Maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që duan të konkurojnë për universitetin, duke nisur nga dita e djeshme, e deri në datën 3 gusht, duhet të aplikojnë në portalin online për të plotësuar formularin A2, ku mund të listojnë 10 preferencat me të cilat do të garojnë për kuotat e Raundit të parë të pranimeve për vitin e ri akademik 2023-2024.
Aplikimet do të lejohen vetëm për kandidatët që kanë shlyer në kohë pagesën prej 2,000 lekësh të aplikimit, si dhe që plotësojnë kushtin për mesataren minimale të konkurimit që është miratuar nga qeveria për çdo program studimi.
Sipas kalendarit të shpallur nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, për raundin e parë aplikimi për preferencat do të zhvillohet në datat 29 korrik-3 gusht.
Aplikimi mund të kryhet vetëm nga portali “U-Albania”, duke aksesuar në adresën: www.ualbania.al . Në vijim të shkrimit gjeni videon e plotë me të gjithë hapat që duhet të ndiqni per plotësimin e Formularit A2.
Pasi të hapet faqja përkatëse, duhet të klikoni mbi butonin “Aplikimi A2/A3”, ku do të shfaqen tre butona të tjerë që janë: “Maturantë, Mësues dhe Universitet”.
Klikoni mbi butonin “Maturant”, për të hyrë në hapësirën e Maturantit. Pas këtij veprimi duhet që të plotësoni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin, teksa do tju hapet edhe faqja me të dhënat tuaja personale.
Faqja përmban 3 seksione: Seksioni i informacioneve personale, Seksioni i faturës dhe Seksioni i aplikimit. Në seksionin e informacioneve personale do shikoni të dhënat tuaja. Në seksionin e faturës, keni shkarkuar faturën për arkëtim, me të cilën keni kryer pagesën pranë Postës Shqiptare ose në bankë. Fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), me të cilin keni konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar plotësimin e preferencave.
Në seksionin e aplikimit mund të shikoni statusin e aplikimit tuaj. Statusi i aplikimit mund të jetë në 2 gjendje: 1. Statusi kur nuk keni konfirmuar ende pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, si dhe Statusi që tregon se aplikimi është konfirmuar tregon se ju keni përfunduar me sukses plotësimin e preferencave. Pasi pagesa e faturës tuaj të jetë konfirmuar do ju shfaqet mesazhi “Fatura juaj është konfirmuar” në seksionin e faturës, tashmë ju mund të plotësoni preferencat tuaja, fillimisht duke zgjidhur Universitetin, dhe më pas, programin e studimit. Mund të plotësoni deri në 10 preferenca.
Pasi të keni plotësuar preferencat, klikoni mbi butonin ‘Konfirmo’ 2. Do ju shfaqet modali i konfirmimit, ku duhet të vendosni kodin e aplikimit që gjendet tek kopja juaj e faturës, me të cilën keni kryer konfirmimin. Vendosni kodin e aplikimit në fushën përkatëse, dhe klikoni butonin “Konfirmo”. Në këtë moment, aplikimi juaj është konfirmuar dhe do t’ju shfaqet butoni “Shkarko” për të vijuar me printimin dhe ruajtjen e aplikimit. Ky hap shënon dhe fundin e aplikimit për pranimet e Raundit të parë.
