fort—me disiplinën dhe komunitetin e tyre shkencor, kufijtë e të cilëve shtrihen përtej institucionit dhe shpesh përtej vetë vendit. Këto nivele të ndryshme përkatësie, autoriteti dhe interesi nuk përputhen gjithmonë me njëri-tjetrin. Pikërisht nga mospërputhja e tyre lind një nga vështirësitë themelore të reformimit të universitetit.

Administrata e universitetit, për shembull, mund ta konsiderojë të domosdoshëm zhvillimin e programeve ndërdisiplinore, ndërsa departamentet mund t’i perceptojnë ato si kërcënim për burimet, autonominë ose identitetin e tyre disiplinor. Qeveria mund të kërkojë rritjen e produktivitetit shkencor, ndërkohë që kriteret e promovimit akademik vazhdojnë të shpërblejnë më shumë vjetërsinë në punë dhe kualifikimet formale sesa cilësinë dhe ndikimin e kërkimit. Drejtuesit e universitetit mund ta shpallin ndërkombëtarizimin një objektiv strategjik, ndërsa rekrutimi i stafit akademik mbetet pothuajse tërësisht brenda vendit dhe lidhjet ndërkombëtare reduktohen kryesisht në marrëveshje formale dhe vizita afatshkurtra. Po kështu, mund të inkurajohen metoda novatore të mësimdhënies, ndërkohë që kriteret e vlerësimit, organizimi i kurrikulave dhe praktikat e konsoliduara vazhdojnë të favorizojnë leksionin tradicional dhe provimin konvencional.

Reformimi i universitetit, nuk pengohet domosdoshmërisht nga një kundërshtim i hapur ndaj ndryshimit. Shpesh rezistenca më e fortë është e ngulitur në vetë strukturën dhe mënyrën e funksionimit të institucionit. Një pjesë e universitetit mund të kërkojë ndryshimin, ndërsa një tjetër vazhdon të veprojë sipas rregullave, stimujve dhe praktikave të vjetra. Shteti ose drejtuesit e universitetit mund të shpallin objektiva të reja, ndërkohë që mekanizmat përmes të cilëve institucioni funksionon çdo ditë vazhdojnë të riprodhojnë mënyrat e konsoliduara të të menduarit dhe të vepruarit. Në këtë kuptim, inercia institucionale nuk shfaqet gjithmonë si refuzim i reformës; ajo mund të veprojë shumë më heshtur, duke e pranuar ndryshimin në nivelin formal, por duke e neutralizuar atë në praktikën e përditshme.

  1. Kultura akademike si institucion i padukshëm

Strukturat formale, megjithatë, përbëjnë vetëm një pjesë të problemit. Universitetet kanë edhe kultura organizative të fuqishme, të formuara dhe të rrënjosura përgjatë kohës. Edgar Schein (1985) bënte dallim mes aspekteve të dukshme të kulturës organizative dhe supozimeve më të thella përmes të cilave anëtarët e një organizate perceptojnë, interpretojnë dhe i japin kuptim realitetit të tyre institucional. Këto të fundit janë veçanërisht rezistente ndaj ndryshimit, sepse, me kalimin e kohës, pushojnë së perceptuari si zgjedhje apo si mënyra të mundshme veprimi dhe fillojnë të merren si të mirëqena. Ato shndërrohen, me fjalë të tjera, në atë që konsiderohet thjesht “mënyra se si bëhen gjërat”.

Jeta akademike është e mbushur me supozime të tilla, shumë prej të cilave veprojnë pa u artikuluar ndonjëherë shprehimisht. Si duhet të japë mësim një profesor? Çfarë konsiderohet kërkim shkencor serioz? Kush meriton të promovohet dhe sipas cilave kritere? Sa autoritet duhet të kenë profesorët me përvojë dhe status më të lartë? Çfarë standardesh duhet të përmbushë një disertacion? Cilat revista shkencore konsiderohen të rëndësishme? Si duhet t’u drejtohen studentët profesorëve? Si duhet të shpërndahen lëndët brenda një departamenti? Kush mund të kritikojë kë dhe deri ku mund të shkojë kjo kritikë? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk gjenden vetëm në statute, rregullore apo kode formale; ato janë të ngulitura në kulturën e institucionit dhe transmetohen, shpesh në mënyrë të heshtur, nga një brez akademik te tjetri.

Një pjesë e konsiderueshme e jetës akademike rregullohet, pra, jo vetëm nga normat formale, por edhe nga tradita, rregulla të pashkruara, pritshmëri të heshtura, hierarki profesionale dhe marrëdhënie informale (Kienast 2023). Pikërisht kjo shpjegon përse ndryshimi i legjislacionit për arsimin e lartë është shumë më i lehtë sesa ndryshimi i kulturës universitare. Një qeveri mund të miratojë një ligj të ri brenda disa muajsh; një universitet mund të ndryshojë rregulloret e veta brenda disa javësh; një senat mund të marrë vendime të rëndësishme në një mbledhje të vetme; një departament mund të miratojë një kurrikulë të re brenda një pasditeje. Por asnjë prej këtyre ndryshimeve nuk garanton se pedagogët do të japin mësim ndryshe, se studiuesit do të kryejnë kërkime shkencore më cilësore, se departamentet do të bëhen më meritokratike apo se studentët do të mësojnë më mirë.

 Ndryshimi formal, me fjalë të tjera, nuk është domosdoshmërisht ndryshim institucional. Rregullat mund të ndryshohen me një vendim; kulturat jo. Ato transformohen shumë më ngadalë, përmes ndryshimit të normave, pritshmërive, stimujve, praktikave dhe mënyrave të të menduarit që janë rrënjosur dhe riprodhuar përgjatë kohës.

  1. Interesat, pushteti dhe politika e reformës

Universitetet i rezistojnë ndryshimit edhe sepse çdo rregullim institucional, me kalimin e kohës, krijon përfituesit dhe mbështetësit e vet. Departamentet përpiqen të ruajnë buxhetet dhe pozicionet e tyre; profesorët, territoret disiplinore; administratorët, funksionet dhe kompetencat që ushtrojnë; fakultetet, programet që kanë ngritur; grupet profesionale, standardet e kualifikimit dhe kredencialet që kontrollojnë; ndërsa individët, pozicionet dhe privilegjet e fituara sipas rregullave ekzistuese. Ajo që fillimisht mund të ketë qenë thjesht një zgjidhje organizative, me kalimin e kohës mund të shndërrohet në një strukturë interesash të rrënjosura, ruajtja e së cilës bëhet, në vetvete, një burim rezistence ndaj ndryshimit.

Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht korrupsion, oportunizëm apo keqbesim. Aktorë të ndryshëm e perceptojnë natyrshëm reformimin e universitetit nga pozicionet që zënë brenda tij, nga përgjegjësitë që ushtrojnë dhe nga interesat që përfaqësojnë. Ajo që drejtuesve të universitetit u duket racionalizim, një departamenti mund t’i duket margjinalizim; ajo që akademikëve më të rinj u duket reformë meritokratike, profesorëve tashmë të konsoliduar mund t’u duket cenim i statusit të fituar ndër vite.

 Universitetet, pra, janë sa bashkësi intelektuale, aq edhe sisteme politike. Siç kanë treguar studimet klasike mbi organizimin akademik, jeta universitare zhvillohet përmes komuniteteve profesionale dhe disiplinore, por njëherësh edhe përmes marrëdhënieve të pushtetit, konkurrencës për burime dhe ndikim, konflikteve të interesit, formimit të koalicioneve dhe negociatave mes grupeve të ndryshme brenda institucionit (Baldridge 1971; Clark 1987).

Pikërisht për këtë arsye, reformimi i arsimit të lartë nuk rishpërndan vetëm burime; ai prek dhe rishpërndan gjithashtu statusin, autoritetin, ndikimin dhe prestigjin. Edhe reforma që, nga pikëpamja teknike, duken të arsyeshme mund të ndeshin rezistencë, sepse ndryshojnë ekuilibrat ekzistues të pushtetit dhe vënë në diskutim hierarki të konsoliduara. Kjo merr rëndësi të veçantë në sisteme ku titujt akademikë, pozicionet drejtuese dhe hierarkitë institucionale kanë fituar një vlerë të konsiderueshme jo vetëm profesionale, por edhe shoqërore.

Në rrethana të tilla, ngritja e standardeve nuk është një veprim thjesht teknik: ajo mund të vërë në pikëpyetje kredenciale të dhëna më parë, kriteret mbi të cilat janë ndërtuar karriera dhe statuset e fituara mbi bazën e tyre. Për rrjedhojë, ata që kanë përfituar më shumë nga rregullat ekzistuese mund të kenë edhe interesin më të madh për t’i ruajtur ato dhe, në këtë mënyrë, të shndërrohen në mbrojtësit më të vendosur të status quo-së institucionale.

  1. Reforma formale dhe ndryshimi institucional

Mund të mendohet se krizat dhe trysnitë e jashtme i detyrojnë universitetet të modernizohen. Përvoja historike, megjithatë, tregon se kjo nuk ndodh domosdoshmërisht. Organizatat shpesh u përgjigjen trysnive jo përmes transformimit rrënjësor, por përmes përshtatjes: ato ndryshojnë aq sa është e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të reja dhe për të ruajtur legjitimitetin e tyre, ndërkohë që strukturat, marrëdhëniet dhe praktikat themelore mund të mbeten, në një masë të konsiderueshme, të paprekura.

Universitetet janë veçanërisht të afta për një përshtatje të tillë. Ato hartojnë strategji të reja, krijojnë komisione dhe zyra të sigurimit të cilësisë, nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare, ngrenë qendra ekselence, ndërtojnë platforma digjitale, rishikojnë kurrikulat dhe përvetësojnë një terminologji të re institucionale. Masa të tilla mund të sjellin përmirësime reale dhe, në shumë raste, edhe i sjellin ato. Por mund të përmbushin gjithashtu një funksion kryesisht simbolik: të krijojnë pamjen e një institucioni që po modernizohet dhe po i përgjigjet kërkesës për ndryshim, pa prekur domosdoshmërisht strukturat, normat dhe praktikat që përcaktojnë funksionimin e tij real (Zsatku & Kováts 2023).

Dallimi mes reformës si formë dhe reformës si transformim është këtu thelbësor. Një universitet mund të ketë dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare dhe të mbetet intelektualisht provincial; mund të përvetësojë sistemin europian të krediteve pa ndryshuar mënyrën e mësimdhënies; mund t’u kërkojë profesorëve të botojnë pa krijuar një kulturë të mirëfilltë të kërkimit shkencor; mund të hapë programe doktorature pa pasur infrastrukturën intelektuale dhe kërkimore të domosdoshme për një formim serioz doktoral; mund të ndërtojë mekanizma të sofistikuar të sigurimit të cilësisë, ndërkohë që vazhdon të tolerojë standarde akademike mediokre. Forma mund të ndryshojë, terminologjia mund të modernizohet dhe procedurat mund të shumohen, ndërsa praktika akademike mbetet, në thelb, e njëjtë.

Në rrethana të tilla, modernizimi rrezikon të bëhet më shumë ceremonial sesa substancial—pikërisht ajo dukuri organizative që Meyer dhe Rowan (1977) analizuan duke treguar se strukturat formale mund të përvetësohen për të siguruar legjitimitet pa u integruar domosdoshmërisht në praktikën e përditshme të organizatës. Këtu qëndron edhe paradoksi: vetë reforma mund të shndërrohet në një mekanizëm të riprodhimit të inercisë institucionale. Duke përvetësuar format e ndryshimit pa transformuar përmbajtjen, institucioni krijon përshtypjen se po reformohet dhe, pikërisht në këtë mënyrë, mund të dobësojë trysninë për një transformim të mirëfilltë.

  1. Ndryshimi dhe koha

Inercia institucionale nuk duhet ngatërruar me palëvizshmërinë institucionale. Universitetet ndryshojnë dhe, në periudha të caktuara, transformohen rrënjësisht. Transformimi humboldtian i universitetit në shekullin XIX, lindja dhe konsolidimi i universitetit kërkimor amerikan, zgjerimi masiv i arsimit të lartë pas Luftës së Dytë Botërore, zhvillimi i shkencës laboratorike, hyrja gjithnjë e më e gjerë e grave në universitete, rritja e mobilitetit ndërkombëtar të studentëve dhe profesorëve, revolucioni digjital dhe globalizimi i kërkimit shkencor dëshmojnë se universiteti, me gjithë prirjen e tij të fortë për vazhdimësi, është i aftë për transformime të thella.

Transformime të tilla, përgjithësisht kanë kërkuar dekada; ato nuk kanë ndodhur brenda pak vitesh. Dimensioni kohor është këtu thelbësor. Universitetet nuk riprodhojnë vetëm struktura, norma dhe praktika; ato riprodhojnë vetveten përmes brezave akademikë. Profesorët formojnë studiuesit dhe pedagogët e rinj; këta, me kalimin e kohës, bëhen vetë profesorë dhe formojnë brezin pasardhës. Departamentet përcjellin tradita, standarde dhe kultura disiplinore, ndërsa vendimet që merren sot për rekrutimin dhe promovimin e stafit akademik mund të ndikojnë në cilësinë dhe kulturën e një institucioni për tridhjetë apo dyzet vitet e ardhshme. Një emërim i gabuar sot mund ta rëndojë një departament për dekada; anasjelltas, një politikë rekrutimi e mbështetur në meritë dhe në standarde të larta, e zbatuar me konsekuencë për një periudhë të gjatë, mund ta transformojë rrënjësisht atë.

 Reforma universitare, për këtë arsye, duhet menduar në terma brezash dhe jo mandatesh elektorale. Qeveritë mendojnë dhe veprojnë brenda horizonteve katërvjeçare; drejtuesit e universiteteve, po kështu, brenda mandateve që përcaktojnë ligji dhe rregullat institucionale. Universitetet, ndërkaq, transformohen përmes brezave intelektualë.

 Koha politike dhe koha akademike ecin me ritme të ndryshme. Politika kërkon rezultate të dukshme brenda një mandati; transformimi akademik kërkon kohë, vazhdimësi, standarde të qëndrueshme dhe politika që mbijetojnë përtej qeverive dhe drejtuesve të radhës. Pikërisht kjo mospërputhje mes kohës politike dhe kohës akademike është një nga arsyet përse reformat e arsimit të lartë premtojnë shpesh më shumë ndryshim dhe në më pak kohë sesa universitetet janë realisht në gjendje të realizojnë.

  1. Ndryshimi i mekanizmave të riprodhimit institucional

Pyetja kryesore, pra, nuk është thjesht: Si mund të ndryshohen universitetet? Një pyetje edhe më themelore është kjo: Si mund të ndryshohen mekanizmat përmes të cilëve universitetet riprodhojnë vetveten? Sepse një institucion nuk riprodhon vetëm strukturat e tij; ai riprodhon edhe njerëzit, standardet, vlerat, hierarkitë, praktikat dhe kulturën që përcaktojnë mënyrën e tij të funksionimit.

Nëse mënyra e rekrutimit mbetet e pandryshuar, universiteti do të vazhdojë të riprodhojë të njëjtin profil akademik.

Nëse kriteret e promovimit mbeten të njëjta, edhe sjellja akademike që ato shpërblejnë do të ndryshojë pak.

Nëse standardet e doktoraturës nuk ngrihen, brezi i ardhshëm i profesorëve do të trashëgojë shumë prej mangësive të brezit të mëparshëm.

Nëse financimi i kërkimit shkencor mbetet i papërfillshëm, deklaratat për krijimin e universiteteve kërkimore do të mbeten pikërisht kaq—deklarata.

Nëse ndërkombëtarizimi reduktohet në marrëveshje formale dhe vizita të shkurtra, në vend që të krijojë një integrim të qëndrueshëm në rrjetet ndërkombëtare të dijes dhe të kërkimit, provincializmi akademik do të mbijetojë nën petkun e një fjalori ndërkombëtar.

Dhe, nëse puna shkencore mediokre vazhdon të shpërblehet institucionalisht, mediokriteti nuk do të jetë më thjesht një mangësi individuale: ai do të rutinizohet dhe do të shndërrohet në një sjellje institucionalisht racionale.

Reformat me potencialin më të madh transformues janë ato që ndryshojnë stimujt, kriteret dhe mekanizmat përmes të cilëve universiteti riprodhon vetveten: mënyrën e rekrutimit të stafit akademik; standardet dhe cilësinë e formimit doktoral; financimin dhe organizimin e kërkimit shkencor; kriteret e promovimit akademik; vlerësimin rigoroz nga kolegët; ekspozimin ndaj konkurrencës dhe standardeve ndërkombëtare; mobilitetin akademik; autonominë institucionale të shoqëruar me llogaridhënie reale; si dhe diferencimin e universiteteve sipas misionit, kapaciteteve dhe performancës së tyre.

 Një reformë e arsimit të fillon të bëhet vërtet transformuese vetëm atëherë kur ndryshon jo thjesht mënyrën se si universiteti rregullohet dhe administrohet, por mekanizmat përmes të cilëve ai prodhon dhe riprodhon cilësinë—ose mediokritetin—e vet.

  1. Reforma si rindërtim institucional

Sociologjia e organizatave na ofron një mësim të rëndësishëm: institucionet, përgjithësisht, nuk transformohen thjesht duke i urdhëruar të ndryshojnë. Reforma e vërtetë kërkon ndryshimin e kushteve, stimujve dhe mekanizmave përmes të cilëve riprodhohen sjelljet dhe praktikat institucionale. Kjo është veçanërisht e vërtetë për universitetet, të cilat janë bashkësi profesionistësh, autoriteti i të cilëve mbështetet në dije dhe kompetenca të specializuara. Për këtë arsye, një reformë e qëndrueshme kërkon njëherësh trysni nga jashtë dhe legjitimitet nga brenda. E imponuar tërësisht nga lart, reforma mund të prodhojë pajtueshmëri formale pa transformim real; e lënë tërësisht në dorën e strukturave ekzistuese, ajo mund të zbehet, të përvetësohet vetëm formalisht ose të neutralizohet nga vetë inercia institucionale.

Sfida qëndron, pra, në gjetjen e një ekuilibri të vështirë: mes autonomisë dhe llogaridhënies, vazhdimësisë dhe inovacionit, vetëqeverisjes akademike dhe standardeve të jashtme kërkuese. Këtu shfaqet një paradoks që meriton të theksohet: inercia institucionale e universiteteve nuk është, në vetvete dhe në çdo rrethanë, e padëshirueshme. Përkundrazi, universitetet duhet të kenë aftësinë t’u rezistojnë modave intelektuale kalimtare, ndërhyrjeve politike, trysnive ideologjike dhe kërkesave që e reduktojnë vlerën e dijes në dobinë e saj të menjëhershme. Një universitet që nuk është në gjendje t’u rezistojë trysnive të tilla rrezikon të humbasë pikërisht autonominë intelektuale që përbën një nga arsyet themelore të ekzistencës së tij.

Njëfarë konservatorizmi institucional, pra, mund të mbrojë pikërisht ato vlera që e bëjnë universitetin një institucion të veçantë: lirinë akademike, dijen e akumuluar ndër breza, standardet disiplinore dhe pavarësinë intelektuale. Problemi fillon atëherë kur stabiliteti institucional pushon së mbrojturi standardet dhe fillon të mbrojë mediokritetin; kur tradita nuk shërben më si kujtesë institucionale dhe burim vazhdimësie, por shndërrohet në justifikim për të mos ndryshuar. Në këtë pikë, ajo që dikur mund të ketë qenë një forcë mbrojtëse e universitetit shndërrohet në pengesë për zhvillimin e tij.

Një universitet që ndryshon drejtim me çdo modë politike nuk është një universitet serioz. Por po aq pak serioz është një universitet që thërret traditën në ndihmë për të shmangur përballjen me mangësitë e veta. Objektivi i reformës, për këtë arsye, nuk mund të jetë ndryshimi për hir të ndryshimit, por krijimi i institucioneve të afta të dallojnë çfarë duhet ruajtur nga ajo që duhet ndryshuar dhe, mbi të gjitha, të zhvillojnë kapacitetin për vetëkorrigjim të vazhdueshëm.

Në fund të fundit, kjo mund të jetë një nga karakteristikat përcaktuese të universitetit modern: jo një institucion që transformohet njëherë e përgjithmonë, por një institucion që është vazhdimisht i aftë të transformojë vetveten.

  1. Përfundim

Universitetet janë të vështirë për t’u reformuar pikërisht sepse janë institucione, jo thjesht organizata. E tashmja e tyre mbart të kaluarën. Strukturat shndërrohen në tradita; traditat krijojnë pritshmëri; pritshmëritë prodhojnë interesa; interesat përkthehen në pushtet; ndërsa pushteti, nga ana e vet, ndihmon në ruajtjen dhe riprodhimin e strukturave prej të cilave ka lindur. Inercia institucionale, pra, nuk është një pengesë aksidentale që shfaqet gjatë reformimit të universitetit; ajo është një nga karakteristikat sociologjike themelore të vetë universitetit si institucion.

Të kuptuarit e kësaj veçorie ka pasoja të drejtpërdrejta praktike. Një reformë serioze e arsimit të lartë nuk mund të matet me numrin e ligjeve të miratuara, strategjive të hartuara, procedurave të akreditimit të vendosura, marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara apo organigramave të rihartuara. Të gjitha këto mund të jenë të nevojshme; por asnjëra prej tyre, veçmas apo të marra së bashku, nuk dëshmon se universiteti ka ndryshuar realisht. Reforma nuk duhet gjykuar nga arkitektura formale që krijon, por nga praktikat, standardet dhe sjelljet institucionale që arrin të ndryshojë.

Prova e vërtetë, siç kam argumentuar më sipër, është nëse kanë ndryshuar mekanizmat përmes të cilëve institucionet akademike riprodhojnë vetveten. Kush bëhet profesor dhe sipas cilave standarde? Çfarë lloj pune shkencore vlerësohet dhe shpërblehet? Si formohen akademikët e rinj? Çfarë pasojash ka mediokriteti dhe si shpërblehet ekselenca? Sa i hapur është institucioni ndaj konkurrencës intelektuale ndërkombëtare? Sa dhe si ushqen kërkimi shkencor mësimdhënien? Sa lehtë mund të mbyllen programe që e kanë humbur arsyen e ekzistencës dhe sa hapësirë krijohet për lindjen dhe zhvillimin e fushave të reja të dijes?

Në përgjigjet që u japim këtyre pyetjeve, shumë më tepër sesa në tekstet e ligjeve dhe të strategjive, gjendet masa reale e transformimit universitar. Ato tregojnë nëse reforma ka depërtuar në thelbin e institucionit apo vetëm ka ndryshuar fasadën e tij.

Të transformosh një universitet është e vështirë, sepse kërkon të ndryshosh jo vetëm rregullat, por edhe rutinat; jo vetëm strukturat, por edhe interesat; jo vetëm kurrikulat, por edhe shprehitë intelektuale; jo vetëm mënyrat e organizimit, por edhe kulturën akademike. Dhe, mbi të gjitha, kërkon të ndryshosh mënyrën se si universiteti formon brezin që do ta riprodhojë atë nesër. Pikërisht për këtë arsye, reforma e mirëfilltë universitare nuk mund të jetë një ndërhyrje episodike; ajo është domosdoshmërisht një projekt afatgjatë.

Inercia institucionale e krijuar dhe përforcuar përgjatë dekadave nuk mund të kapërcehet brenda pak vitesh. Por ajo mund të kapërcehet, nëse reforma pushon së konceptuari si një ngjarje politike—një ligj i ri, një mandat qeverisës, një strategji apo një paketë masash—dhe fillon të kuptohet si një proces i qëndrueshëm, koherent dhe afatgjatë rindërtimi institucional.

Me fjalë të tjera, universiteti nuk ndryshon vërtet kur ndryshojnë vetëm rregullat që e drejtojnë; ai ndryshon kur ndryshojnë njerëzit që formon, standardet që mbron, sjelljet që shpërblen dhe kultura akademike që transmeton nga një brez te tjetri.

 

* Referencat e përdorura nga autori në këtë ese janë hequr, me pëlqimin e tij, nga Redaksia.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Parandalohet vrasja pas një konflikti me armë në Divjakë, arrestohen 6 persona
  • Universiteti nën peshën e së shkuarës: Pse ndryshimi është kaq i vështirë
  • “Nuk do ta njohim Kosovën”, Rama i shkruan Zelenskyt: Nacionalistët reaguan kundër Ukrainës, por ne nuk ndikohemi
  • E moshuara e vetmuar ua lë shtëpinë trashëgimi fretërve kapuçinë, ajo që gjejnë fshehur në dollap i befason të gjithë
  • Situata nga zjarret, 12 vatra aktive në disa zona të vendit

Komentet e Fundit

  1. Agron on “Nuk do ta njohim Kosovën”, Rama i shkruan Zelenskyt: Nacionalistët reaguan kundër Ukrainës, por ne nuk ndikohemi
  2. xxx on Avokatët europianë kritikojnë kërcënimet me ndjekje penale ndaj Gentian Sejranit
  3. ¿? on Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, me vetëdeklarim
  4. ¿? on Tha se Serbia e humbi Kosovën, Rama reagon ndaj kritikave nga Prishtina: Ushtri trollësh nacionalistë turbo-folk
  5. Argita on Atentati ndaj gazetarit, biznesmeni italian e pranon: Unë e urdhërova sulmin, e bëra për të mirën e tij

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?