Ish-ambasadori shqiptar Zef Mazi tha se diplomacia e Shqipërisë zhvilloi një betejë të gjatë dhe shpesh të padukshme për të bindur bashkësinë ndërkombëtare se Kosova nuk mund të trajtohej thjesht si çështje e të drejtave të pakicave kombëtare, por si një problem i veçantë politik dhe juridik që kërkonte zgjidhje ndërkombëtare, raporton KDP.
Duke folur në promovimin e librit të tij “Kosova – Lufta e heshtur: Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, Mazi solli dëshmi nga veprimtaria e diplomacisë shqiptare gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Promovimi u organizua në kuadër të aktiviteteve shkencore dhe kulturore për 25-vjetorin e themelimit të UEJL-së. Në të morën pjesë diplomatë, ish-diplomatë, përfaqësues politikë, akademikë dhe studentë, ndërsa libri u prezantua nga akademiku Abdylmenaf Bexheti dhe ish-ambasadori i Kosovës, Avni Spahiu. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Mazi: Nuk kishim fuqi ushtarake apo ekonomike, vetëm argumentin diplomatik
Ish ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë – Avni Spahiu dhe Zef Mazi
Mazi, i cili ka shërbyer për dekada në diplomacinë shqiptare, tha se libri është ndërtuar mbi dokumente arkivore, telegrame, raporte dhe korrespondenca diplomatike të periudhës kur Shqipëria përpiqej të siguronte mbështetje ndërkombëtare për Kosovën.
Ai shpjegoi se gjatë shërbimit si ambasador në Vjenë, veçanërisht pranë Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), kishte ruajtur një arkiv të gjerë dokumentesh.
Sipas tij, materiali përfshinte rreth 6.000 faqe telegramesh konfidenciale, raportesh të dërguara drejtuesve të shtetit shqiptar, procesverbalesh takimesh dhe korrespondencash diplomatike.
Mazi tha se i ishin dashur vite për ta përzgjedhur dhe sistemuar këtë material, në mënyrë që të shpjegonte jo vetëm zhvillimet politike, por edhe mënyrën se si funksiononte diplomacia prapa dyerve të mbyllura.
“Shqipëria nuk kishte as fuqi ushtarake, as fuqi ekonomike për t’ia imponuar vullnetin e saj botës. E vetmja armë që kishim ishte fjala, argumenti diplomatik, këmbëngulja e pandërprerë dhe puna e heshtur”, tha Mazi.
Ai e përshkroi këtë përpjekje si një proces të gjatë bindjeje të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare për rëndësinë e çështjes së Kosovës.
Përplasja me ndërkombëtarët: Kosova nuk është pakicë kombëtare
Një nga episodet që Mazi veçoi ishte debati me Komisionerin e Lartë të KSBE-së për Pakicat Kombëtare, diplomatin holandez Max van der Stoel.
Sipas Mazit, në fillim të viteve 1990, një pjesë e diplomacisë evropiane e trajtonte Kosovën në të njëjtën kategori me çështjet e pakicave kombëtare në ish-Jugosllavi.
Ai tha se diplomacia shqiptare kundërshtonte këtë qasje, duke argumentuar se Kosova kishte pasur pozitë të veçantë kushtetuese në federatën jugosllave dhe se shqiptarët përbënin një nga popullsitë më të mëdha të saj.
“Ne na duhej t’u shpjegonim me durim dhe me argumente juridike e historike se Kosova nuk ishte çështje minoriteti”, tha Mazi.
Sipas rrëfimit të tij, van der Stoel kishte synuar ta përfshinte Kosovën në mandatin e Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare, por diplomacia shqiptare e kishte kundërshtuar këtë.
“Zoti Komisioner, ju keni mandat për pakicat kombëtare; shqiptarët e Kosovës nuk janë pakicë, ndaj ju nuk mund të merreni me Kosovën”, kujtoi Mazi qëndrimin e shprehur në atë kohë.
Ai tha se ky pozicion kishte qenë i vështirë për t’u mbrojtur përballë presioneve diplomatike, por e konsideronte të rëndësishëm për ruajtjen e karakterit të veçantë të çështjes së Kosovës.
Mazi kujtoi gjithashtu se diplomacia shqiptare kishte paralajmëruar rrezikun e përhapjes së konfliktit në rajon, përfshirë Maqedoninë, nëse çështja e Kosovës nuk trajtohej në mënyrë të përshtatshme.

Nga Vjena te Kombet e Bashkuara
Ish-ambasadori përmendi edhe përpjekjet për vendosjen e pranisë ndërkombëtare vëzhguese në Kosovë, Sanxhak dhe Vojvodinë në fillim të viteve 1990.
Sipas tij, diplomacia shqiptare kishte punuar me vendet partnere për të kapërcyer pengesat në vendimmarrjen e KSBE-së, ku kërkohej konsensus.
Mazi foli edhe për takimet diplomatike që lidhen me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai kujtoi një vizitë të Rugovës në Vjenë në vitin 1992, gjatë së cilës ishte diskutuar ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.
Një nga momentet që ai veçoi ishte dëshira e Rugovës për të vizituar Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë dhe për të parë përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut.
Mazi e përshkroi këtë si një gjest me simbolikë të veçantë kombëtare.
Ai përmendi gjithashtu kontaktet diplomatike me ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, gjatë përshkallëzimit të krizës në Kosovë në vitin 1998.
Një tjetër episod i përshkruar prej tij lidhej me bisedimet me përfaqësuesin e Kinës në Kombet e Bashkuara përpara miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, kur diplomacia ndërkombëtare kërkonte të shmangte përdorimin e vetos.
Bexheti: Shqipëria bëri më shumë për Kosovën sesa është perceptuar
Akademiku Abdylmenaf Bexheti tha se libri i Mazit ndihmon në rishikimin e perceptimeve mbi rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës gjatë viteve 1990.
Sipas tij, për një kohë të gjatë kishte ekzistuar bindja se shteti shqiptar nuk kishte bërë mjaftueshëm për Kosovën. Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e përfshira në libër, sipas Bexhetit, paraqesin një tablo më komplekse.
Ai theksoi se veprimtaria diplomatike e Shqipërisë duhet të vlerësohet duke marrë parasysh gjendjen politike dhe ekonomike të vendit në atë periudhë.
Bexheti kujtoi se Shqipëria përballej me vështirësi të mëdha të brendshme, veçanërisht gjatë krizës së vitit 1997. Ai tha se një nga sfidat më të mëdha diplomatike ishte dallimi i çështjes së Kosovës nga trajtimi i përgjithshëm i të drejtave të pakicave në ish-Jugosllavi.
Sipas Bexhetit, diplomacia evropiane për një periudhë i trajtonte në një kuadër të përbashkët Kosovën, shqiptarët në Maqedoni, Sanxhakun dhe Vojvodinën. Por kjo qasje, sipas tij, nuk pasqyronte dallimet politike dhe kushtetuese të Kosovës.
Bexheti kujtoi edhe takimet e tij me përfaqësues të lartë gjermanë gjatë viteve 1990, përfshirë ministrin e Jashtëm Klaus Kinkel dhe kancelarin Helmut Kohl. Ai tha se në atë kohë diskutimet ndërkombëtare përqendroheshin kryesisht në standardet e të drejtave të njeriut, ndërsa kërkesat politike për statusin e Kosovës përballeshin me pengesa të mëdha.
Bexheti e vlerësoi librin si një burim të rëndësishëm për studentët, studiuesit dhe diplomatët.
Spahiu: Diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës veproi në mënyrë të bashkërenduar
Ish-ambasadori i Kosovës, Avni Spahiu, tha se libri sjell dëshmi të dorës së parë për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës.
Ai e përshkroi Mazin si një diplomat që kishte luajtur rol të rëndësishëm si në përfaqësimin e politikës së jashtme të Shqipërisë, ashtu edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Sipas Spahiut, diplomacia shqiptare dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës kishin zhvilluar bashkëpunim të ngushtë në vitet 1990, përfshirë kontaktet me qeverinë e Kosovës në ekzil dhe me kryeministrin e atëhershëm Bujar Bukoshi.
Ai tha se Mazi kishte mbajtur kontakte të rregullta me përfaqësuesit e Kosovës dhe shpesh kishte ndihmuar në koordinimin e veprimeve diplomatike.
Spahiu kujtoi edhe një udhëtim me Ibrahim Rugovën në Vjenë, gjatë të cilit Mazi kishte ndihmuar në përgatitjen e takimeve me përfaqësuesit austriakë.
Sipas tij, bashkërendimi i diplomacisë së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Kosovës ishte i rëndësishëm për të siguruar që qëndrimet shqiptare të dëgjoheshin në kancelaritë evropiane.
Ai vlerësoi se libri ofron material të rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si u ndërtua mbështetja ndërkombëtare për Kosovën.
Hudhri: Libri mbështetet në mijëra faqe dokumentesh diplomatike
Botuesi Bujar Hudhri, drejtues i shtëpisë botuese “Onufri”, tha se vepra e Mazit nuk është thjesht një libër kujtimesh personale.
Sipas tij, autori ka sistemuar dhe analizuar rreth 6.000 faqe dokumente arkivore, përfshirë telegrame diplomatike, raporte konfidenciale dhe korrespondenca zyrtare.
Hudhri tha se libri paraqet një përpjekje për të dokumentuar punën e diplomacisë shqiptare në një periudhë kur Shqipëria përballej me vështirësi të mëdha ekonomike dhe politike.
Ai e vlerësoi botimin si një referencë për historianët, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatët e rinj.

Rektori Ibraimi: Historia diplomatike duhet të studiohet nga brezat e rinj
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Sadudin Ibraimi, tha se promovimi i librit përbën një kontribut të rëndësishëm në aktivitetet akademike dhe kulturore të universitetit.
“Sot nuk promovojmë thjesht një libër. Promovojmë një dëshmi të një prej dekadave më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, deklaroi Ibraimi.
Rektori i UEJL-së u ndal te perceptimet që kanë ekzistuar për angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës gjatë periudhës së shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut, për një kohë të gjatë, ka pasur vlerësime se Shqipëria nuk kishte bërë mjaftueshëm për Kosovën.
“Për shumë kohë, edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, ka ekzistuar perceptimi se Shqipëria nuk kishte bërë sa duhej për Kosovën gjatë atyre viteve”, tha Ibraimi.
Megjithatë, ai theksoi se veprimtaria e shtetit shqiptar nuk mund të gjykohet pa marrë parasysh kushtet në të cilat zhvillohej diplomacia e tij.
“Roli i saj duhet të vlerësohet në kontekstin e kohës, të rrethanave politike dhe ekonomike, si dhe të mundësive të kufizuara që kishte vetë shteti shqiptar”, deklaroi rektori.
Sipas Ibraimit, një nga vlerat kryesore të librit të Mazit është mundësia për të njohur veprimet diplomatike që nuk kanë qenë të dukshme për opinionin publik.
“Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat e këtij libri: mundësia për ta njohur më mirë atë që është bërë, përtej asaj që ishte e dukshme për opinionin publik”, theksoi ai.
Duke folur për përmbajtjen e librit, Ibraimi tha se autori rikthen në vëmendje një periudhë vendimtare për historinë moderne të Kosovës.
Vitet 1991–1999, sipas tij, karakterizoheshin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, represioni i regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet për ta vendosur çështjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare.
Ai tha se titulli i librit, “Lufta e heshtur”, e orienton vëmendjen drejt një dimensioni të historisë që shpesh mbetet jashtë debatit publik.
“Titulli i librit, ‘Lufta e heshtur’, na fton të reflektojmë mbi një dimension të kësaj historie që nuk është gjithmonë i dukshëm për publikun: diplomacinë, negociatat, përpjekjet për të ndërtuar aleanca dhe për ta bërë zërin e Kosovës të dëgjohej në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Ibraimi.
Sipas tij, dokumentimi i këtyre proceseve ndihmon në krijimin e një kuptimi më të plotë të zhvillimeve që ndikuan në të ardhmen e Kosovës.
Rektori theksoi edhe rëndësinë akademike të botimit, duke e cilësuar atë si një burim të mundshëm referimi për studimin e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ai tha se libri mund të jetë i dobishëm për studentët dhe studiuesit e shkencave politike, diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave juridike.
“Besoj se ai do të shërbejë si literaturë e vlefshme referimi për studiuesit dhe studentët”, tha Ibraimi.
Megjithatë, sipas tij, një dëshmi historike nuk duhet të konsiderohet si përfundim i debatit akademik.
“Një dëshmi e tillë nuk e përmbyll diskutimin shkencor. Përkundrazi, ajo hap rrugë për pyetje të reja, hulumtime të mëtejshme dhe një kuptim më të plotë të së kaluarës”, theksoi ai.
Në fjalën e tij, Ibraimi iu drejtua edhe autorit Zef Mazi, duke ngritur pyetje për motivet që e shtynë të shkruante librin dhe për çështjet që mbeten të hapura për studime të mëtejshme.
Ai tha se do të ishte me interes të kuptohej përse autori vendosi ta botonte këtë dëshmi pikërisht tani dhe cilat aspekte të diplomacisë së asaj periudhe meritojnë ende hulumtim.
Rektori kërkoi gjithashtu që përvoja e dokumentuar në libër të shërbejë për edukimin e brezave të rinj.
Sipas tij, njohja e historisë nuk duhet të kufizohet në rikujtimin e ngjarjeve, por duhet të ndihmojë në nxjerrjen e mësimeve për të ardhmen.
“Vlera e njohjes së historisë nuk qëndron vetëm në të kuptuarit e asaj që ka ndodhur, por edhe në urtësinë për të nxjerrë mësime prej saj dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, deklaroi Ibraimi.

Mësimet e diplomacisë për brezat e rinj
Në përfundim të fjalës së tij, Mazi u drejtua veçanërisht studentëve, duke theksuar se ngjarjet historike nuk përcaktohen vetëm nga luftërat apo protestat, por edhe nga negociatat dhe puna diplomatike.
Sipas tij, përvoja e viteve 1990 dëshmon rëndësinë e argumenteve juridike, njohjes së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërtimit të aleancave.
“Historia nuk bëhet vetëm në frontet e luftës apo në sheshe me protesta. Një pjesë shumë e madhe e fatit të kombeve vendoset në tavolinat e bisedimeve, me dije, me argumente, me dinjitet dhe me punë të palodhur e të heshtur”, tha Mazi.
Promovimi në Tetovë riktheu në vëmendje një periudhë kur diplomacia shqiptare dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës kërkonin mbështetje ndërkombëtare në rrethana të vështira politike.
Për pjesëmarrësit në diskutim, dokumentimi i këtyre përpjekjeve përbën një kontribut në studimin e historisë së Kosovës dhe të rolit që diplomacia luajti në zhvillimet e mëvonshme politike.
….
KDPolitik.com është prodhim mediatik i “Institutit për Bashkëpunim Rajonal” BIRC
