Nga Bashkim Koçi
Më ka mbetur në mendje qëndrimi i një “profesori” në një nga Universitetet tona publike ndaj të kaluarës të prindërve të tij, ish luftëtarë dhe me shumë kontribute për shoqërinë dhe vendin, qëndrim që edhe një njeri i thjeshtë, nuk kish për ta besuar kurrë. “Profesorit” dikush i vajti tek institucioni ku punonte dhe i kërkoi dosjen e babait dhe informacion shtesë, me mendimin që t’i përgatiste një monografi sepse, me aq sa dinte rreth të kaluarës së tij, ai e meritonte diçka të tillë, madje, sipas tij, ishte një borxh i pashlyer, sidomos për atë që ai kishte sakrifikuar në luftën NÇ. Shkrimtari kishte mbetur i shastisur dhe pa mend kur dëgjoi përgjigjen e “profesorit”: “nuk di të ketë luftuar babi im”. Ashtu i hutuar nuk kish qenë në gjendje të polemizonte me të, madje i ish kyçur goja, i pafuqishëm të përballonte pafytyrësinë e tij, në mos i ish dukur sikur përpara ishte jo “profesori”, por një djall.
Historia është dëshmitare e së shkuarës, është dritë e së vërtetës. Shumë më shumë mer vlera kjo gjë kur na duhet të përjetësojmë rrënjët e familjes tonë, të individëve të veçantë brenda saj, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë lajmsjellës të bëmave të tyre në kohëra relativisht të largëta. Gjej rastin të sjell dhe të bëj të njohur shpirtin e madh të një pukjani të thjeshtë, Vladimir Marashit, (që nuk i ngjan fare “profesorit”, atij që di çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjësë), të cilin nuk e zinte gjumi për të zëvendësuar babanë pas ndarjes nga jeta, si ish veteran i Luftës NÇ, duke u radhitur në këtë organizatë si pasardhës veterani.
Vladimir Marashi, ndoshta pse ka punuar si mekanik, pra me hekura, ka një karakter vërtetë të hekurt. Ai nuk e shikon të kaluarën si diçka që të mund ta diktojë të ulë kokën. Përkundrazi. Punën ai e quan punë, të barasvlefshme në të gjitha kohërat. Madje ndjehet mirë kur përmend vlerësimet që i janë bërë në vite si mjeshtër në zanatin e vet, apo edhe për çështje shoqërore të cilat sot dikujt i duken “relike të pavlerë”. Në një dosje të veçantë, të mbajtur me shumë kujdes, Vladimiri ka “arkivin” personal ku disa Fletë Nderi, Certifikata apo Medalje të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, mbajnë “të shkruar dhe të dokumentuar” edhe historinë e jetës së tij, të të gjitha përpjekjeve që ka bërë aty ku punoi, e që sot, pas 30 viteve demokraci, të mbetet ai që mbajnë mend bashkëkohësit e tij, “Vladimir Marashin që ka punuar me ndërgjegje të lartë”.
***
Vlerat njerëzore të Vladimir Marashit janë tek shpirti i tij i madh, tek dinjiteti i tij e që për ta ruajtur nga çdo përbaltje, kur është fjala për të, nuk ka bërë e nuk bën asnjë kompromis. Dhe ky kufi ndarës, në mes dinjitetit dhe kompromisit, ka gjetur rast të mos tolerohet tek kujdesi që ai tregon për ruajtjen e trashëgimisë prindërore, pasuri që, sipas tij, as nuk mund të shitet e as të mund të blihet. Ai këto vlera i çmon si “të florinjta”, duke i konsideruar rrënjë që duhen përcjellë nga brezi në brez, e në këtë rast, për t’ia u lënë trashëgim fëmijëve të tij e më tutje.
Për ç’vlera bëhet fjalë, cilat janë bëmat e prindërve të tij që i biri, Vladimir Marashi i çmon e se pa ato nuk mund të ecet përpara, nuk mund të jesh njeri me dinjitet këtu brenda, por edhe jashtë, nëpër rrugët e botës. Është ngarkesë punësh e një jete të tërë. Ai në krye të të gjitha vlerave vendos pjesëmarrjen e babait, Ndoc Kol Marashit, në luftën Nacionalçlirimtare, si partizan, i cili mori pjesë me armë në dorë kundër pushtuesit. Nuk mund të ecim kurrë përpara, thotë Vladimir Marashi, pa krenarinë e së shkuarës, ca më shumë kur bëhet fjalë për një luftë që na ka bërë të ndjehemi me kokën lart edhe përpara shteteve të fuqishëm të botës. Dokumentin që vërteton pjesmarrjen e babait në luftën NÇ, ai e ruan si gjë të shenjtë, i prirur që ajo dëshmi të jetë e tillë, pra pronë e fisit Marashi, brez pas brezi, sidomos tek ky i sotmi, duke e vlerësuar si amanet të gjyshit për të mos i harruar sakrificat, gjakun e derdhur për këtë vend të mezimbrojtur nga ata që kanë dashur ta asimilojnë. Madje çmimi me të cilin është fituar kjo liri ka qenë i shtrenjtë, që u jep të drejtën ta mbajnë kokën lart, sot e sa të jenë në jetë breza të tjerë njerëzish të fisit Marashi. Gjyshi Ndoc, për ata, të vegjël e të mëdhenj, është gur themeli, qëndrestari që i dha drejtimin e duhur historisë së fisit, por që mbetet edhe si frymëzues për t’u bërë ballë sulmeve djallëzore që bëjnë sot e gjithë ditën humbësit për të hedhur baltë mbi luftën NÇ dhe mbi ata që e bënë këtë luftë.
Ky djalë pukjan i fisit Marashi, të zbritur në qytetin e Pukës nga fshati Fiezë në vitet e pasçlirimit, e ka ndjekur veprimtarinë e babait jo nga të thënat e tij, pra të babit, por nga të shkruarat, nga vlerësimet që i janë bërë nga organizata masash, nga organe të pushtetit vendor dhe, pse jo, edhe nga ata në shkallë vendi. Për të gjitha këto vlerësime Vladimiri ka marrë miratimin e vëllait, Kujtimit dhe motrës Vera që t’i ruajë, të mirëkujdeset që të mbeten ashtu si ua ka dorëzuar baba Ndoci, me porosinë e nxjerrë nga shpirti i tij: këtu, në këto letra do të më gjeni mua, cili kam qenë dhe ç’i kam dhënë në një jetë të tërë familjes, vendit tim dhe shoqërisë. Kur çfletova “arkivin” që ka lënë Ndoc Kol Marashi pashë dhe lexova me sytë e mi vlerësime që mu dukën “të çuditëshme”, që datonin këtu e 75 vjet më pare, të viteve të para të pasçlirimit. S’paska gjë më të bukur, por edhe emocionuese, kur shikon firma të kuadrove me emër të luftës partizane, të luftëtarëve si Zenel Islamit (Luli i vocërr i Migjenit). Mëhill Doçit, Sadik Bocajt e shumë të tjerë që drejtonin rrethin e Pukës në ata vite, të cilët sapo kishin zbritur nga malet, me pushkët të varura në zyrat ku punonin, aty ku kishin marë përsipër të drejtonin popullin në punë për ndërtim e transformim. Dokumente të kësaj natyre të viteve të pasçlirimit, nuk kisha parë të ruajtura e të mblojtura aq me merak, veçse në muzeume. Dhe teksa njihem me këto letra të zverdhura nga koha, mendja më shkon tek “profesori”, tek ai që nuk pati turp t’u thoshte dy intelektualëve, dashamirës të babait, “nuk di që babai im të ketë luftuar!”
***
Po ç’mban brenda, pse është aq “e rëndë” dosja e Ndoc Kol Mirashit? Ja pse. Aty ndodhen dëshmitë që vërtetojnë se ai ka qenë pjesëmarrës në Luftën NÇ; që ka qenë anëtar i Organizatës së Veteranëve e të pasardhësve të LANÇ, deri në momentet e fundit të jetës së tij; dëshmia që ka përfituar Statusin e Veteranit; dekorata të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe disa Certifikata e Fletë-Nderi të marra si vlerësim moral për punën në ndërmarrje e institucione ku ka punuar për një jetë të tërë. E si të mos mbajë, po ashtu, një fotografi ku gjyshi i tij Kol Mëhilli, çfaqet në një foto të 15 nëntorit të vitit 1912, në çastin kur bashkë me të tjerë patriot të asaj zone, ngre flamurin e pavarësisë?!. Aty, në atë dosje, ndodhet edhe diçka tjetër akoma më e rëndë. Është një vendim që mban datën 7 Prill të viti 1980 me anën e të cilit Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit të Pukës e shpall shtëpinë e Ndoc Kol Marashit “Bazë të Luftës Nacionalçlirimtare”.
Disa nga këto çmime Ndoc Kol Marashi e paskësh marrë herët, atëherë kur, për shkak të afërsisë të viteve të punës me ata të luftës, Fleta e Nderit kishte në vend të vulës simbolin e “Yllit Partizan”. Një gjë që vërtet të vë në mendim dhe të dikton të bësh pyetjen: përse të jetë Ylli Partizan simbol në një Fletë Nderi? Dhe përgjigjen ta jep vetë ai, Ylli partizan: sepse sapo kishin dalë nga lufta. Dhe ky yll-simbol për Ndoc Kol Marashin do të mbetej udhërrëfim për të mos u lodhur kurrë për të bërë punë të mbara, për të mos e zhgënjyer veten dhe shokët për betimin që kishin bërë atëhere, kur shkuan në luftë se atë, pra Yllin Partizan, se për çdo gjë që do të vinte më pas, do të shkonin dhe do ta bënin me zemër.
Vladimir Marashi, si për të mos e “zemëruar” nënën, ja ka ruajtur të shkruara “marrëzitë” e saja si një femër që, në moshë fare të re, mori përsipër të ishte e para në krye të lëvizjeve për emancipimin e gruas pukjane. Atij nuk i vjen zor të të tregojë se nëna e tij, Shkurte Marashi (Gjura), kish qenë ndër të parat femra që ish veshur “allafrënga”, duke u bërë kështu një ndër vajzat “e pabindura” ndaj Kanunit. Ishte viti 1947 kur Shkurte Marashi u vu në krye të vullnetarëve të rinisë pukjane për të punuar 4 muaj, pa u shkëputur, në ndërtimin e hekurudhës Lekaj-Kavajë. Dikujt sot, vajzë apo djalë qoftë, mund t’i duket lajthitje, sikur të të ketë ikur truri, që dikush ka bërë punë vullnetare, pa të të shkuar mendja tek paraja, tek shpërblimi. E ja, këtë gjë, e kanë bërë mijëra e mijëra të rinj e të reja për të ndërtuar vepra të mëdha, të thanin këneta, të mbillnin mijëra hektarë me agrume, ullinj e vreshta, por që sot nuk janë më, ranë e u bënë “fli për demokracinë”.
Shkurte Marashi për një kohë relativisht të gjatë mbajti funksionin e kryetares së organizatës së gruas për rrethin e Pukës. Nuk la fshat pa e shkelur me këmbë, nuk la grua e vajzë pukjane pa e takuar e pa biseduar rreth lëvizjes së madhe të asaj kohe, për emancipimin e gruas malësore. Dhe sa sjell këtë fakt nga jeta e një gruaje nga Puka me emrin Shkurte, më dalin si për të më prishur gjakun emrat e dhjetra shoqatave të grave sot, kryetaret e tyre që dalin të pispillosura nëpër televizione e ku flasin pa iu skuqur faqja për të drejtat e grave, për dhunim dhe prostitucion, kur të gjithë e dimë, i shohin përditë se ç’ndodh me femrën shqiptare, me ato, kur Shkurte Marashi tre çerek shekulli më pare, punonte për t’u bërë pjesë e edukimit dhe arsimimit, e emancipimit që hidhte dritë në jetën e tyre.
E dhimbshme, por është e vërtetë. Sot njerëzit druhen për të mbrojtur virtytet e mira të së shkuarës, në mos disave u vjen turp të thonë se gjyshi i tij ka qenë komunist, se ka luftuar e është ndeshur me të keqen në emër të një ëndrre, apo se ka qenë vullnetar në ndërtimin e veprave të mëdha gjatë viteve të sistemit që lamë pas. Por është virtyt të pranojmë se është më mirë të humbasim ndonjë betejë duke mbrojtur ëndrrat tona, sesa të mposhtemi pa e ditur se për çfarë po luftojmë. Ndoc e Shkurte Marashi janë të tillë, mbrojtën një ëndërr për të cilët i biri, Vladimiri, është gati t’u ngreje ndoshta edhe një monument. Ai tashmë ka kohë që i është bashkëngjitur Organizatës të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ, “Nderi Kombit”, duke bërë kështu bashkë amanetin e dy prindërve, Shkurte e Ndoc Marashi, më atë të detyrimit të tij moral e shpirtëror, për të mbetur kështu besnik, kësaj fjalëze magjike që lidh brezat.

Bashkim Koci, mw tw lumtw ajo mwndie komanduar atw PENW-kwtw shkrim tw pwrkryer sjellw, pwr kwtw famile tw nderuar tw Vladimir Marashit,shwmbwltyrw Ky,pwr gjithw PASARDHWSIT e VETERANWVE! qw PARAPRIN ngre lart Virtute, tw Famlies Atdhtare-Shqiptare;si AJO-MARASHI.
Ju pwrshwndes Juve,vecanwrisht pwrkohwn qw po pwrjetojmw. Mw fal se po bwj njw krahasim si tw kini shkruar pwr FISIN *Zavalani*(Mendu i pari i tyre dhwnw jetwn kry cetwsPV, i apo*XHOGA* tw Zavalanit- Me Kapdan Jano.P Xhoga.rwnw mw 10 dhjetor 1913 nw mbrojti tw PV.Shpalur nga i madhi- Ismail Qemali me shokw. Sa Pasuesit e tyre,krnari nw luftwn N.Cl.sa Rindwrtimin dhe ndwrtimin e vwndit…Dh njw herw ju pwrshwnds i ndruari Bashkim Koci sa Gaztw botuar sshkrimin Tuaj-si gjithnjw-ATDHETAR! Ju priftw mira ju dhe ATDHEUN tonw!